29 dhjetor 2021/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Landfille të paligjshme plehrash në periferi të qyteteve që digjen për ditë të tëra duke lëshuar tym të zi e aromë mbytëse. Kjo ishte situata në shumë qytete të vendit gjatë stinës së verës. Skema ishte e njëjtë dhe përsëritëse në Kavajë, Shijak, Fier, Lushnje e Peqin për të cilat Porta Vendore ka shkruar edhe më herët. Bashkia hedh mbetjet urbane në fushë-mbetje të paligjshme, dhe më pas qëllimisht i vë flakën duke krijuar një katastrofë mjedisore. Porta Vendore bëri një vëzhgim në bashkitë e vogla të qarqeve Tiranë e Durrës. Nga 6 bashki, 3 pranuan t’i përgjigjen interesit tonë, konkretisht: Kamza, Shijaku e Kavaja, ndërsa Vora, Rrogozhina e Kruja heshtën pavarësisht problematikës së mbetjeve urbane. Vetë këto institucione pranojnë se problem për ta mbetet mungesa e buxhetit për t’i dërguar mbetjet në incenerator.
Krim mjedisor mund të cilësohej situata e mbetjeve në zonën e plazhit të Spillesë dhe Golemit, plehra që hidheshin nga bashkia e Kavajës përgjatë muajve qershor dhe korrik, pikërisht në kulmin e sezonit turistik. E gjitha erdhi për shkak të përfundimit të marrëveshjes me inceneretorin dhe deri në firmosjen e një marrëveshje të re që i hapte rrugën zgjidhjes së krizës e cila deri tani duket se ka gjetur një “të mesme të artë”.
“Bashkia Kavajë i depoziton mbetjet urbane në Zonën e Trajtimit të Mbetjeve në Landfillin e Sharrës, e cila administrohet nga Shoqëria Integrated Energy BV SPV Shpk’. Ndërmjet Bashkisë Kavajë dhe Shoqërisë ‘Integrated Energy BV SPV’ Shpk është nënshkruar një akt-marrëveshje për depozitimin e mbetjeve pranë ZTM Tiranë. Sasia e mbetjeve urbane që prodhohet në Bashkinë e Kavajës varion nga 40-60 ton mbetje urbane në ditë, për muajt tetor deri ne maj, dhe afërsisht 100-120 ton mbetje në ditë për muajt qershor deri në shtator. Kostoja e depozitimit në Landfillin e Sharrës, e cila administrohet nga Shoqëria ‘Integrated Energy BV SPV’ Shpk, është 29 euro/ton pa tvsh. Bashkia Kavajë nuk është në gjendje të paguajë të gjithë shumën, pasi buxheti i saj nuk është i mjaftueshëm. Kemi bërë kërkesat tona për subvencionim nga organet e qeverisjes qendrore për fonde të cilat do të përdoren për depozitimin e tyre në Landfillin e Sharrës, për të cilën jemi në pritje për subvencionim”, bën të ditur bashkia e Kavajës për Portën Vendore.
Me një krizë të ngjashme mjedisore u përball gjatë gushtit edhe Bashkia e Shijakut, ku koshat e plehrave nuk u zbrazën për rreth 1 javë duke krijuar një situatë të padurueshme për banorët. E gjitha erdhi si pasojë e përfundimit të kontratës me inceneratorin e Sharrës, që i pranonte mbetjet urbane të Shijakut pa pagesë deri në datën 18 gusht. Kjo detyronte bashkinë që të paguante 29 euro për ton në këtë landfill. Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, thotë për Portën Vendore se i ka kërkuar ndihmë financiare qeverisë për të paguar shumën e parave që kërkohet nga inceneratori përgjatë viteve në vijim. “Bashkia Shijak gjeneron 11.826 tonë mbetje urbane në vit dhe buxheti i mbetur për periudhën e tretë të vitit 2021 është 13.300.000 lekë. Bashkia Shijak në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave datë 15.07.2021 për mbështetjen financiare për bashkitë e qarkut Durrës, ka kërkuar mbështetje financiare nga buxheti i Shtetit në shumën prej 435.474.757 lekësh për periudhën 2021-2030”, shprehet zoti Arbana, ndërsa thekson se si zgjidhje mbetet një tarifim më i lartë për taksapaguesit, tani që kjo bashki me landfillin ka një marrëveshje të re me pagesë.
Edhe Bashkia e Kamzës pranon që nuk ka buxhet të mjaftueshëm për menaxhimin e mbetjeve urbane. Ajo bashkëpunon me kompaninë koncensionare ECO-CLEANING për menaxhimin e mbetjeve urbane. Bashkia Kamëz bën të ditur se në 1 vit grumbullon në total 33 990 tonë mbetje urbane, kostoja e të cilave është 136 928 650 lekë. Ndërkohë fondi për menaxhimin mbetjeve për vitin e ardhshëm është parashikuar të jetë 11 274 588 lekë, që sipas bashkisë është i pamjaftueshëm.
