Vëzhgim/Analizë

Zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, financat dhe borxhet e 6 bashkive në garë

31 janar 2022/ Aurora Sulce/ Porta Vendore

Më 6 mars do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale. Një garë elektorale, nga e cila do të dalin drejtuesit e pushtetit vendor në Shkodër, Dibër, Vorë, Durrës, Rrogozhinë dhe Lushnje, gjashtë bashki të ndryshme për sa i përket nivelit të popullsisë dhe kapacitetit të zhvillimit ekonomik, me problematika të shumta, por edhe me potenciale të pashfrytëzuara. Por pavarësisht karakteristikave të ndryshme, menaxhimi i këtyre bashkive nga drejtuesit e rinj vendorë që do të dalin nga zgjedhjet e 6 marsit, do të përbëjë sfida. Kjo në drejtim të përmirësimit financiar, ofrimit të shërbimeve për qytetarët dhe uljes së nivelit të borxhit.

Por si është gjendja financiare e këtyre 6 bashkive në prag të zgjedhjeve? Porta Vendore ka bërë një përllogaritje të të dhënave të buxheteve vendore të këtyre bashkive për të hedhur dritë mbi panoramën e situatës financiare të tyre.

Bashkia Shkodër

Kjo bashki realizon një nivel të ardhurash vjetore rreth 3 miliardë lekë. Të dhënat e raportit të Financave Vendore, publikuar nga Coplan dhe Ministria e Financave tregojnë për një ecuri pozitive në vitin 2021 në realizimin e të ardhurave. Për 9 mujorin 2021, bashkia e Shkodrës ka arritur të mbledhë 2.1 miliardë lekë të ardhura, duke pasur premisa për të arritur në të njëjtat nivele të dy viteve të fundit në drejtim të këtij treguesi. Në vitin 2020 (viti i fundit i plotë buxhetor), bashkia e Shkodrës mblodhi 2.97 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2019, rreth 3 miliardë lekë. Taksa e pronës dhe tarifat e shërbimeve publike janë dy burimet kryesore të gjenerimit të të ardhurave të kësaj bashkie.

Shpenzimet gjithashtu rezultojnë në nivele të larta. Për 9 mujorin 2021, ato vlerësohen në rreth 2 miliardë lekë, ndërsa vitin 2020, ishin 2.95 miliardë lekë dhe rreth 3 miliardë lekë në vitin 2019. Shifrat tregojnë se Bashkia Shkodër shpenzon të gjitha të ardhurat që realizon. Pjesa dërrmuese e shpenzimeve shkon për shpenzimet korrente (personel dhe shpenzime operative) që janë në nivelin e 1.6 miliardë lekëve, dhe vetëm 372 milionë lekë janë investimet (18.6% të totalit të shpenzimeve).

Bashkia e Shkodrës ka një nivel shumë të ulët të borxheve, që vlerësohet në fund të 9 mujorit 2021 në rreth 3.3 milionë lekë.  Ndërkohë që në fund të vitit 2020, niveli i borxheve ka qenë 3.1 milionë lekë, dhe në vitin 2019, stoku përllogaritej në 51.3 milionë lekë. Kjo tregon se bashkia ka pasur në fokus vitet e fundit reduktimin e detyrimeve të prapambetura. 

Një bashki me potenciale të mëdha, një ndër 7 bashkitë më të mëdha të vendit. Bashkia ka një buxhet të qëndrueshëm, relativisht të balancuar për sa i përket buxhetit nga transferta dhe të ardhurave të veta. Pikë e fortë e bashkisë është se ka detyrime të papërfillshme ndaj palëve të treta. Është bashki pa asnjë problem financiar”, analizon për Porta Vendore, Agron Haxhimali, ekspert për pushtetin vendor.

Bashkia Dibër

Kjo bashki realizoi në vitin 2020, rreth 2 miliardë lekë të ardhura, ndërsa në vitin 2019 ky tregues ishte në nivelin e 1.6 miliardë lekëve. Të dhënat e Coplan dhe Ministrisë së Financave tregojnë se deri në fund të 9 mujorit të 2021, janë mbledhur rreth 1.4 miliardë lekë. Kjo do të thotë se edhe në vitin 2021 ecuria e realizimit të të ardhurave paraqitej relativisht e mirë. Bashkia mbetet e varur nga fondet që jep qeveria. Për 9 mujorin e 2021, vetëm 610 milionë lekë janë të ardhurat e veta, pjesa tjetër prej 838 milionë lekësh janë nga transferta e kushtëzuar nga buxheti i shtetit. I njëjti raport paraqitet edhe në vitet e mëparshme.

