Vëzhgim/Analizë

Bashkia Vorë, tre kandidatët me premtime të pakta dhe të pamatshme

4 mars 2022/ Porta Vendore/ Vorë

Gjatë 2 javëve të fushatës elektorale, e cila nisi zyrtarisht më 19 shkurt, secili nga kandidatët ka bërë premtimet e veta sa i përket programit elektoral, ku Porta Vendore monitoroi disa nga takimet e realizuara në terren të kandidatëve, intervistat mediatike dhe faqet e rrjeteve sociale për të evidentuar premtimet që secili prej tyre i ka dhënë qytetarëve për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.

Bashkia Vorë është një nga gjashtë bashkitë ku do të ketë zgjedhje të pjesshme. Në këtë bashki kandidojnë Blerim Shera për Partinë Socialiste, Ymer Marku për Partinë Demokratike dhe Lulzim Vrana për koalicionin “Shtëpia e Lirisë”. Ajo që vihet re ndryshe nga bashkitë e tjera, premtimet e 3 kandidatëve për këtë bashki kanë qenë më të pakta, krahasuar me pesë zonat e tjera, ndonëse, Bashkia Vorë njihet si një bashki me potencial ekonomik për shkak të bizneseve të shumta në këtë zonë.

Nga ajo që kemi verifikuar, si në rrjetet sociale, po ashtu edhe në takimet në zonë që kandidati i Partisë Socialiste, Blerim Shera ka pasur me elektoratin, vihet re se ai është përqendruar kryesisht te premtimet për t’iu ofruar shërbimet e nevojshme qytetarëve të kësaj bashkie dhe tek rindërtimi, pa u fokusuar në projekte të tjera.

Premtimet e Blerim Sherës

  • Premtoj se do të bëj të pamundurën për të qenë sa më pranë banorëve të Vorës në ofrimin e shërbimeve nga ana e bashkisë dhe në zgjidhjen e problematikave
  • Do t’i japim Vorës një pamje të re dhe ta kthejmë në qytetin ku duam të rriten fëmijët tanë
  • Me projektet tona, do ta bëjmë Vorën model të qeverisjes vendore
  • Mbyllja e procedurave dhe përshpejtimi i procesit të pandalshëm të rindërtimit.
  • Infrastruktura dhe zgjidhja e problemeve fshat më fshat do jetë fokusi kryesor i punës sime
  • Në Bërxullë do të ndërtohet rruga në qendër të fshatit.

Në shumë takime, Blerim Shera ka qenë i shoqëruar me deputetët e zonës dhe drejtuesin politik të qarkut Tiranë, Erion Veliaj, ku më së shumti kanë ofruar mbështetjen e Partisë Socialiste dhe pushtetit qendror për qytetarët e Vorës, pa pasur premtime konkrete të pushtetit vendor.

Edhe kandidati i Partisë Demokratike, Ymer Marku, gjatë takimeve të tij me qytetarët e Vorës ka vënë fokusin tek rindërtimi i shtëpive për ata që mbetën të pastrehë nga tërmeti i vitit 2019. Në vizitën në disa fshatra ai ka thënë se primare për të, nëse zgjidhet kryetar do të jetë investimi në infrastrukturë. Sipas tij, fshatrat e Vorës janë shumë pranë Tiranës, por kanë dallim të mëdha për shkak të mjerimit që i ka kapluar nga infrastruktura e amortizuar. Ai ka siguruar banorët se çdo fond do të kthehet në investim

Premtimet:

  • Rindërtimi do jetë kryefjala e punës time, qytetarët e Vorës meritojnë të kenë shtëpitë e tyre.
  • Infrastruktura këto 3 vite është në gjendje të mjerueshme, do bëjmë maksimumin e mundshëm që jeta e qytetarëve të normalizohet.
  • Transparenca dhe meritokracia mund të duken gjëra të vogla, por janë baza e funksionimit të administratës.
  • Në fshatin Marikaj, zero investime në vitet e fundit që bashkia po qeveriset nga PS!, ne do investojmë
  • Në fshatin Gjokaj ka dy kosha për gjithë zonën e Gjokajt, ndërkohë që taksat pastrim dhe gjelbërim paguhen rregullisht. Është emergjente nevoja për një kryetar që të punojë me qytetarët, për nevojat e tyre të përditshme.
  • Rruga që fëmijët në Muçaj duhet të përshkruajnë çdo ditë për të shkuar në shkollë! Gjendja është vërtetë emergjente!

Ndërkohë, Koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë’ ka prezantuar si kandidatin e tyre për kryetar bashkie ne Vorë, Lulzim Vranën. Ky i fundit, në takimet që ka zhvilluar gjatë kësaj kohe me qytetarët e Vorës, ka premtuar gjithashtu se do të përshpejtojë procesin e rindërtimit. Nga ana tjetër ai ka garantuar qytetarët që, nëse zgjidhet kryetar bashkie do të ketë në fokus punësimin e të rinjve. Madje Vrana ka shkaktuar edhe më larg në premtime, ai tha se do dëmshpërblejë ata që u preken nga covid-19, si dhe do të paguajë 10 mijë lekë të reja çdo person që vuan nga sëmundje kronike.

Premtimet:

  • Përshpejtimi i procesit të rindërtimit
  • Investime në infrastrukturë rrugore
  • Përmirësim i shërbimeve
  • Përkrahje të bizneseve në taksa e tarifa
  • Punësimi i të rinjve do jetë fokusi ynë
  • Zhvillimi i Agroturizmit do të jetë puna jonë
  • Investime në qendra shëndetësore
  • Hapja e një shkolle profesionale
  • Do shpërblejmë me 10 mijë lekë të reja të sëmurët kronikë
  • Do shpërblehen familjet që kanë pasur familjarë me Covid 19

Megjithatë, ajo që vihet re te tre kandidatët për Bashkinë e Vorës është fakti se premtimet kanë qenë të limituara dhe kryesisht të pamatshme. Madje, edhe rrjetet sociale të tyre më së shumti karakterizohen nga foto dhe video të deputetëve që i përkrahin sesa nga bashkëbisedimet me qytetarë.