5 mars 2022/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
Çmimi i karburanteve ka shënuar një rekord të ri këtë të shtunë. Në pikat e shitjes me pakicë, nafta dhe benzina në kryeqytet u shitën nga 230 deri në 238 lekë për litër. Kjo është rritja e tretë e çmimit brenda pak ditësh. Vetëm një javë më parë, nafta shitej nga 192 në 194 lekë, çka do të thotë se çmimet janë rritur në nivele alarmante nga 38 deri në 44 lekë për litër.
Kompanitë e hidrokarbureve ia faturojnë rritjen e radhës shtrenjtimit të arit të zi në bursa. Për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka prekur 118 dollarë për fuçi. Ky është edhe niveli më i lartë në 9 vitet e fundit. OPEC ka deklaruar se pavarësisht situatës do të vazhdojë të mbajë të njëjtin nivel prodhimi sipas marrëveshjes së dakordësuar, edhe para konfliktit në Ukrainë. Operatorët e tregut vendas shpjegojnë se në këto kushte, në diskutim nuk është më çmimi, por sigurimi i produktit.
Rritja e çmimit të karburanteve në nivele rekord nuk ka ndodhur vetëm në kryeqytet, por edhe në qytetet e tjera. Nga një vëzhgim përgjatë rrugës nacionale Tiranë -Pogradec, pjesa dërrmuese e pikave me pakicë të karburanteve kanë në tabelat e tyre çmimin 230 lekë për litër.
Tiranë
Operatorët e mëdhenj të tregut të karburanteve, ata që kanë edhe numrin më të madh të pikave e kanë ndryshuar në tabela çmimin, duke sinjalizuar rekordet e reja. Në kryeqytet nafta dhe benzina ka arritur nga 230 deri në 238 lekë për litër. Ky është një çmim i paregjistruar më parë, që pritet të godasë rëndë buxhetet familjare dhe të reflektohet me rritje të kostove të mallrave dhe produkteve në sektorët që karburantin e kanë lëndë bazë, si prodhimi apo transporti.
Ndërkohë në akset dalëse të kryeqytetit, çmimi i karburanteve është 4 lekë më pak. Nafta dhe benzina në tabelat e distributorëve me pakicë të operatorëve të mëdhenj shënon 234 lekë për litër.
Elbasan
Çmimet e rritura të karburanteve janë pasqyruar edhe në tabelat e pikave me shumicë të karburanteve në Elbasan. Brenda qytetit, në distributorët me pakicë të operatorëve të mëdhenj të tregut hidrokarbur çmimi i naftës dhe benzinës shënon 230 lekë për litër, siç duket edhe nga fotot e mëposhtme, të cilat janë bërë mëngjesin e kësaj të shtune. Ndërkohë që në pikat e kompanive lokale të karburanteve, megjithëse çmimi është rritur, ai ka qenë më i ulët se tek operatorët e mëdhenj. Tek këta distributorë të vegjël, brenda qytetit të Elbasanit çmimi i naftës dhe benzinës është luhatur nga 197 deri më 199 lekë për litër.
Ndërkohë jashtë zonës së banuar çmimet e karburanteve janë pak më të ulëta se brenda qytetit të Elbasanit. Siç duket edhe nga fotot e mëposhtme, tek operatorët e mëdhenj të tregut, çmimi i naftës dhe benzinës është 210 lekë për litër ose 20 lekë më pak se brenda qytetit.
Çmime më të ulëta në këtë zonë ofrojnë edhe operatorët më të vegjël lokalë. Kjo shpjegohet me rënien e kërkesës për karburante, e cila brenda qendrave të banuara është më e lartë dhe rrjedhimisht, kjo bën që edhe çmimi të jetë më i shtrenjtë.
Librazhd
Çmimet e rritura janë reflektuar edhe në zonën e Librazhdit. Megjithëse këtu çmimi i naftës dhe benzinës është më i ulët se në qytetet e mëdha, si Tiranë dhe Elbasan. Në pikat e shitjes me pakicë, nafta dhe benzina tregtohet me 210 lekë për litër. Në të njëjtat nivele është edhe çmimi i karburanteve që ofrohet nga operatorët e vegjël lokalë, ndryshe nga sa u konstatua në zonën e Elbasanit.
