10 janar 2022/ B. Gilaj/ Porta Vendore/ Lezhë
Fishta dhe Ishull-Lezha janë dy fshatra të Lezhës, të cilët janë përfshirë në programin e qeverisë për 100 fshatrat turistikë. Ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim në fshatrat e tjerë, në këto dy fshatra ekziston infrastruktura dhe investimet, por kryesisht ato janë projekte private, ndërsa qeveria duket se është ende larg premtimit për të ndihmuar këto fshatra.

Një fshat i vogël në zemër të Zadrimës në Lezhë është shndërruar vitet e fundit në një atraksion turistik. Jo vetëm gjatë fundjavës, por në çdo ditë të vitit Fishta pret vizitorë të ndryshëm nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë. E ndodhur rreth 15 km larg qytetit të Lezhës, Fishta ka mundësinë që të kthehet në një pikë strategjike për agro-turizmin e qëndrueshëm.
Bujtinat, ushqimi bio, ajri i pastër e bëjnë këtë vend ideal për të kaluar një ditë me energji pozitive. Fishta në vitin 2018 u klasifikua zyrtarisht si fshat turistik në programin e ndërmarrë nga qeveria shqiptare, ku pritej që të ndryshonte edhe fytyra e këtij fshati nëpërmjet përthithjes së investimeve në sektorët kryesor.

Rruga që të çon në drejtim të Fishtës është e asfaltuar. Fshati karakterizohet nga qetësia dhe njerëzit të presin buzagaz. Ndryshe nga shumë fshatra tipikë shqiptarë, ku mungon shumëçka, qoftë edhe nga ato që bëjnë pjesë në listën e 100 fshatrave turistikë, duket se në Fishtë nuk ka betejë të përditshme për ujin, energjinë elektrike, ose infrastrukturë rrugore. Megjithatë ka sfida të tjera si menaxhimi i mbetjeve urbane, papunësia dhe mungesa e qendrave kulturore muzeale të zonës, çka sipas vetë banorëve do të bënin të mundur thithjen e turistëve të tjerë dhe promovimin serioz të zonës. Por një pjesë të infrastrukturës rrugore, sipas banorëve, e kanë ndërtuar vetë, pasi në kuadër të procesit te 100 fshatrave turistikë nuk ka pasur ndonjë mbështetje.
“Ne jemi angazhuar gjithnjë për mirëqenien tonë dhe të komunitetit tonë, pasi jemi njerëz që e duam këtë fshat dhe nuk do ta ndërronin kurrsesi vendlindjen tonë. Për fatin tonë të mirë fëmijët tanë janë emigrant jashtë dhe na kanë ndihmuar që të jetojmë, por edhe të investojmë hera herës për rrugë e element të tjerë, që shteti s’na i ka bërë”, thotë Rabija, e cila në pasditen e së enjtes, e zakonshme për të, është duke nxjerrë dy lopët e saj për të kullotur.
Megjithatë banorët e mbetur në fshat nuk e çojnë ditën dëm, ato janë gjithnjë të angazhuar, qoftë me bujqësi ose blegtori, qoftë edhe duke u punësuar pranë strukturave të bizneseve në zonë, që së fundmi po njohin një lulëzim edhe më të madh.
Mrizi i Zanave është biznesi i parë që nisi rrugën e aventurës për agroturizëm në këtë zonë, një koncept pak i njohur, por që avash avash ndihmoi dhe zhvilloi të gjithë zonën, jo vetëm duke i blerë produktet bujqësore, por edhe duke punësuar të rinj e të reja në këtë sipërmarrje të guximshme. Sot duhet të jesh më fat që të gjesh një tavolinë pa rezervuar, gjatë fundjavave.
“Klientela e kësaj strukture është ajo që realisht e do fshatin, i do produktet bio dhe i vlerëson ato. Këtu jemi larg luksit dhe afër shijes, pasi gjithçka bëhet me kaq shumë dashuri. Dhe klientët, vizitorë vendas e të huaj mbesin përherë të kënaqur nga shërbimi dhe gatimi ynë. Duket se kemi gjetur filozofinë e njëri-tjetrit”, tregon një nga kryekamerierët e Mrizit të Zanave për Portën Vendore.

