10 shkurt 2022/ Ina Allkanjari/ Ilda Hoxha/ Porta Vendore
Qeveria ka miratuar prej disa muajsh një rregullore për mënyrën e ushqyerjes dhe ujit për fëmijët në shkolla. Edhe pse kjo rregullore ka hyrë në fuqi, duket se institucionet arsimore e kanë të pamundur ta vënë në zbatim. Nga një vëzhgim në shkollat e Tiranës, rezulton se uji është i pakonsumueshëm, ndërkohë që nuk mund të ndalohen tregtarët ambulantë që shesin ushqime nga kangjellat e këtyre institucioneve.
Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit dhe të Bujqësisë kanë hartuar një rregullore të re për mënyrën e të ushqyerit të nxënësve në shkolla. Bazuar në urdhrin “Për Standardet e Ushqimit në Mjediset e Institucioneve Arsimore Parauniversitare’, të datës 14.07.2021, rregullorja synon t’i orientojë nxënësit drejt një diete të shëndetshme.
Në të përcaktohen qartë ushqimet e ndaluara dhe ato të lejuara në institucionet arsimore të arsimit bazë, duke nisur nga data 26 tetor e vitit 2021. Një prej pikave të kësaj rregulloreje përcakton se uji i pijshëm i rrjetit duhet të jetë i disponueshëm dhe se nxënësit duhet të kenë qasje të lehtë në çdo kohë në ujë të pijshëm falas dhe të freskët.
Ndërkohë, për sa i përket ushqimit theksohet se nxënësit që ndjekin arsimin bazë nuk duhet të konsumojnë në ambientet e shkollës patatina, salsiçe të skuqura, kofshë pule të skuqura, petulla etj.
Në lidhje me këtë rregullore, Porta Vendore bëri një vëzhgim në 4 shkolla 9-vjeçare në Tiranë, konkretisht në shkollën Ali “Demi”, “Edith Durham”, “1 Maji” dhe atë “Kosova”.
Duke qenë se hyrja në institucionet arsimore është e pamundur, ne komunikuam jashtë dyerve të këtyre shkollave me prindër dhe nxënës, të cilët ngrenë supet me habi dhe e mohojnë kur i pyesim: “nëse e pinë ujin që vjen në rubinetët e tualeteve të shkollave’.
Edhe pse në rregullore përcaktohet se shkollat duhet të kenë ujë të pijshëm për konsum, nga vëzhgimi ynë dhe komunikimi që patëm me prindër dhe nxënës, rezulton se këta të fundit nuk e pinë ujin që vjen në rubinetit që kanë në këto institucione arsimore.
Një prej pikave të rregullores së re të vendosur nga ministritë ishte që shkollat duhet të ofrojnë ujë të pijshëm për konsum për nxënësit. “Asnjë prind nuk besoj se i le fëmijët të pinë ujë nga çezmat e banjove. Unë kurrën e kurrës, ia mbush ujin përditë me vete”, tha Anila, prind i një nxënësi në shkollën “1 Maji”.
Në lidhje me ujin e pijshëm në shkolla, drejtoresha e “1 Majit” theksoi se uji i rrjetit nuk përdoret për konsum nga nxënësit. “Ujë ka 24 orë, por jo se është i pijshëm. Fëmijët zakonisht e marrin ujin me vete, por ujë të rrjedhshëm kemi gjatë gjithë kohës”, u shpreh drejtoresha e shkollës “1 Maji”.

“Ujin e pijshëm e marrim nga shtëpia. Nuk kemi ku të mbushim ujë të pijshëm. Nuk e pimë dot nga banjot”, theksoi një nxënës i klasës së nëntë në shkollën “Ali Demi”.
“Ujin na e lejojnë, e marrim me vete. Nuk na lejojnë të mbushim ujë në banjo për ta konsumuar, vjen era klor”, u shpreh një nxënëse e klasës së gjashtë nga shkolla “Kosova”.
Edhe drejtoresha e shkollës “Kosova”, Shkëndije Arapi pranoi se uji që vjen në rubinetet e tualeteve nuk përdoret për konsum nga nxënësit. “Uji i pijshëm nëpër tualete nuk konsumohet, nuk i këshillojmë fëmijët që ta pinë, absolutisht. Ata e marrin me vete me shishe”, bëri të ditur ajo.
Edhe në shkollën “Edith Durham”, nxënësit nuk e përdorin për të pirë ujin e rrjetit. “Vetëm në banjo ka rubinete ku vjen uji. Unë e marr me vete, nuk na lenë që ta pimë”, tha një nxënëse e klasës së tretë. Kjo konfirmohet për Portën Vendore edhe nga drejtoresha e shkollës, Majlinda Dervishaj. “Ujë i pijshëm? Analizat i bëhen, por nuk e di sa konsumohet, nxënësit e marrin me shishe me vete”, sqaroi drejtoresha.
E pyetur nga Porta Vendore nëse ofrohet ujë i pijshëm në shkollat e Tiranës për konsum për nxënësit, Ministria e Arsimit sqaron: “Institucionet arsimore kanë ujë të rrjedhshëm nga rrjeti i ujësjellësit për cilësinë e të cilit shprehen organet kompetente”.
Si ushqehen fëmijët në shkolla?
Gjatë vëzhgimit, Porta Vendore bisedoi me nxënës, prindër dhe mësues edhe në lidhje me mënyrën e ushqyerjes së fëmijëve dhe çfarë produktesh konsumojnë ata.
Një fenomen që ne vumë re gjatë verifikimit në terren ishte se ne shkollën “Ali Demi”, në pushimin e gjatë, saktësisht në orën 10:25 nis shitja e ushqimeve për nxënësit nga kangjellat e shkollës. Kjo u konstatua nga “Porta Vendore” gjatë vëzhgimit të bërë, por u konfirmua edhe nga nxënësit e shkollës dhe prindërit e tyre. “Këtu i fusin ushqime për fëmijët nga hekurat. Ndodh çdo ditë, sapo nis pushimi i gjatë, në orën 10:25”, tha një prind.

