3 mars 2022/ Porta Vendore/ Durrës
Në zgjedhjet e pjesshme lokale, të cilat do të mbahen më 6 mars, për Bashkinë Durrës garojnë 3 kandidatë, përkatësisht Ardian Muka nga Koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, Emiriana Sako nën siglën e Partisë Socialiste dhe Luan Hoti nga Partia Demokratike.
Gjatë 2 javëve të fushatës elektorale, e cila nisi zyrtarisht më 19 shkurt, secili nga kandidatët ka bërë premtimet e veta sa i përket programit elektoral, ku Porta Vendore monitoroi disa nga takimet e realizuara në terren të kandidatëve, intervistat mediatike dhe faqet e rrjeteve sociale për të evidentuar premtimet që secili prej tyre i ka dhënë qytetarëve për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.
Ardian Muka kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” i cili vjen nga radhët e biznesit në takimet e tij me qytetarë në njësitë administrative të Durrësit ka treguar prioritetet e tij lidhur me menaxhimin e bashkisë nëse qytetarët do t’i besojnë një mandat.
Në qendër të programit të tij, janë disa pika lidhur me infrastrukturën, bujqësinë, arsimin, rininë dhe turizmin.
Premtimet e Ardian Mukës:
- Qyteti po vuan përsa i përket infrastrukturës,si në konceptimin e lëvizjes së makinave, shkarkimit të ujërave të ndotura, të mbetjeve urbane, ndaj të gjitha këto duhen përmirësuar.
- Do të fokusohemi në gjelbërim, pasi betonizimi është kthyer në kaos.
- Arkitektura e Durrësit duhet të ndryshojë dhe sistemohet.
- Bujqësia dhe fermerët janë lënë në harresë deri më tani, po ajo që do bëjmë ne është krijimi i “one stop shop” për ta dhe ndihma me subvencione.
- Do të krijoj mundësinë që kanalet kulluese dhe vaditëse të jenë në gjendje pune.
- Rinia dhe arsimi, gjithashtu është,ka qenë një nga shtyllat tona.
- Bashkia Durrës do të ketë një bashkëpunim shumë të mirë me Universitetin e Durrësit, duke krijuar laboratorë bashkëpunimi për punësimin e të rinjve në ndërmarrjet e Durrësit apo edhe më gjerë.
- Do të ofrohen nga bashkia kurse profesionale për rininë që kjo e fundit të ketë një motiv për të qëndruar dhe të mos braktis në mënyrë masive siç kemi parë, vendin e tyre.
- Durrësi mbështetet në 4 kolona kryesore, siç janë tregtia, turizmi, transporti dhe teknologjia, ku gjithashtu do të jenë në fokusin tonë në mënyrë të padiskutueshme.
- Turizmi dhe trashëgimia kulturore prioritet në programin tonë, duke e zgjeruar sezonin turistik në 6 muaj me këto dy elemente shumë të rëndësishëm, duke thithur paketa të rëndësishme turistike ndërkombëtare.
- Krijimi i një parku arkeologjik, ku në zhvillimet e të nesërmes, turistët të kenë mundësi ta kalojnë ditën e tyre aty.
- Bashkia do ofrojë mundësinë që turistët të kenë guidë elektronike.
- Vëmendje të veçantë do t’i kushtohet edhe Portit të Durrësit, pasi porti dhe qyteti janë një.
Kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” ka bërë edhe disa premtime të pamatshme, siç është rritja e transparencës dhe largimi i korrupsionit nga radhët e zyrtarëve të Bashkisë, duke premtuar se pas 6 marsit Bashkia Durrës do të jetë e hapur ndaj qytetarëve.
Ndërkohë Kryetarja në detyrë e Bashkisë Durrës, arkitektja Emiriana Sako, e cila garon për një mandat 1 vjeçar nën logon e PS e ka ndërtuar fushatën e saj 2 javore, në këto zgjedhje të pjesshme duke bërë disa takime në zonat urbane dhe rurale të Durrësit, duke dhënë intervista në media online dhe duke qenë aktive në rrjetin social facebook. Ajo ka dashur që gjatë fushatës së saj të mbështetet në atë që është bërë gjatë 1-vjeçarit të punës së saj në krye të Bashkisë Durrës dhe mbi atë që pritet të ndodhë nëse durrsakët i japin një tjetër mundësi për të qenë në krye të bashkisë së dytë më të madhe në vend, pas Tiranës.
