Vëzhgim/Analizë

Bashkia Shkodër, cilat janë premtimet e tre kandidatëve

3mars 2022/ Porta Vendore/ Shkodër

Gjatë 2 javëve të fushatës elektorale, e cila nisi zyrtarisht më 19 shkurt, secili nga kandidatët ka bërë premtimet e veta sa i përket programit elektoral, ku Porta Vendore monitoroi disa nga takimet e realizuara në terren të kandidatëve, intervistat mediatike dhe faqet e rrjeteve sociale për të evidentuar premtimet që secili prej tyre i ka dhënë qytetarëve për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.

Në garë për Bashkinë Shkodër në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit janë 3 kandidatë. Majlinda Angoni garon nga radhët e Partisë Socialiste, Bardh Spahia nga “Shtëpia e Lirisë”, dhe Xhemal Bushati nga Partia Demokratike.

Majlinda Angoni është kandidatja e Partisë Socialiste për Shkodrën. Si ish prefekte e Shkodrës, Majlinda Angoni deklaroi se qytetari do të jetë prioriteti në punën e saj. Gjatë takimeve me elektoratin, ajo premtoi se, nëse zgjidhet në krye të Bashkisë së Shkodrës, do të punojë me prioritet për projekte që do të krijojnë një ambient të shëndetshëm për zhvillimin e komunitetit.

Premtimet e Majlinda Angonit:

  • Do punoj për një qytet më të pastër dhe një Shkodër tjetër plot energji. Prioritet çuarja para e projekteve për të krijuar një ambient më të shëndetshëm për zhvillimin e komunitet dhe mjedisit ku jetojmë.
  • Infrastruktura në shumë shkolla sot në Shkodër është e mangët, në programin tim investojmë në përmirësimin e infrastrukturës arsimore si dhe vëmë në funksion terrenet sportive.
  • Në lagjen e komunitetit egjiptian do të kryejmë disa ndërhyrje konkrete si: rehabilitim dhe sistemim i kanalizimeve, përmirësim të infrastrukturës në këtë lagje, terrene sportive dhe përfshirje sociale.
  • Për herë të parë do të akordojmë buxhet të posaçëm për rininë, duke mbështetur konkretisht idetë dhe vizionin e tyre;
  • Në 300 ditët e para do të hartojmë programe konkrete me qëllim që të tërheqim në Shkodër asetet tona lokale që të mund të kontribuojnë dhe ndajnë eksperiencën e tyre këtu.
  • Mbështesim të rinj përmes programeve të internshipeve dhe start-up përmes politikave lehtësuese.
  • Në 300 ditë garantojmë një mjedis të pastër dhe me standarde higjienike për tregjet dhe kushte më të mira tregtimi për to.
  • Si pothuajse çdo zonë tjetër edhe zonë e Bërdicës ka probleme me infrastrukturën rrugore, ndriçimin, rikualifikimin e trotuareve. Shumë rrugë kanë mbetur të papërfunduara ose nuk janë filluar fare. Në 300 ditë ndërhyrje konkrete në çdo Njësi Administrative Bërdicë.
  • Plan konkret për ndërhyrjen në lagjen Kiras, për të përmirësuar jetën e tyre, infrastrukturë e përmirësuar, rrugë të shtruara, ndriçim dhe sistem i ri kanalizimesh.
  • Lobimi im aktiv pranë qeverisë shqiptare për rrugën e Dukagjinit do të jetë prioritet shumë i rëndësishëm në drejtimin e bashkisë së Shkodrës për t’i dhënë akses te gjithë Shqipërisë tek bukuritë natyrore e kulturën unike të Dukagjinit.
  • Mes banorëve të Shalës, Shoshit e Pultit në lagjen ‘Skënderbeg’, të cilët përballen çdo ditë me indiferentizmin e pushtetit vendor, infrastrukturën e mangët, rrugë të pa asfaltuara dhe mungesë investimesh në këtë zonë. Lobimi im pranë qeverisë shqiptare për rrugën e Dukagjinit do të jetë i vazhdueshëm dhe prioritet shumë i rëndësishëm në drejtimin e bashkisë së Shkodrës për t’i dhënë akses të gjithë Shqiperisë te bukuritë natyrore e kulturën unike të Dukagjinit.
  • Ndërhyrje konkrete në ndihmë të biznesit të vogël dhe të mesëm, për sipërmarrësit në Parrucë dhe Xhabije, rehabilitim i trotuareve, pastrim i qytetit dhe rritje e ofertës turistike të Shkodrës duke mundësuar kështu dhe rritjen e të ardhurave për biznesin lokal.
  • Ndërhyrje konkrete për çdo zonë -lagjja Skënderbeg. Mbulimi me shërbim transporti publik, përmirësim i infrastrukturës në shkolla, përfundim i punëve të nisura.
  • Forca dhe mbështetja e gruas është motiv për të ecur përpara.

Më shumë duhet bërë për të garantuar transportin publik në zonën industriale për të krijuar infrastrukturën e duhur për gratë dhe vajzat në industrinë e manifaturës.

