7 janar 2022/ Franceska Ndoja/ Porta Vendore/ Pukë
Puka është një qytet që në vitet e fundit ka ndryshuar shumë, por sërish mbetet mes përpjekjeve për të mbijetuar, mes shqetësimit të shpopullimit për shkak të mungesës së punës dhe tentativës së pushtetit vendor për ta kthyer në një destinacion turistik.
Puka është një qytet që nuk të bie rruga shpesh, i aneksuar nga rruga nacionale, ku mund të shkosh ose për turizëm, ose për të punë. I vetmi qytet që lidhet me rrugën nacionale dhe që duhet të kalosh në Pukë është Fushë-Arrësi. Porta Vendore udhëtoi kësaj radhe drejt Pukës, një nga ato qytetet e vogla të cilët pak nga ne i njohin. E transformuar plotësisht, tashmë ky qytet ka një aromë turizmi.
Sapo lëmë Vaun e Dejës, bashki që ndodhet në anë të rrugës nacionale Shkodër-Lezhës, rrugëtimi ynë fillon me gjarpërimet e njëpasnjëshme të rrugës, të cilat njihen si “Kthesat e Gomsiqes”. Gjurmët e mureve të këtij aksi, të ndërtuara që në kohën e Italisë janë ende prezente, pasi ky ka qenë një shteg asokohe. Ura e Gomsiqes u ndërtua nga italianët më 1939. Rruga drejt Pukës është tejet piktoreske. E ndodhur rreth 145 km nga kryeqyteti, ajo është një opsion i mirë për turistët vendas e të huaj. Për të gjithë ata që adhurojnë malin, ajrin e pastër, qetësinë dhe frymëzimin nga natyra.

Faqet e malit humbin para syve, pishat kundërmojnë, teksa kupton se po i afrohesh qytetit kur një tabelë teneqeje na uron mirëseardhjen. I rrethuar nga mali i Munellës, Krrabit dhe Tërbunit shtrihet Puka, e cila njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Por, mirëseardhja e vërtetë gjendet në zemrat e banorëve, të cilët të mirëpresin qofshin të njohur e të panjohur. “Jemi të lumtur që vijnë turistë dhe ne po jetojmë tanimë në sajë të tyre, pasi ndihmon në ekonominë tonë dhe në atë të vetë qytetit. Ndjehemi krenarë kur shohim rrugëve të Pukës turistë vendas e të huaj, që kalojnë bukur dhe eksplorojnë qytetin tonë të vogël”, thotë një shitës në të vetmin market në qendër të Pukës.
Godinat përreth qendrës janë të rehabilituara dhe të lyera, ndërsa në shëtitoren e vogël të qytezës mund të përshkosh sa hap e mbyll sytë. Në të gjithashtu janë të pozicionuara të gjitha institucionet më të rëndësishme të qytezës. Bashkia, Spitali Pukë, Posta, Qendra Kulturore etj.
Dikur Puka ishte e njohur për drurin dhe mineralet, ndërsa sot në fokus ka turizmin. Ndërtimi i fasadave, trotuareve dhe shëtitoreve nuk i është dorëzuar ende 100% urbanizimit, por është ruajtur qyteti karakteristik. Megjithatë, problem mbeten vendet e parkimit, të cilat janë të pakta.
Godinat dhe pallatet në qytezën alpine nuk i kalojnë 4 katet dhe në qendër ato janë të unifikuara nga projekti i rilindjes urbane. Njerëzit janë të qetë e të sjellshëm dhe teksa konstatojnë se je vizitor i pak orëve në qytezë të përshëndesin me dashamirësi.
“Ka pasur ndryshime të mëdha në qytet, sikurse ka pasur edhe sfida të panumërta, pasi është hasur në një rezistencë të vetë banorëve të zonës për të mos prishur godinat dhe kioskat në qendër të qytetit, për t’i shpronësuar e për t’i hapur rrugë projektit të ri, të rikualifikimit urban, ose thënë ndryshe të rilindjes urbane. Por pasi kanë parë se si u transformua komplet sheshi banorët ishin të lumtur me zgjedhjen e tyre, për të besuar në këtë projekt ambicioz të qeverisë shqiptare në bashkëpunim me pushtetin vendor”, tha Nikolini, mjeku i cili punon gjatë fundjavës edhe në Spitalin e Pukës që ndodhet në qendër të qytetit, ndërsa në ditët e tjera është në shërbim të pacientit në Fushë-Arrëz.