Agron Haxhimali, drejtues i Shoqatës së Bashkive, njëherazi edhe ekspert i pushtetit vendor i pyetur për menaxhimin e situatës së mbetjeve në bashkitë e vogla , përkatësisht në ato të qarkut të Tiranës dhe Durrësit, shprehet se situata tanimë ka përfshirë të gjithë Shqipërinë, dhe kjo për shkak të nivelit klasik të menaxhimit të mbetjeve. “Është keqardhje që sot përsëri kemi një situatë të tillë me mbetjet. Është problem kombëtar dhe lokal në kontekstin e strategjisë në këtë sektor dhe të të bërit politikë për mjedis të pastër. Pra nuk është problem i bashkive të vogla apo të mesme. Thjesht është problem i Shqipërisë. Pastaj secili institucion ka përgjegjësitë e veta, edhe bashkitë përfshihen këtu. Menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri vazhdon të jetë një menaxhim klasik. Ndërkohë që kudo në vende të BE-së dhe në rajon, flitet për menaxhim të integruar të mbetjeve.”, tha Haxhimali për Portën Vendore.
Bashkitë e kanë përgjegjësi sipas ligjit 139/2015, për Vetëqeverisjen vendore, çështjen e mbetjeve urbane, ku në nenin 23, Funksionet e bashkive në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, pika 10 thuhet shprehimisht: Mbledhjen, largimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe shtëpiake.
“Ato duhet të kenë një strategji dhe plan të qartë menaxhimi të mbetjeje në territorin e tyre. Sfidë e këtij sektori janë njohuritë dhe kapaciteti sigurisht. Janë gjithashtu edhe mjetet financiare dhe teknologjia e infrastruktura në këtë fushë. Por, jo pa rëndësi është ndërgjegjësimi i komunitetit. Por veç kësaj duhet të përdorim metoda të tjera si ndarje në burim, ripërdorim, dhe riciklim të mbetjeve etj”, thotë eksperti Haxhimali për Portën Vendore.
Qeveria më 16 korrik 2021 ndihmoi financiarisht bashkitë e qarkut Durrës nëpërmjet miratimit të një VKM-je. Kompania koncesionare që menaxhon nëpërmjet një kontrate partneriteti publik privat landfillin e Sharrës, dot të përfitojë të paktën 3.8 miliardë lekë (30 milionë euro) në 10 vitet e ardhshme për depozitimin e mbetjeve të Durrësit.
Më 22 tetor, Kryeministri Rama ka kërkuar që të gjitha bashkitë të bëjnë të mundur planifikimin e një fondi në buxhetin e vitit të ardhshëm për depozitimin e tyre, në të kundërt me anë të një ultimatumi ai deklaroi se do të ketë sanksione për secilën prej bashkive që nuk e respekton këtë gjë.
Haxhimihali shprehet“Ndihma qeveritare janë zgjidhje momenti. Shumë mirë bëjnë që ndihmohen bashkitë. Por duhet strategjia e duhur, për menaxhim të integruar të mbetjeve, duhet ndërgjegjësim i çdo qytetari dhe i çdo biznesi që të bëj kujdes me mbetjet që prodhojnë. Duhet që bashkitë të ndërtojnë infrastrukturën dhe mekanizmat e duhur që t’i përgjigjen direktivave nga BE dhe zbatim ligjor korrekt. Kujdes i madh duhet bërë me landfillet ilegale. Ato duhen mbyllur urgjent, dhe s’duhet të jenë më në territor. Sigurisht investimet në sektor janë domosdoshmëri. Por nuk duhet harruar që bashkitë mund të vendosin standarde lokale të shërbimit të mbetjeve për ndarjen, ngjeshjen, menaxhimin dhe asgjësimin e mbetjeve të ngurta”, përfundon eksperti i pushtetit vendor Agron Haxhimali.
Më herët, Porta Vendore ka ngritur shqetësimin dhe për situatën e menaxhimit të mbetjeve në bashkitë e qarkut të Elbasanit, kur Ministri Blendi Klosi u kёrkoi gjatë fundit të vitit të kaluar bashkive që të llogarisin buxhet për menaxhimin e mbetjeve dhe depozitimin e tyre, duke i paraprirë në një farë mënyre një krize të tillë.
Megjithatë, nëse menaxhimi i mbetjeve do të kalojë në një strukturë qendrore, me në krye Ministrinë e Mjedisit, apo do të përballohet nga bashkitë, kjo do të shihet në vijim, ku edhe bashki të tjera kanë nisur shkëndijat e para të problemit të menaxhimit të mbetjeve.