Në takimet elektorale Sako u ndal tek procesi i rindërtimit për banorët e prekur nga tërmeti në këtë zonë, por gjithashtu edhe në investime të tjera të rëndësishme të cilat janë në përfundim e sipër, duke ndikuar në përmirësimin e jetës së banorëve por edhe të tjera që janë të planifikuara në buxhetin aktual të bashkisë.
Premtimet e Emiriana Sakos:
- Brenda vitit lagjja e Spitallës do të pësojë transformim rrënjësor, me Eko Parkun,Portine ri Tregtar në Porto Romano,Lagjen e re të Spitallës me 996 apartamente banimi, njësi shërbimi, park, qendër shëndetësore dhe terren sportiv.
- Së shpejti nisin punimet për shëtitoren e re të plazhit, që do ta kthejë tërë zonën nga më modernet e bregdetit të Adriatikut. Gjithashtu në këtë zonë parashikohen investime në infrastrukturën rrugore si dhe rehabilitim kurtallesh midis blloqeve të banimit.
- Sukthi së shpejti me zyrë të re këshillimi dhe shërbimesh për familjet në nevojë. Programe të posaçme strehimi për familjet e pastreha. Mbështetje për fuqizimin e gruas në familje dhe shoqëri.
- Në fokusin tonë në zonën e Romanatit, pjesë e Njësisë Administrative Rrashbull mbetet zhvillimi i mëtejshëm i zonave rurale, nëpërmjet fuqizimit edhe të subjekteve të agroturizmit, për t’i dhënë një hov të ri zhvillimor këtyre njësive.
- Në fokus të punës sonë në Njësinë Administrative Ishëm do të jetë përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës, përfundimi i procesit të rindërtimit, ndërtimi i qendrave të reja shëndetësore, shkolla/kopshte të reja për fëmijët e zonës.
- Në takimet derë më derë me banorë dhe biznese të lagjeve3 dhe 4, diskutuam mbi investimet që ne kemi projektuar për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit tonë.
- Për banorët e lagjeve 8 & 18, janë një sërë projektesh që do të implementohen, si: Rikonstruksioni i fasadave të pallateve dhe veshja e tyre me kapotë, duke synuar efiçencën e energjisë. Rivitalizimi i kurtalleve midis pallateve;Ndriçimi;Gjelbërimi;Ndërtimi i këndeve të lojërave për fëmijë.
- Në Lagjen nr. 5, do të bëjmë të mundur infrastrukturë të re, parkim e sinjalistikë në shërbim të sipërmarrësve tek Rruga Kasem Durrësi,hapësira publike për të gjithë banorët dhe fëmijët e Lagjes 5, si dhe finalizim të projekteve të rindërtimit.
- Nisma tjetër që kemi marrë është pastrimi në çdo cep të qytetit. Me buxhetin e bashkisë brenda një afati 3-vjeçar do mbjellim 15.000 pemë në qytetin e Durrësit.
- Projekti i Marinës, i cili pritet ta pozicionojë Durrësin në arenën ndërkombëtare, si dhe Hapja e arenës së amfiteatrit.
Luan Hoti, i cili garon nga radhët e Partisë Demokratike për marrjen në komandën e tij të qytetin bregdetar, ka bërë një sërë premtimesh gjatë takimeve në terren me qytetarët, dhe jo vetëm, por edhe gjatë komunikimeve me median e shkruar dhe atë vizive, ku fokusi ka qenë në shtyllat kryesore të qytetit si infrastruktura,
Por edhe ai si kandidati Muka nga Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” nuk ka shpëtuar pa premtuar hapje të Bashkisë Durrës ndaj qytetarëve, një model të ri dhe më të mirë qeverisjeje dhe shembje të modelit të korrupsionit.
Premtimet e Luan Hotit:
- Do të ndërhyjmë menjëherë për të korrigjuar dhe përmirësuar situatën e trafikut dhe të transportit urban. Policia Bashkiake do të disiplinojë në mënyrë të vazhdueshme dhe veçanërisht gjatë orëve më të ngarkuara, trafikun në 4 arteriet kryesore të qytetit.
- Do të mbikëqyrim në përditshmëri zbatimin e kontratave nga shoqëritë e transportit urban me qëllim respektimin e orareve, itinerareve, çmimeve dhe aksesit të qytetarëve në marrjen e aboneve.
