Vëzhgim/Analizë

Bashkitë, në vështirësi prej borxheve! Qeveria u fal 500 mln lekë

6 shkurt  2022/ Eliza Gjediku/ Porta Vendore

“Na ndihmoni të shlyejmë borxhet e lëna nga ish-komunat!” Kjo ishte një ndër kërkesat kryesore që ngritën kryetarët e bashkive në Komisionet Parlamentare, gjatë muajit nëntor teksa diskutohej projektbuxheti 2022. Fillimisht përgjigja nga Ministria e Financave ishte negative me argumentin “se nuk është e shëndetshme financiarisht, nëse qeveria ju shlyen borxhet”. Por nuk kaluan shumë ditë nga miratimi i Buxhetit 2022, dhe qeveria rishikoi për herë të 6 buxhetin e vitit 2021, më 3 dhjetor, duke vendosur që të japë për bashkitë 500 milionë lekë për të shlyer detyrimet e prapambetura, që në fakt përbën vetëm 7% të totalit të borxheve të Bashkive.

Pandemia COVID-19 ka vënë në pozitë të vështirë të gjithë ekonominë e vendit, e cila u përball me mbyllje biznesesh, rritje papunësie, recension ekonomik apo rritje të borxhit publik. Përballë vështirësive financiare është vënë edhe pushteti vendor, ku për disa bashki pandemia ishte goditja e dytë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Kreu i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, thotë se gjendja financiare ka qenë më e vështirë tek bashkitë që përjetuan tërmetin e 26 nëntorit.

“Ekonomia dhe zhvillimi ekonomik vendor është i pazgjidhshëm me nivelin e dhe ekonominë e vendit. Kjo do të thotë që ashtu si gjithë ekonomia kombëtare është në vështirësi po kështu në këtë nivele vështirësie do jenë edhe bashkitë. Buxheti i shtetit vazhdon akoma të mbetet i pamjaftueshëm për bashkitë e kryesisht ato të mesme dhe të vogla. Të ardhurat e tyre vendore s’kanë qenë të mira për arsye të ndikimit së pari tërmeti në 3 qarqe dhe 11 bashki, si dhe pandemia mbi dy vjeçare. Por edhe performanca bashkive për të mbledhur të ardhurat është faktor që së bashku me dy të parat vendos në vështirësi financiare bashkitë”, thotë Haxhimali.

Ndërkohë këtë vit situata duhet se është ndjeshëm më pozitive se viti i kaluar, pasi të ardhurat e mbledhura nga pushteti vendor janë rritur me 28.5% krahasuar me vitin e kaluar, dhe deri në nëntor ishin mbledhur 24,9 miliardë lekë, ndërsa vjet në të njëjtën periudhë ishin realizuar 19,8 miliardë lekë.

Por edhe pse ekonomia ka reaguar pozitivisht këtë vit, bashkitë kanë shtuar detyrimet e prapambetura me 247 milionë lekë (2 mln euro), në raport me vitin e shkuar.

Në total sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në fund të muajit shtator 2021 detyrimet e prapambetura të pushtetit vendor arritën në 7.3 miliardë lekë, nga rreth 7 miliardë lekë që ishte në fund të vitit 2020.

Burimi: Ministria e Financave

Pse bashkitë kanë detyrime kaq të mëdha? Ekspertët: S’kanë buxhet të mjaftueshëm dhe abuzojnë me investimet

Shkaku kryesor për nivelin e lartë të detyrimeve kreu i Shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali e shikon tek mungesa e të ardhurave të mjaftueshme që ato të jenë në gjendje që të shlyejnë borxhet.

“Ndërkohë që shlyejnë detyrime të prapambetura, ato krijojnë dhe ngarkohen me detyrimeve të reja i para, dhe i dyti është lidhur pashmangshmërisht midis performacës së Bashkisë për të rritur të ardhurat dhe mundësisë të dobët së taksapaguesve për të paguar detyrimet vendore. Kjo çon në pamundësi dhe pamjaftueshmëri burimesh financiare për ti hequr qafe këto detyrime. Buxheti i shtetit për bashkitë nuk i përgjigjet respektimit të parimit të proporcionalitet dhe mjaftueshmërisë me burime financiare për funksionet dhe përgjegjësitë e bashkive”, thotë për Portën Vendore, Agron Haxhimali.

