17 shkurt 2022/ Blerina Moka/ Porta Vendore/ Tiranë
Industria e riciklimit në Shqipëri gjendet sot në një krizë ekzistence, ku nga viti në vit raporton për mbyllje të aktiviteteve. Sipas të dhënave të Shoqatës së Riciklimit të Letrës, sot përpunohet dhe prodhohet letër vetëm në fabrikën e riciklimit në qytetin e Durrësit. Dy të tjerat që dikur ishin aktive, fabrika e Elbasanit dhe e Fierit, prej vitit 2020 rezultojnë të mbyllura.
Një prej fabrikave të letrës në Elbasan u godit rëndë, edhe si pasojë e pandemisë për shkak të rënies së prodhimit, duke e detyruar pronarin e saj ta mbyllë aktivitetin.
Drejtuesi i Ndërmarrjes së riciklimit të letrës dhe prodhimit të kartonit në Porto Romano, e vetmja në vendin tonë, Bardhyl Baltëza, thotë se prej vitit 2013, në fabrikë punohet me kapacitet të reduktuar prodhimi për shkak të mungesës së lëndës së parë.
“Prej vitit 2020 unë punoj vetëm 10 ditë në muaj, ndërsa pjesën tjetër detyrohem të paguaj punëtorët pa kryer asnjë punë. Fabrika e prodhimit të letrës përpunon në ditë rreth 70 deri në 100 ton, nga 2200 ton që është kapaciteti maksimal i prodhimit”, tregon Balteza.
Historiku i një ligji të pazbatueshëm
Ligji për “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, që u miratua në kuvendin e Shqipërisë më 22 shtator të vitit 2011, parashikonte importin e mbetjeve jo të rrezikshme, duke siguruar në këtë mënyrë lëndën e parë për industrinë e riciklimit.
E gjendur përballë presionit të opinionit qytetar dhe aktivistëve mjedisorë, qeveria më 10 tetor 2013, shfuqizoi pikën 1 të nenit 48 të ligjit 10463 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, duke ndaluar njëherë e përgjithmonë në të gjitha rastet importet e mbetjeve në vendin tonë.
Me këto ndryshime ligjore, parashikohej të fuqizohej industria e riciklimit, pasi do t’i hapej rruga përpunimit të mbeturinave brenda vendit, por duket se kjo nuk ndodhi.
Më 25 qershor të vitit 2014, qeveria miratoi vendimin “Për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në burim”, ku parashikohej realizimi i grumbullimit të diferencuar për mbetjet: Letër/karton, Metal, Plastikë, Qelq.
Sipas kësaj VKM, bashkitë kishin si afat limit datën 31 Dhjetor 2016 për të përfunduar zbatimin e ligjit për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve. Ndërsa njësive të qeverisjes vendore, (qarqet) iu la afati brenda 31 dhjetorit 2018. Por deri më sot, ndarja e mbeturinave që në burim vijon të mos realizohet.
I kontaktuar përmes postës elektronike, eksperti i çështjeve ligjore Pano Soko thotë se Shqipëria vuan nga sindroma “Problemi nuk është ligji, problem është zbatimi”. Sipas tij, ata që pengojnë zbatimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, janë interesat financiare të inceneratorëve dhe korrupsioni që shoqëron gjithë atë proces.
“Sepse ndarja e mbetjeve është armik i incenerimit dhe në rastin tonë, inceneratorët dhe interesat e një grupi njerëzish dhe korrupsioni i qeverisë fituan mbi riciklimin”, deklaron Soko.
I ashpër është dhe reagimi i drejtuesit të Shoqatës së Konvertuesve të Plastikës, Vullnet Haka, i cili në një prononcim me email shkruan se: “Arsyet e kolapsit lidhen me regresin që iu bë ligjit Nr.10463 në vitin 2013, mungesën e instrumentave, incentivave për të promovuar riciklimin, mungesën e aplikimit të sistemit të menaxhimit të integruar të mbetjeve nga pushteti qendror dhe lokal për ndarje në burim si për mbetjet bashkiake, po ashtu edhe ato që gjenerohen nga biznesi. Rrjetet e grumbullimit të mbetjeve të plastikes që ricikluesit kishin arritur të ngrinin me mund dhe me kosto të larta, u luftuan, u shkatërruan nga Bashkia e Tiranës”, thotë Haka.
