16 shkurt 2022/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
2020-ta, i konsideruar edhe si viti pandemik, bëri që shqiptarët të pushonin brenda vendit. Një turizëm i brendshëm që kompensoi deri diku rënien e turistëve të huaj, duke dhënë impakt pozitiv në ekonomi.
Instituti i Statistikave ka evidentuar në raportin “Turizmi në shifra 2020” mënyrat sesi u zhvillua turizmi dhe zonat më të preferuara nga shqiptarët, por edhe të huajt që arritën të pushonin në Shqipëri, pavarësisht problematikës me COVID 19.
Sipas raportit, në vitin 2020, janë regjistruar 1.4 % më shumë udhëtime për pushime dhe kohë të lirë krahasuar me vitin 2019. “Destinacionet më të preferuara për udhëtime (personale apo biznesi) në Shqipëri janë: Tiranë, Vlorë dhe Durrës”, theksohet në raport. Më saktësisht, 29% e udhëtimeve kanë pasur si destinacion Tiranën; 17.7% Vlorën; 15.4% Durrësin dhe 9.8% Korçën.

Gjithsej, gjatë vitit pandemik janë zhvilluar mbi 2.9 milionë udhëtime nga shqiptarët brenda vendit, ku 98.8% e tyre kanë qenë për qëllime personale dhe vetëm 1.2% për arsye biznesi. INSTAT raporton se numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 3.97 netë.
Përqendrimi më i lartë i udhëtimeve brenda vendit (personale dhe biznes), për vitin 2020, janë regjistruar në muajt: gusht (18.0 %), qershor (12.9 %), janar (11.2 %) dhe dhjetor (rreth 10.7%). Këto periudha korespendojnë edhe me pushimet verore dhe ato të fundvitit.
Përsa i përket turistëve të huaj, numri i tyre shënoi një rënie të ndjeshme. Kjo për shkak të kufizimit të lëvizjeve, si pasojë e pandemisë shëndetësore. Sipas INSTAT, në vitin 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kanë qenë rreth 2.7 milionë persona, me rënie 58.5% kundrejt 2019-ës.
Raporti “Turizmi në shifra 2020” tregon edhe për situatën lidhur me njësitë akomoduese në turizëm. Sipas të dhënave, në këtë periudhë, në gjithë vendin funksionuan 1.469 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra) dhe janë vënë në dispozicion rreth 40 mijë dhoma dhe rreth 95 mijë shtretër.

Numri i kufizuar i njësive akomoduese konsiderohet prej operatorëve të tregut si një ndër problemet e turizmit shqiptar, vecanërisht në zonat me kërkesë të lartë, si në bregdet.