31 janar 2021/ Eliza Gjediku/ Porta Vendore/ Korçë
Gjurmët e tërmeteve të 2019 ende nuk janë fshirë dhe duket se pasojat do të jenë afatgjata. Korça ishte një nga bashkitë që gjatë vitit 2019 është lëkundur disa herë, duke filluar që nga muaj qershor e deri në nëntor, kur ishte edhe ngjarja tragjike, ku me dhjetëra banesa u rrënuan. Jo vetëm shtëpi, por edhe trashëgimitë kulturore u dëmtuan nga lëkundjet e atij viti. Një prej tyre ishte edhe Muzeu Arkeologjik, i cili i amortizuar dhe pa investime ka ndikuar dhe në uljen e numrit të turistëve.
“Monument kulture, mbrohet nga shtetit”, këto janë fjalët e para që lexon në derën e drunjtë që ndodhet në hyrje të muzeut. Por mesa duket ato mbeten thjesht në letër. Barra e lëkundjeve duket vërtetë e rëndë për Muzeun Arkeologjik të Korçës, i cili ndodhet vetëm pak metra mbrapa Katedrales “Ringjallja e Krishtit”, që tashmë vuan nga mungesa e investimit pas tërmeteve, dhe është amortizuar.
“Godina e muzeut është dëmtuar më shumë gjatë tërmeteve të qershorit dhe shatorit 2019. Pas një ekspertize të specialistëve dhe IMK është nxjerrë konkluzioni se ajo ka nevojë emergjente për restaurim”, shprehet përgjegjësi i Muzeut Arkeologjik në Korçë, Dorian Kallanxhi.
Mure të plasaritura, suvatime të rëna dhe lagështirë kudo! Kjo është panorama në pamje të parë e kësaj godine të lashtë dykatëshe, që përveç historisë mbart brenda edhe sendet e së shkuarës.
Një godinë shekullore e stilit osman e ndërtuar që në vitin 1870, tanimë pret kthimin e syve drejt saj për shkak të pasurive arkitekturore por edhe të objekteve që ndodhen brenda saj. Muzeu Arkeologjik i Korçës është hapur në vitin 1980 në ndërtesën e familjes Piasto, në qendër të qytetit, dhe që në atë kohë shërbente edhe si Mysafirhane, pra mirëpriteshin miq të një rëndësie të veçantë.

Muzeu Arkeologjik është Monumentit të Kulturës të Kategorisë së Parë që është dëmtuar nga lëkundjet e tërmetit dhe prej më shumë se dy vitesh nuk është vënë dorë për ta restauruar atë, pavarësisht se brenda ambienteve të tij janë më shumë se 1200 objekte që datojnë nga periudha e gurit deri në mesjetën e vonë.
“Muzeu paraqitet në një godinë tip kulle dhe funksioni përpara ndërtimit të Muzeut ka qenë banesë për miqtë e familjet për të zhvilluar aktivitetin e përditshëm. Kjo familje ka përdorur ndërtesën tjetër që gjendet në oborrin e muzeut, por kjo e fundit tashmë është një ndërtesë private e cila është ndërtuar që në vitin në 1842”, tha Dorian Kallanxhi, përgjegjës i Muzeut Arkeologjik në Korçë.
Godina dykatëshe është e amortizuar, dhe ngado shikohen plasaritjet e mureve që rrezikojnë deri shembjen e tij. Nga ana tjetër si pasojë e degradimit të ndërtesës është reduktuar edhe numri i vizitorëve që shkojnë për tu njohur me gjetjet arkeologjike, duke filluar nga shpatat e hershme, qypa, vazo, tumo e deri tek aksesorët që përdoreshin në atë kohë.

Objektet që ndodhen në muze janë të epokave të ndryshme. Ajo që shikoni në foton më lartë ka disa nga objektet e gjetura të epokës së ‘Neolitit të Vonë’.
“Në këtë muze përshkruhet përmes artefakteve një histori 7000 vjeçare e rajonit juglindor, nga epoka e neolitit deri në periudhën e mesjetës së hershme. Të gjitha objektet vijnë nga zona e Korçës, Kolonjës, Devollit dhe Pogradecit. Vendbanimet kryesore ku ato janë gjetur janë Maliq, Tren, Podgori, Drenovë etj. Në muze ka edhe varreza tumo si Rehovë, Luaras, Broç, Kuç”, thotë për Portën Vendore Kallanxhi.
Si pasojë e tërmeteve të vitit 2019, disa objekte të Muzeut janë dëmtuar, madje si pasojë e mungesës së ekspertizës disa objekte nuk restaurohen.
“Nga i gjithë fondi muzeor i trashëguar nga krijimi i tij mungojnë vetëm 2 objekte që kanë humbur më herë. Gjatë tërmetit të vitit 2019 janë dëmtuar një pjesë e objekteve qeramike, të cilat janë restauruar nga specialistët e muzeut. Fatkeqësisht është dhe një objekt qelqi i cili nuk është restauruar, për mungesë ekspertize”, thotë përgjegjësi i Muzeut.