- Fokus të veçantë dhe të menjëhershëm do të marrë pastrimi i qytetit. Do ndërhyjmë në dy elementë kryesorë: Së pari të dyfishojmë oraret dhe shpeshtësinë e pastrimit në zonat me sasi më të madhe të prodhimit të plehrave dhe së dyti të menaxhojmë më mirë burimet njerëzore të disponueshme për pastrimin me themel të çdo hapësire të qytetit. Nisur nga gjendja e krijuar në verën e vitit 2021, gjatë së cilës qyteti u mbulua nga plehrat do të hartojmë plane paraprake dhe efektive për situata emergjente me qëllim që të mos lejojmë që e njëjta gjendje të përsëritet.
- Brenda 100 ditëve nga marrja e detyrës, Bashkia do të fillojë një konsultim masiv publik me të gjitha kategoritë e bizneseve, duke filluar nga shitësit ambulantë e deri tek bizneset e mëdha me qëllim krijimin e një pakete fiskale, e cila të jetë në përputhje jo vetëm me nevojat e Bashkisë por edhe në përputhje me shërbimet që përftohen nga biznesi dhe kapacitetet financiare të këtij të fundit.
- Do të ngulmojmë që programet e dëmshpërblimit për të gjithë të prekurit nga tërmeti i vitit 2019 jo vetëm të vijojnë, por të përfundojnë brenda 200 ditëve.
- Urbanizimi përfundimtar i zonës periferike të qytetit, duke përfshirë ish-Kënetën, Spitallën, Shkozetin dhe Unazën e Plazhit është një nga projektet tona kryesore.
- Njësitë administrative dhe zhvillimi i zonave rurale me qëllim përmirësimin e infrastrukturës, mbështetjen e sektorit bujqësor, rritjen e aksesit të produkteve bujqësore në tregun qytetas janë prioritet kryesor i joni.
- Krijimi i hapësirave për çerdhe, kopshte dhe shkolla në këto zona, si dhe mbyllja përfundimtare e atyre problemeve që trashëgohen nga një mandat në tjetrin, ka për qëllim ngritjen e këtyre zonave në të njëjtin nivel jetese me pjesën tjetër të qytetit.
- Brenda 100 ditëve të para, bashkia do të vërë në funksion të gjithë mekanizmat ligjorë dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat administrativë që të gjithë objektet e banimit në bashkëpronësi të caktojnë administratorë.
- Sektori i turizmit është dhe do të mbetet edhe në të ardhmen një nga burimet më të mëdha financiare të qytetit. Bashkia do të ofrojë çdo ndihmë të mundshme për të gjitha kategoritë e operatorëve dhe bizneseve që operojnë në fushën e turizmit. Do të ndërmerren të gjitha veprimet administrative për fillimin e sezonit turistik në kohën më të shpejtë të mundshme.
- Do të përmirësohet menaxhimi i hapësirave për plazhe publike dhe ofrimi i shërbimeve për të gjithë ata qytetarë që do të zgjedhin plazhet publike si alternativë e pushimeve të tyre.
- Rifitimi dhe krijimi i zonave të reja të gjelbëruara dhe parqeve të lojërave për fëmijë është një nga projektet tona më të rëndësishme. Kjo synohet edhe në njësitë administrative, kryesisht me parqe lojërash dhe ambiente sportive, aq të munguara për fëmijët e këtyre zonave.
- Do të përmirësojmë aksesin e të rinjve në të gjithë infrastrukturën dhe sipërfaqet publike të administruara nga Bashkia.
- Do të propozojmë programe mbështetëse për Start Up-et në nivel lokal me një fokus të veçantë në sektorin e turizmit, agroturizmit dhe teknologjive të informacionit.
- Bashkia do të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë për të përmirësuar aksesin e të rinjve, në tregun e ambienteve me qira.
- Një ndër projektet e menjëhershme do të jetë ai i ndërtimit të Kampusit Universitar dhe të godinave rezidenciale për studentët.
- Do të krijojmë ambiente të dedikuara për moshën e tretë. Kjo moshë ka mbetur në vijimësi jashtë vëmendjes së Bashkisë.
- Do t’u japim nënave, baballarëve tanë dhe gjyshërve të fëmijëve tanë mundësinë të japin kontributin e tyre aktiv në jetën e qytetit nëpërmjet programeve të ndryshme sociale.
Në takimet me banorët e lagjes 1 në Durrës Hoti bisedoi mbi nevojën që ky qytet ka për ndryshim.
“Në Bashkinë e Durrësit pas 6 marsit vendimet do t’i marrin vetëm qytetarët dhe unë do jem vetëm zbatues i vendimeve të tyre”, tha ai, ndërsa në vazhdën e takimeve me qytetarët e Durrësit në lagjen 17 ai theksoi se një vendim për taksat dhe tarifat vendore pas 6 marsit s’do të merret pa pyetur më parë bizneset.