8 shkurt 2022/ Ahmet Zano/ Porta Vendore/ Mirditë
Bashkia Mirditë duket se është njësia vendore më e vonuar për procesin e rindërtimit, ku deri në fund të vitit 2021 nuk ka përfunduar asnjë ndërtesë. Premtimet e Kryeministrit ishin se 8 pallate në zonën e re do të përfundonin në janar 2022, ndërkohë që firma e kontraktuar ka si afat muajin mars. Ndërkohë, shqetësim mbeten edhe banesat individuale të dëmtuara në fshatra, për të cilat ende nuk ka një afat se kur do të realizohen.
Nga vëzhgimet në terren, më e vonuara në procesin e rindërtimit është Mirdita, ku puna për rindërtimin ka nisur në mars 2021. Në fazën e parë, teksa projekti sapo kishte nisur me kanalizimet fillimisht, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga Kryebashkiaku Ndrec Dedaj inspektoi zonën, ku nuk harroi të linte porositë e tij për rindërtimin. “Vetëm se duhet të punohet pa ndalim, dhe shumë shpejt. Është edhe koha e mirë tani që duhet shfrytëzuar”, tha kryeministri duke kërkuar me ngulm një afat mbi përfundimin e banesave. Njëzëri, inxhinierët e firmës kontraktuese dhe Kryeministri Rama thanë se brenda vitit 2021 e gjithë zona do të përfundonte së ndërtuari, por nga vëzhgimi që Porta Vendore bëri në terren kjo nuk ka ndodhur.
Në Mirditë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 u dëmtuan në total 658 familje, ndërsa sipas informacioneve zyrtare nga Bashkia Mirditë, numri i përfituesve të bonusit të qirasë është 190 familje.
Procesi i rindërtimit në këtë bashki ndahet në dy kategori. Kategoria e parë përfshin zonën e re zhvillimore me një sipërfaqe ndërtimi mbi tokë rreth 11 686 m2, ku janë projektuar 8 pallate me me 94 apartamente në total, të cilat janë ende në proces ndërtimi. Po ashtu, ky projekt përmban sipërfaqe të gjelbra, 80 parkime të jashtme, njësi shërbime, dyqane, kopsht etj. Nga vëzhgimi në terren që Porta Vendore kreu, punëtorët shprehen se po punohet me kapacitete të plota, por çdo gjë do kohën e vet. Ndaj puna ende vijon, ndërsa pallatet janë ngritur thjesht si karabina.
Në këtë zonë janë parashikuar edhe 35 banesa individuale, të cilat sapo kanë hedhur themelet. Vlera e plotë e projektit, me të dyja kategoritë, kap shifrën e 108 957 170 lekë pa tvsh, ku financues është Agjencia Austriake e Zhvillimit dhe zbatues FSHZH, e cila kontraktuar kompaninë Kthella shpk. Ndërsa ndryshe nga sa premtoi Kryeministri këto banesa nuk do të jenë gati para muajit maj 2022.
Ndërkohë, kategoria tjetër, përfshin zonën e dëmtuar ku po ndërtohet në një sipërfaqe prej 3 355 m2, e teksa ajo e banimit është 2 765 m2. Aty po ndërtohet një pallat 5-katësh, ku do të ketë 30 apartamente.
Lidhur me këtë investim, Bashkia Mirditë sërish duket se e ka zvarritur procesin, duke dhënë lejen e rindërtimit më datë 9.9.2021, dhe që sipas dokumentacionit në fjalë, ky projekt të përfundojë në këtë zonë brenda 6 muajsh, pra në janar 2022. Por nga tabela që vetë kompania ka vënë në vendin ku po kryhet investimi me financues qeverinë shqiptare dhe zbatues FSHZH, afatet janë për 8 muaj në total dhe jo për 6 muaj sa mendohej nga bashkia.
“Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa pallat për zonën e re për zhvillim Mirditë, objektet 1 A, 2 A, 1 B, 1 C si dhe 2 njësi banimi pikësore , njësia administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë. Afati kohor Gusht 2021-Mars 2021”, shkruhet në tabelën e ndërtimit.
Nga vëzhgimi i Portës Vendore, pallati që është ngritur në qendër të qytetit të Mirditës, deri më tani qëndron si karabina, ndërsa punëtorët punojnë me nxitim për të mbyllur punën brenda afateve të premtuara. I gjithë projekti në këtë zonë ka kushtuar 395 016 580 lekë pa tvsh dhe është fituar nga konsorciumi i kompanive, Boe “Ndregjoni & Kthella &Rafin Company &Udha Shpk.
Po ashtu, më 18 nëntor 2021, Bashkia Mirditë mori vendimin për prishjen e ndërtimeve individuale të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore për 104 familje të shpërndara nëpër të gjithë territorin e bashkisë, në njësi administrative si Fan, Kthellë, Selitë, Rrëshen, Rubik, Orosh, Kaçinar, etj. Por megjithëse ka kaluar më shumë se një muaj nga momenti i vendimit, në terren puna nuk ka nisur ende për shembjen e banesave që të mund t’i hapet rrugë procesit të rindërtimit, ndërsa e pyetur mbi këtë, Bashkia Mirditë evitoi dhënien e një përgjigjeje.
