25 janar 2022/Marinela Dushi/Porta Vendore/Rrogozhinë
Rindërtimi i banesave të reja për banorët e goditur nga tërmeti në Rrogozhinë duket se po ecën me ritme të ngadalta dhe selektiv. Ndërtimi i shtëpive të reja private, të cilat kanë qenë prioritare për qeverinë, për dy vjet nuk ka përfunduar. Duhet thënë që Rrogozhina nuk ishte në top listën e bashkive të prekura shumë nga tërmeti, dhe ndaj në të do të kishte vetëm rindërtim në banesa të reja 1-katëshe në vendin e atyre ekzistuese dhe rikonstruksione. Por edhe pse kanë kaluar 2 vjet nga tragjedia e 26 nëntorit, në qytetin e Rrogozhinës, rindërtimi i shtëpive private vijon, duke lënë në pritje banorët.
Porta Vendore udhëtoi drejt këtij qyteti në datën 3 dhjetor. Banorët e Rrogozhinës tregojnë pakënaqësi për zvarritjen e ndërtimit, ndërsa shpresojnë që shumë shpejt jeta e tyre do t’i rikthehej normalitetit.
Procesi i rindërtimit në Bashkinë Rrogozhinë është ndarë në dy faza dhe është shtrirë në disa zona, ku ndër të tjera edhe në fshatin Lekaj, me premtimin nga zyrtarët e këtij institucioni se procesi do të jetë i shpejtë dhe deri në futjen e familjeve në banesat e reja ato do të mbështeten me bonus qiraje dhe ndihma ushqimore.
Burime nga Bashkia Rrogozhinë bëjnë të ditur se po rindërtohen në total 233 shtëpi (të dëmtuara Ds4 dhe Ds5), 145 (62%) në fazën e parë dhe 88 (38%) në fazën e dytë. Sa i përket 145 shtëpive të para, procesi ka përfunduar pothuajse plotësisht, ndërkohë që ende nuk ka filluar procesi për 88 të tjerat. Për këto 145 të përfunduara mësohet se 39 veta kanë kërkuar bonusin që ta bëjnë vetë shtëpinë, ndërsa 106 të tjerat janë rindërtuar nga bashkia.
Ndërkohë, 516 shtëpi mësohet kanë pasur dëme nga Ds1-Ds3, për të cilat mësohet janë dhënë lejet për rikonstruksion. Sa i përket dëmshpërblimeve për këto dëmtime, mësohet se vetëm gjatë fillimit të vitit 2021, 166 familjet që kishin dëme Ds1-Ds3 (pra vetëm 32% e të dëmtuarve) morën dëmshpërblimet e përcaktuara. Me një vendim Nr. 73 datë 22.01.2021 Komisioni Shtetëror i Rindërtimit ka miratuar dëmshpërblimin e 166 familjeve në masën prej 61 270 000 (gjashtëdhjetë e një milion e dyqind e shtatëdhjetë mijë) lekë .

Por si po ecën në terren procesi i rindërtimit. Kryeministri Edi Rama inspektoi disa nga kantieret e rindërtimit të shtëpive individuale në prill 2021, ku deklaroi se banorët që mbetën pa strehë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, shumë shpejt do hyjnë në banesë të re, ndërkohë që në qershor të 2021 Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën në masën 362 700 000 (treqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e shtatëqind mijë) lekë për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në Bashkinë Rrogozhinë.
Megjithatë nga vëzhgimi në terren kjo nuk ka ndodhur ende, dhe shumë familje nuk do t’i trokasin gotat në natën e ndërrimit të viteve në shtëpitë e reja, ndërsa Bashkia Rrogozhinë nuk ka një faqe zyrtare online, ku të mundej të bëhej transparencë me këtë proces kaq të rëndësishëm.
Ndërsa as në VKB nr. 40, të datës 31 dhjetor 2019, e cila ka si objekt pagesën e bonusit të qerasë për familjet e dëmtuara nga tërmeti, lista emërore e familjeve përfituese nuk është bërë publike.