  • Pavarësisht kuadrit ligjor në fuqi që parashikon të drejtën e votës për personat me aftësi ndryshe fatkeqësisht ajo vijon të jetë njëkohësisht një nga të drejtat më shpesh të mohuara për shkak të mangësisë në informacion dhe aksesueshmërisë për shkak të ambienteve të papërshtatshme, pa sinjalistikën e duhur dhe me bazë materiale të munguar. Të gjithë jemi të barabartë, të gjithë duhet të trajtohemi më dinjitet.
  • Në Postribës do të bëjmë të mundur rritjen e cilësisë së jetesës dhe shërbimeve publike, rijetësimin e Drishtit e Prekalit si destinacion turistik nga ku mund të përfitojë i gjithë komuniteti.
  • Në Njësisë Administrative Postribë do të garantohet uji i pijshëm; përmirësim të infrastrukturës në shkolla; asfaltimi që lidh rrugën e varrezave si vija ndarëse me Shkodrën.

Bardh Spahia është kandidati që do të garojë nën siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për Bashkinë e Shkodrës. Megjithatë në takimet e tij elektorale në zona të ndryshme të Shkodrës ai e ka fokusuar fushatën e tij tek gjërat jo të mira që sipas tij janë bërë, dhe se çfarë mund të përmirësohet në 1 vit në Shkodër nën udhëheqjen e tij, nëse shkodranët do të mund t’i japin votëbesimin më 6 mars 2022, në zgjedhjet e pjesshme lokale .

Premtimet e Bardh Spahisë:

  • Zona e Bërdicës në Shkodër del çdo vit në lajmet kryesore, pasi ajo përmbytet nga shkarkimet e hidrocentraleve. Do të investojmë për t’i dhënë fund kësaj situate për banorët.
  • Largimi i qytetarëve nuk duhet të jetë opsion, pasi Shkodra ka vuajtur shumë këto 8 vjet. Ndryshimi i kësaj situate është emergjencë.
  • Bashkinë e Shkodrës do ta keni të hapur dhe në pritjen tuaj për çdo problem që ta zgjidhim së bashku.
  • Pastrimi i kanaleve kulluese do të jetë prioritet.
  • Pronësia mbi tokën do të vazhdojë që të mbështetet me asistencë të madhe.

Xhemal Bushati është kandidati nga radhët e Partisë Demokratike, i cili garon për të marrë drejtimin e Bashkisë Shkodër. Në takimet e tij me qytetarët, por edhe në biseda me gazetarët, ai ka premtuar një sërë gjërash qe do të bënin të mundur pikërisht ndryshimin e mëtejshëm sipas tij të qytetin verior.

Premtimet e Xhemal Bushatit:

  • Përmirësimi i infrastrukturës, sinjalistikës dhe qarkullimit rrugor në Shkodër, disiplinimi dhe sistemimi i tij, është një nga prioritetet ku plani i emergjencës do të zbatohet duke drejtuar efektivisht burimet njerëzore dhe mirëmenaxhuar ato financiare.
  • Emergjenca për një qytet më të pastër dhe mbetje e kanalizime të sistemuara, kërkon dhe do të ketë ndërhyrjen e menjëhershme në menaxhim, dhe vendimmarrje të përbashkët.
  • Rishikim, rishpërndarje dhe korrigjim të buxheteve në ato sektorë ku janë adresuar kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, duke i ardhur në ndihmë e mbështetjen e qytetarëve në nevojë.
  • Mbështetje të dedikuar fermerëve me konsulenca dhe përgatitja e dokumentacioneve për subvencionet për fermerët lehtësuar procedurave administrative, ndërtimi i tregjeve të reja dhe sistemimi i tregjeve bujqësore, rehabilitimi dhe vënia në funksionim i sistemeve ujitës në tokat bujqësore, tërë sistemit ujitës të tokave bujqësore. Ofrimi nga bashkia i mundësisë për bërjen e plan rilevimeve për procesin e regjistrimit të pronave bujqësore.
  • Hartimi i projekteve për të cilat unë do të punoj në bashkëpunim të ngushtë me intelektualët, të rinjtë, biznesin, qytetarët dhe për realizimin do të projektojë Shkodrën e të ardhmes.
  • Në rajonin nr.5 në Shkodër, qytetarët dhe biznesi do të jenë partnerë të pandashëm në punën e bashkisë, duke vendosur me ta prioritetet e çdo investimi apo politike vendore që do të ndërmerren.
  • Bashki – universitet do të jetë një binom që pas 6 Marsit do t’i japë Shkodrës produktet më të mira që deri më sot i kanë munguar, duke i rikthyer metropolit verior statusin e vërtetë të një qyteti studentor.
  • Kushdo që zgjedh Shkodrën për çeljen e një biznesi të ri, një nga politikat e forta që Bushati si kryebashkiak i ardhshëm premton, është lehtësimi nga taksat.
  • Punësimi do jetë një nga detyrat tona të përbashkëta imediate, duke mbështetur biznesin. Motoja jonë “biznes i fortë, qytet i fortë”.
  • Do bisedojmë në tryeza dhe për taksat që ti ndihmojmë që mos të vendosen taksa pa u diskutuar me biznesin.
  • Detyrë imediate, kushtet për fëmijët tanë në çerdhe, kopshte e shkolla, shkollat të kenë standardet evropiane.
  • Do mbështes fort Vllazninë në çdo fushë të sportit.

Gjithashtu, ai tha se vizioni i tij për Shkodrën, është hartuar mbi tre objektiva qendrore: Emergjencë/ Shërbejmë sot/ Projektojmë për nesër.