Të njëjtën gjë na pohuan edhe një grup nxënësish të klasës së shtatë: “Vijnë shitës në dy cepat e shkollës të hekurat për të na shitur ushqime në pushimin e madh. Ata shesin kryesisht sanduiçë”.
Porta Vendore arriti që të futej brenda ambienteve të shkollës “Ali Demi” për t’u takuar me drejtoreshën, Dorina Kuka. Mirëpo, zonja Kuka refuzoi të na jepte detaje mbi këtë çështje, pasi sipas saj duhet një leje e posaçme nga Drejtoria Arsimore Tiranë.
Shkurtimisht, Kuka u shpreh për “Portën Vendore” se rregullorja e re po zbatohet, edhe pse nga hekurat e kësaj shkolle, nxënësit blinin të lirë ushqime nga persona të paautorizuar.
“Duhet të keni një shkresë kur vini në një institucion arsimor nga Drejtoria Arsimore Tiranë. Aktualisht ka një rregullore që po zbatohet”, tha ajo.
Në lidhje me fenomenin e shitjes së produkteve ushqimore pranë shkollave ne pyetëm zyrtarisht edhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Kjo e fundit thekson se janë marrë masat e nevojshme që nxënësit të mos jenë të ekspozuar ndaj asnjë reklame ushqimesh të pashëndetshme përgjatë kohës së frekuentimit të shkollës, edhe pse realiteti në shkollën “Ali Demi” në Tiranë është komplet ndryshe.

“Bazuar në urdhrin e përbashkët me nr. 355, datë 14.07.2021 Për miratimin e rregullores ‘Për ndalimin e reklamimit të ushqimeve të pashëndetshme në mjediset e institucioneve arsimore të arsimit bazë të gjitha institucionet arsimore kanë marrë masat e nevojshme që nxënësit të mos jenë të ekspozuar ndaj asnjë reklame ushqimesh të pashëndetshme përgjatë kohës së frekuentimit të shkollës me qëllim mbrojtjen e shëndetit e të mirëqenies së fëmijëve nga informacione apo materiale që i dëmtojnë ata. Në rast të ekzistencës së një reklame ushqimesh të pashëndetshme, institucionet arsimore marrin të gjitha masat e nevojshme për heqjen e reklamës dhe njëkohësisht njoftojnë strukturat përkatëse në ministrinë për ushqimin dhe konsultohen me strukturat rajonale të shëndetit publik për të evituar sa më shumë ekspozimin e fëmijëve ndaj këtyre reklamave. Gjithashtu stafet pedagogjike brenda shkollës në bashkëpunim dhe me strukturat e tjera përgjegjëse, zhvillojnë dhe zbatojnë veprimtari të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të prindërve për ushqyerjen e shëndetshme”, njofton zyrtarisht MASR.
Shkolla 9-vjeçare “Edith Durham”
Një nxënës i klasës së tretë i tha “Portës Vendore” se në klasën e tyre fëmijët marrin produkte ushqimore nga më të ndryshmet, që nga sanduiçët, çokollatat e deri te patatinat.
“Unë marr tost nga shtëpia zakonisht ose ndonjë frut. Shokët dhe shoqet e mia marrin edhe patatina e çokollata. I hamë gjatë pushimit të madh”, u shpreh ai.
Ndërsa, Dorina, nëna e një prej nxënësve në këtë shkollë tha se fëmijës i jep ushqime të bëra në shtëpi, si tost, petulla, apo edhe fruta.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Majlinda Dervishi, e kontaktuar nga “Porta Vendore” u shpreh: “Zakonisht fëmijët vijnë të ushqyer nga shtëpia, një pjesë e vogël marrin ushqime me vete”.