Një prej këtyre familjeve është ajo e Pashk Bib Gjocit në fshatin Ndërfushë të Mirditës. Ata prej më shumë se dy vitesh jetojnë në çadër dhe kontejner. Shtëpia e tyre u dëmtua nga tërmeti, ndërsa ende janë në pritje të rindërtimit të banesës. Kushtet janë mjaft të vështira, për dy të moshuarit dhe vajzë e tyre të paralizuar, ndërkohë që ka nisur dhe dimri i tretë për këtë familje. Liza, vajza e familjes qëndron në kontejner me një pension invaliditeti në vlerën 10 mijë lekë, të pamjaftueshme të përballojë jetesën. Të ardhurat e tyre janë pensioni i dy të moshuarve me rreth 10 mijë lekë secili, dhe puna e fshatit e dy prindërve të lodhur e sfiduar nga jeta, teksa një pjesë nga të ardhurat i shpenzojnë me ilaçe. “Përpiqemi ta përballojmë jetesën pasi vetëm me dy pensionet e prindërve jetojmë vet i 3, 200 mijë lekë s’dalin për gjë. E përballojmë duke punuar jashtë në arë. Për tu ngrohur përpiqemi të ngrohemi me gaz, se është shumë ftohtë”, tregon ajo për Portën Vendore.
Shtëpia e tyre është klasifikuar e pabanueshme, Ds5 dhe përbën një rrezik permanent për shembje. Muret janë çarë dukshëm, kjo edhe për shkak të moshës mbi 100 vjeçare të kësaj banese. Gjithçka në banesën në të cilën tërmeti ka lënë gjurmë të dukshme, ka mbetur si në natën e 26 nëntorit 2019, madje edhe kalendari i varur në mur, i përket vitit 2019, në atë vit ku u shujtën edhe shpresat e kësaj familjeje për një strehë mbi kokë. E megjithatë çfarë nuk i ra njeriut dhe s’e përballoi. Kjo thënie gjen vend në familjen Gjoci, ku për 6 muaj kanë jetuar në çadër, deri në momentin që kisha i dhuroi një kontejner. “Nuk rri kush këtu, vetëm sa futemi 5 minuta për të marrë ndonjë teshe, ose hime për bagëtinë. Tërmetin shumë keq e përjetuam, dolëm me vrap. Vajzën e mora në shpinë dhe e nxora. Na kanë thënë që do ta ndreqin. Djali më fëmijët që ka pas dhomën këtu, ka marrë e ka shkuar në shtëpi me qira. S’të ndihmon njeri, jo se mediat kanë ardh 100 herë këtu” thotë nëna e saj, e cila është një grua tejet e fortë dhe fjalët i ka me kursim.
Pavarësisht premtimeve për familjet e prekura nga tërmeti, nga shteti shqiptar, në Mirditë procesi i rindërtimit të banesave po ecën ngadalë, duke i lënë këta banorë sy e veshë se kur do të futen në shtëpi të re, pasi mosha, kushtet e vështira të jetesës, i ftohti dhe pafundësia e halleve të jetesës së tyre, i bëjnë që tu soset edhe durimi. “Shtëpia e vjetër është shumë e dëmtuar, gati për të rënë. Tash dy vjet kemi që na premtojnë se do na japin shtëpinë. Do isha më e lumtur që të hyja në shtëpi të re. Më mirë atje se besoj se duhet të kesh kushte më të mira atje”, tha Liza për Portën Vendore.
Shpresojnë tek ndërtimi i banesës, aty ku dhe sot qëndrojnë në fshatin Ndërfushas pak km nga qyteti i Rrëshenit, megjithëse u kanë thënë se shtëpia do të ndërtohet në qytet. Vajza është dakord, pasi thotë është më mirë dhe ka më shumë kushte, ndërsa dy prindërit e saj të moshuar, kërkojnë që të ndërtohet shtëpia në vendin ku është banesa e dëmtuar, pasi janë tejet të lidhur me fshatin e tokën.
Porta Vendore kontaktoi gjithashtu edhe dy familje të tjera të cilat janë pjesë e listës së Bashkisë Mirditë, për t’i pyetur se në çfarë faze është konkretisht procesi për banesat e tyre.
Familja e Mark Gjinit me 6 anëtare në Fshatin Malaj jetojnë në çadër, teksa rrëfejnë se askush nuk ka ardhur që të prishë shtëpinë e tyre të vjetër, e cila është e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Aktualisht familja Gjini trajtohen me bonus qiraje teksa presin të futen në banesa private në muajin mars 2022, së paku kështu i është thënë.
Ndërsa familja e zonjës Meter Haçi e cila përbëhen prej 4 anëtarësh, prej 2 vitesh tanimë jetojnë në Rrëshen me qira, duke e lënë shtëpinë e dëmtuar në Fshati Fushe Lumth. Kryefamiljarja i tha Portës Vendore se pretendimet e kësaj familje ishin për të përfituar 2+1 në banesat private por ende nuk ka informacion se kur do strehohen. Gjendja e tyre është tejet e vështirësi pasi përveç bonusit të qirasë që marrin nga bashkia nuk kanë asnjë të ardhur tjetër në familje. Zonja Metër na tregon se nuk ka asnjë të punësuar në familje, ndërsa burri i saj prej 20 vitesh nuk është më me të.
Ndërsa inxhinieri Arben Meçe i pyetur nga Porta Vendore tha se ndërtimet në shumë zona po kryhen me cilësi të lartë dhe sipas standardeve e teknologjisë europiane, megjithatë cilësia duket të justifikojë koston. “Kemi parë shumë shpesh që më shtrenjtë bën një rikonstruksion sesa një ndërtim nga e para gjatë procesit të rindërtimit, ndaj këtu ndaj idenë se do të duhej më shumë transparencë për procesin, dhe pse duhet marrë një rrugë më e kushtueshme, pasi parimet inxhinerike na mësojnë se cilësia duhet të justifikojë koston. Do të shprehesha me rezerva për ndërtimet që po kryhen, sepse ne si vend ecim ende me raportin teknik të ndërtimeve të kohës së komunizmit, pas pasur një të ri, e sidomos pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që duhet të ishte i domosdoshëm, megjithëse nuk përjashtohen edhe rastet kur punohet sipas standardeve të huaja”, tha ai.