4 shkurt 2022/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
COVID- 19 i kufizoi ndjeshëm vizitat fizike të njerëzve në qendrat e shërbimit parësor për trajtimin e problemeve të ndryshme shëndetësore. Por në disa qarqe, banorët janë treguar më aktivë për të kontaktuar mjekun e familjes. Instituti i Statistikave ka zbardhur të dhënat e vizitave që qytetarët në të gjithë vendin në vitin 2020, të konsideruar edhe si viti pandemic, të ndarë sipas qarqeve. Bëhet fjalë për vizitat në qendrat e shërbimit parësor, ku përfshihen poliklinikat, qendrat shëndetësore, ambulancat dhe shërbimet e veçanta të konsultoreve të fëmijëve dhe të gruas.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se qytetarët e Dibrës kishin numrin më të madh të kontakteve me mjekun. Mesatarisht, në vitin 2020, një banor i këtij qarku kontaktoi mjekun e familjes në shërbimin parësor 3.7 herë. Të dytët për numrin e madh të vizitave ishin qytetarët e Gjirokastrës me 3.5 vizita për banorë. Gjirokastra ka popullsinë më të plakur në vend e për rrjedhojë, ka më shumë të sëmurë kronikë që kërkojnë shërbime më të shpeshta shëndetësore. Renditja vijon me banorët e Lezhës, me 3.3 kontakte me mjekun e familjes gjatë vitit.
Nga ana tjetër, banorët e Kukësit kishin numrin më të ulët të kontakteve me mjekun e familjes në rang vendi, me vetëm 1.9 vizita për banorë, pasuar nga Durrësi me 2 kontakte për banorë. Ndërsa në një mesatare për të gjitha qarqet, gjatë vitit 2020, numri i kontakteve me mjekun e familjes ka qenë 2.6 herë për banor.
Shërbimi i kujdesit shëndetësor parësor është pika e parë e kontaktit të popullsisë për zgjidhjen e problemeve shëndetësore. Numri i vizitave në këto qendra apo kontakti me mjekun e familjes tregon edhe për kulturën shëndetësore që ka popullsia e një vendi. Megjithëse viti 2020, për shkak të pandemisë së koronavirusit shfaqi dy karakteristika. E para, afroi qytetarët me mjekun e familjes dhe e dyta, kontakti nuk ishte fizikisht, por nëpërmjet telefonit. Pasi për shkak të shmangies së infektimeve nga vizitat në qendrat shëndetësore, konsultat për probleme të ndryshme shëndetësore, përfshi ato të COVID- 19, qytetarët i mbajtën nëpërmjet lidhjeve telefnike. Madje, edhe lëshimi i recetave u bë nëpërmjet telefonit.
Një situatë që ka ardhur duke u normalizuar në vitin 2021, veçanërisht pas muajit mars, ku për shkak të rritjes së imunitetit nga koronavirusi, por edhe shfaqjes së sëmundjeve të tjera që ai shkaktoi, vizitat fizike tek mjeku i familjes janë shtuar. Një përfundim që konfirmohet nga mjekët dhe konstatohet nga vizitat në qendrat shëndetësore, pasi të dhënat zyrtare të INSTAT për këtë periudhë ende nuk kanë dalë.