12 shkurt 2022/ Albana Tërshalla/ Porta Vendore/ Durrës
Një ndër problemet shqetësuese në qytetin e Durrësit është mungesa e hapësirave të gjelbërta. Kjo në fakt është bërë një problematike për moshat e treta. Ashtu siç shprehen dhe ata vetë, kjo është një çështje e cila është lënë larg vëmendjes institucionale. Bashkia ka investuar pak ose aspak në këto vitet e fundit për parqe publike dhe lulishte, aty ku kalon kohë shtresa e të moshuarve por edhe fëmijët e prindërit e tyre.
Sheshi “Pranvera” – ky emër është një paradoks i madh midis realitetit që gjendet ky shesh në Durrës. Sepse vetëm pranverë nuk ka aty. Pamja është shumë e zymtë. Aty janë disa stola të drunjtë dhe asnjë lulishte. Avdulla Gorica, i cili çdo ditë kalon një pjesë të madhe të kohës tek sheshi “Pranvera” shprehet shumë i indinjuar për lulishtet e munguara ne Durrës. Ai thotë se: “Tashmë neve nuk na kanë mbetur edhe shume vite për të jetuar, shteti duhet të mendojë për ne, për këtë pjesë të jetës që na ka mbetur, kemi nevojë për oksigjen dhe të rrimë në ajër të pastër. Por na mungojnë. Durrësi nuk ishte kështu. Kishe qejf të vije dhe të rrije në lulishte”, thotë ai.
Pensionistët shprehen se Bashkia Durrës nuk u ka krijuar kushte për mirëqenien e tyre, sepse ata aty kalojnë një pjesë të mirë të kohës së tyre. Deri tani bashkia duket se nuk ka në plan të investojë dhe të fokusohet tek kjo çështje. Në një përgjigje zyrtare bashkia u shpreh se: “ Nuk parashikohen investime për lulishte në qytetin e Durrësit. Ndërsa stolat vetëm janë riparuar”.
Në sheshin “Pranvera” janë lyer me bojë stolat e drunjtë , ku kalojnë kohën pensionistët teksa bashkëbisedojnë me njëri-tjetrin, ose luajnë shah e domino.
Lulishtet dhe hapësirat e gjelbërta janë shumë të nevojshme në këtë qytet, pasi me dhjetëra pensioniste sapo zbardh dita mblidhen e shumë të tjerë rrinë derisa të perëndoje dielli edhe pse temperaturat janë të ulëta.
Lulishtet që ndodheshin në pjesën e Mauzoleumit të Dëshmorëve u zunë nga subjekte private. E njëjta gjë ndodhi edhe te lulishtja e lagjes 17 bashkë me lulishten 1 maji. Edhe sheshi “Liria “që ishte me lule u hoqën dhe u vendosën pllaka mermeri në vendin e tyre. Të njëjtin fat pati edhe lulishtja pranë Torrës Veneciane, dhe ajo në hyrje të portit.