Përsa u përket shpenzimeve, ato mbeten thuajse sa të ardhurat. Për 9 mujorin 2021, bashkia e Dibrës ka realizuar 1.39 miliardë lekë shpenzime, ku pjesën dërrmuese ose 1.2 miliardë lekë e zënë shpenzimet korrente (personel, shpenzime operative) dhe vetëm 135 milionë lekë janë investimet (10% të totalit të shpenzimeve)

Të dhënat tregojnë se në fund të periudhës 9 mujore, borxhet e bashkisë së Dibrës ishin rreth 170 milionë lekë, ndërsa një vit më parë ka qenë 173 milionë lekë, dhe në vitin 2019, stoku përllogaritej në 286 milionë lekë “Një bashki malore dhe rurale, me një ekonomi të dobët dhe ku buxheti i  bashkisë është i varur nga transfertat qeveritare. Detyrimet e kësaj bashkie në raport me të ardhurat i konsideroj të larta. Por dhe progresi i shlyerjes së detyrimeve nga viti 2015-2021 është shumë i ulët”’, shprehet Agron Haxhimali.

Bashkia Vorë

Bashkia e Vorës ka arritur të realizojë në vitin 2020 një nivel të ardhurash prej 888.7 milionë lekë, me një rritje të vogël kundrejt 813.8 milionë lekë të grumbulluara në vitin 2019. Por viti që lamë pas duket se nuk ka rezultuar i mbarë dhe performanca në mbledhjen e të ardhurave duket se ka caluar. Të dhënat e Coplan dhe Ministrisë së Financave tregojnë se deri në fund të 9 mujorit 2021, janë mbledhur vetëm 622.2 milionë lekë të ardhura. Kjo do të thotë se tremujori i fundit ka pasur presion të shtuar për të realizuar planin e të ardhurave në nivelet e viteve të mëparshme. Të ardhurat e kësaj bashkie sigurohen kryesisht nga taksa e pronës, teksa ajo ka një varësi shumë të madhe nga fondet që jepen nga buxheti i shtetit në formën e transfertave. 

Përsa i përket shpenzimeve, në 9 mujorin e 2021 ato rezultojnë 564 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2020 kanë qenë në masën 755.9 milionë lekë dhe në vitin 2019 rezultonin 813.8 milionë lekë. Ecuria e ngadaltë në realizimin e shpenzimeve është kushtëzuar edhe nga performanca e dobët në mbledhjen e të ardhurave. Nga totali i shpenzimeve, 114.7 milionë lekë janë investime (20% te totalit te shpenzimeve), ndërsa pjesa tjetër janë shpenzime operative dhe për personelin.

Bashkia e Vorës ka një borxh të konsiderueshëm që rëndon mbi financat e saj. Në fund të 9 mujorit 2021, totali i detyrimeve të pashlyera të saj vlerësohet në 667.8 milionë lekë. Ndërkohë që niveli i detyrimeve të prapambetura në vitin 2020 ka qenë në nivelet e 702.6 milionë lekëve. Në këtë periudhë borxhi i bashkisë së Vorës ka pësuar një rritje të konsiderueshme, pasi në vitin 2019 stoku ishte vetëm 14.6 milionë lekë. Niveli aktual i detyrimeve të prapambetura janë një barrë e madhe për financat e kësaj bashkie

“Bashkia e Vorës është një bashki që për disa vite me radhë ndodhet në vështirësi financiare. Bashkia mbart sot 9.3% të totalit të borxheve prej 7.2 miliardë lekë që kanë të 61 bashkitë gjithsej. Ndaj këtu komentet për gjendjen financiare i tregon ky fakt”, deklaron për Porta Vendore Agron Haxhimali, ekspert për pushtetin vendor.

