Ngjarje/Personazhe

Thahet liqeni i Treganit, shkak mungesa e reshjeve dhe keqmenaxhimi

28 shkurt 2022/ Anxhela Dyrmyshi/ Porta Vendore/ Elbasan

Mungesa e reshjeve dhe keqmenaxhimi si pasojë e vaditjeve pa kriter nga fermerët, ka bërë që liqeni i Treganit në zonën e Llixhave të Elbasanit, një atraksion turistik i veçantë, të shkojë drejt tharjes totale. Ky fenomen ka shqetësuar jo vetëm banorët e zonës, por edhe turistët e shumtë qe vijnë të vizitojnë Llixhat çdo vit. Këtë herë ata hasen me një pamje ndryshe nga sa janë mësuar të shohin vitet e tjera, dhe për këtë shprehen shumë të shqetësuar.

Zona e Llixhave, e veçanërisht Tregani njihen për bukuritë e rralla dhe vetitë kurative të ujërave termalë. Kjo zonë e ndodhur vetëm 12 kilometra nga Elbasani, vizitohet mesatarisht nga 35-40 mijë turistë në vit. E konsideruar si një prej zonave më të rëndësishme të turizmit kurativ, Llixha zgjon interes të madh turistik. Me basene të vegjël ujorë, ujin termal me veti kurative, hotelet akomoduese, natyrën piktoreske si edhe liqenin e bukur të Treganit, Llixhat tërheqin vëmendjen e të huajve për ta vizituar në çdo periudhë të vitit.

Pamja e liqenit të Treganit në kushte të zakonshme

Por këtë herë ndryshe nga sa ishin mësuar, turistët janë ndeshur me një panoramë të hidhur. Osman Hyseni ka ardhur nga Kosova së bashku me familjen e tij, për të kaluar disa ditë në Llixha. Ai shpreh keqardhje që liqeni është në këtë gjendje dhe shpreson që të këtë një ndërhyrje të menjëhershme. “Jam nga Prishtina dhe vij këtu për të tretin vit radhazi. Është për të ardhur keq që liqeni për çdo vit ka më pak ujë. Gjendja sa vjen e përkeqësohet. Ne vijmë këtu për pamjen e bukur që ka kjo zonë. Por kjo pamje më bën të ndjehem keq. Liqeni, bukurinë e tij e ka tek uji, por ujë s’po ka më,” shprehet Osman Hyseni për Portën Vendore.

Gjendja aktuale e liqenit, e cila ka shqetësuar edhe turistët që e kanë vizituar së fundmi këtë zonë

Rrugës takojmë një tjetër çift nga Kosova, i cili nuk ngurron po ashtu të shprehë të njëjtën keqardhje. Hajdin Osmani vjen për herë të parë në zonën e Lixhave, por panorama me të cilën u përball e zhgënjeu. “Vij për herë të parë këtu, pasi natyra është e mrekullueshme. Ka shumë gjelbërim, kodra me pemë. Është shumë bukur. Ajo që s’më pëlqen është ndotja që i kanë bërë këtij vendi. Duhet të ketë kontroll, që të mos arrihet në këtë gjendje e të ndjejmë erëra të rënda. Gjithë kjo natyrë, është fatkeqësi. Duhet të ketë investime patjetër. Ne kosovarët dy herë në vit vijmë këtu,” shprehet Osmani, duke mos e fshehur aspak zhgënjimin e tij.

Në foto çifti i turistëve kosovarë që kanë zgjedhur Treganin për të pushuar

Tharja e një prej destinacioneve më të bukura të zonës, liqenit të Treganit, ka sjellë shqetësim të madh. Shkak i këtij fenomeni është jo vetëm mungesa e reshjeve, por edhe keqmenaxhimi si pasojë e vaditjeve pa kriter nga banorët e disa fshatrave përreth. Tharja e liqenit ka nxjerrë në pah edhe ndotjen e madhe të tij nga mbeturinat, e shoqëruar edhe nga era e rëndë. Të gjendur përballë këtij fenomeni shqetësues, banorët kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë.

