Vëzhgim/Analizë

Shtimi i psikologëve në shkolla nuk “zbuti” episodet e dhunës, qytetet e vogla problematike

22 dhjetor 2021/Besarta Basha/Porta Vendore

Tërmeti i 2019-ës, e më pas pandemia shtruan më shumë se kurdoherë nevojën për punonjësit psiko-socialë në shkolla. Dhe kështu bëri qeveria. Nga 400 psikologë, u shtuan dhe 200 të tjerë, të cilët u stacionuan kryesisht në shkollat e mëdha në qytete, duke lënë “në hije” qytetet e vogla e veçanërisht, zonat rurale. Episodet e dhunës, si në shkolla, ashtu edhe jashtë saj vazhdojnё tё mbeten prezente dhe shqetёsuese. Në 150 shkollat e marra në studim, ku ka oficerë sigurie, përgjatë një viti shkollor janë regjistruar plot 365 episode dhune.

Në 8 mars të këtij viti, një 15-vjeçare në Mirditë u prit mu te dera e shkollës nga një i njohur i saj, i cili mësohet ta ketë futur pa dëshirë në makinë për të abuzuar seksualisht me të, për muaj me radhë, bashkë me katër të tjerë. Një tjetër e mitur, 16 vjeçe, në muajin nëntor, u zbulua se ishte abuzuar seksualisht nga një i afërm për katër vite rresht në Libohovë, ndërsa një vajzë vetëm 6 vjeçe, e cila ndiqte klasën e parë në Kamzë, përfundoi në gjendje kome në spital nga të rrahurat e të atit (vetëm më vonë u zbulua se mësuesja kujdestare ishte ajo që e kishte denoncuar rastin, por armata e psikologëve dhe punonjësve socialë që duhet ta kishin referuar çështjen, rezulton të kenë bërë të kundërtën e misionit të tyre, duke e mbyllur çështjen).

Tre javë më parë, një 8-vjeçar në Fier u gjet i groposur pikërisht në kohën që duhej të ishte në shkollë ndërsa disa ditë më vonë, një tjetër ngjarje mbylli muajin tronditës. Sërish, protagonist një i mitur, 13 vjeç, në Golem të Lushnjes që u vetëvra teksa bënte video në Tik-Tok. Telefoni është tanimë në duart e policisë, e cila nuk ka arritur ende në konkluzionin mbi shkaqet që e shtynë të riun drejt aktit ekstrem. Ndërkohë që organet kompetente drejtojnë gishtin e akuzës nga njëri-tjetri. Ministria e Arsimit e gjen fajin te rrjetet sociale dhe internetin, por nuk lë pa peshë faji edhe familjen. “Aksesi i fëmijëve në internet për një kohë të gjatë dhe në burime apo informacione të pakontrolluara dhe të parekomandueshme për moshën e tyre është një nga çështjet që unë kam ngritur vazhdimisht në takime të ndryshme. Edhe para pak ditësh e ngrita si alarm në takimin e zhvilluar në kuadër të projektit ‘Shkolla për Shëndetin’ ku theksova nevojën e një debati të gjerë publik për këtë emergjencë shoqërore. Jo vetëm shkollat dhe institucionet, por edhe familjet dhe çdo individ duhet të marrë sot përgjegjësinë për këto raste fatale”, deklaroi ministrja Kushi në një event të mbajtur disa ditë përpara se të ndodhte ngjarja dhe të postuar në ditën fatkeqe për familjen e të riut.

Të gjitha këto, dolën zbuluar vetëm nga media. Ndonëse që të të gjithë fëmijët frekuentonin shkollën, asnjë psikolog, punonjës social apo qoftë roje shkolle nuk pikasi asgjë që nuk shkonte për muaj e madje edhe vite të tëra me ta. Të gjitha këto, e shumë të tjera që as janë raportuar apo denoncuar në polici, përpos episodeve të dhunës midis vetë të rinjve në shkolla, nxjerrin në pah dhe dëshmojnë dështimin e plotë të sistemit të referimit dhe parandalimit të akteve të dhunës ndaj fëmijëve. Pikërisht atëherë kur “u mbush kupa”, ministrja e arsimit, Evis Kushi mblodhi virtualisht në 5 nëntor 2021 të gjitha strukturat arsimore për t’u kërkuar më shumë vëmendje ndaj këtyre rasteve. E para e arsimit është mjaftuar me një status në rrjete sociale, për të treguar se ajo po e bën përpjekjen e saj, duke porositur krerët e drejtorive rajonale dhe zyrave vendore të arsimit që të jenë më të vëmendshëm ndaj sjelljeve të nxënësve.

