Ngjarje/Personazhe

Lindjet kapërcejnë vdekjet, ja qarqet me shtesë natyrore negative për 2021

18 shkurt 2022/ Aurora Sulce/ Porta Vendore

Për shkak të pandemisë së COVID 19, gjatë 2021, për herë të parë ndër shumë vite në Shqipëri, vdekjet kapërcyen numrin e lindjeve, duke bërë që shtesa e popullsisë të jetë negative.

Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë vitit që lamë pas, humbën jetën 30.580 persona, duke shënuar një rritje me 10.8 % kundrejt një viti më parë. Për 2021 kishte 3.296 vdekje më shumë se sa lindje. “Shqipëria është karakterizuar nga shtesë natyrore pozitive ndër vite. Shtesa natyrore negative për vitin 2021 është ndikuar edhe nga situata e pandemisë Covid-19”, vlerëson INSTAT.

Të dhënat e detajuara tregojnë se gjatë vitit 2021, katër qarqe të vendit shënuan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë ishte negative. Qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 1.642 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Vlora, me 1.222 vdekje më shumë se sa lindje. Ndërkohë që sic duket edhe nga grafiku, qarqet e tjerë që kanë shënuar shtesë natyrore positive janë Durrësi, Dibra dhe Kukësi, ndërsa qarqet me shtesë natyrore negative janë Elbasani, Fieri, Shkodra, Korça, Lezha, Berati dhe Gjirokastra.  

Lindjet

Të dhënat e fundit demografike, të publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë edhe për dinamikën e lindjeve në popullsinë shqiptare.  Gjatë vitit 2021, pesë qarqe të vendit shënuan rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me vitin 2020, ndërsa shtatë qarqet e tjera pësuan rënie. Gjatë kësaj periudhe, qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 9.473 lindje. Kjo për shkak edhe të përqëndrimit më të madh të popullsisë në kryeqytet. Ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 451 lindje. Një tendencë e tillë shpjegohet me pakësimin e numrit të popullsisë në këtë qark, për shkak të emigracionit.

“Rritjen më të lartë në përqindje të lindjeve gjatë vitit 2021, krahasuar me vitin 2020 e zë qarku i Kukësit me 3.9 %, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Elbasanit me 11.3 %”, theksohet në raportin e INSTAT-it.

Vdekjet

Instituti i Statistikave raporton se gjatë vitit që lamë pas, vetëm një qark i vendit shënoi ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2020, ndërsa 11 qarqe të tjerë shënuan rritje në krahasim me të njëjtën periudhë. Gjatë vitit 2021, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 612 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 7.831 vdekje. “Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë vitit 2021, krahasuar me vitin 2020 e zë qarku i Kukësit me rënie prej 2.4 %, ndërsa rritjen më të madhe e ka qarku i Vlorës me 33.2 %”, theksohet në raport.

Rritja e numrit të vdekjeve kundrejt lindjeve, që shkakton edhe shtesën natyrore negative, është një lajm i keq për Shqipërinë. Kjo pasi tregon për tkurrje të popullsisë, një dukuri që ka vite që ka nisur, për shkak edhe të emigracionit. Pakësimi i numrit të popullsisë në një reaksion zinxhir shkakton në afatgjatë një përkeqësim të jetës sociale dhe ekonomike në vend.

Ndaj sfida për të gjitha qeveritë, edhe ato që do të pasojnë, janë ndërmarrja e masave efikase dhe hartimi i programeve për të frenuar emigracionin, kryesisht të të rinjve, si dhe zbatimi i politikave për të nxitur lindshmërinë e cifteve të reja. Nisur nga shifrat zyrtare, bonusi i bebeve, një ndër nismat e qeverisë duket se është i pamjaftueshëm.