Prrenjas
Edhe në zonën e Prrenjasit, në aksin nacional Tiranë-Pogradec çmimet e reja të karburanteve janë pasqyruar në tabela. Në distributorët e shitjes me pakicë, nafta dhe benzina shiten me 230 lekë për litër, thuajse njësoj si në qytetet e mëdha.
Në zonën e Qafë -Thanës, rrugës për në Pogradec, një nga operatorët lokalë ofron edhe çmimin më të ulët që kemi parë që prej nisjes së udhëtimit tonë. Ashtu siç duket nga foto e mëposhtme, nafta dhe benzina në këtë pikë tregtohet me 160 dhe 163 lekë për litër. Një çmim i tillë ngre pikëpyetje lidhur me cilësinë, ashtu siç ndodh thuajse me të gjithë operatorët lokalë përgjithësisht. Megjithëse së fundmi nuk ka të dhëna nga institucionet shtetërore lidhur me standardin e cilësisë së karburanteve që tregtohet prej tyre ose prej operatorëve më të mëdhenj të tregut.
Pogradec
Ndërsa i afrohemi Pogradecit, ku përfundon edhe udhëtimi ynë, çmimet e karburanteve fillojnë të rriten sërish. Ashtu siç duket nga fotot, në pikat e shitjes me pakicë të kompanive të mëdha, çmimi i naftës dhe benzinës shënon 230 lekë për litër, duke reflektuar rritjen e 24 orëve të fundit. Të njëjtat çmime karburantesh ofrohen edhe në Drilon, zonën turistike buzë liqenit të Pogradecit. Edhe këtu çmimet e karburanteve janë njësoj si brenda qytetit.
Për ekspertët e ekonomisë një rritje e çmimit të karburanteve ishte e pritshme, pas sanksioneve që u vendosën ndaj Moskës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera që kanë dënuar sulmin mbi Ukrainë. Sipas Pano Sokos, tregu duket të përgatitet për një krizë të plotë. “Natyrisht që situata e sanksioneve do të jepte impaktin e vet. Rritja e fundjavës i dedikohet sanksioneve që SHBA ndërmori të premten, duke pezulluar importin e naftës ruse. Duhet të përgatitemi për një krizë të plotë. Ndoshta niveli 250 lekë për litër do të jetë normaliteti i ri i çmimit”, shprehet Soko për Porta Vendore.
Eksperti i ekonomisë argumenton se shtrenjtimi i karburanteve do të çojë në një rritje të çmimeve thuajse në të gjithë sektorët dhe do të rrisë ndjeshëm koston e jetesës për qytetarët.
“Impakti është i gjithanshëm, sepse preket gjithë ekonomia, në rang global. Preket energjia, transporti. Kjo do të reflektojë në pothuajse gjithë gamën e artikujve, duke shtyrë inflacionin në nivele shumë të larta”, deklaron Soko.
Sipas tij, qeveria dhe institucionet shtetërore duhet të shmangin abuzimet në treg dhe më pas nëse çmimi do të prekë rekorde të reja, të ndërhyjnë me uljen e taksave.
“Për të kuptuar çfarë masash duhen ndërmarrë, duhet parë deri ku do të shkojë. Po fillimisht është e domosdoshme prerja e rrugës së spekulimit. Në situata kaotike të tilla, shumë kompani mund të spekulojnë dhe kjo është gjeja e parë që duhet patur parasysh. Më pas pastaj, duhet parë deri ku shkon kriza dhe të mendohet lloji i ndërhyrjes. Por që gjithmonë do të jetë një ndërhyrje fiskale. Ne nuk kemi mjete të tjera amortizuese”, shprehet Pano Soko për Porta Vendore.
Paralelisht në muajt e fundit, tregu vendas i karburanteve është përballur edhe me rritjen e çmimit të gazit. Kjo bën që konsumatorët të mos kenë burime alternative zëvendësuese për furnizim me karburant, për lëvizshmëri apo ngrohje.