Vëzhgim/Analizë

Bashkia Lushnjë, premtimet e tre kandidatëve për kryetar pas arrestimit të ish-kryetarit

4 mars 2022/ Porta Vendore/ Lushnje

Gjatë 2 javëve të fushatës elektorale, e cila nisi zyrtarisht më 19 shkurt, secili nga kandidatët ka bërë premtimet e veta sa i përket programit elektoral, ku Porta Vendore monitoroi disa nga takimet e realizuara në terren të kandidatëve, intervistat mediatike dhe faqet e rrjeteve sociale për të evidentuar premtimet që secili prej tyre i ka dhënë qytetarëve për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.

Bashkia Lushnjë është një nga bashkitë që pret kryetarin e ri të saj, pas zhvillimeve nga ana e SPAK lidhur me hetimin për korrupsion të ish Kryebashkiakut Fatos Tushe. Ndaj në garën për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, garojnë për një mandat 1 vjeçar në krye të kësaj bashkie 3 kandidatë, 1 grua dhe dy burra. Partia Socialiste ka zgjedhur të përfaqësohet me kryetaren aktuale të komanduar në krye të kësaj bashkie prej 7 muajsh Eriselda Sefën. Nga radhët e Partia Demokratike do të jetë kandidati Indrit Sefa ndërsa Koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë” do të përfaqësohet me Elton Banon.

Eriselda Sefa në takimet e saj elektorale me banorët e Lushnjes, në njësitë administrative dhe fshatra duke nisur nga 19 shkurti 2022, datë ku është hapur zyrtarisht fushata elektorale e këtyre zgjedhjeve lokale të pjesshme ka gjetur mundësinë për të bërë një përmbledhje të punëve që janë në zhvillim e sipër por edhe të disa zotimeve që ajo vetë dëshiron ti çojë përpara në përmirësimin e qytetit, nëse lushnjarët do të zgjedhin Sefën për të dhënë një mandat të pjesshëm.

Premtimet e Eriselda Sefës                          

  • Në Njësinë Administrative Hysgjokaj do të vijojmë të mbështesim edhe më shumë fermerët e zonës në infrastrukturë bujqësore, por edhe ti orientojmë sa më mirë në aplikimin e skemave lehtësuese të qeverisë në sektorin blegtoral dhe atë bujqësorë.
  • Modernizimi i hapësirave sportive/ 4 fusha të reja sportive dhe rikonstruksion i stadiumit “Moza Haxhiu”
  • Në Njësinë Administrative Ballagat do të bëjmë të mundur infrastrukturën rrugore. Do të realizohet rruga e Gjuzajt, Garunjës por edhe infrastrukturë rrugore në të gjithë fshatrat e tjerë të kësaj njësie dhe më gjerë.
  • Promovimi i produkteve bujqësore në Lushnje, në maj panairi më i madh rajonal
  • Agro-pika që do ti vijnë në ndihmë fermerit ndërsa siguria e konsumatorit do të jetë në fokus të Bashkisë Lushnje
  • Ngritja e një tregu me standarde ashtu sikurse qytetarët e Lushnjës e meritojnë.
  • “Përroi i Lushnjës”, “Unaza” e qytetit, markata moderne, investimet ë mëdha në futboll, rruga “Sabri Kosturi” dhe disa rrugë të tjera të brendshme, janë vetëm disa nga projektet e këtij viti.
  • Objektivi im janë ndërhyrjet në ambientet e përbashkëta në pallate, ambientet rekreative dhe lulishtet nëpër lagje, si dhe shërbime sociale sa më të prekshme, si garanci për zhvillim të qëndrueshëm!
  • Zotimi im para banorëve punëtorë të kësaj Njësie Administrative dhe të gjithë Myzeqesë, është partneritet i padiskutueshëm me qeverinë dhe donatorët për çështje që i shërbejnë veçanërisht fermerëve dhe infrastrukturës bujqësore!
  • Rikualifikim i blloqeve të banimit në të gjithë qytetin e Lushnjes
  • Do shtohen hapësirat e gjelbërta mes pallateve, dhe do vendosen lodra mes pallateve që fëmijët të kalojnë kohë me prindërit e gjyshërit
  • Do ndërhyhet tek pushimi shoferit për ti ardhur në ndihmë qytetarëve me nënkalime në autostradë
  • Investimi në fushat sportive dhe palestrat e shkollave është objektivi ynë. Shpreh garancinë për të vijuar me mbështetjen për terrenet sportive edhe të institucioneve arsimore, si angazhim dhe prioritet edhe i Kryeministrit Edi Rama.
  • Do të vijojmë me punën transformuese në lagjen “Gafurr Muço” në Lushnjë, me disa vepra të rëndësishme infrastrukturore këtë vit!
  • Përveç rrugës “Sabri Kosturi” që po përfundon, dy projekte të mëdha do të prekin lagje “18 Tetori” investimi tek “Përroi i Lushnjes”, si dhe sfida ime e madhe, rehabilitimi i fushës së mbetjeve!
  • Ndërtimi i pritës mbi Lumin Shkumbin, për banorët e fshatit Thanasaj e jo vetëm.
  • Një nga projektet më sfiduese do të jetë ngritja e parkut në fushën e plehrave, që ishte një shqetësim i madh prej vitesh për qytetarët e Lushnjes. Gjatë vitit 2022 do të kthehet në një park.

