4 mars 2022/ Porta Vendore/ Dibër
Gjatë 2 javëve të fushatës elektorale, e cila nisi zyrtarisht më 19 shkurt, secili nga kandidatët ka bërë premtimet e veta sa i përket programit elektoral, ku Porta Vendore monitoroi disa nga takimet e realizuara në terren të kandidatëve, intervistat mediatike dhe faqet e rrjeteve sociale për të evidentuar premtimet që secili prej tyre i ka dhënë qytetarëve për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.
Në Bashkinë Dibër kandidojnë tre kandidatë për Kryetar Bashkie, ku koalicioni “Shtëpia e Lirisë” është prezantuar me kandidatin Premtim Kryemadhi, Partia Demokratike me kandidatin Luan Haka dhe Partia Socialiste me kandidatin Rahim Spahiu. Të tre kandidatët nga të tre partitë garuese janë paraqitur me një sërë premtimesh.
Kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Pajtim Kryemadhi ka bërë një sërë premtimesh si në intervista televizive, ndërkohë që ka qenë shumë aktiv edhe në rrjetet sociale. Kryemadhi numëron një sërë premtimesh të matshme dhe të pamatshme, ndërkohë që ka bërë edhe premtime që i përkasin pushtetit qendror.
Premtimet e Pajtim Kryemadhit
- Do drejtoj me transparencë
- Do të eliminoj korrupsionin
- Do të kalojnë në “sitën” e transparencës të gjithë punonjësit e bashkisë dhe të institucioneve në varësi
- Dibra do të furnizohet rregullisht me ujë dhe jo vetëm 30 minuta në ditë sikur ndodh aktualisht
- Do të ul kostot për furnizimin me dru zjarri si dhe do të kem prioritet pastrimin e qytetit dhe investimet në infrastrukturën e zonave përreth.
- Do të jem çdo ditë në terren me qytetarët edhe pasi të mbarojnë zgjedhjet
- Nuk do ketë drejtor policie që vjen nga Tirana, drejtor spitali që vjen nga Tirana, drejtor dogane që vijnë nga Tirana
- Do ulim çmimin e druve
- Mirëmbajtje për bulevardin dhe investime në infrastrukturë
- Do t’i shërbej votuesve dhe tashmë do të respektohet çdo votë tyre
- Do të bashkohet me protestuesit për të mos lejuar një katastrofë që iu bëhet resurseve dhe bukurive natyrore, si ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës
- Do reduktojmë borxhin
- Do krijojmë një administratë profesionale që t’iu shërbejë qytetarëve
- Do të rihapim universitetin
Ndërsa, Luan Haka kandidati i Partisë Demokratike në Dibër, ka mbajtur një fjalim të gjatë në takimin që ka pasur me banorët e kësaj njësie. Ai ka thënë se do të shohë me prioritet dhënien e subvencioneve të plota për fermerët. Ai ka premtuar se, do të investojë në vende të reja pune dhe arsim në mënyrë që të ndalojë largimin e të rinjve nga vendi.
Premtimet e Luan Hakës
- Prioritet dhënia e subvencioneve të plota për fermerët
- Vende të reja pune dhe arsim në mënyrë që të ndalojë largimin e të rinjve nga vendi
- Do mirëpres në zyrë çdo qytetar për ankesat dhe kërkesat e tyre.
- Fondet për infrastrukturën nuk do të ndryshojnë destinacion, pasi kështu i hapin më shumë mundësi edhe zhvillimit të bujqësisë.
- Do ta kthej agro turizmin në shpresën për zhvillim dhe të ardhura në Dibër.
- Do të rikonstruktojmë disa shkolla dhe qendra shëndetësore.
- Do të investojmë në rrugët e fshatit Luzni
- Fshati Kale do furnizohet me ujë të pijshëm, do rikonstruktohen kanalet ujitëse.
- Do shtrohet rruga për 100 familje të fshatin Limnjan
- Do kthejmë vëmendjen nga zhvillimi i bujqësisë përmes ngritjes së tregut të shitjes së produkteve dhe ndërtimit të magazinave mbledhëse dhe frigoriferëve për të depozituar produktet.
