Vëzhgim/Analizë

Rindërtimi në Kurbin, përfundojnë pallatet e turkut, mbeten pas ato të palës shqiptare

17 janar 2021/Ahmet Zani/ Porta Vendore/Kurbin

Kurbini është kthyer i gjithi në një kantier ndërtimi, ku pallatet e para të financuara nga qeveria turke kanë përfunduar, por gjysma tjetër, e financuar nga qeveria shqiptare janë ende në proces ndërtimi. Ajo që vihet re është fakti se edhe pse puna ka qenë më e madhe, pala turke ka ecur me ritme më të shpejta se pala shqiptare për të përfunduar në afat pallatet e lagjes së re në Kurbin, ku kontrasti është i qartë me punimet e kryera nga shteti jonë.

Komisioni shtetëror i rindërtimit, më datë 28 janar 2020, miratoi propozimin për caktimin e zonës 1&2 në njësinë administrative Laç, Bashkia Kurbin si zonë e re për zhvillim. Lagja e re e cila ndodhet në qendër të Laçit, pranë njësisë administrative, Spitalit dhe Policisë, është një investim i qeverisë shqiptare dhe asaj turke, ku pjesa e këtyre të fundit ka përfunduar. Madje, për inaugurimin e tyre, më 17 janar, Shqipërinë e vizitoi edhe Presidenti i Turqisë, Taip Erdogan.

Por, procesi ka pasur vonesa të shumta në afate. Në një publikim të datës 26 nëntor 2020, një vit nga tërmeti, Kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara deklaroi se sipas inxhinierit turk, Zona 1 planifikohej të mbaronte në mars 2021, ndërsa Zona 2 në qershor. Por të dyja këto data nuk u respektuan. Kështu, Kryeministri Rama i shoqëruar nga Kryebashkiakja Majlinda Cara i nisën inspektimet në 16 janar 2021 në zonën që po rindërtohet në Kurbin, ku punimet ishin ende larg. Po ashtu, Rama u kthye sërish më 9 shtator 2021 në Kurbin, ku i shoqëruar nga Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe kryebashkiakja Majlinda Cara inspektuan sërish zonën që po rindërtohet me ndihmën e fondeve turke.

Sa i përket procesit të ndarjes së apartamenteve, Ministri për Rindërtimin Ahmetaj shpjegoi në atë kohë se rindërtimi ishte drejt fundit dhe se shpërndarja do të bëhet me short, duke proceduar sipas ligjeve përkatëse, me prioritet familjet në kategori të caktuara, ndërsa premtoi se deri në fundvit gjithçka do të jetë gati. “Apartamentet e gjithë bllokut të pallateve kanë mbaruar. Po vijohet vetëm me rikualifikimin e lagjes dhe me instruktuarën. Ka filluar rehabilitimi i sheshit kryesor të lagjes. Do të ketë park për fëmijët, hapësira të gjelbra, hapësira të përbashkëta për të kaluar kohën. Hapësira e gjelbër është bërë me sistem automatik vaditjeje dhe ndriçimi”, detajoi kryebashkiakja Cara. Ndërsa më 28 dhjetor 2021, qeveria dhe Bashkia Kurbin organizuan një ceremoni për përfundimin e pallateve të ndërtuara nga pala turke.

Punimet turke vs shqiptare

Aktualisht kanë përfunduar 13 pallate, 4 dhe 5 kate, (investimi turk) me një total prej 524 apartamentesh, ku është hedhur edhe shorteu për të akomoduar në brendësi të apartamenteve të përfunduara familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Po ashtu në këtë bllok pallatesh janë105 parkime nëntokë dhe 87 mbi tokë.

Ndërsa për 12 pallate të tjera 3 katësh (investimi shqiptar) sapo ka nisur procesi i rindërtimit, duke krijuar pakënaqësi tek banorët dhe familjet e prekura nga tërmeti. Të revoltuar banorët shprehen se vetëm me investimet e palës shqiptare ndodhin këto vonesa, pasi 13 pallatet e përfunduara janë ndërtuar nga turqit.

“Nuk është përzier shteti te turku, se nuk e ka lënë turku të përzihet, edhe kjo do të thotë që i ka bërë mirë, se po të ishte përzier shteti… Ana sipër, ende nuk kanë filluar, kanë bërë ca gropa, i kanë lënë aty, udha e mbarë. 30 mijë banorë pa spital, llogarite çfarë shteti kemi ne. Asgjë nuk bëhet. Njerëzit kthehen në fshatra, se nuk plotësohen nevojat me këto që janë bërë këtu”, thotë Fran Doçi për Portën Vendore, teksa duket se nuk është i vetmi që ndan këtë mendim.