Bashkia Durrës

Bashkia e Durrësit është një ndër bashkitë me potencialin më të madh ekonomik, çka reflektohet edhe në volumin e të ardhurave. Të dhënat e Coplan dhe Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të 9 mujorit 2021, të ardhurat nga kjo bashki kapën vlerën e 3.85 miliardë lekëve. Ndërsa në fund të vitit 2020 ato ishin 5.2 miliardë lekë’, dhe një vit më parë rreth 4.4 miliardë lekë.

Përvec të ardhurave nga fondet e veta, që për 9 mujorin ishin 991.4 milionë lekë, dhe u gjeneruan kryesisht nga taksa e pronës dhe tarifat e shërbimeve publike, bashkia e Durrësit mbështetet në mënyrë të konsiderueshme edhe nga qeveria me fondet e buxhetit. Në fund të 9 mujorit 2021, transferta e kushtëzuar për këtë bashki ishte rreth 1.1 miliardë lekë dhe transferta e pakushtëzuar ne mbi 1.7 miliardë lekë. Të ardhurat në nivele të kënaqshme i kanë mundësuar bashkisë së Durrësit që të mbajë shpenzime në nivele të larta. Në fund të 9 mujorit 2021, shpenzimet ishin rreth 3.5 miliardë lekë, nga të cilat 2.97 miliardë lekë janë shpenzimet operative dhe ato për personelin, dhe rreth 530 milion lekë shpenzimet për investime (15% të totalit të shpenzimeve).

Pavarësisht hapësirave ekonomike dhe faktit se bashkia e Durrësit është një bashki e madhe, sërish janë krijuar borxhe. Të dhënat tregojnë se detyrimet e prapambetura në fund të 9 mujorit 2021 ishin 188.3 milionë lekë, nga 185.4 milionë lekë që ishin në fund të vitit 2020, dhe 255.6 milionë lekë në vitin 2019. Kjo do të thotë se bashkia Durrës nisi politikën e reduktimit të borxhit në periudhën 2019-2020 dhe nuk arriti të ruante një trend të tillë, duke krijuar borxhe të reja gjatë 9-mujorit të 2021-it.

“Këtu gjejmë potencial të madh ekonomik. Një nga bashkitë me burime të mëdha në disa sektorë ekonomikë. Buxhet të madh, me detyrime të përballueshme për potencialin e të ardhurave. Tregues pozitiv është fakti që nga 2015 deri më 2020 i ka ulur detyrimet. Financat nuk reflektojnë drejt sasinë dhe cilësinë e shërbimeve në këtë bashki në dy sektorë: furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve. Por ka tregues pozitivë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë”, argumenton Haxhimali.

Bashkia Rrogozhinë

Kjo bashki realizon një nivel relativisht të ulët të ardhurash, edhe për faktin se bëhet fjalë për një bashki të vogël. Të dhënat tregojnë se në fund të 9 mujorit 2021, të ardhurat ishin në nivelin e 557.9 milionë lekëve, teksa vitit 2020 u mbyll me një nivel të konsiderueshëm të ardhurash prej 924 milionë lekë. Një rritje e ndjeshme kundrejt vitit 2019, kur niveli i të ardhurave të kësaj bashkie ishte vetëm 657.9 milionë lekë.

Në totalin e të ardhurave 9 mujorin 2021, vetëm 106.7 milion lekë ishin nga fondet e vetë bashkisë. Pjesa tjetër ishin fonde të dhëna nga buxheti i shtetit në formën e transfertave.

Niveli i ulët i të ardhurave ka kushtëzuar edhe shpenzime të pakta. Për 9 mujorin 2021, bashkia e Rrogozhinës ka shpenzuar 513.9 milionë lekë, nga të cilat 343.7 milionë lekë kanë shkuar për personelin dhe shpenzime operative dhe 170 milionë lekë për investime (33% e totalit të shpenzimeve).

Edhe kjo bashki rezulton të ketë detyrime të prapambetura, megjithëse gjatë vitit 2021 ka vijuar shlyerja e tyre. Të dhënat tregojnë se borxhet e saj vlerësohen në fund 9 mujorit në 93.8 milionë lekë nga 113.1 milionë lekë që u mbyll viti 2020, dhe 188.8 milionë lekë në vitin 2019. Kjo do të thotë se bahskia ka bërë shlyerje të borxheve dhe reduktim gradual të stokut.