Çaush Meçe, 68 vjeç tregon momentet e tmerrit nga nata e 26 nëntorit dhe se ka gati dy vite që jeton në qiell të hapur. Shtëpia e tij private u shkatërrua nga tërmeti. Më pas ajo u rrafshua nga fadromat, ndërsa mbeti në këmbë vetëm parabanjo. Sot e prej dy vitesh ai jeton në këtë ambient, që ka një hapësirë mbytëse 1 me 1. Çaushin e gjejmë duke ngrenë bukë thatë, të blerë prej një jave, në ‘shtëpinë e tij të sajuar’. Ai nuk e quan mungesë burrërie që të rrëfejë vuajtjet e shkaktuara nga tërmeti dhe indiferenca e shtetit. “Nuk kam për të ngrënë. Siç më gjetët, unë po haja bukë, ka një javë aty. Më shumë rri pa bukë se me bukë. Unë po qëndroj në një pjesë të vetme që ka ngelur nga shtëpia. Kam 1 vit e gjysmë qe po jetoj në mes të katër rrugëve, që kur është shembur banesa. Këtu ku jetoj rrjedh çdo gjë, bie uji komplet. I kam dorëzuar dokumentet, u miratua për rindërtimin. Erdhën e shembën banesën e prishur dhe që prej asaj ditë askush nuk është dukur më. Por akoma s’di gjë ça do bëhet. Shkova dje në bashki me e pyet se ça po bëhet për rindërtimin e shtëpisë, dhe më thanë që s’ka ardhur fondi”, shprehet ai për Portën Vendore duke ngritur dyshime të arsyeshme se rindërtimi është selektiv.“Erdhi firma këtu e filloi punët. Një dhomë e kuzhinë tha ke për të bërë ti. Shembën këtu, shemben atje, ikën poshtë. Brenda dy ditëve erdhën për ta ndërtuar shtëpinë, por dikush mori në telefon njërin nga ata të firmës. I tha ku je, jam të filani tha. Ai që e mori në telefon i tha që të largohej nga unë e të shkonte diku tjetër. Kush ishte ai nuk e di, dhe nuk ka ardhur më askush për shtëpinë” tha Çaushi me lotët që mezi i mbante.
Jeta e ka përballur me shumë sfida, teksa vetëm pak muaj më parë se të ndodhte tërmeti, i ndërroi jetë edhe bashkëshortja nga një sëmundje e rëndë. Ai rrëfen se nuk ka marrë as bonus qiraje nga bashkia, dhe jeton vetëm me 7 mijë lekë të reja pension në muaj. 68-vjeçari kishte shkuar disa herë pranë Bashkinë Rrogozhinë në këto dy vite por asnjë person nuk i kishte dhënë një përgjigje se kur ky institucion do të kthehej në lagjen e tij për të ndërtuar më në fund shtëpitë e tij të shumëpritur. Edhe pse u mundua ta mbante veten për ta zbutuar mjerimin që shikonin sytë e tij çdo ditë, në rrëfim e sipër iu dorëzua dhimbjes duke u qarë me ngashërim. Me zërin dhe buzët që dridheshin ai i bën apel shtetit që ta ndihmojë pasi nuk mundet më të jetojë në ato kushte çnjerëzore. “I bej apel shtetit, ejani me shikoni ku jetoj. Dje isha me atë tekniken e ndërtimit. Vito i thash, po më latë gjithë këto kohë jashtë pa shtëpi. Po me vdisni me zor. U kam thënë kalamajve do marr një ilaç miu e do vras veten. Nuk di ca të bëj. Fëmijët nuk kanë mundësi ekonomike të më ndihmojnë. Vajza me burrin, djali me nusen, s’kanë një dhomë për mua s’kam ku te jetoj me ata atje”, përfundon rrëfimin e tij Çaush Meçe.