Kryebashkiaku Gjon Gjonaj na tregon se është investuar në turizëm për thithjen e vizitorëve, por duhet akoma shumë punë dhe financime nga ana e qeverisë për të çuar deri në fund këtë objektiv, i cili deri më tani është gjysmë mbushur siç e quan edhe ai vetë. “Kemi bërë studimet e nevojshme se cilët janë drejtimet e zhvillimit të qytetit dhe rezulton që kjo bashki mund të realizojë vetëm turizmin malor, si shkak i shtrirjes gjeografike dhe relievit ku ndodhet ky vend. Një atraksion ndryshe është liqeni artificial, i cili më parë ka qenë një vendgrumbullimi mbetjesh dhe një problem i madh për Pukën, gjë për të cilën organet kompetente nuk janë treguar të vëmendshme për ta kthyer në një vend të rëndësishëm. Është i rëndësishëm fakti që ne po i përgjigjemi nismës së zhvillimin e turizmit malor, të krijojmë ambientet e duhura. Ne kemi disa projekte që mendojmë t’i cojmë përpara, ne kemi krijuar premisën e parë, e cila është rruga, infrastruktura. Në sezonin e dimrit, nuk bllokohet aksi rrugor, pasi kemi borëpatrueset e Bashkisë Pukë, ne e zgjidhim këtë problem” , tregon Gjonaj për Portën Vendore, duke shtuar se pavarësisht punëve që janë bërë ende ka mundësi përmirësimi.

Në Pukë janë ngritur edhe disa struktura për akomodim të turistëve, ku Hani i Përparimit është më i famshmi në zonë. “Vijnë çdo ditë shumë turistë vendas e të huaj që të shijojnë gatimet tona dhe ne përpiqemi që ta ruajmë në vazhdimësi traditën e zonës, nëpërmjet ambientit, por edhe gatimeve tradicionale që njerëzit mund të gjejnë këtu. Për ata që duan të akomodohen kushtet i kemi krijuar të mira dhe njerëzit mbesin të kënaqur në fund të qëndrimit të tyre në qytezën tonë. Gjatë fundjavës në dimër, kur fillon edhe dëbora gjithçka është e bardhë dhe turistët e shijojnë udhëtimin e tyre këtu edhe më shumë”, tha Mario, kamerieri që na shërbeu darkën.
Përparim Laçi e ka ndërtuar hanin e tij prej më shumë se një dekade dhe tani duket se po merr frytet e punës së tij të palodhur. Falë natyrës dhe relievit që ka, hanet e Pukës ofrojnë gatime tradicionale të zonës si: fli dhe tavë dheu, mish në gaca, qumësht, bulmet, mjaltë, vezë fshati, kërpudha, reçel nga më të ndryshmit si kumbulle, fiku, molle etj., fruta të thata dhe tre lloje salcash. Personeli i haneve, i specializuar, të orienton dhe të ndihmon që ta organizosh ditën sa më mirë me aktivitete si shëtitje në pyll, gjueti, shëtitje me varkë, në dimër rrëshqitje me ski etj.
Një fakt interesant që vihet re në Pukë është bashkëjetesa fetare. Objektet e kultit të cilat të mirëpresin që në hyrje të qytetit, e kanë ruajtur identitetin e tyre që në lashtësi. Kisha e Shën Gjonit, si domosdoshmëri e ardhur për shkak të banorëve që jetojnë këtu. Kjo Kishё është rikonstruktuar para një viti dhe është objekti i vetëm i komunitetit katolik. Puka ka gjithashtu dhe dy objekte të besimit mysliman.

