23 janar 2021/Aldo Mustafa/Porta Vendore/ Shijak
Viti 2022 për qytetarët e Bashkisë Shijak, duket se do të nisë me shpenzime shtesë. Situata e krijuar në gjatë vitit 2021 ka çuar këtë bashki drejt vendimit për të rritur ndjeshëm tarifën e pastrimit, si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.
Mbyllja e vend-grumbullimit të Porto-Romanos, duket se është origjina e shumë problematikave të hasura në dy vitet e fundit dhe duket se ende vazhdon të japë pasoja, të cilat janë ndjerë përtej qytetit të Durrësit, deri në nivel qarku. Pa një vend-depozitim për mbetjet urbane, Bashkia Shijak është e detyruar të gjejë zgjidhjet alternative për të menaxhuar këto mbetje, situatë e cila duket se është vendosur të zgjidhet nëpërmjet dërgimit të mbeturinave në landfillin e Sharrës, por distanca dhe transporti, kërkojnë më shumë të ardhura për t’u kryer me sukses dhe më shumë të ardhura investuar në këtë sektor, do të thonë rritje taksash për qytetarët e Shijakut.
Qyteti i Durrësit dhe Njësitë Administrative u gjendën në pragun e një Emergjence Mjedisore disa herë gjatë kësaj periudhe kohore. Porta Vendore ka ndjekur hap pas hapi situatën e vështirë në Bashkinë e Shijakut në të cilën edhe pse fillimisht mbetjet e ngurta u pranuan nga landfilli i Sharrës me 0 kosto, kjo nuk u dha një zgjidhje afatgjatë, pasi në muajin korrik 2021, po i njëjti landfill, nuk mundi të pranonte më falas depozitimet e Bashkisë Shijak. Mospasja e një vend-depozitimi të mbetjeve urbane, bëri që koshat e qytetit të Shijakut të tejmbusheshin me mbetje urbane, ndërkohë që ndërmarrjet e pastrimit të qytetit nuk mund t’i jepnin një zgjidhje për t’i larguar mbetjet.
“Me mbylljen e landfillit të Porto-Romanos, kemi vazhduar të transportojmë mbetjet në landfillin e Sharrës. Që prej mbylljes së landfillit dhe deri në korrik të vitit 2021, kemi përfituar transportin e mbetjeve urbane, falas në landifillin e Sharrës. Duke qenë se pranuan mbetjet për një kohë të gjatë falas, situata nuk mund të vazhdonte për shumë gjatë në atë formë, prandaj ne kemi marrë të gjithë masat që mbetjet që gjenerohen nga Bashkia e Shijakut, të shkojnë në landfillin e Sharrës me pagesë vlera e së cilës është 29 euro për ton. Në këto momente qyteti i Shijakut bashkë me Njësitë Administrative pastrohet rregullisht”, thotë Kryebashkiaku Elton Arbana, për Porta Vendore.
Vend-depozitimi i Porto-Romanos është konsideruar si pikë e nxehtë mjedisore, i cili përdorej nga Bashkia Durrës dhe Bashkia Shijak, por që prej Janarit të vitti 2020, po zhvillohet projekti i ri i cili konsiston në kthimin e kësaj hapësire në një park argëtimi për rivitalizim të mëtejshëm të territorit. Kjo mbyllje do të thotë më shumë taksa për qytetarët të cilët duhet të përballen me rritjen e shpenzimeve për të dërguar mbetjet në një pikë më të largët se vend-depozitimi i Porto-Romanos. Për këtë kryetari i Bashkisë Shijak, Z. Elton Arbana, shpjegon se rritja do të jetë progresive për të mos u rënduar qytetarëve dhe deklaron se:
“Kosto për pastrimin e qytetit, banorëve të Shijakut i kushton 1500 lekë të reja në vit. Nga një studim fizibiliteti që kemi kryer për një Shijak të pastër, çdo familje duhet të paguajë më shumë. Ne kemi marrë masat që të kemi një rritje prej 55-60% dhe jo 160% siç është aluduar. Thënë ndryshe çdo familje do të paguajë 2400-2500 lekë të reja në vit, ndryshe nga tani që paguajnë 1500 lekë të reja në vit, afërsisht vetëm 1000 lekë më shumë. Pra një rritje afërsisht 60% maksimale, pasi do të ketë familje të cilat nuk preken nga kjo rritje, këtu përfshihen familjet që marrin ndihmë ekonomike, ose ato të cilat kanë persona me aftësi të kufizuar dhe kategori të tjera në nevojë. Deri në këto momente në jemi të qetë, pasi situata po menaxhohet siç duhet. Kemi një studim fizibiliteti dhe kosto rezulton më e lirë për dërgimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës, sesa në Bushat apo në Fier. Nga ana tjetër kam një vendim të Këshillit Bashkiak dhe prefektit që këto mbetje të dërgohen në landfillin e Sharrës i cili ka një kosto më të ulët, për të pasur një qytet të pastër. Përsa i përket një plani B për 5 vitet e ardhshme, e kemi të pamundur që të paguajmë vetë çdo shpenzim prandaj edhe kemi kërkuar subvencionim nga shteti. Nga ana tjetër do të marrim të gjithë masat që të kemi një rritje progresive çdo vit”, tha Elton Arbana.
Një tjetër problematikë mbetet fakti se pavarësisht rritjes së taksës në mënyrë progresive, sërish Bashkisë Shijak i duhet të paguajë një vlerë të lartë për familje, për të mbuluar kostot reale që i nevojiten për pastrimin e qytetit. Ky fakt konfirmohet edhe nga vetë kryetari Arbana i cili tregon për Porta Vendore se:
“Ne si bashki, kosto e pastrimit na kushton 8500 lekë të reja në vit për çdo familje, për 13.650 familje, në të gjithë Bashkinë e Shijakut, nga të cilat qytetarët paguajnë vetëm 1500 lekë të reja në vit nëpërmjet taksës së pastrimit, ndërsa pjesa tjetër subvencionohet nga bashkia. Që prej muajit gusht e deri më tani është Bashkia Shijak ajo që ka bërë subvencionimin, prandaj dhe ne sipas studimit të fizibilitetit dhe dëgjesave publike që kemi bërë, kemi marrë masat që të bëjmë rritje progresive. Pra për vitin 2022 do të kemi një rritje progresive prej 80 lekë të reja në muaj për familje, më tej për 10 vitet e ardhshme do të arrijmë të ekuilibrojmë raportet”, tregon ai për Portën Vendore.
Bashkia Shijak e cila gjendet në kushtet e rindërtimit që pas tërmetit të 26 nëntorit, e gjen të pamundur përballimin e të gjitha kostove buxhetore që shkaktohen nga situata e mbetjeve urbane, duke bërë kështu që tashmë të kërkojë një dorë nga qeveria për subvencionimin deri në një moment të dytë, pasi disa prej proceseve imediate të rindërtimit të kenë përfunduar, për t’i dhënë më shumë mundësi investimi në sektorin e pastrimit. Gjithashtu duket se nuk do të mungojë as kërkesa e disa parave më shumë nga xhepat e qytetarëve, si një dorë e dytë për t’i dhënë një zgjidhje modeste bashkisë, në zgjidhjen e një ngërçi të krijuar nga mungesa e një landfilli pranë Qarkut Durrës.