“Nisur nga rastet e fundit të dhunës së ushtruar ndaj të miturve, fokusi i mbledhjes së përjavshme me drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme, Drejtorive Rajonale dhe Zyrave Vendore, si dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, ishte pikërisht trajtimi i këtyre rasteve. Theksuam nevojën e përhershme për vëmendje të shtuar ndaj përgjegjësisë që ka çdo mësues, drejtues shkolle, psikolog apo punonjës social, për komunikim të ngushtë me nxënësit, prindërit, familjen dhe gjithë komunitetin për të identifikuar në kohë çdo rrezik dhe për të parandaluar çdo rast të mundshëm të dhunës së të miturve, jo vetëm në shkollë, por edhe në familje e kudo tjetër”, deklaron ministrja duke u justifikuar se dhuna ndaj të miturve është fenomen global.

“Dhuna ndaj të miturve është një fenomen i dhimbshëm global i cili rëndon jo vetëm mbi viktimat dhe familjet e tyre, por në mbarë shoqërinë. Prandaj edhe fokusi ynë në çdo kohë është trajnimi i të gjitha stafeve tona shkollore për identifikimin e hershëm të rasteve, trajtimin me përgjegjshmëri të tyre, e sidomos parandalimin në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse”, artikulon ministrja Kushi.

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në raportin e fundit që ka hartuar, thotë se në vetëm tre muaj, përgjatë prill-qershor 2021, janë raportuar 81 raste të dhunës fizike dhe 44 seksuale në rang vendi. Situata është përkeqësuar më tepër javët e fundit me rastet e lartpërmendura, por asnjë ekspert nuk di të thotë nëse kemi të bëjmë me rritje rastesh apo më shumë raportime. Dhe mbi të gjitha: ku duhet të kërkohet zgjidhja?!

Për sociologen, Entela Binjaku, shkollat i kanë të gjitha mekanizmat për t’u përballur me këto problematika, por puna cedon tek burimet njerëzore që shpesh nuk funksionojnë si dhe sa duhet.

“Shkollat i kanë pasur dhe i kanë mekanizmat në çdo kohë. Çështja është sa punohet nga gjithë ekipi që shkolla ka në dispozicion dhe sa drejtoritë rajonale funksionojnë në kontrollet periodike ndaj të gjitha shkollave dhe sa ato përcjellin nevojat dhe shqetësimet. Shpesh kjo nuk ndodh dhe çdo gjë duket sikur ‘shkon për së mbari’!” tha Binjaku për Portën Vendore.

Rrethet vuajnë për psikologë

Pakkush e di që psikologët kanë plot 17 vite që janë stacionuar në institucione shkollore. Sigurisht, jo në masën që janë sot. Për shembull, Tirana mësohet të jetë tërësisht e mbuluar me këtë shërbim. Nga një psikolog për 16 shkolla dikur, nga ky vit, raporti është reduktuar deri në tre apo katër të tilla. Për presidenten e Urdhrit të Psikologëve, Valbona Treska, kjo është një “fitore e vogël” pas insistimeve disa vjeçare për të arritur këtë masë mbulimi. “Mbi 200 psikologë mbyllën kontratat në fund të janarit, përveç numrit ekzistues që përllogariten diku mbi 400 të tillë. Tirana është totalisht e mbuluar me shërbim. Madje në shkolla të mëdha, përveç psikologut ka edhe punonjës social. Edhe nëpër rrethe ka përparim. Një psikolog që mbulon sot tre shkolla, më përpara mund të ketë patur dymbëdhjetë. Ka shumë përparim. Është një gjë që ne kemi pesë vjet që e kërkojmë”, shprehet ajo për Portën Vendore.

