27 dhjetor 2021/B. Gilaj/Porta Vendore/Kamëz
Rreth 9 mijë nxënës në Bashkinë Kamëz do të duhej ta nisnin vitin e ri shkollor 2021, në ambientet e reja të 11 shkollave, të cilat i janë nënshtruar procesin të rindërtimit, por e vërteta nuk rezultoi kështu pavarësisht premtimeve nga kryebashkiaku, Ministri i Rindërtimit Ahmetaj apo edhe vetë kryebashkiaku Suli.
“Në kantieret e Rilindjes së Shkollave, Kopshteve e Çerdheve nga gërmadhat e tërmetit shkatërrimtar, prej ku po dalin objekte arsimore pakrahasimisht më të mira dhe më të bukura se ato që rrënoi tërmeti”, thotë Rama në një nga inspektimet e radhës më korrik 2021.
Janë rreth 11 kantiere ku po punohet për rindërtimin e shkollave në Kamëz, ndërsa kreu i kësaj Bashkie, Rakip Suli u shpreh se objektet do të jenë gati në shtator 2021
Por ku qëndron procesi i rindërtimit deri më tani në territorin e Bashkisë Kamëz?
Sipas informacionit zyrtar të Bashkisë Kamëz, ka 12 struktura arsimore në proces rindërtimi dhe rikonstruksioni, ku 6 prej tyre kanë përfunduar, përkatësisht shkollat 9-vjeçare: “Halit Çoka” në Bathore, “Tahir Sinani” në Paskuqan, “Jashar Hoxha” Paskuqan, “Dom Nikollë Kacorri” Laknas, Kamza e Re në qendër të Kamzës, “Ibrahim Rugova” Kamëz.
Ndërkohë, në proces rikonstruksioni janë: shkolla 9 vjeçare “Ahmet Zogu” në Bathore dhe gjimnazi “Isa Boletini” në Paskuqan, të cilat po realizohen me fondet e buxhetit të shtetit.
“Besoj këtë muaj mbaron i gjithë ndërtimi i gjimnazit”, tha për Portën Vendore roja e objektit, ndërkohë që puna vijonte vetëm nga 2-3 punëtorë.

Ndërsa shkolla 9-vjeçare “Niko Hoxha” në Valias po ndërtohet nga e para, përsëri me paratë e buxhetit të shtetit. Nga vëzhgimi i kryer nga Porta Vendore në 3 shkollat të cilat nuk janë përfunduar dhe janë ende pjesë e rindërtimit, në këto infrastruktura shkollore në të cilat po vijon puna janë ende shumë larg objektivave të qeverisë dhe bashkisë, ato jo vetëm që nuk përfunduan në hapje të vitit shkollor, por madje as tre muaj pas fillimit të tij, nuk janë gjëkundi gati.

Ndërkohë që janë edhe tre shkolla në të cilat nuk ka nisur ende procesi i rindërtimit, pasi është ende duke u përgatitur projekti, njofton Bashkia Kamëz, ndërsa bën me dije gjithashtu se këto struktura do të financohen nga BE dhe KFW , përkatësisht: gjimnazi i përgjithshëm “Sulejman Elezi” në Zall-Mner të Ri, shkolla 9-vjeçare ” Hillary Clinton” në Kamëz dhe ajo “Ibrahim Basha” në Bulcesh të Ri.
Shkollat e rindërtuara
Shkolla “Halit Çoka” në Kamëz ka 28 klasa dhe ofron kushte dhe standarde bashkëkohore për 1200 nxënësit e zonës së Bathores në Kamëz.
Kanë qenë një sërë inspektimesh të njëpasnjëshme, të Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe Kryebashkiaku Rakip Suli. “Është një godinë, disa herë më e madhe, shumë më cilësore dhe me të gjitha standardet që sot kërkohen”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, për ndërtesën e re, duke shtuar se deri tani “kanë mbaruar 5 objekte nga shkollat dhe kopshtet. Janë dhe 7 objekte të tjera ku vazhdojnë punimet për rikonstruksionin, si dhe ndërtimin nga e para.”