- Do të bashkëpunojmë dhe me projekte ndërkombëtare për të sjellë subvencione për fermerët si dhe do të ndikojmë. për uljen e çmimeve të imputeve dhe karburantit për bujqësinë
- Do punojmë fort të sjellim investime për rrugët që të lidhen me qytetin si dhe të kryhen ndërhyrje për funksionalitetin e sistemit të vaditjes së tokave.
- Do të sjellim investime për ndryshimin e mjediseve të shkollave dhe qendrave shëndetësore si dhe pajisjes së tyre me ngrohje dhe aparatura mjekësore modern.
- Do nxisim bashkëpunimet me projekte të huaja për zhvillimin e bujtinave agrobiznesnit në mënyrë që ta kthejmë Dibrën në një destinacion kyç të turizmit malor.
- Në Kishavec dy drejtime kryesore të ekonomisë në fshatrat e Dibrës, janë përfshirë nga një krizë e thellë e shitjes së prodhimit, monopoleve të importit nga vendet e rajonit dhe tarifat e larta të transportit.
- Do të hartojmë dhe do të zbatojmë politika për të mbështetur biznesin e vogël, do të rishohim të gjitha tarifat lokale si dhe do të ngremë infrastrukturën e përshtatshme për ta.
- Ju sigurova biznesmenëve se, që në ditët e para pas marrjes së Bashkisë me 6 Mars do të nënshkruaj vendimin për kthimin e stacionit të furgonëve, që pasagjerët të zbresin në shesh dhe pastaj të shkojnë në terminal.
- Ngritja e pensioneve dhe pagave
- Në Zall Dardhë riparimi i rrjetit elektrik plotësisht, si dhe do të rikonstruktojmë rrugët e amortizuara.
- Rritja e ekonomisë rurale.
- Në Sllovë premtoj magazinë grumbullimi të frutave, frigoriferë dhe madje, as edhe një treg për të shitur produktet bujqësore dhe blegtorale.
- Sistemi i Ujësjellësit
- Zgjedhje për vendgrumbullimin e mbetjeve
- Kthimi i kujdesit shtetëror ndaj traditave historike, punimeve artizanale kuzhinës dhe çdo vlere të komunitetit të Dibrës
- Dibra ka sfida të rëndësishme mes të kaluarës dhe të ardhmes e ka nevojë për një Kryebashkiak punëtor që i dedikohet 24 orë përfaqësimit të qytetarëve duke ju shërbyer atyre e duke ju përmirësuar shërbimet
- Dibra ka ujërat termale më të njohura në Shqipëri dhe ka nevojë të ketë një optikë të re për administrimin dhe promovimin e tyre.
Kandidati për kryebashkiak i PS në Dibër, Rahim Spahiu, iu kërkuar mbështetjen përmes votës qytetarëve, duke iu premtuar se, do të ketë në fokus të rinjtë dhe zërin e tyre për të zhvilluar qytetin, ndonëse është treguar më i kursyer me premtime se dy kandidatët e tjerë. Në një intervistë televizive ai ka deklaruar se kryefjala e punës së tij do të jenë infrastruktura, turizmi dhe bujqësia. Gjatë kësaj interviste ai tha se do të punojë fortë që të hap vende të reja pune dhe të mbajë në vend të rinjtë.
Premtimet e Rahim Spahiut
- Dibra do të kthehet në një pikë turistike si për sezonin veror edhe për atë dimëror.
- Bashkia e Dibrës do të jetë gjithmonë në mbështetje të të rinjve, të cilët duan të japin kontributin e tyre për qytetin dhe zonën
- Fokusi i punës sime në krye të pushtetit vendor do të jenë; infrastruktura, bujqësia dhe turizmi
- Do të punoj fort në zhvillimin e fronteve të reja të punës, me qëllim që të rinjtë t’i mbajmë në gjirin tonë e t’u japim të ardhmen që meritojnë.
- Do kujdesemi posaçërisht për fermerin, për bujqësinë dhe blegtorinë, mbi të gjitha duke i ndihmuar me infrastrukturën e nevojshme. Në theksin tonë është mbi të gjitha ruajtja dhe stimulimi i prodhimit vendas. Ne besojmë fort se konsumi duhet të jetë “made in Albania”.
- Do të investohemi tërësisht që Dibrën ta bëjmë destinacion të preferuar.
- Do të investohemi fort në infrastrukturë dhe të stimulojmë agroturizmin, falë edhe peizazheve fantastike që na ka falur natyra