Jo vetëm fatkeqësia natyrore, por edhe amortizimi i ambienteve po dëmton objektet që ndodhen brenda asaj godine dykatëshe.
“Një pjesë prej objekteve kryesisht armë janë të dëmtuara për shkak të mungesës së kushteve optimale në muze. Në muze gjenden dhe një pjesë objektesh të zbuluara prej bronzi dhe hekuri që për shkak të gjendjes së temperaturës dhe lagështirës po dëmtohen ngadalë. Një pjesë e këtyre objekteve janë restauruar prapë”, tha Kallanxhi.

Për gjendjen aktuale të muzeut ka dijeni edhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Korçë. Por edhe pse kanë kaluar mbi dy vite, ende nuk ka asnjë punim, dhe ky muze është i vetmi në qytetin e Korçës që nuk është restauruar, që prej vitit 2018.
“Duke qenë se godina është monument kulture e kategorisë së parë, për mirëmbajtjen e saj përgjegjësi ka edhe DRTK. Për çdo ndryshim në ndërtesë sinjalizohet tek këto të fundit. Specialistët e kësaj drejtorie kanë hartuar një projekt restaurimi dhe shpresojmë që projekti të financohet dhe problemi i muzeut të zgjidhet. Muzeu Arkeologjik i Korçës, është i vetmi muze në qytetin e Korçës që nuk është restauruar ose rinovuar”, pohon Kallanxhi.

Porta Vendore kontaktoi me drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Korçë, Gjergji Koki, i cili thotë se aktualisht po bëhet studimi i projektit për të ndërhyrë në këtë godinë.
“Për Restaurimin e Banesës së Fani Kote Pjastos, projekti në proces hartimi. Projekti është hartuar nga DRTK Korçë dhe po përgatitet dokumentacioni për aplikim dhe miratimin e tij”, përgjigjet Koki
I gjithë restaurimi i muzeut, thotë Koki, është parashikuar të kushtojë 30 milionë lekë por ende nuk është gjetur burimi i financimit.
“30 milionë lekë me TVSH është diskutuar dhe me aktorë të tjerë për të gjetur donator dhe mënyra financimi”, përgjigjet Koki.
Teksa thotë se restaurimi i Muzeut ende është në fazë studimi, Koki tregon dy ndërhyrjet e fundit në godinë.
Në vitin 2014, thotë Koki, është bërë restaurimi i ballkonit, zëvendësimi i dyshemesë së poshtme të ballkonit me lënde drusore të stazhonuar dhe të lyer me solucion mbrojtës, sistemim i ujërave ne ballkon, lyerje e kangjellave të ballkonit dhe të dritareve. Po ashtu sipas tij janë bërë suvatime të fasadës, fugatime të mureve të gurit, lyerje e dyerve me solucion special dhe pastrim bimësie.
Ndërsa në vitin 2018 janë bërë punime emergjente mirëmbajtje, që konsistuan në meremetime të suvasë të dëmtuar në të gjithë pjesët ku kishte nevojë në fasadë dhe tavan, lyerje me bojë e këtyre pjesëve dhe sistemime territori përreth objektit.
“Objekti pavarësisht mirëmbajtjeve sistematike te realizuara nga DRTKK në vitin 2014 dhe 2018, vitet e fundit nuk ka pasur ndërhyrje kapitale, duke sjelle ndër vite dëmtime në të gjithë elementet arkitektonik dhe strukturore. Tërmetet e fundit në vend, kanë sjellë dëmtimet dhe avancim të problematikeve në objekt të cilat kanë qenë prezent ndër vite”, thotë Koki.
Ky muze ndoshta i panjohur për shumë qytetarë, shërben edhe si një shkollë mbi kulturën dhe historinë, pasi brenda tij organizohen aktivitete edukuese për nxënësit e shkollave.
“Muzeu vizitohet kryesisht nga turistët e huaj dhe më të paktë janë ato vendas. Në masën më të madhe janë edhe nxënës të shkollave si ne organizojmë programin “Edukimi përmes kulturës”, duke zhvilluar 2-3 herë në muaj programe edukuese me nxënësit e shkollave të rrethit. Këto dy vite vitet e fundit numri i vizitorëve ka rënë disi. Shkak mendoj se përveç gjendjes së muzeut dhe pandemia. Godina e muzeut është dëmtuar ndjeshëm nga tërmeti i vitit 2019”, pohon Kallanxhi. Vitin e kaluar muzeu është vizituar nga rreth një mijë qytetar vendas dhe të huaj.
“Muzeu ka bileta të veçanta për grupe të veçanta. Bileta kryesore për hyrjen në muze kushton 300 lekë. Për grupe mbi 12 veta ka 70% ulje. Për pensionistë, dhe për personat me pa-aftësi bileta është me 70% ulje, ndërsa për fëmijët deri në 12 vjeç hyrja është e lirë. Për ditët që përkojnë me data të shënuara, dhe e diela e fundit e çdo muaji, hyrja është pa pagesë. Porsa i përket menaxhimit të të ardhurave dhe ndarjes së tyre janë përcaktuar me ligjin numër 27/2016 të trashëgimisë kulturore dhe muzetë”, pohon përgjegjësi i muzeut.
Ndërkohë në një raport të hartuar nga Ministria e Kulturës, mbi pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, nuk është përfshirë Muzeu Arkeologjik i Korçës, pavarësisht dëmtimeve.
Në kushtet kur ende nuk ka një vendim për të ndërhyrë në godinë, ajo që mbetet është të shpresosh që godina nuk do të shembet.