Detyrimet më të mëdha bashkitë vijojnë t’i krijojnë me investimet që kryejnë pa pasur fonde në dispozicion. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në fund të shtatorit’21, detyrimet për investime të papaguara ishin në vlerën e 4.1 miliardë lekëve, duke u rritur me 415 milionë lekë në raport me fundin e vitit 2020.

“Gjatë viteve elektorale bashkitë iniciojmë më shumë investime për të qenë më pranë qytetarëve. Bëjnë shpenzime për vota, apo fryjnë administratën publike me punonjës, siç ndodh edhe me qeverinë qendrore. Problemi është që të vendoset me ligj ashtu siç është në qeverinë qendrore që nëse ti nuk ke 20% të fondit që ta kesh në arkë ti nuk mund të bësh një tenderim. Ndërkohë bashkitë në periudhat elektorale bëjnë shumë investime”, thotë eksperti i ekonomisë Klodian Muço.

Shkak tjetër që ka rritur detyrimet e bashkive gjatë vitit 2021 janë detyrimet gjyqësore, që vjen kryesisht si pasojë e largimeve të padrejta nga puna. Borxhet që burojnë nga vendimet gjyqësore janë rritur me 62 milionë lekë gjatë këtij viti, dhe kanë arritur në total 876 milionë lekë.

Detyrimet e prapambetura deri në shtator 2021

Si pasojë e borxheve të larta, 22 prej bashkive të vendit u klasifikuan në vështirësi financiare gjatë vitit të kaluar, nga një raport i ‘Financave Vendore’, ndërkohë që Bashkia e Kavajës kishte gjendjen më kritike, madje nga ekspertët u klasifikua në prag falimentimi.

Bashkitë me probleme financiare ishin: Peqin, Lezhë, Klos, Selenicë, Mirditë, Kamëz, Cërrik, Librazhd, Roskovec, Libohovë, Bulqizë, Tropojë, Pogradec, Tepelenë, Finiq, Dibër, Rrogozhinë, Kukës, Poliçan, Konispol dhe Ura Vajgurore, ndërsa pjesa tjetër janë pa probleme financiare.

Në fillim të vitit 2021, u artikulua vendosja e  një administratori për bashkitë që kishin probleme. Për të parandaluar rritjen e mëtejshme të borxheve të bashkive dhe për të bërë të mundur uljen e tyre në shtator të vitit 2019, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nëpërmjet një udhëzimi vendosi t’u dërgojë administratorë bashkive të cilat kanë detyrime të prapambetura ndaj palëve të treta. Pasi kaluan më shumë se 2 vite qeveria vendosi që tu japë fonde duke lënë në harresë administratorin.

Sipas udhëzimit nr. 26 datë 27.09.2019, për “Procedurat për menaxhimin e vështirësive financiare për njësitë e vetëqeverisjes vendore”, thuhet se administratori do të hartojë një plan pune për evidentimin e nevojave minimale që ka njësia, del në një skenar se si do shlyhet borxhi, e më pas do të nisë procesin e negocimit të borxhit dhe shlyerjes së tij me palët e treta.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë i propozon Këshillit të Ministrave, vendosjen e njësisë së vetëqeverisjes vendore me paaftësi paguese nën administrim dhe emërimin e një administratori. Këshilli i Ministrave vendos emërimin e administratorit dhe shpalljen nën administrim të NJVQV-së. Administratori përgatit raporte mbi zbatimin e planit të veprimit çdo muaj të cilat ia dërgon Këshillit të njësisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Administratori do të kontrollojë të gjitha angazhimet, do të nënshkruajë urdhërpagesat, do të mbikëqyrë mbledhjen e të ardhurave të veta dhe menaxhimin e aseteve të NJVQV-së. Ai/Ajo raporton për zbatimin e planit të veprimit për daljen nga gjendja e paaftësisë paguese në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe informon Këshillin e njësisë së vetëqeverisjes vendore. Administratori raporton direkt në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë”, thuhej në udhëzimin e financave.