Një prej psikologëve të rekrutuara këtë vit, është Jorida Braushi. E kontaktuar nga ne, ajo pranon se jo më larg se një vit më parë mbulonte, jo dy apo tre shkolla njëkohësisht, por gjashtë të tilla në kryeqytet. “Kam qenë në Shkollën e Mesme të Bashkuar dhe në pesë shkolla të tjera 9-vjeçare, dhe gjatë gjithë javës isha e shpërndarë. Përveç lodhjes fizike, mbi të gjitha, puna që bëja linte për të dëshiruar, sepse nxënësit nuk të njihnin si figurë në ditën që shkoje. Ndërsa këtu ku jam, në shtator u prezantova ose promovova figurën time dhe sugjerova të trokisnin në derën time në rast se do të kishin problematika të caktuara, situata të ngarkuara në familje, shkollë a kudo tjetër”, thotë Braushi, e kënaqur nga reagimet e marra nga ana e nxënësve, që i besojnë edhe për problematika familjare apo edhe raste që insiston t’i takojë në momentin kur mësuesi i shpreh se një nxënës shfaq sjellje shqetësuese.

Por Shqipëria nuk është vetëm Tirana. Ato që kanë nevoja të mёdha për shërbimin psiko-social janë shkollat e rretheve, pikërisht aty ku incidentet janë më lehtësisht të manipulueshme dhe që shpesh tentohet të mbahen fshehur. Siç u dëshmua me rastet e fundit të ndodhura, ku shkolla kishte rol periferik ose “lante duart” nga përgjegjësia.

Të dalë pas një periudhe relativisht të gjatë pushimesh, me mësim online, fillimisht për shkak të tërmetit e më pas nga pandemia, roli i psikologëve dhe sociologëve në shkolla ishte më i nevojshëm se asnjëherë.

Me rekrutimin e 204 punonjësve psiko-socialë vitin e kaluar, u shënua një përpjekje pozitive duke rritur numrin, por jo dyfishuar, siç u premtua. “Me dyfishimin e numrit të psikologëve dhe punonjësve social vitin e ardhshëm shkollor, jemi të bindur se do të kontribuojmë drejtpërdrejtë në përmirësimin e mëtejshëm të eksperiencës shkollore të nxënësve tanë”, deklaroi ministrja e arsimit, asokohe, Besa Shahini në 26 gusht të vitit 2020, pak javë përpara se kryeministri t’i komunikonte shkarkimin nga detyra.

Sidoqoftë, gara për rekrutimet e reja u hap, dhe deri në muajin janar 2021 u shtuan 204 psikologë. Nga 342 punonjës të shërbimit psiko-social, prej të cilëve 236 psikologë dhe 106 punonjës socialë, numri i tyre shkoi në gati 600, të cilët angazhohen edhe përtej detyrave të mirëpërcaktuara. (Shpërndarja bëhet në bazë të numrit të nxënësve, siç thonë zyrtarët e MAS, dhe janë të përqendruara në shkollat e qyteteve të mëdha. Në ato të vogla, ka më pak nxënës dhe nuk ka vëmendjen e duhur.) Por, sërish janë pak. Sipas urdhrit të firmosur në 3 prill 2018 nga ish-ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla në institucionet e arsimit të mesëm të lartë ose gjimnazet duhet të sigurohet një psikolog dhe një punonjës social për 1800-2300 nxënës, ndërsa për çdo institucion të arsimit të mesëm të llojit gjimnaz me mbi 700 nxënës të sigurohet një psikolog ose një punonjës social. Me shtimin e numrit, u bë shpërndarja e të rinjve, bazuar në udhëzimin e mësipërm. “Nga rreth 350 punonjës të shërbimit që kanë qenë, sot ushtrojnë veprimtarinë e tyre rreth 600 punonjës të shërbimit psiko-social të cilët janë në dispozicion të çdo problematike që lind në shkollë dhe sigurisht mund të angazhohen nga drejtuesit e shkollës edhe për mbështetjen e nxënësve me aftësi ndryshe. Shpërndarja e punonjësve të shërbimit psiko-social në institucioneve arsimore pranë çdo ZVAP-je, është kryer në bazë të kritereve të përcaktuara në urdhrin përkatës, më qëllim ofrimin e mbështetjes së tyre profesionale për çdo rast të paraqitur ose të referuar në bashkëpunim dhe me stafet pedagogjike në shkollë. Aktualisht, të gjitha institucionet arsimore në vend janë të mbuluara me punonjës të shërbimit psiko-social dhe mësues ndihmës, duke i shërbyer interesit më të lartë të nxënësve”, thotë Fiqiri Çifligu, i pyetur nga Portën Vendore nëse të gjitha shkollat janë të mbuluara me këtë shërbim.