Shkolla “Kamza e Re” po ashtu ka përfunduar duke pritur 1000 nxënësit e saj në shtator. “2900 metra katrorë është objekti. Palestra është shtesë, pasi nuk ka pasur palestër para tërmetit. Gjithsej janë 26 klasa. Në total, vetëm Bashkia e Kamzës përfiton 28 objekte arsimore, ndërtim nga e para dhe rikonstruksion”, tha kryebashkiaku Suli.
Ministri Ahmetaj informoi se janë 11 kantiere në infrastrukturën arsimore në Kamzë. Pas rindërtimit, nxënësit, tha Ahmetaj, përfitojnë ambiente shtesë dhe terrene sportive që ju kanë munguar më parë.
Edhe gjimnazi “Ibrahim Rugova” gjithashtu ka përfunduar duke pritur plot 1400 nxënës në fillim të vitit të ri shkollor dhe pas rindërtimit ka 28 klasa, të gjitha të pajisura me mjetet e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor.
E lidhur me mbarëvajtjen mësimore të këtyre shkollave që janë ende në proces rikonstruksioni në Bashkinë Kamëz, Porta Vendore i dërgoi një kërkesë për informacion Zyrës Arsimore Kamëz lidhur me menaxhimin e mësimit dhe turnet e nxënësve, për të kuptuar më shumë se si paraqitet situata aktualisht, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati një përgjigje nga ky institucion arsimor.
Megjithatë ka një kontradiktë me shifrat e shkollave që i janë nënshtruar procesit të rindërtimit në Kamëz, janë 11 siç deklarojnë zyrtarët e lartë apo 12 siç deklaron Bashkia. Por sikur të mos mjaftonte kjo kontradiktë, edhe procesi nuk është me ritmin e duhur. Për ekspertin e arsimit, Ndriçim Mehmeti procesi i rindërtimit është tejet i ngadaltë, dhe kjo sipas tij lidhet me faktin se arsimi nuk është në plan të parë nga qeveria. “Arsimi nuk është në plan të parë, sepse nuk ka fonde dhe gjithçka është përqendruar tek pallatet, ku mund të bëhet shumë propagandë, me faktin që qeveria po bën të pamundurën të strehojë popullatën në godina me standarde të larta, që çelësin t’ia jap vetë Kryeministri e kështu me radhë. Po ashtu nuk duhet harruar se në ndërtimet masive, fitimi është edhe më i madh dhe abuzimi me fondet publike po aq. Përse nuk flitet për shembull, si u shemb pa bërë dy muaj ndërtim shkolla ‘Ramazan Jarani’, Thumanë nga tërmeti i nëntorit 2019, një bashkë investim i MASR dhe Bashkisë Krujë? Përse askush nuk flet më për shkollën ‘Naim Frashëri’, të cilës i është vënë syri për qendër biznesi. Prandaj shkollat do të vonojnë nga rindërtimin derisa të shohim, nëse kemi leverdi apo jo”, shprehet eksperti Mehmeti për Portën Vendore.
Procesi i kripur i rindërtimit të shkollave në Kamëz
I gjithë ky proces ka pasur edhe pikëpyetjet e tij, përveç vonesave për shkaqe të ndryshme. Kompania Sireta 2F ka fituar dy tenderë miliona eurosh në procesin e rindërtimit në Bashkinë Kamëz. I pari ka të bëjë me ndërtimin e njësisë administrative Valias me një vlerë prej 2 milion euro, dhe tenderi i dytë ka të bëjë me rikonstruksionin e gjimnazit “Isa Boletini” me një vlerë prej 2.5 milionë eurosh. Kjo kompani ka marrë edhe një sërë tenderësh të vegjël në Bashkinë Kamëz gjatë viteve 2016-2019 sipas Opendata, kryesisht për rikonstruksion rrugësh kur kryebashkiak ka qenë Xhelal Mziu.