Ndodhi

Nëntoka në Berat sjell të tjera surpriza, del në dritë zbulimi arkeologjik i shekullit të 18 në lagjen “Goricë” 

2 shkurt 2021/Erjola Azizolli/Porta Vendore/Berat

Një zbulim i ri arkeologjik ka parë dritën e diellit në lagjen simbolike “Goricë” në qytetin muze, të ‘një mbi një dritareve’.  Faktet flasin për një ujëmbledhës që mund t’i përkasë shekullit të XVIII, ndërkohë që menjëherë u bë konservimi për mos u dëmtuar, ndërsa punimet për ndërtimin e ujësjellësit që nxorën zbulimin, u ndërprenë.  

Disa mjete të rënda qëndrojnë të palëvizura prej ditësh në lagjen “Goricë”, ku punohet për rehabilitim dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit. 

Ka ndalur puna se doli  një zbulim arkeologjik gjatë hapjes së kanalit për rrjetin e ujit të pijshëm”, thotë një banor i lagjes.  Zbulimet arkeologjike nuk janë të panjohura për banorët në lagjet muze të Beratit,  ndaj të gjithë i ndjekin me kureshtje të madhe.

Skrepi ishte duke hapur rrugën në kohën që doli muri i guri nga  nëntoka. Erdhën ata të muzeut dhe e rrethuan zonën. Ata ia vunë dhe shiritin”, thotë një tjetër banor, duke treguar vendin ku është bërë zbulimi. 

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Berat, u shpreh se bëhet fjalë për një gjetje rastësore që tregon për një vlerë të patjetërsueshme që lidhet me investimet infrastrukturore të bëra në këtë qytet në shekullin e 18.  

Gjatë punimeve të gërmimit në arterien kryesore të rrugës, në lagjen Goricë, për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në qytetet Berat-Kuçovë, zbatuesi, kompania Albstar, njoftoi mesditën e 23 nëntorit për zbulimin e një harku prej guri”, tha Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat, Eugen Kallfani.

Gjatë konstatimit në terren sipas drejtorit Kallfani,  mendohet se bëhet fjalë për një ujëmbledhës që i vinte në shërbim lagjes “Goricë” me derdhjen në lum.

Ndërtimi i kësaj murature guri me një hapësirë me hark, në drejtim të aksit përpendikular me lagjen,  të një rruge dytësore, ku kjo e fundit zbret nga rruga parësore, e cila e ndan lagjen në dy pjesë,  me pjerrësi terreni, sugjeron se ky ndërtim mund të jetë një kanal ujëmbledhës, ujërat e të cilit shkarkoheshin në lumin Osum”, thotë Kallfani.

Për arkeologun Dritan Çoku, nëntoka në Berat sjellë surpriza dhe të papritura herë pas herë dhe ky është një prej tyre.

Vlerat e këtij zbulimi janë të patjetërsueshme për shkak se gjatë shekujve XVII, XVIII dhe XIX, shikojmë një përkujdesje në drejtim të infrastrukturës dhe veprave hidro-teknike që kanë ndodhur në ansamblet muzeale dhe qendrën historike të qytetit të Beratit”, thotë Çoku.

Arkeologu, specialist pranë DRTK Berat,  ka kryer rivelimin, dokumentimin në terren, duke përgatitur dosjen që i është përcjell  Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, për të përcaktuar vijueshmërinë në lidhje me zbulimin. 

Sipas tij menjëherë është bërë ndërprerja e punimeve dhe është siguruar zbulimi për mos u dëmtuar.

Për shkak të vendit ku është zbuluar, në arterien kryesore të lagjes ‘Goricë’, në ballin e parë të saj, duke qenë se ka rrëshqitje dherash dhe rrezikohej nga kalimtarët, mjetet,  u vendos që të ndërpriteshin punimet e ujësjellësit dhe u bë sigurimi i zbulimit”, thotë Çoku.

Për arkeologun zbulimi është mjaft interesant dhe paraqet mjaft interes, pasi është një vepër që zbulohet pranë urës shekullore të Goricës, dëshmi kjo e vëmendjes për lagjet e qytetit.

Zbulimi është shumë pranë një vepre tjetër inxhinierike, e shekullit XVIII, e vitit 1977,  Urës së Goricës, ndërtuar nga guvernatori i Beratit Ahmet Kurt Pasha, që tregon vëmendjen që kishte për qytetin dhe lagjet e tij”, shton ai.

Ndërkohë që burime nga Ministria e Kulturës bëjnë me dije se akt-konstatimi i bërë në terren po analizohet nga  Institutit Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe specialistët e Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik për të marrë një vendim.