Puka është bërë e njohur edhe prej faktit se aty dha për disa vite mësim poeti Migjeni. Porta Vendore ndaloi në shtëpinë muze të Migjenit, e cila mirëpriste turistët të cilët shkonin ta vizitonin. Migjeni, gjatë kohës së qëndrimit në Pukë, shkroi disa nga poemat më të famshme të tij . Në nder të tij, qyteti ka ruajtur në një muze të veçantë disa sende që lidhen me Migjenin, si tavolina ku punonte, tabela ku shpjegonte apo dhe sendet që mbanin nxënësit e tij. Për të gjithë të pasionuarit pas letërsisë, apo dhe aspekteve historike, vizita në këtë muze nuk duhet humbur. Edhe pse ky muze është monument i kategorisë së parë, akoma nuk ka njohur investimet nga Ministria e Kulturës, edhe pse kërkesat e drejtuara nga pushteti vendor dhe nga vetë drejtori i Kulturës së qytetit të Pukës kanë qenë të shumta. Faktori kohë ka ndryshuar shumë gjëra brenda këtij muzeu, por e vetmja shpresë për të ruajtur dhe ta kthyer në identitet është investimi që mund të bëhet. Alban Docaj, drejtuesi i sektorit të Kulturës në Bashkinë Pukë, njëkohësisht ciceroni ynë në këtë rrugëtim, tregon për Portën Vendore se ky është një nga vendet që të gjithë turistët shfaqin interes për ta vizituar “Shtëpia muze e Migjenit nuk e ruan fare identitetin, është monument kategoria e parë. Ka qenë e dëmtuar në vitin 2000, nga lagështira çatia është rrëzuar. Ndërsa në vitin 2001 është dhënë një fond nga Ministria e Kulturës për të bërë një lloj mbrojtje, u rikonstruktua çatia, ca pllaka dhe normalisht iu prish identiteti. Kemi bërë një projekt me Institutin e Kulturës dhe është miratuar, 84 milionë lekë, duke i munguar këtu projekti i ndriçimit, por nuk kemi mundësi ta bëjmë këtë restaurim, deri në momentin që të gjejmë fondet. E më pas nëse gjejmë fondet, e kthejmë në identitet siç ka qenë në periudhën e Migjenit. Ne duhet të kërkojmë të gjejmë fonde, deri tani nuk ka feedback, nuk mund të them kemi apo jo diçka”, shpjegon ai për Portën Vendore, me pasionin e një historiani dhe njohësi shumë të mirë të figurës së Migjenit.

Muzeu është që në vitet ’80, që në momentin që është bërë monument kulture, ndërsa në vitet 60-70 është përdorur si prokurori, hetuesi, pra ka ndryshuar funksionet e tij në varësi të kohës“Migjeni jetoi në Pukë rreth një vit e gjysmë, ai kur erdhi këtu gjeti Pukën me 5 shkolla, por në pak kohë e ngriti në 9 shkolla rrethin e Pukës, pasi erdhi si kryemësues, bëri përpjekje. Në atë kohë ardhja e vajzave në shkollë ishte mentalitet i mbyllur, ai bëri përpjekje që të jetë një numër i konsiderueshëm për të thyer tabunë e frekuentimit të shkollës. Ramadan Shkreli është një nga nxënësit e Migjenit, i cili është akoma gjallë, ai e përshkruan Migjenin njeri të çiltër, të dashur, interesohej për nxënësit më shumë se prindi i tyre”, rrëfen Docaj.

Puka përveç bukurive të shumta natyrore, ofron edhe eksplorim në shpella, për të gjithë ata që preferojnë turizmin e aventurës.
Sipas të dhënave, Puka ka rreth 50 shpella, ku një pjesë e tyre gjenden pranë zonave të banuara, si vendburime lashtësie, apo vendstrehime e vende të sigurta. Do të veçonim: shpella e Zanave pranë Kalasë së Dalmacisë, shpella e Pëllumbave në Buzhalë, shpella e Kaurrit në Lëvrushk, shpella e Kolikes, dy shpellat e Shqipes në murgë të Buzhalës, shpella e Ujkut në Tërbun, Shpella e Kacisë, etj. Gjatësia dhe madhësia e tyre është e ndryshme, ajo e Kaurrit arrin deri në 110 m. Vetë ndërtimi i tyre dhe muret në hyrje që akoma ruhen dhe janë me mjaft interes, mendohet se i përkasin shekujve VII–VIII; këto janë një pasuri e shtuar për Pukën krahas natyrës së mrekullueshme që ka.