Përveç Mrizit ka edhe një sërë bujtinash të tjera, siç është edhe Oazi i Fishtës, me një pamje të mrekullueshme, i ndodhur përballë një rezervati natyror.
Me një stil si të Mrizit, pavarësisht se ndër vite ka dashur të bëjë diferencën, edhe kjo strukturë ka klientët e saj besnikë, që janë të shumtë në numër.
“Jemi të kënaqur që na kanë futur në 100 fshatrat turistikë dhe uroj shumë që ky projekt ti sjell sa më shumë turistë dhe investime fshatit, pasi Fishta ofron një bukuri natyrore të pazakontë. Ne jemi të kënaqur që jemi futur në listën e restoranteve më ‘in’ në këtë zonë dhe nuk ndjejmë kurrfarë konkurrencë sepse fundja secili ka klientelën e vet”, thotë Mateo i cili punon si kamerier prej disa muaj në këtë strukturë.

Megjithatë zonjat e fshatit duken skeptike për projektin e 100 fshatrave turistikë që ka prekur edhe zonën e tyre.
“Na bëhet qejfi kur shikojmë turistë nëpër rrugët e fshatit, por ata thjesht hanë një drekë dhe ikin. S’ka gjë Fishta, një kala dhe një rezervuar, edhe shtëpinë e Gjergj Fishtës. Por do të donim ashtu siç dëgjojmë në media të kishte më shumë promovim për fshatin nga ana e shtetit dhe jo të bëhej e gjitha vetëm nga bizneset e zonës”, thotë Vjollca , banore e zonës.
Fishta është një fshat në njësinë administrative të Blinishtit i përzgjedhur si fshat turistik. Në këtë fshat ka lindur poeti i madh At Gjergj Fishta, simboli i letërsisë shqipe për poemën Lahuta e Malësisë.
Plot një vit më parë, pas shumë insistimesh u restaurua shtëpia Homerit të letrave shqipe. Investimi i kryer nga Ministria e Kulturës kapi vlerën e 5.5 milionë lekëve të reja, por pas një jave nga promovimi i saj, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama me kryebashkiakun Pjerin Ndreu, ajo mbylli dyert, ku edhe sot e kësaj dite nuk është e hapur për vizitorët.
“Na erdhi shumë mirë kur shtëpia u restaurua, pasi ne si banorë të zonës dhe intelektualë e kishim kërkuar prej kohësh që kjo të ndodhte. Por fatkeqësisht, mungesa e një ciceroni e ka mbyllur prej një viti shtëpinë e kolosit të madh të letrave shqipe, duke e kthyer gjithçka në pikën 0”, thotë Lin Shtjefni, historian i zonës.

Ai rrëfen gjithashtu se Fishta si pjesë e Zadrimës është e gjitha një vlerë e jashtëzakonshme për tu zbuluar nga turistët dhe shteti duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim , për ta çuar projektin e 100 fshatrave turistik deri në fund, për të vënë në pah pasurinë me histori dhe kulturë të kësaj treve.
“Këngët e Zadrimës janë një pjesë e rëndësishme e muzikës folkloristike dhe gjithashtu zakonet dhe veshjet tradicionale shumëngjyrëshe janë një pasuri më vetë për etnografinë shqiptare. Ndaj nuk do të resht se propozuari hapjen e një muzeu, që çdo vizitor të kishte një axhendë një ditore ose gjysmë ditore dhe të njihej me vlerat e Fishtës kur të vinte në zonën tonë”, shprehet historiani për Portën Vendore.