Shtimi i numrit të punonjësve psiko-socialë uli raportin psikologë/shkolla veçse në qendër të qyteteve, por periferia vijon të vuajë. Krejt ndryshe nga ajo që proklamohet nga qeveria, flasin ata që janë në bazë. Dhe veçse në kushte anonimati, nga frika e një pushimi të mundshëm nga puna. “Ne kemi një psikolog, i cili zakonisht duhet të vijë çdo të premte, por e vërteta është që rrallë e shohim. Dhe kur paraqitet, veçse plotëson disa dokumente dhe siç vjen, ikën”, thotë drejtori i një shkolle në një fshat relativisht malor të Kukësit, ku psikologut të caktuar në këtë shkollë e disa të tjera i duhet një orë rrugë të arrijë.

Nga ana tjetër, Urdhri i Psikologut e shikon këtë raport në terma statistikorë, kënaqshëm, krahasuar me më parë.

Me rritjen e numrit të psikologëve vitin e kaluar, tani një psikolog mund të ketë vetëm tre shkolla, që i ka goxha të menaxhueshme sepse dhe numri i nxënësve është shumë më i ulët. Ato që janë të stacionuar në një shkollë shkojnë çdo ditë. Ndërkohë që ata që kanë nga 2-3 shkolla bëjnë një grafik. Episodet e dhunës nuk janë të shmangshme 100%. Është totalisht utopike ta mendosh që episode dhune nuk do të ketë. Sikundër është utopike të mendosh që nuk do të ketë vrasje më te femrat. Ne përpiqemi të parandalojmë. Nëse ka patur një numër më të lartë episodesh dhune, me dyfishimin e numrit të psikologëve dhe aq më tepër me përfshirjen e oficerëve të sigurisë, këto episode do të vijnë në zbutje, por kjo nuk do të thotë që do t’i eliminojmë fare”, shprehet Valbona Treska, presidentja e Urdhrit të Psikologut, duke folur për mënyrën dhe rëndësinë e shërbimit të psikologut shkollor.

Ndërsa sociologia Binjaku e sheh me sy kritik. “E mirëpres rritjen e punonjësve psiko-socialë në shkolla, mirëpo bashkë me të duhet të vijë edhe cilësia, duhet të vijë serioziteti dhe angazhimi i tyre. Ka prej tyre që janë profesionalë në punën që bëjnë, kanë sjellë dobi në jetën e nxënësve dhe me ekspertizën dhe seriozitetin shkollës i kanë ardhur mjaft në ndihmë. Këta meritojnë të njihen dhe të vlerësohen. Vetë mënyra si funksionon ky shërbim ku një psikolog duhet të ofrojë shërbim mbi një njëmijë nxënësve, dhe në kushtet kur numri i nxënësve është i ulur nga viti në vit, i takon një psikologu të ofrojë shërbim deri edhe në 7 apo 9 shkolla. Në pesë ditë të javës, sa minuta i takojnë një nxënësi të takojë këtë shërbim që shteti, me taksapaguesit e tij, përfshirë edhe prindërit e tyre ua ofron? Po në fshat çfarë ndodh? Këtë shërbim nuk e kanë parë ndonjëherë, ndoshta as nuk e dinë që e kanë, ose në rastin më të mirë e dinë që ekziston! Si zgjidhet: Ministria e Arsimit ka plot të punësuar për këto çështje, drejtoritë arsimore po ashtu, kështu që le të shtrojnë alternativa për zgjidhje. Më shumë aktorë që ndihmojnë shkollën, më shumë kontrolle, më shumë llogaridhënie! Pra një psikologji pune dhe organizimi, evropiane edhe pse në kushtet e Shqipërisë!”, shprehet sociologia Entela Binjaku.