Shkolla 9-vjeçare “1 Maji”
Në shkollën “1 Maji” lejohet konsumimi i ushqimeve, por sipas vëzhgimit tonë të bërë gjatë pushimit të madh, por edhe në përfundimin e procesit mësimor, prindërit dhe fëmijët na konfirmuan se askush nuk afrohet për të shitur produkte ushqimore për nxënësit.
“Unë i jap ushqim me vete, me bukë me tas, të gjitha me vete. Këtu rrotull nuk afrohet njeri t’u ofrojë ushqime të gatshme për të blerë”, tha Blerta, nëna e një nxënësi në këtë shkollë.

Ne biseduam me drejtoreshën e kësaj shkolle Entela Likën , e cila theksoi se rregullorja për ushqyerjen e shëndetshme po zbatohet te “1 Maji”.
“Po, po zbatohet në shkollën tonë, në bazë të një udhëzimi në lidhje me ushqyerjen e fëmijëve, të cilët nuk e konsumojnë brenda ambienteve të shkollës, por jashtë në pushimin e madh”, drejtoresha e shkollës “1 Maji”.
Shkolla 9-vjeçare “Kosova”
Ndryshe nga tre shkollat e tjera, në shkollën “Kosova” në kryeqytet nuk lejohet marrja e ushqimeve me vete. Kjo pohohet nga vetë nxënësit për “Portën Vendore”.
“Nuk marrim ushqim me vete, nuk na lenë. Rrimë pa ngrënë nga ora 8 deri në 13:10 kur mbaron mësimi. Vetëm frutat lejohen”, tha një nxënëse e klasës së shtatë.

Një nxënëse e klasës së nëntë shprehet: “Jo, nuk hamë ushqim gjatë kohës që jemi në shkollë, nuk na lejohet. Mund të hamë diçka para se të futemi në mësim, më pas nuk na lejohet. Dhe në pushimin e gjatë maksimumi mund të dalim deri në tualet ose në oborr për të marrë pak ajër, por ushqimi nuk mund të konsumojmë. Në fillim kur nisi shkolla e shkelëm rregullin duke marrë ushqime me vete, por më pas na ndaloi drejtoresha duke thënë se nuk lejohet”.
Drejtoresha e shkollës, Shkëndije Arapi u shpreh se kanë hartuar një plan pune, por ende nuk ka nisur zbatimin rregullorja e re.
“Kemi filluar planin e punës, por nuk e kemi vënë në zbatim. Kemi hartuar një plan pune, është njoftuar stafi, me mësuesët e biologjisë, me mësuesët e ciklit fillor për t’u ushqyer shëndetshëm sipas rregullores”, bëri të ditur drejtoresha e shkollës “Kosova”.
Për të mësuar më tepër si do të vihet në zbatim kjo rregullore e re, Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Një prej pyetjeve që iu adresua këtij institucioni ishte mbi mënyrën se si do të veprohet në praktikë për zbatimin e rregullores dhe nëse ofrohet ujë i pijshëm në shkollat e Tiranës.
“Bazuar në urdhrin e përbashkët nr. 336, datë 14.07.2021 ‘Për Standardet e Ushqimit në Mjediset e Institucioneve Arsimore Parauniversitare’, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, është miratuar rregullorja për të siguruar standardet më të larta të shëndetit të fëmijës, në institucionet arsimore me qëllim orientimin e tyre drejt një diete të shëndetshme dhe të ushqyeshme. Stafet drejtuese dhe pedagogjike të shkollave në bashkëpunim me prindërit komunitetin dhe njësitë e qeverisjes vendore do të këshillojnë dhe orientojnë në mënyrë periodike fëmijët mbi kujdesin shëndetësor duke iu referuar produkteve ushqimore të përshtatshme dhe të ushqyeshme, të cilat nuk kanë përmbajtje të lartë të kripërave, sheqerit apo acideve yndyrore në përbërjen e tyre. Gjithashtu janë marrë të gjitha masat e nevojshme për trajnimin e personelit arsimor dhe mbështetës për tu njohur me këto standarde dhe për të qenë sa më pranë fëmijëve për ndërgjegjësimin e tyre mbi pasojat që mund të shkaktojë në organizëm kequshqyerja dhe produktet që përmbajnë substancave të dëmshme ose të padobishme për shëndetin fizik të fëmijëve”, sqaron MASR.
Gjithashtu Ministria e Arsimit deklaron se po zhvillohen disa fushata për ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të prindërve për ushqyerjen e shëndetshme me qëllim angazhimin e të gjithë aktorëve për të ofruar standardet e nevojshme në institucionet arsimore që lidhen me shërbimin e ushqimeve në institucionet arsimore. Në përgjigjen e saj MASR thekson se Institucionet arsimore kanë ujë të rrjedhshëm nga rrjeti i ujësjellësit, për cilësinë e të cilës shprehen organet kompetente.
Problemet e theksuara në ushqyerjen e fëmijëve
Në lidhje me këtë çështje delikate dhe me shumë interes për prindërit dhe jo vetëm, Porta Vendore bisedoi edhe me nutricionisten Albana Daka. Mjekja Daka ngre alarmin se fëmijët shqiptarë janë të kequshqyer, duke shtuar se tendenca e popullit shqiptar është të mbushë tavolinën në mënyrë sasiore dhe jo cilësore.
“Ushqimet e konservuara kanë më pak vlera ushqyese krahasuar me ushqimet e freskëta apo të ngrira. Gjatë përgatitjes për konservim, shtohen sasi të mëdha kripe, sheqeri, yndyre, por edhe ngjyrues ushqimorë artificialë, përforcues arome/ngjyre dhe ëmbëltues artificialë. Shumë prej këtyre, për të mos thënë të gjithë kanë efekte negative në shëndetin e fëmijëve duke u bërë shkak për hiperaktivitet, shtim në peshë, obezitet, imunitet të dobët… Fëmijët shqiptarë janë cilësisht të kequshqyer. Tendenca e popullit tonë është ‘ta mbushë’ tavolinën plot, por fatkeqësisht aty predominojnë brumërat, mishi i kuq, bulmeti dhe në sasi të pakët ose aspak gjejmë fruta, perime apo peshk”, sqaron nutricionistja e njohur.