Nuk e besoj, nuk bëhet se s’ka më. Janë të vonuar shumë me procesin e rindërtimit sepse kështu e kanë dashur ata, kjo është me u tall me popullin”, thotë një tjetër banor i Kurbinit.

Por ka edhe nga ata qytetarë që shprehen të kënaqur me rindërtimin e pallateve që ka bërë pala turke e me ato që pritet të realizojë qeveria shqiptare. ‘Shumë mirë, një mrekulli. Jemi shumë të kënaqur për punimet për rindërtimin, presim të bëhet dhe ky krahu tjetër, me siguri do bëhet. Unë kam besim”, tha Dave Trokthi, ndërsa të njëjtin mendim ndan edhe një tjetër banor i Kurbinit. “Këto që ka bërë turku janë të mrekullueshme, ka ndërtuar një lagje fantastike. Besoj se rrallë do jenë në Ballkan këto ndërtime, pjesa tjetër, kanë nisur të ngrihen disa objekte, si bashkia, spitali, dy tre pallate, kanë filluar”, u shpreh Jak Trokthi për Portën Vendore.

Bashkia Kurbin e pranon vonesën, që sipas saj, shkak është bërë edhe shpronësimi, pasi projekti zhvillohet në tokë shtet dhe në pronë private, ku një pjesë përbëjnë pallatet e shpallura të pabanueshme që u shembën për t’i hapur rrugë rindërtimit. “Pallatet që u shpallën të pabanueshme në Laç ishin kryesisht ndërtime të viteve 1965-1990. 24 banesa kolektive janë dëmtuar rëndë. I dëmtuar mbeti edhe Spitali i Laçit i cili është planifikuar të rindërtohet me një sipërfaqe rreth 3500 m2”, thuhet në planin e detyruar vendor, miratuar në mars 2020 nga Bashkia Kurbin, në kuadër të çështjen së rindërtimit.

Ndërkohë, sipas vëzhgimit në terren, pallatet 4-katëshedhe 5-katëshe me 524 apartamente, kanë përfunduar, teksa kanë gjithashtu edhe hapësira tregtare në katet e para të projektuara, ndërsa pallatet e tjera 3-katëshe me 254 apartamente thjesht janë ngritur si karabina.

Ndërkohë, sa i përket banesave individuale rezulton se janë 443 të tilla, ku për 218, pronarët kanë kërkuar t’i ndërtojnë vetë, ndërkohë 225 janë në proces rindërtimi. “Pra në total për procesin e rindërtimit, janë 1221 njësi banimi, nga të cilat 443 janë banesa individuale dhe 778 janë apartamente në pallate”, deklaroi Bashkia Kurbin për Portën Vendore, e cila shtoi se nga grantet e rikonstruksionit të banesave për kategoritëDs1, Ds2 dhe Ds3 kanë përfituar2181 familje, ndërsa janë trajtuar me bonus qiraje 1726 familje.

Ndërkohë në gjithë bashkinë Kurbin janë në total 6 godina arsimore që po rindërtohen nga e para , 4 shkolla dhe 2 kopshte, dhe gjithashtu 3 objekte të tjera arsimore i janë nënshtruar rikonstruksionit.

Sa i përket 225 banesave individuale që janë në proces rindërtimi nga shteti, sipas një kërkimi në Agjencinë e Prokurimit Publik ky investim do të kushtojë517 milionë lekë apo 4.2 milionë euro.

Gjithsesi, në Laç ka ende familje që jetojnë në çadër, ose kontejner por është tejet i vështirë të thuash një numër ekzakt të këtyre familjeve në fshat e qytet, dhe aq më pak një numër ekzakt i tyre.

Porta Vendore vizitoi një nga familjet në Laç, e cila jeton prej 3 dimrash në çadër. Shtëpia e Tahir Muratit prej 2 vitesh është te kjo çadër . Jeton vetë i pesti aty, ndërsa rrëfen sfidat e vështira të jetës në të. “Në këtë çadër unë banoj vetë i pesti se nëna nuk pranon të rrijë këtu dhe qëndron në shtëpinë që po pritet për tu shembur. Banoj vetë i pesti që nga tërmeti i 26 nëntorit. Kalova dy dimra shumë të ftohtë, kalova dy vera shumë të nxehta në këtë çadër. Nuk kam ku jetoj vetëm në qiell të hapur. Edhe çadra është grisur prej erës”, thotë ai tejet i mërzitur.