Ndërsa kandidati Indrit Sefa nga radhët e Partisë Demokratike në takime me banorët ka luajtur me kartën e faktin që është lindur e rritur në Lushnje, ndaj meriton një shans për të bërë më të mirën për bashkëqytetarët e tij. Sefa ka artikuluar që plani i tij është një plan emergjence kjo edhe për vetë faktin se Lushnja ndodhet në një situatë tejet të vështirë, ku ka nevojë për ndërhyrje në disa sektorë kryesore, duke nisur nga rinia, infrastruktura, arsimi, bujqësia etj.

Premtimet e Indrit Sefës:

  • Plani im i Emergjencës i kushtohet rinisë. Rigjallërimi të jetës kulturore, si dhe një Qendër të Teknologjisë për Rininë. Mbështetja e të rinjve për punësim.
  • Bashkia e Lushnjes është një dështim i vërtetë për shkollat. Prapambetja reflektohet tek niveli i ulët i arsimimit, më pak se 10% mbarojnë universitetin, shumë të rinj të tjerë nuk ndjekin as shkollën e mesme.

Me bindjen se pa arsimim cilësor nuk mund të kemi zhvillim, iu siguroj se infrastruktura në shkolla do të jetë prioritet kryesor në Planin tim të Emergjencës.

  • Plani i Emergjencës në kontratën time 1 vjeçare me qytetarët do të përfshijë gjithashtu edhe përmirësimin e infrastrukturës në rrugët e qytetit
  • Bujqësia do të jetë në fokusin tim , ku investimet do të jenë të mëdha. Mbështetje për fermerët dhe për infrastrukturën e punës së tyre. Hapje e rrugëve që çojnë parcela, mirëmbajtja e kanaleve kulluese dhe vaditëse, është prioritet i prioriteteve.
  • Bashkia do të jetë aleati juaj më i madh. Inspektorët e bashkisë nuk do të mbysin lushnjarët me gjoba as në fshat, as në qytet.

Pas 6 Marsit, i ka premtuar Sefa qytetarëve nuk do të ketë asnjë shans që Lushnja të trajtohet si bashki e dorës së dytë teksa do të luftojë korrupsionin në çdo nivel të saj. Teksa ka artikuluar një sërë herësh në takime elektorale plani i tij i Emergjencës në 1 vit premton se do ta vendos bashkinë në punë, teksa nuk do të jetë më një bashki që shpërdoron taksat e lushnjarëve, por do të kthehet në një bashki që do t’u shërbejë atyre.

Ndërkohë edhe kandidati nga “Shtëpia e Lirisë” Elton Banon në zgjedhjet e pjesshme lokale të cilat mbahen në 6 mars për Bashkinë Lushnje ka premtuar një sërë gjërash me fokus në sektorët kryesore gjatë takimeve elektorale me qytetarët.

Premtimet e Elton Banos:

  • Bujqësia është në fokus, ajo do të ketë më shumë subvencione për fermerët e zonës së Lushnjës
  • Blegtoria e cila ka një rënie mbi 50% në 7 vite, do të përpiqemi medoemos që ta ringrejmë
  • Do të krijojmë një departament me specialistët më në zë të qytetit të Lushnjes, për të ndihmuar në bujqësinë e zonës
  • Bashkia do të ketë institucione të veçanta për fermerët dhe konsumatorët
  • Do të përmirësojmë infrastrukturën shkollore në çdo shkolle , do të pajiset me ngrohje dhe pajisje të tjera
  • Në fokus do të vendoset infrastruktura rrugore qytetase dhe ndërqytetase.
  • Do të kryejmë investime në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve
  • Pastrimi i mbetjeve urbane do të kryhet në mënyrë të rregullt
  • Taksat do t’i ulim në minimumin e mundshëm që na mundëson ligji
  • Bizneset e reja nuk do të paguajnë taksa bashkiake për një vit
  • Do t’i kushtojmë vëmendje promovimit të talenteve të reja
  • Punësimi i të rinjve, ata do të jenë pjesë esenciale në Bashkinë e Lushnjës
  • Aktivitete social-kulturore për të rinjtë nuk do të mungojnë më në qytetin e Lushnjës
  • Në fshatin Halilaj, njësia administrative Bubullimë do të përmirësojmë ndriçimin, kanalet e papastruara dhe problemet në infrastrukturë.
  • Në fshatin Gjazë, njësia administrative Krutje premtoj investime në vende pune të reja, shkolla, kopshte dhe çerdhe për fëmijët, mbi të gjitha zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.
  • Në fshatin Çinar njësinë administrative Fier-Shegan do të marrë fund shqetësimi i banorëve për mungesën e investime
  • Në fshatin Krutje e Sipërme në njësinë administrative Krutje do të investohet në infrastrukturë dhe në ndriçimin e rrugëve
  • Në lagjen “Skënder Libohova’’ do të përmirësojmë sistemin e ngrohjes dhe shtimin në ambiente; si ato çlodhëse, apo kërkimore si biblioteka dhe klasa studimi.