Nga vëzhgimi që Porta Vendore kreu në fshat, mungojnë kontejnerët, madje edhe aty ku ka plehrat janë të hedhura në tokë, nga tejmbushja e tyre.
“Nuk vjen njeri ti pastrojë fare këtu. Jemi fshat turistik por na mbytën mbeturinat. Kujtohen një herë në javë të vijnë t’’i marrim ata të bashkisë”, thotë një kalimtar.

Për të aksesuar Fishtën mund të zgjedhësh rrugë nacionale Lezhë – Vau Dejes teksa lidhet edhe me superstradën Lezhë – Shkodër. Largësia nga Tirana në Fishtë është 73 km ndërsa distanca nga Shkodra në Fishtë është 34 km. Në këtë fshat mund të shohësh Kishë e Fishtës, 2 liqene artificiale, Kroin Katrosh, Kroin e Fushmollës etj. Ndërsa për më aventurierët mund të konsiderohen si aktivitete argëtuese: Shëtitje në kuaj, biçikleta, hiking, treking etj.
Në fundjavën e fundit të dhjetorit në këtë fshat zhvillohet panairi i gjelit të detit, traditë e banorëve të Fishtës, e cila mbledh fermerët e zonës që mbarështojnë gjelin e detit të varietetit Zadrima, ashtu si edhe vendi ku shtrihet zona, teksa zhvillohet panairi për promovimin e tyre dhe u sjell në vëmendje qytetarëve që të konsumojnë shëndetshëm dhe produkte natyrale.
Ishull-Lezha, fshati i lagunës së njohur Kune Vain
Ishulli i Lezhës është një ndër fshatrat më magjepsës të këtij qyteti. I ndodhur rreth 60 km nga Tirana, kjo zonë fsheh në brendësi të saj një histori të vjetër të lagunës shqiptare dhe një destinacion turistik për të mos u humbur.
Fshati Ishull–Lezhë është një nga 5 fshatrat turistikë tëpërzgjedhur në programin e qeverisë në vitin 2018. Ky fshat ka një popullsi prej rreth 2500 banorësh, të cilët janë të ardhur kryesisht nga zonat e largëta veriore të vendit pas vitit 1850. Ishulli Lezha karakterizohet si një fshat i qetë, ku ofron një potencial tejet të madh në gastronomi, kjo për shkak të një numri të madh restorantesh që ka zona. Infrastruktura rrugore në fshat nuk mungon, gjithashtu edhe uji i pijshëm, megjithatë banorët tregojnë se këtu vizitorët e shijojnë fshatin për një orë.
“Nuk na mungon gjë, jemi shumë të kënaqur. Rrugë kemi, ujë kemi, drita kemi. Jemi fshat i vogël e i qetë dhe kjo na pëlqen. Sa për turistët ata s’kanëça bëjnë këtu, më shumë kalojnë këtej dhe ikin në lagunë, ku mund të shijojnë edhe një drekë”, thotë Age Nika, një e moshuar e sjellshme, teksa e takojmë në rrugët e ngushta të fshatit.