Por për t’i vizituar duhen disa ditë në Pukë. Një ditë e do me Shpellën e Kaurrit, nga më të mëdhatë, më të bukurat dhe më enigmatiket në Shqipëri. Shpella e Kaurit ka qenë e banuar që në lashtësinë e hershme. Por edhe më pas, për periudhën bizantine ka gjurmë jete, me mure të ndërtuar në shekullin VII-VIII të erës sonë. Natyrisht, kjo shpellë ka qenë një vend ideal për murgjit, të cilët më të qetë dhe më të vetmuar se aty nuk kishin ku të gjenin vend tjetër. Shumë pranë kësaj shpelle ka kaluar dikur rruga që lidhte Shkodrën me Prizrenin. Një shpellë tjetër po si ajo e Kaurrit është edhe Shpella e Shqelit. Pranë këtyre shpellave natyra të ofron një tjetër mrekulli, liqenin madhështor të Komanit, me ata fjordet e vegjël piktoreskë që bashkohen dhe zbusin grykëderdhjet e përrenjve që zbresin zhurmshëm nga alpet.
“Do të bëjmë një investim përgjatë Komanit, që të eksplorohet e gjithë vija e shpellave në atë faqe mali, për të sjellë më afër turistëve atë që quhet turizëm i aventurës. Po përpilohet një projekt duke marrë parasysh edhe kostot financiare që do të na duhen dhe sigurisht që do të kërkojmë ndihmë tek qeveria shqiptare. E gjithë ideja është që një turist që vjen për më gjatë se 1 ditë të ketë një axhendë të detajuar me çfarë aktivitetesh të merret në Pukë. Në planet tona është gjithashtu edhe ndërtimi i një teleferiku”, tha Kryetari i Bashkisë Pukë Gjonaj për Portën Vendore.
Por Puka si çdo qytet tjetër i vogël i vendit, nuk mund t’i shpëtonte disa problematikave të tjera, si emigrimi i të rinjve dhe varfëria. Në Pukë kanë mbetur shumë pak të rinj të cilët vendosin të jetojnë në vendin e tyre të lindjes. “Edhe pse që në periudhën që unë jam kryetar bashkie, jam munduar të punësoj të rinj në administratë për t’i mbajtur të lidhur, ata përsëri duan të largohen”, shprehet kryetari Gjonaj.
I ndodhur në qendër të qytetit, afër liqenit artificial, spitali i Pukës ka ndërruar pamjen e tij, tani kushtet që i ofrohen qytetarëve janë më të mira, por një problematikë në këtë spital është mungesa e personelit mjekësor. Kryetari Gjonaj tregon për Portën Vendore se në këtë spital janë 12 mjekë, por ka mungesë të specialistëve, çka sjell vështirësi për banorët, të cilëve u duhet të udhëtojnë drejt Shkodrës për të kryer konsultat apo vizitat e nevojshme që spitali i Pukës nuk i ofron.
Po ashtu edhe sistemi arsimor përballet me problematika të shumta, si ajo e mungesës së fëmijëve, e deri tek mësimi në klasa kolektive. “Këtu, në Pukë ka mungesa të profesioneve të ndryshme. Ka mungesa mjekësh në spitalin e Pukës, aktualisht janë 12 të tillë, por ka specialitete, të cilat janë të pambuluara, por me një premtim që ka dhënë Ministria e Shëndetësisë me punonjës sezonalë mendoj se do stabilizohet. Një tjetër shqetësim në këtë qytet është mosha mesatare, e cila është afër pensionit, pasi të rinjtë kanë emigruar drejt vendeve të tjera. Por, pavarësisht moshës këto japin kontribut të jashtëzakonshëm, por objektivi jonë si bashki është të mbajmë të rinjtë në Pukë. Ndërsa, një ndryshim që lind është mes sektorit të shëndetësisë dhe arsimit, në qoftë se ne kemi krizë në shëndetësi krejt e kundërta ndodh në sektorin e arsimit. Sepse duke lëviz, migracioni , ka krijuar një boshllëk të madh, pasi ne kemi staf mësimor por nuk kemi nxënës. Mësimi zhvillohet në mënyrë kolektive dhe nuk është një mësim i duhur, por masat që po merren hap pas hapi besoj do rregullohen” , tregon Gjon Gjonaj.