Ndërsa pak metra më larg, po në atë rrugicë, është rindërtuar banesa e Fatime Veliut. Asaj iu shkatërrua shtëpia nga tërmeti, njësoj si Çaushit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por ndryshe nga komshiu i saj i pafat, kjo e fundit përfitoi banesë të re. Qeveria i ndërtoi pas një viti po në atë tokë, banesën e re 1+1. Teksa shprehet e lumtur se po jeton në shtëpinë e saj dhe jo më me qira, thekson disa problematika nga rindërtimi. Një ndër to ishte mos mbajtja e premtimit nga shteti për mobilimin e shtëpisë. “U desh pak të prisja në fakt për rindërtimin e shtëpisë time sepse kjo kishte probleme firmash. Më pas sapo u nda cila firmë ndërtimi do të merrte përsipër punimet, çdo gjë u bë shumë shpejt, jemi shumë të kënaqur. Një vit kam qëndruar jashtë, për një vit na është bërë banesa. Mirë do ishte sikur të na i mobilonin pak, se thanë se do na i mbushin pak banesat por nuk e bënë. Po filloj ta mbush vet pak nga pak për orenditë shtëpiake. Shtëpia ime u shemb fare, ra komplet tavani, dhe banesa është rindërtuar nga e para” , tha zonja Veliu duke falënderuar zotin që është gjallë, pasi kishte pasur dëme të lehta nga rënia e suvasë. “Shumë keq e kujtoj tërmetin. Mbaj mend që më ranë copat e tavanit nga sipër. Isha duke fjetur në dhomë dhe me ranë copat e tavanit në kokë. Ishte tmerr, kam dalë me vrap, gjithë fqinjët tu më pyet, o Fate o Fate a jeni mirë, a shpëtove. Tani me duket si ëndërr që jam këtu e po fle në shtëpinë time”, përfundon ajo.
Një tjetër banore e kësaj lagje, e cila nuk donte të bënte publik emrin, tha se shumë familje ishin dëmtuar në lagjen e tyre. Ajo na tregoi gjithashtu se kunata e saj e paralizuar prej shumë vitesh dhe që jetonte fillikat nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti në kuadër të rikonstruksionit të banesave, pasi nuk ka shkuar dot deri në institucionin e pushtetit vendor për të plotësuar dokumentet. E moshuara qëndronte në shtrat, me një pension mbante frymën gjallë, ndërsa ilaçet nuk kishte mundësi t’i siguronte.
Largohemi nga ajo lagje për të takuar banorë të tjerë. Zhvendosemi më në periferi të qytetit, në një rrugë kodrinore e cila në fakt ishte tejet e amortizuar dhe e vështirë për qarkullimin e automjeteve, si shumë rrugë të tjera në Rrogozhinë. Në kodër, po ndërtoheshin një sërë banesash individuale në kuadër të procesit të rindërtimit.
Në rrugë hasim disa gra veshur në të zeza duke shkuar në një mort në lagje, teksa na rrëfejnë se ishin të kënaqura me rindërtimin, pasi shtëpi 100 vjeçare po rindërtoheshin nga fillimi falë shtetit, pasi ata vetë nuk do të ishin në gjendje t’i bënin dot kurrë.
Sadete Balliu tregoi për Porta Vendore se iu desh të priste pak kohe që të nisnin punimet, dhe nuk shpresonte që të kalonte vitin e ri në banesën e re, pasi punimet vijonin. “Për shtëpinë prita disa muaj, por jam shumë e lumtur që e bënë. Jemi të lumtur se do hymë në banesë të re. Banesa e mëparshme e imja ka qenë 50, 60 vjeçare që tërmeti e lëshoi në tokë. Gjatë kësaj kohe kam jetuar me qira, por vij çdo ditë që të ndjek punimet e shtëpisë që po ndërtohet”, tha Sadetja për Portën Vendore. Megjithëse shtëpia e saj ka qenë në rindërtim, kjo se ka ndaluar 65 vjeçaren që të mbjelli ca spinaq, lakër e sallatë në bahcen e shtëpisë, teksa rrëfen se jeton me qira, pak më lart në një banesë që kushtonte 100 mijë lekë të vjetra dhe që e mbulonte me bonusin e qirasë. Megjithatë edhe ajo në bisedë e sipër zbulon se i kanë thënë që do t’ia mobilojnë shtëpinë, dhe mban shpresa se këtij procesi do t’i shkohet deri në fund.
Në Rrogozhinë në kuadër të rindërtimit po bëhen edhe 7 objekte arsimore, por puna nuk ka mbaruar ende për shumicën prej tyre.