Pamje nga ndotja e zonës si pasojë e hedhjes së mbeturinave dhe inerteve

Matilda Tashi, banore e fshatit Tregan shpreh shqetësimin e saj lidhur me situatën. Sipas saj ndotja që i është bërë liqenit, ka sjellë me vete edhe erën e rëndë me të cilën ata duhet të jetojnë çdo ditë. Tharja e liqenit e ka përkeqësuar gjendjen, dhe ajo kërkon që të ndërhyhet sa më parë.

“Tharja e liqenit ka shkaktuar ndotjen e ambientit, pasi vjen shumë erë e keqe. Ne duam që të jetë plot gjithmonë, që të jetë edhe i bukur. Sipas meje tharja ka ardhur si pasojë e vaditjeve pa kriter. Më poshtë ka mbeturina që derdhen në liqen. Unë që banoj këtu pranë, e ndjej shumë këtë erë të rëndë. Ndotësit kryesorë janë vetë banorët që derdhin mbeturina, por edhe fabrikat e vajit të ullirit që derdhin inertet direkt në liqen. Me tharjen e tij doli në pah edhe kjo ndotje e madhe që i kanë bërë liqenit të Treganit. Ne kërkojmë një zgjidhje sa më të shpejtë, pasi e kemi të vështirë të jetojmë me këtë gjendje çdo ditë,” shprehet Matilda, një banore e zonës.

Në foto shihet gërryerja që i është bërë liqenit

Pirgje të mëdha mbeturinash, dhe një pamje e shkatërruar e asaj që më parë ishte një prej zonave më të bukura e të frekuentuara. Kjo është panorama që i serviret kujtdo që zgjedh që këtë sezon të kalojë disa ditë pushimi në Llixha.

Në foto pamja fundore e liqenit e mbushur me mbeturina

Në një prononcim për Porta Vendore, kryeplaku i fshatit Behar Kyçyku u shpreh se situata është shqetësuese dhe po ndikon negativisht tek turistët e ardhur këtë sezon.

“Ky liqen është ndërtuar që nga viti 1985, është një liqen artificial i ndërtuar për vaditje. Por gjatë kohëve të fundit erozioni ka ndikuar duke krijuar baltë në liqen dhe sasia e ujit nuk është më ajo që ka qenë në fillim. Përdoret gjerësisht për vaditje nga disa fshatra si Cërrik, Shtërmen, Gostimë, Bujaras etj. Në dijeninë time ka një shoqatë që e administron ujin, por që sipas meje nuk është menaxhuar mirë. Keqmenaxhimi na ka sjellë në këtë situatë shqetësuese në të cilën gjendemi sot. Faktor tjetër është edhe mungesa e shirave, por kjo nuk është në dorën tonë. Sa i përket turizmit, këtu vijnë mijëra turistë dhe ky fenomen nuk ka ndikuar fare për mirë. Ndoshta nëse do menaxhohej më mirë nuk do të kishte zbritur kaq shumë niveli i ujit në liqenin e Treganit,”shprehet Behar Kyçyku për Porta Vendore. 

Në foto kryeplaku i fshatit Tregan

Për këtë problem Porta Vendore u interesua pranë Bashkisë Elbasan, mbi gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket tharjes së liqenit si edhe ndotjes së tij, por deri në publikimin e artikullit nuk pati një reagim .

Zona e Llixhës prej vitesh vuan edhe mungesën e theksuar të infrastrukturës rrugore. Si një prej zonave më të rëndësishme me potencial turistik të qarkut Elbasan, investimi në rrugë shihet mëse i nevojshëm në këtë segment rrugor. Vetëm 12 kilometra nga Elbasani, gjendet kjo perlë e turizmit kurativ, e cila nuk kërkon shumë. Vetëm menaxhim të mirë dhe infrastrukturë rrugore, dhe do kthehej padyshim në një prej zonave më të frekuentuara të Elbasanit e më gjerë.

Bukuritë e Treganit