Familja Murati vetëm së fundmi është trajtuar me bonus qiraje nga ana e bashkisë. Por kryefamiljari shprehet i lodhur me gjithë burokracitë që i duhet të bëjë në vendin e tij për të fituar një të drejtë legjitime dhe që i takon në fund të ditës, siç është strehimi. “Për rindërtimin e banesës, e kam takuar vetë kryetaren e bashkisë në zyrë dhe më pati thënë se nga data 15 nëntor do të fillojmë dhe faktikisht kaloi 15 nëntori dhe … Na është premtuar shumë që nga tërmeti i 26 nëntorit, janë premtime të qindra herëve dhe faktet janë këto që po shikoni”, shprehet Tahiri i indinjuar. Banesa e tij është vlerësuar DS4 dhe është për shembje. Por ai s’ka asnjë informacion se ku do të ndërtohet ajo, ndërsa dëshira e tij si e shumëkujt është që shtëpia të rindërtohet në të njëjtin truall, në pronën private të tij. “Akoma nuk kanë filluar, nuk kam marrë asnjë përgjigje tjetër. Kam takuar kryetaren e bashkisë në zyrë dhe tha se do vijmë të fillojmë rindërtimin e shtëpive private shumë shpejt. Mirëpo, ajo e shpejta nuk e di, mua më zuri dimri i tretë dhe prapë këtu në çadër. Si mos më zi, s’ka, nuk jetohet në çadër. Në çadër mund të jetohet për 4-5 ditë, por jo tri vite”, tregon ai për Portën Vendore. Dëshirat e tij janë minimale, ai kërkon nga shteti që të kthejë sytë nga ai për strehimin, teksa për t’ia dalë nga pikëpamja ekonomike, i mjafton ndihma ekonomike që merr sa për një kothere bukë.“Jetoj me një ndihmë ekonomike, vetë jam me probleme shëndetësore, jam prej dy vitesh i paaftë për punë. Asnjë lloj të ardhure tjetër nuk përfitoj”, përfundon ai.

Në çadër prej dy vitesh tanimë jeton edhe familja Durma. Situata për çiftin është vështirësuar nga kushtet e këqija të jetesës, kjo pasi u bë dimri i tretë në çadër. “Jetojmë prej dy vitesh në këto kushte, por shpresa që po na bëjnë ndonjë shtëpi të re na ka mbajtur gjallë. Vetë i 8 bëhem si familje. Ishalla shteti vë dorë dhe na i rregullon. Nuk jam i aftë me bo shtëpi, pasi me një rrogë të djalit jetojmë. Sytë dhe shpresat i kemi tek shteti. Shtëpia ka dalë për prishje, dhe që të bëhet shtëpi e re. Shteti më ka thënë do të bëjmë shtëpi por deri tani vetëm në pritje jemi, tek shteti pasi mundësi të tjera nuk kemi, të ardhura të tjera nuk kemi. Bashkia na ka thënë që ka ardh firma fituese dhe ka për të ardh shumë shpejt, por këtë e di bashkia, nuk e dimë ne”, shprehet Veliu për Portën Vendore. 64 vjeçari trajtohet me një sërë medikamentesh, pasi prej 13 vitesh vuan nga disa sëmundje. 8 mijë lekët që merr nga pensioni i invaliditetit është e pamjaftueshme për të mbajtur familjen, pasi ato para shpenzohen për ilaçe. Çadra ka filluar të amortizohet dhe në ditët më shi çifti i bashkëshortëve tregon se ça bie jashtë futet brenda. Lagështira dhe aroma e rëndë që krijohet e përkeqësojnë edhe më shumë situatën e dy bashkëshortëve.“Në verë plastika ka erë të keqe, çadra dhe në dimër ka erë myku. Dimri është i ftohtë s’kemi lënë rrobë pa vesh, dhe në verë temperaturat si i di vetë”, thotë zonja Durma, duke shtuar se vera është më e keqe se dimri gjithsesi. “Në çadër do ta kalojmë dimrin, se s’ka mundësi të bëhen për një muaj shtëpitë, vetëm nëse na japin ndonjë shtëpi të re. Në çadër kemi kaluar dy dimra, sivjet është i treti. Edhe i nxehti keq është, dy vera në çadër. I nxehti është më keq se i ftohti”, shprehet ajo e trishtuar.

Muret e shtëpisë janë çarë duke krijuar zgavra të mëdha e të depërtueshme. Ndërsa Veliu tregon dëmin e madh që i shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit i prekur, dhe shtëpinë e tij të re që tanimë po kthehet në të vjetër siç është çadra. Janë në pritje të ndërtimit të banesës, por ende nuk kanë një përgjigje nga bashkia se kur mund të nisin punimet për rindërtimin e banesës individuale.