Ndër të tjera ai thotë se në vitin 2016 e në vazhdim, qeveria vendosi të përmbysë skemën e hierarkisë së trajtimit të mbetjeve , duke vendosur që mbetjet të mos t’i trajtojë, por t’i asgjësojë. “Mbetjet plastike (lënda e parë) që mund të mblidhen brenda vendit, janë shumë të pakta, pa cilësinë (pastërtinë) e duhur, që nuk përmbush kushtin për ekonominë e shkallës”, thotë Haka.
Porta Vendore u interesua tek ministria e Mjedisit dhe përmes postës elektronike, ky institucion në përgjigjen zyrtare pranon se prej vitit 2011 zbatueshmëria e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ka qenë e ulët. Arsyet kryesore sipas saj lidhen me mungesën e pikave fundore. “Menaxhimi i integruar nënkupton trajtimin e mbetjeve nga koshi deri në pikën fundore. Kjo do të thotë që edhe nëse bëhej ndarja e mbetjeve që në burim, në mungesë të seleksionomit të mëtejshëm të rrymave të mbetjeve deri në pikat fundore, praktikisht mbetjet do të depozitoheshin në të njëjtin vend duke mos kryer një prej qëllimeve kryesore, atë të riciklimit dhe të ripërdorimit të atyre mbetjeve që mund të riciklohen si letra, plastika dhe jo vetëm. Tani në vitin 2021 jemi në momentin ku Shqipëria ka disa pika fundore që mbulojnë pjesën më të madhe të territorit në bashkëpunim me BE”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit.
Strategjia e Menaxhimit të mbetjeve 2020-2035
Në vitin 2020, qeveria miratoi Dokumentin e politikave strategjike dhe të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, 2020–2035, ku parashtron nevojën për kalimin gradual nga ekonomia lineare në atë qarkulluese. Ky dokument do të shërbejë si mekanizëm që do të ndërlidhë gjithë aktorët dhe operatorët që përfshihen në këtë cikël, me qëllim përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm për parandalimin dhe zvogëlimin e ndikimeve negative në shëndetin e njeriut, mbrojtjen e mjedisit dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, grumbullimin përmes ndarjes në burim dhe riciklimin në shkallë të gjerë.
Qeveria pranon se ndarja në burim dhe mbledhja e diferencuar e rrymave të veçanta të mbetjeve bashkiake mund të rezultojë në zvogëlimin e sasisë së mbetjeve, të cilat janë orientuar të depozitohen në landfill.
“Ndarja e mbetjeve në burim dhe mbledhja e diferencuar të Mbledhjes, transportit dhe trajtimit të mbetjeve bashkiake (MNB) realizohet gradualisht nëpërmjet sistemeve të mbledhjes së ndarë (përfshirë sistemet derë më derë dhe kontenierëve publikë rrugorë, qese ose pajisje të tjera). Më tej, masat do të përfshijnë nxitjen e grumbullimit të ndarë të materialeve të riciklueshme në zonat urbane dhe menaxhimin e ndarë të mbetjeve organike në zonat rurale. Do të nxitet kompostimi i decentralizuar dhe kompostimi në kushtet e shtëpisë në zonat rurale. Grumbullimi i ndarë i mbetjeve organike në zonat urbane do të përfshihet si pjesë e sistemit sapo të vendosen pajisjet e nevojshme për menaxhimin e këtyre rrymave të mbetjeve”, thuhet në strategjinë e qeverisë për mbetjet për periudhën 2020-2035.
Ambientalistët akuza për favorizim të inceneratorëve
Drejtuesi i Aleancës kundër importit të Plehërave, AKIP, Lavdosh Feruni i kontaktuar me telefon, thotë se në planin Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve 2010–2025 me faza të ndërmjetme, e hartuar me asistencën e BE-së, në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve në këtë strategji, asgjësimi ishte hallka e fundit e procesit, ku një nga format e asgjesimit është edhe djegia e mbetjeve në temperatura të larta ose siç njihet Incenerimi.