Nga administratori tek amnistia, kjo e fundit u vlerësua si zgjidhja më e mirë. Në një akt normativ të datës 3 dhjetor 2021, kur u ndryshua buxheti i shtetit për këtë vit, u specifikua që 500 milionë lekë do të shkonin për bashkitë për të shlyer borxhet e tyre, shume që përbën vetëm 7% te Borxhit total te Bashkive.

“Shuma 500 milionë lekë si transfertë specifike shpërndahet sipas bashkive, duke marrë si kriter peshën e detyrimeve të secilës bashki ndaj totalit të detyrimeve të prapambetura të muajit shtator 2021. Ky fond përdoret për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, duke nisur nga detyrimi më i vjetër i papaguar”, thuhet në aktin normativ të rishikimit të buxhetit.

Burimi: Ministria e Financave

Pavarësisht se pranojnë se bashkitë janë të paafta për të shlyer borxhet, ekspertët thonë se bashkitë janë të pa-përgjegjshme, dhe falja e detyrimeve mund të ketë edhe efekt të kundërt, ku bashkitë të vijojnë krijimin e detyrimeve me idenë se do të shlyhen nga buxheti i shtetit.

“Zgjidhja në një situatë të tillë është buxheti qendror. Përveç bashkisë së Tiranës që ka aktivitet ekonomik e gjeneron të ardhura, bashkitë e vogla e kanë të pamundur këtë gjë sidomos në zonat periferike, kështu që e vetmja zgjidhje është të mbështeten me buxhet qendror. Nuk ka mënyrë tjetër për të shlyer atë borxh që është krijuar veç buxhetit të shtetit, pasi në një farë mënyre rrezikohen në disa raste të reduktohen edhe shërbimet ndaj qytetarëve. Kjo mbështetje është tip amnistie. Këto bashki që janë të papërgjegjshme vazhdojnë të përdorin po të njëjtën skemë dhe krijojnë borxhe të reja. Nuk do të shkëputen ndonjëherë nga varësia e buxhetit të shtetit”, thotë Klodian Muço ndërsa e konsideron lajm të mirë që qeveria vendosi të ndërhyjë në shlyerjen e detyrimeve pas 6 vitesh.

“Shumë vonë po prapë mirë. Po këtu ka dhe një lajm jo të mirë. Ana negative qëndron në faktin se qeveria nuk u konsultua me bashkitë për kërkesat e tyre, dhe për kriteret e ndarjes së kësaj shume për shlyerje të detyrimeve. Është mirë që qytetarët të dinë aktin, por ama po aq domosdoshmëri është të dinë dhe faktin dhe arsyetimin e tij. Bashkitë duhet të ta fitojnë pavarësinë nga buxheti qendror, por si fitohet është sfidë”, thotë Haxhimali.

Bashkia kryeson listën me nivelin më të lartë të borxheve është e Kavajës , me 1.132 miliardë lekë borxhe të pashlyera, dhe për këtë arsye ka marrë nga fondi i vënë në dispozicion 78.8 milionë lekë.

Më pas vjen Bashkia e Tiranës, me detyrime në vlerën e 876 milionë lekë, dhe i është dhënë nga buxheti për këtë vit 61 milionë lekë për të shlyer borxhet e prapambetura.

Vora është bashkia e tretë me borxhet më të larta, e konkretisht në vlerën e 667 milionë lekëve dhe për vitin 2021 i jepen 46.4 milionë lekë.

Vora ndiqet nga Malësia e Madhe me borxhe 464 milionë lekë, Belshi me 417 milionë lekë, Pogradec me 345 milionë lekë apo Lezha me borxhe 290 milionë lekë deri në fund të muajit shtator 2021.

Fondi prej 500 milionë lekësh që ju jepet bashkive për vitin 2021 është shpërndarë në varësi të borxhit më të madh që kanë bashkitë, dhe në bazë të vjetërsisë së tij.