Ishulli i Lezhës u bë pjesë e programit të 100 fshatrave turistik, ku do të ndërhyhej me projekte zhvillimore që parashikon të sillnin në zonë një dimension tjetër të zhvillimit të agro-turizmit dhe gjithashtu edhe përmirësimin e ekonomisë së zonës, por kjo në zemër të fshatit nuk duket.
Gerald Sherri punon si kamerier në kohën e lirë në lokalin e fshatit, që e disponon kushëriri i tij, por ai rrëfen për Portën Vendore se në fshat nuk ka bujtina dhe as agro-turizëm, ato gjenden vetëm në KuneVain, laguna aq shumë e lakmuar nga vizitorët.
“Fshati shërben si transit, atje shkojnë të gjithë dhe me të drejtë pasi rruga mes pishave është shumë e bukur. Ne jemi krenar shumë që kjo zonë është pjesë e jona, por ama nuk kemi pasur stimuj për të ngritur bujtina, ose për të bërë një itinerar promovues që një turist të ketë çfarë të shikojë në zonë në 24 orë qëndrim. Vilat e reja që shikoni po ndërtohen nga emigrantët, megjithatë nuk kanë në plan t’i kthejnë në vende akomodimi. Ky kushëriri im që ka lokalin e ka në plan që ta bëjë një pjesë restorant dhe pse jo të ketë edhe një hotel sipër, por nuk e dimë ende se si do eci. Këtu turistë ka pas gjithnjë, por jo se kanë qëndruar tek ne”, tha Geraldi për Portën Vendore, i cili është i shqetësuar më së shumti për shpopullimin që ka zona aktualisht, ku edhe ai si pak të rinj të fshatit do të largohet me ofrimin e mundësisë së parë.
Ecim rrugëve të fshatit teksa shohim që sistemi i menaxhimit të mbetjeve urbane është i mirë, pasi nuk ka papastërti në zonë, dhe mund të konsiderohet pa frikë një fshat i pastër nga kjo pikëpamje. Ambulanca e fshatit është një ambient i vogël, i rikonstruktuar, por ajo që është shqetësuese është fakti se pavarësisht se jemi në orët e drekës dera është e mbyllur dhe nuk ka infermier në brendësi të ambienteve.

Një banore e zonës e pyetur mbi këtëçështje i tha Portës Vendore se kryesisht banorët e fshati e disponojnë numrin e infermieres dhe ajo shkon i viziton në shtëpi ose e hap derën e qendrës shëndetësore kur është e nevojshme.
Shkolla e fshatit e cila gjendet në qendër të tij, gjithashtu duket në kushte të mira. Por papunësia është një fenomen prezent edhe në këtë zonë të Shqipërisë.
“Kam punuar si mësuese matematikë në Shkodër por edhe në Lezhë, megjithatë sot jetoj vetëm në pension , pasi nuk zgjodha të martohem e të krijoj familje. Unë mendoj se pavarësisht se në dukje nuk na mungon gjë dhe jemi mirë, prapë duhej bërë më shumë për komunitetin dhe për vetë fshatin meqë na kanë klasifikuar si fshat turistik, ndonjë investim në këtë drejtim s’kemi parë. Shto këtu faktin që problem serioz mbetet papunësia. Është një fenomen që po braktis fshatrat në mënyrë të frikshme, e ku edhe fshati jonë nuk mund t’i shpëtonte këtij lloj trendi të fundit”, tha Dashja për Portën Vendore, teksa qëndronte brenda kangjellave të oborrit të saj, pasi i druhej Covid 19.
Pak kush e di që Laguna e Kune Vainit është e para Zonë e Mbrojtur e Shqipërisë, e shpallur si Rezervë Gjuetie që nga korriku i vitit 1940. Ndërsa sot ruan këtë status të emërtuar si “Rezervat Gjuetie dhe Rezervë e Menaxhuar”.
Në hyrje të Zonës së Mbrojtur të Lagunës, është një portë-postbllok ku një rojë i ADZM-së së Lezhës, pret një biletë me një vlerë simbolike prej 100 lekësh, por çuditërisht nuk kontrollon për pajisjen me mjete peshkimi ose armë gjahu të vizitorëve.

