14 shkurt 2022/ Porta Vendore/ Elbasan
4 matësit e Bashkisë Elbasan për matjen e nivelit të ndotjes së ajrit nuk punojnë prej kohësh, duke shkaktuar kështu një shqetësim të madh tek qytetarët mbi nivelin e ndotjes që emetohet në qytetin e tyre, dhe irritim të ekspertëve mjedisorë dhe shoqërisë civile mbi miliona lekë të çuara dëm.
Bashkia Elbasan në vitin 2018 kreu një tender, ku ofertuesi i vetëm ishte bashkimi i operatorëve ‘Soft and Solution’ dhe ‘Fastech’ me vlerë 24.2 milionë lekë me TVSH, ose 98.5 % të fondit limit të shpallur nga bashkia, përmes programit të Rilindjes Urbane, për një sistem monitorimi të parametrave mjedisorë.
Katër matёsit, sipas kërkimit të kryer nga Porta Vendore, aktualisht nuk gjenerojnë të dhëna lidhur me ndotjen, duke e çuar dëm investimin e kryer. Edhe gjatë atyre pak muajve që këto matës ishin funksionalë, nuk ishin të lidhur me institucionet e tjera qëndrore, që këto të dhëna mund të shërbenin për politika mjedisore më efeciente, por gjithçka mbetej në nivel identifikimi, pa politika serioze shtesë për të minimizuar çështjen e ndotjes.
“Në Elbasan matësit kanë punuar vetëm 2 muaj dhe tani nuk punojnë më. Ajo ishte kot me një fjale. Ikën gjithë ato lekë, njerëzit s’punojnë më , e marrin rrogën kot. E keqja është që në ligjin shqiptar për çështjen e ndotjes, bashkitë kanë vetëm çelësat e kashtës në dorë, por më shumë vuajnë qytete industriale si Elbasani, që për menaxhimin e mjedisit e mban qendra, ministria”, tha eksperti i mjedisit Ahmet Mehmeti.
Ndotjen në këtë qytet e faktojnë edhe raportet nga Agjensia Kombëtare e Mjedisit, e cila në raportin e vitit 2020 shkruan se: “Kemi tejkalim të normës ditore të BE për ndotjen në të dy stacionet, në stacionin e Elbasanit dhe Durrësit” shkruhet në raport.
Sipas disa matjeve që ky grup aktivistësh ka bërë rezulton se niveli i ndotjes është 3 herë më i lartë se standardi i BE.
Të gjendur në këtë situatë prej shumë kohësh, ku institucionet nuk bëjnë detyrën, duke e lënë situatën e këtij qyteti në mëshirë të fatit sa i takon ndotjes, aktivistët e shoqërisë civile në Elbasan kanë përgatitur një peticion me 400 firma, ku ia kanë drejtuar Ministrisë së Mjedisit, Inspektoriatit Rajonal të Mjedisit që është ne Berat dhe Bashkisë Elbasan, për më shumë vëmendje për çështjen e ndotjes, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në mënyrën e tyre të jetës.
Kryetari i Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome tregon se kjo nismë nuk synon të ndikojë negativisht imazhin apo fuqizimin ekonomik të industrive që ushtrojnë aktivitetin e tyre në ish kombinatin metalurgjik, por synon t’i ndërgjegjësojë ata se jeta e qytetarëve është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.
“Firmosja e peticionit në qendër të qytetit erdhi si pasojë e një nisme të ndërmarrë nga disa të rinj aktiviste të qytetit të Elbasanit, të cilët e shikojnë me shumë shqetësim nivelin e lartë të ndotjes së ajrit. Me shqetësuese është fakti se institucionet publike janë treguar të papërgjegjshëm duke mos reaguar dhe marrë masa për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, edhe pse kjo problematikë është adresuar disa herë nga grupe qytetarësh apo organizata të shoqërisë civile. Niveli i ndotjes së ajrit është alarmante. Sipas disa matjeve që ne kemi bërë rezulton se niveli i ndotjes është 3 herë më i lartë se standardi i BE. Kjo është vërtete alarmante, megjithëse për shumë qytetarë elbasanas është kthyer në normalitet. Fakti që institucionet publike, dhe këtu kam parasysh Bashkinë Elbasan, Agjensinë Rajonale të Mjedisit dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmi, nuk kanë reaguar me kohë për të mbrojtur cilësinë e ajrit, nuk duhet të na bëjë pesimist dhe të heshtim”, thotë Ervis Çota për Portën Vendore.
Ky nivel i lartë ndotjeje shkaktohet nga operatorët industrialë, kryesisht të pozicionuar pranë ish kombinatit metalurgjik, duke cënuar jetën e çdo qytetari elbasanas.