Ndërsa djali i tyre me 4 fëmijët është larguar në banesë me qira në Mamurras, duke i shpëtuar kushteve në çadër. Por hapësira që ai ka marrë me qira, siç tregojnë edhe prindërit është tejet e vogël sa për të përmbushur nevojat e një familjeje kaq të madhe, ndaj ata qëndrojnë në çadër. “Me 26 nëntor 2019, pas tërmetit ne jemi këtu. Pas covidit erdhën njerëzit prapë këtu nga bashkia jo do ti bëjmë shpejt, pastaj na erdhën edhe dy herë me ca ushqime vaj e makarona dhe kaq, s’u pa më njeri se na quajnë shtresë të ulët, se s’kemi mundësi me i qeras njerëzit ashtu si duhet. Bashkia bën si top, herë njeh atë, e herë këtë. Ne s’po na shohin më as për shtëpi, as për asgjë. U bë 3 vjet, tani është çdo gjë e vështirë në dimër. Çadrën duhet ta mbyllësh mirë, se shumë ftohtë. Lutem që zyrtarët e shtetit të na nxjerrin nga kjo situatë”, përfundon zonja Durma për Portën Vendore. Çifti jeton në Fushë-Mamurras, ku ka dhe shumë familje të tjera që jetojnë në të tilla kushte. Dimri i tretë për këto familje, përjetohet sërish në çadra dhe kontejnerë.

Spitali i Laçit ende në rindërtim

Një tjetër godinë që u prek nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 ishte edhe Spitali i Laçit. Ai u shemb në korrik 2020, dhe vetëm 8 muaj më pas nisi puna për rindërtimin e tij.

Në nisjen e punimeve më 16 shkurt 2021, përfaqësuesit e qeverisë thanë se spitali që do t’i shërbejë rreth 70 mijë banorëve do të jetë gati për 4 muaj. Tashmë, kur kanë kaluar afërsisht 11 muaj, qytetarët e Kurbinit shprehen të shqetësuar për vonesat me të cilat është hasur ky projekt, pasi pavarësisht premtimeve ende ky spital s’ka përfunduar, duke detyruar shumë banorë që të shkojnë drejt Lezhës, Tiranës ose Krujës për të marrë ndihmën e specializuar shëndetësore. Më 28 dhjetor 2021, Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, deklaroi se; “Pas disa vonesave objektive, tani po ecet me ritme të shpejta për rindërtimin e spitalit Kurbin”.

Mirëpo edhe në këtë çështje, banorët ndahen pro e kundra, ku secili ka mendimin e tij dhënë për Portën Vendore. “Ju lutem mos më fusni në këto hallka, unë jam një qytetare e thjeshtë më ka munguar jashtë mase spitali, më kanë munguar edhe shërbimet e tjera, por problemi është se ne kemi kaluar një traumë të madhe, tërmeti, pandemia, njerëzit janë të rraskapitur, edhe qeveria, njëkohësisht me ne, edhe ajo e rraskapitur”, thotë Dava Trokthi, ndërsa duket se të njëjtin mendim ndan edhe një tjetër banor kurbinas.“Tashti me radhë, të gjitha kanë rëndësinë e vet. Varet nga procedura, unë nuk e di, por po punojnë dhe ka investime”, thotë për Portën Vendore Jak Trokthi.

Ndërsa Fran Doçi shprehet i irrituar sa i takon vonesave ku e gjitha kjo për të nuk është aspak normale. “Në Lezhë, Tiranë, në privat shkojmë, ça të bëjmë. Është një godinë e vogël që kanë një dhomë që bëjnë disa vizita, pa asnjë mjet, pa asgjë. Fillimisht duhej bërë spitali, shkolla dhe spitali, pastaj shtëpitë. Shpresa kemi, që do përfundoj spitali patjetër, në 2050-n”, përfundon ai. Indinjatën e tyre banorët e kanë shprehur edhe nëpërmjet protestave të majit 2021, ku me pankarta me duar ata denoncuan vonesat në procesin e rindërtimit të këtij spitali, aq i nevojshëm për ta.

Gjithashtu, siç është raportuar edhe në media, hera herës ka pasur edhe ndërprerje të punimeve, ku në terren nuk gjendeshin as makineritë dhe as punëtorët, duke shkaktuar kështu shumë pakënaqësi tek pacientët që do të duhej t’i drejtoheshin këtij spitali. Spitali i ri i cili do të ketë një kapacitet prej 40 shtretërish, do të shërbejë 24 orë, sipas një teknologjie bashkëkohore, ndërsa nuk bëhet e ditur se kur do të jetë afati i përfundimit të punimeve ende.