Me të hyrë në territorin e lagunës shohim që ka disa peshkatarë të paligjshëm , që po peshkojnë në fakt në një vend që është i ndalur peshkimi.
Megjithatë pamja është e mrekullueshme. Është drekë dhe ora shënon fiks 14:00. Dielli shoqëron gjatë të gjithë rrugës, ku shpesh vezullon me hirin e tij, e herë të tjera fshihet turpshëm pas pishave të larta të pyllit, nga gjarpëron rruga.
Laguna është e pozicionuar në jugperëndim të qytetit të Shëngjinit, në perëndim të fshatrave të ishull Shëngjinit dhe Ishull Lezhës. Aty ka dhe një ndërtesë të vitit 1939 e shpallur “Monument Kulture”, që lidhet me emrin e Kontit Çiano, ish-ministrit të Jashtëm të Italisë.
Më pas përballesh me tabelën e hotelit më të famshëm të kësaj zone, atij të Gjuetarit.
Hoteli i Gjuetarëve në Ishull-Lezhë është nga më të njohurit e zonës, ai mbart historinë e vet dhe vlera të padiskutueshme arkitekturore, që i ruan ende sot e kësaj dite, ndonëse pjesa më e madhe e kësaj rezidence është e shkatërruar. Megjithëse kjo ndërtesë është në funksion edhe si hotel, ambientet e brendshme janë të dëmtuara dhe administratorët ankohen për mundësinë e restaurimit meqë është “Monument Kulture”. Banorët e zonës tregojnë se dikur gojëdhënat thonë se kjo vilë ka shërbyer si hotel për shumë personalitete italiane dhe miq nga vende të ndryshme, si dhe projektuesit kryesorë të operacioneve ushtarake, strategjike e diplomatike të Duçes. Më vonë, në kohën e komunizmit, ajo vizitohej nga nomenklatura e kuqe, ku personazhe të saj gjuanin shpendë dhe kafshë të egra të lagunës.
Por sa më në brendësi të lagunës të shkosh aq më shumë restorante druri të vegjël do të gjesh. Ato janë një pikë atraktive gastronomie në mes të një oazi natyror.
Peisazhi që krijojnë ky sistem ligatinash, brenda lagunës është mbresëlënës, dhe ndaj ka një numër të shtuar turistësh që e vizitojnë këtë zonë viteve të fundit, duke shijuar edhe një drekë në brendësi të pyllit ku gjenden disa restorante shumë elegant peshku.

Pasi kemi shëtitur në 3 restorante në brendësi të pyllit, e konsiderojmë veten me fat, që gjetëm një tavolinë që për pak lirohej. “Fundjava është gjithmonë kështu, plot”, tregon duke qeshur kamarieri i restorantit.
Në dokumentet historike turko-veneciane të shek. XV përmendet shpesh Ishulli i Lezhës. Pasi qyteti i Lezhës u pushtua nga turqit me 1478 dhe qyteti u dogj, banorët e tij u zhvendosen në një zonë, jo shumë larg ne ishullin e formuar në grykëderdhjen e lumit të Drinit. Ishulli i Lezhës u bë një vendbanim kryesor për lezhjanet.
Në vitet 1478-1501, për 23 vjet, Ishulli i Lezhës, ishte i vetmi vend në bregdetin e Shqipërisë së Veriut, që qëndroi i lirë, i pavarur dhe i vetëadministruar.