Por Feruni thotë se me strategjinë e re për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, në vitin 2020 iu dha përparësi incenerimit. “Riciklimi është totalisht i haruar, madje, çka është edhe më skandaloze do jetë i zhdukur edhe per 30 vjet. Kështu, për shembull në qarkun e Tiranës, në studimin e konçesionit të gjoja inceneratorit shkruhet se mbetjet duhet të shkojnë në Sharrë me një rrymë, pra të gjitha në një kazan, pra zero riciklim. Dhe më keq, kush tenton të rrëmbejë ndonjë plastikë a letër nga koshat e Bashkisë për t’i ricikluar gjurmohet, ndalohet, penalizohet”, thotë Lavdosh Feruni.
Industria e riciklimit, nivele të ulëta shfrytëzimi
Kreu i Shoqatës së Riciklimit të Letrës, Bardhyl Balteza , thotë se mungesa e lëndëve të para në vend i detyron ata të punojnë me jo më shumë se 30 % të kapacitetit. Ky është një nivel më poshtë se kapaciteti i shfrytëzuar në çdo industri tjetër në vend. Sipas tij, në kushtet normale, një sipërmarrje duhet të shfrytëzojë minimalisht 70-80% të kapaciteteve të saj të instaluara. Balteza tregon se Fabrika e Prodhimit të letrës në Durrës përpunon në ditë rreth 70 deri në 100 ton, dhe në fabrikë numërohen afro 164 punëtorë.
Ai tregon se ka trokitur në dyert e bashkive të qyteteve të mëdha, Tirana, Shkodra, Lezha por përveç premtimeve me fjalë, asgjë nuk ka ndryshuar. “Kemi bërë projekte dhe i kemi zbatuar në disa bashki, ku kemi vërtetuar se ndarja e mbetjeve urbane që në burim është e mundur, por ligji vijon të jetë nul. Nevojat tona për lëndë të parë janë 2200 ton afërsisht në muaj, por ne arrijmë të sigurojmë vetëm 500-600 ton mbetje urbane. Kjo na ka çuar në krizë”, thotë kryetari i Bardhyl Baltëza, President i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe njëkohësisht Kryetar i Shoqatës së Ricikluesve, i cili disponon edhe vetë një fabrikë riciklimi në Durrës. Ne kërkuam informacion pranë bashkisë Lezhë dhe Shkodër për ecurinë e zbatimit të ligjit “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” dhe një bashkëpunim me ricikluesit përmes një projekti që shoqata e ricikluesve ka implementuar në bashkinë Lezhë për diferencimin e mbetjeve në burim, por nuk morëm përgjigje zyrtare prej tyre.
Aksioni i pastrimit kombëtar, zero mbetje për fabrikat e riciklimit
Me nisjen e aksionit kombëtar, më 26 nëntor 2021, të iniciuar nga kryeministri Edi Rama për pastrimin e territorit, ricikluesit besuan se diçka do të lëvizte. Por duket se grumbullimi i mbetjeve në landfille shuajti shpresën e tyre për nisjen e zbatimit serioz të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. “Nga ana e ministrisë së Mjedisit na është dhënë shpresë se dicka do ndryshohet. E shoh me shpresë ndarjen e mbeturinave në burim. Por akoma jemi në të njëjtën gjendje”, thotë ricikluesi Bardhyl Balteza.
Ministria e Mjedisit në reagimin e saj zyrtar përmes email, thotë se në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë për Rininë dhe Fëmijët, do të nisë një Plan Riciklimi për letrën që përfshin shkollat dhe universitetet. “Në këtë plan riciklimi do të përfshihet edhe administrata, ndërsa synohet të zgjerohet duke përfshirë edhe plastikën dhe metalet”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Mjedisit.
Deri në zbatimin e kësaj strategjie, fabrikat e riciklimit në Shqipëri do të vijojnë të sigurojnë në mënyrë private lëndën e parë, duke u përpjekur të mbajnë në këmbë biznesin, duke pritur më shumë se një dekadë të zbatohet ligji.