“Është një bashki kryesisht rurale, me ekonomi dhe financa të dobëta. Buxheti saj është në varësi të fortë nga fondet qeveritare. Niveli të ardhurave është me tregues të ulët. Historiku i detyrime nga 2015 në 2019 ka tregues negativ, duke e katërfishuar, por me një ulje në dy vitet e fundit. Por në raport me burimet e të ardhurave që ka kjo bashki, sërish paraqet problem financiar”,  vlerëson Agron Haxhimali, ekspert për pushtetin vendor për Porta Vendore. 

Bashkia Lushnjë

Viti që lamë pas nuk ka qenë i mbarë për bashkinë e Lushnjës në drejtim të mbledhjes së ardhurave. Të dhënat e Coplan dhe Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të 9 mujorit u mblodhën 1.3 miliardë lekë të ardhura. Ndërkohë që fundit i vitit 2020 u mbyll me një nivel të ardhurash prej 1.86 miliardë lekësh. Në vitin 2019, të ardhurat e grumbulluara nga ky pushtet vendor kapën vlerën e 1.78 miliardë lekë.

Duke pasur një nivel të ulët në të ardhura, bashkia e Lushnjës është treguar e kujdesshme me shpenzimet, teksa ka shlyer një pjesë të borxheve. Në fund të 9 mujorit 2021, totali i shpenzimeve ka qenë rreth 1.28 miliardë lekë, teksa në fund të 2020 ato vlerësoheshin në 1.85 miliardë lekë. Pjesa dërrmuese e shpenzimeve, më saktësisht rreth 1 miliard lekë ka shkuar për personelin dhe shpenzime operative, ndërsa investimet kanë qenë vetëm 223.2 milionë lekë (17.4% e totalit të shpenzimeve).  

Përsa i përket borxheve, për bashkinë e Lushnjës në fund të 9 mujorit 2021 ato  vlerësohen ne 95.4 milionë lekë, me rënie kundrejt vitit 2020, ku totali i detyrimeve të prapambetura kapte vlerën e 103.8 milionë lekëve, dhe stokut prej 161.9 milionë lekë në vitin 2019. 

“Bashki që kategorizohet te bashkitë e mesme nga popullsia. Bashki me baza të zhvillimit ekonomik, kryesisht nga sektori agrobujqësor. Edhe bashkia Lushnje ka pasur tregues negativ të detyrimeve nga 2015 deri më 2019, duke e trefishuar atë. Ka një trend në ulje të detyrimeve për periudhën 2020 dhe 2021”, argumenton Haxhimali.

Sipas ekspertit të pushtetit vendor, kryebashkiakët e rinj që do të dalin nga zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit do të përballen me disa sfida. Ato kanë të bëjnë jo vetëm me menaxhimin e buxheteve vendore dhe përmirësimin e performancës fiskale, por edhe me klimën politike në tërësi. Kjo në kushtet kut të zgjedhurit e rinj të pushtetit vendor duhet të marrin vendime me Këshillat “e vjetër” bashkiakë, të cilët kanë dalë nga zgjedhjet e qershorit 2019. 

“Këto 6 bashki kanë të përbashkët vetëm Këshillat Bashkiakë të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Pra, kryetar të zgjedhur të rinj dhe këshilla të vjetër. Të 6 kryetarët e rinj që do të ulen në poltronin e ‘First Man’ të bashkisë, sfidë të parë kanë përgjegjësinë e të qenurit i votuar dhe presionin qytetar. Sfidë tjetër është koha e shkurtër. Pra lufta politike për një mandat një vjecar, pasi në prill të vitit 2023 do të kemi zgjedhjet periodike për 61 bashkitë. Por kjo mund të jetë për disa edhe si trampolinë për mandatin e ardhshëm 4 vjecar. Por ka edhe një sfidë tjetër politike, dhe kjo në varësi se si do të jetë harta politike në disa bashki. Pra, nëse kryetari do t’i përkasë opozitës në këto 6 bashki, ndërkohë që Këshillat janë të mazhorancës. Kjo do të përbëjë një lajm të mirë për demokracinë dhe bashkëqeverisjen”, argumenton Haxhimali.

Gati një muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme vendore, debati që po mbizotëron sferën publike lidhur me to, është ai politik. Ndërkohë që ende nuk ka nisur diskutimi teknik i kandidatëve mbi platformat dhe vizionin e menaxhimit të bashkive ku do të garohet.