Nisur nga fakti që në disa prej shkollave në kryeqytet nuk lejohet marrja e ushqimeve me vete, Porta Vendore pyeti mjeken sa e përballueshme është për një fëmijë të qëndrojë deri në 6 orë pa ngrënë. Ajo bëri të ditur se kjo ka pasoja shëndetësore në organizmin e tyre, por edhe në përqendrimin e nxënësve në mësim.
“Një fëmijë që qëndron 5-6 orë pa ngrënë ka vështirësi për t’u përqendruar, irritabilitet, vështirësi për të rikujtuar mësimin, ndihet i përgjumur, i lodhur. Nëse kjo gjë zgjat për shumë kohë, këta fëmijë do të kenë probleme shëndetësore serioze me traktin tretës, sistemin nervor dhe jo vetëm. Disa institucione private kanë mensa ku fëmijët mund të konsumojnë vaktin e drekës. Kjo është një alternativë shumë e mirë për të shmangur konsumin e ushqimeve të shpejta, të paketuara apo të përpunuara së tepërmi. Është gjithashtu e rëndësishme që regjimi ushqimor i këtyre mensave të hartohet duke u konsultuar me një nutricionist, që çdo fëmije t’u plotësohen nevojat individuale të të ushqyerit. Një fëmijë që merret me aktivitet fizik nuk ka të njëjta nevoja energjitike me një fëmijë që merret me muzikë apo balet. E njëjta gjë vlen dhe për fëmijët që mund të jenë nën apo mbipeshë. Një tjetër alternativë do të ishte marrja e ushqimit nga shtëpia.”, shprehet nutricionistja Albana Daka.
Institucionet përgjegjëse për zbatimin e rregullores janë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, institucionet në varësi të tyre, strukturat rajonale, institucionet arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare.
Lista e ushqimeve të ndaluara për t’u ofruar në mjediset e institucioneve arsimore
Nuk lejohet të ofrohen ushqimet e mëposhtme:
- Kripë tryeze dhe përbërës të tjerë
- Ëmbëlsira të paketuara
- Ushqime të skuqura
- Ushqime të aromatizuara
Nuk lejohet të ofrohen pijet e mëposhtme:
- Pijet freskuese (me ose pa gaz) duke përfshirë ujëra me aromë
- Pijet e cilësuara si “pa sheqer” (me ose pa gaz) përfshirë ujërat me aromë
- Lëngjet e perimeve me sheqer ose kripë të shtuar
- Pijet energjike.
Një pjesë nga lista e ushqimeve të lejuara për t’u furnizuar e ofruar në mjediset e institucioneve arsimore
1.Ushqimet që mund të ofrohen në institucionet arsimore: fruta të freskëta
2.Fruta të konservuara në lëng natyral
3.Perime të papërpunuara
Pijet që lejohen të ofrohen në institucionet arsimore janë:
- Uji i pijshëm i rrjetit duhet të jetë i disponueshëm. – Nxënësit duhet të kenë qasje të lehtë në çdo kohë në ujë të pijshëm falas dhe të freskët.
- Pije të tjera që lejohen të ofrohen: – ujë mineral (natyral ose i gazuar); – qumësht i skremuar, gjysmë i skremuar ose qumësht tjetër me yndyrë të ulët.