Presim për rreth 20 minuta jashtë duke rrufitur kafen e paradrekës dhe duke shijuar ajrin e mrekullueshëm. Me të hyrë në restorant atmosfera ishte komplet ndryshe. Me shtimin e numrit të vizitorëve dhe turistëve edhe këto restorante në dukje modeste, të gjendura në mes pyll ishin modernizuar në shije. Një violinist shoqëronte bisedat e drekës, në ato pak tavolina që kishte restoranti.
“Çdo fundjavë kështu është tek ne. Ka shumë raste që klientët ikin pa gjetur dot një tavolinë, me gjithë përpjekjet tona. Ne përpiqemi që të ruajmë traditën e ushqimit, pavarësisht se koha na ka treguar se edhe disa elementë të guzhinës italiane nuk duhet të mungojnë në restorantin tonë, pastaj është klienti ai që zgjedh në fund. Por kryesisht mbeten shumë të kënaqur. Natyra këtu është një tjetër faktor që ka kaq shumë turistë. Pastaj gjatë pranverës dhe verës është komplet tjetër gjë, është një ndjesi tjetër në mes të pemëve të mund të drekosh. Pandemia nuk është që na ka penalizuar shumë, pasi ne punojmë me klientelë dhe ata rezervojnë gjithmonë disa ditë para tek ne. Madje mendoj se virusi na bëri që t’i shohim ca gjëra në jetën tonë por pse jo edhe në aspektin e turizmit ndryshe, më mirë. Është koha realisht t’i shijojmë të mirat që kemi, shëndetin dhe vendet e mrekullueshme që ka Lezha dhe Shqipëria”, tha menaxheri i këtij restoranti për Portën Vendore.
Laguna e Kune Vainit është e pasur dhe me specie të tjera të rralla si Rosa e Egër, Bajza, Çafka, Karabullaku etj, që bëhen “pre” e aparateve fotografikë të turistëve të shumtë në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit. Numri i vizitorëve në një javë sipas burimeve nga Adzm-ja është nga 300-400 vizitorë, ndërsa në një vit numërohen rreth 70 mijë vizitorë.
Ky ekosistem natyror-lagunor është një nga më të rëndësishmit e bregdetit shqiptar në Adriatik. Kjo zonë karakterizohet nga habitate të ndryshme, që përbëhet nga një sistem lagunash si Kune, Merxhani, Zajet, Vaini, Vijat e zallit etj., të lidhura me njëra-tjetrën nga Lumi Drin dhe me Lumin Mat. Shumëllojshmëria e habitateve natyrore kanë krijuar kushtet e duhura për specie përfaqësuese të biodiversitetit.
Në këtë lagunë gjenden 277 lloje bimësh të ndara në 67 familje dhe 202 gjini, fauna është mjaft e pasur me më shumë se 340 lloje nga të cilat: Gjitarë 23 lloje, Shpend 196 lloje, Peshqit 58 lloje, Reptilet 10 lloje etj.
Vendet për t’u vizituar janë këneta e Merxhanit, Ishulli i Kunes, Këneta e Kashtës, Grykëderdhja e Lumit Drin, Këneta Zajes, Cekës, Vijat e Zallit, plazhi i Shëngjinit, Vainit dhe Tales.
Brenda zonës së mbrojtur ndodhen dy monumente natyre: Këneta e Kashtës, e cila ndodhet në Ishullin e Kunes dhe Rivat e Drinit të cilët ndodhen përgjatë grykëderdhjes se Lumit Drin
Ishull Lezhë njihet si një nga destinacionet turistike më të vizitueshme në veriun e Shqipërisë për natyrën e bukur, ku mund të udhëtohet me bicikletë, të shëtitet në këmbë dhe të shijoni gastronominë fantastike të zonës.
Rikonstruksioni dhe planet për zhvillimin e ardhshëm të kësaj zone janë të shumta si në pistë hipizmi, ambiente sportive, sipërfaqe me vreshta, pemëtore dhe serra, e deri në rikthimin e shëtitjeve me varka nga Ishull-Lezha në lagunë, ku synohet të rikthehet shkëlqimi dhe fluksi i vizitorëve , por deri atëherë Ishull-Lezha pret me modesti kuriozët e radhës.
Në Lezhë ka 5 fshatra turistik, përkatësisht Ishull-Lezhë, Fishtë, Skuraj, Katund i Vjetër, Orosh, por Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka asnjë projekt aktualisht për asnjë nga fshatrat turistikë të Lezhës lidhur me zhvillimin infrastrukturor, ekonomik apo turistik të këtyre zonave. Ndërsa mos investimet në dy fshatrat turistik që Porta Vendore vëzhgoi, përkatësisht në Fishtë dhe Ishull-Lezhë , e konfirmon edhe Bashkia Lezhë, ku në përgjigje të kërkesës për informacion , ajo shprehet se: “Nuk janë realizuar investime në kuadër të programit të ‘100 fshatrave’ por janë kryer disa investime në fshatin Fishtë, si rikonstruksioni i rrugës Fishtë-Superstradë dhe i nyjes me Superstradën Lezhë-Shkodër. Nuk është trajtuar ende fshati turistik i Ishull-Lezhës”, shprehet institucioni vendor.