Nga dhuna fizike tek armët në shkolla, 365 incidente

Përveç dhunës së ndodhur jashtë dyerve të shkollës, të tjera episode ndodhin brenda këtyre ambienteve. Që nga oborri, korridoret e deri në klasa, me apo pa praninë e mësuesit. Pavarësisht përpjekjeve për t’i mbajtur fshehur apo minimizuar, me futjen e oficerëve të sigurisë, prej tre vitesh kemi një pasqyrë më të qartë mbi atë se çfarë ndodh në institucionet e edukimit parauniversitar. Raporti i fundit i vitit 2021 nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për monitorimin e 150 shkollave 9-vjeçare e të mesme të stacionuar në çdo qytet të vendit, përgjatë vitit shkollor 2020-2021, flet për plot 365 të ashtuquajtura incidente në 150 shkolla te vendit, shumica e të cilave, 38% dhunë fizike, 13.7% dhunë psikologjike dhe gati 8% e tyre bullizëm. Ndonëse më të rralla e të pakta në numër, në institucionet e edukimit nuk ka munguar përdorimi i drogës i hasur, kërcënimet e shantazhet, zjarr vënie e qëllimshme, sulmet me armë zjarri, armët e ftohta në shkollë e deri tek ngacmimet seksuale. Por ajo çfarë bie në sy në shpërndarjen gjeografike të këtyre episodeve negative në shkolla, janë qytetet e vogla, të cilat ndonëse kanë numër të ulët nxënësish, kanë regjistruar shumë problematika. Është Patosi, Këlcyra, Kuçova, Pusteci, Cërriku, Kurbini dhe Kukësi që kanë raportuar pjesën dërrmuese të ndodhive të pakëndshme, 7% e të cilave janë adresuar në spitale për ndihmë mjekësore. Më të shumtat kanë ndodhur kur sapo u hapën dyert e shkollave, në tetor 2020 dhe në maj 2021, kur po mbyllej viti shkollor. Dhe më e keqja është se më shumë se 20% e rasteve mësohet të mos jenë zgjidhur ende, me gjithë ndërmjetësimin e stafit pedagogjik dhe prindërve. Raporti nuk është përfaqësues i të gjitha shkollave në vend, pasi i referohet vetëm 150 shkollave në 51 zyra vendore arsimore që mbulohen me këtë shërbim (oficerëve të sigurisë). ( Në arsim qytetet ndahen me zyra vendore arsimore. Në faqen 12 të raportit janë tëlistuara qytetet dhe problematikat e numëruara në secilin prej tyre. Llojin dhe kohen kur kanë ndodhur.) Por krahas tyre, një rol shumë të madh në identifikimin dhe trajtimin e rasteve shqetësuesve në shkolla, bëjnë punonjësit psiko-socialë, që gjithashtu nuk janë të stacionuar në çdo shkollë të vendit. Shumica prej atyre që janë në sistem janë në shkollat pranë qyteteve të mëdha, ndërsa në ato zona ku ka pak fëmijë, por më shumë problematika, nuk shkel këmba e psikologut a punonjësit social.

Përpos numrit të deklaruar, ka edhe të tjera raste që fshihen si momente dhune në shkollë duke mos i përfshirë në listën e incidenteve. Ç’ka lë të kuptosh se numri i episodeve negative të regjistruara është më i lartë se ai i dërguar në rrugë zyrtare. Bëhet fjalë për ngacmime që nisin në korridoret e shkollave e që jo gjithnjë sheshohen aty për aty. Adoleshentë gjaknxehtë, në disa raste, e mbartin edhe jashtë rrethimit të shkollave. “Në shkollën ku jam unë, ka më tepër ngacmime të tipit ‘pse më pe’. Mund të futet te rastet e bullizmit, por edhe si rast dhune”, thotë psikologia Jorida Braushi, një ndër të rekrutuarat në janar të këtij viti, pa dashur të identifikojë emrin e gjimnazit ku punon prej gati një viti.

Përveç qyteteve të vogla, raporti evidenton klasat e dhjeta gjithashtu shumë problematike. Sociologia Entela Binjaku rendit disa nga arsyet që i çojnë adoleshentët drejt dhunës. “Nëse në ciklin e ulët dhe atë të lartë rastet e dhunës janë të pakta ato vijnë e shtohen me kalimin në ciklin tjetër që është ai i mesëm. Situatat e krijuara në gjimnaze vijnë kryesisht për shkak të ndryshimeve që vetë i riu apo e reja kalon: tranzicioni drejt adoleshencёs dhe moshës së rritur, bashkë me tiparet e këtij segmenti jete krijojnë shpesh konflikte mes nxënësve. Karaktere që formohen në mënyra të ndryshme, ndikimet e familjes mbi të rinjtë, ose humbja e ndikimit prindëror mbi ta, paaftësia e mësuesit për të mbajtur nën kontroll disiplinën, indiferenca e tyre ndaj shqetësimeve të nxënësve, shpesh bën që edhe një konflikt që po lind ose ka prirjen të përshkallëzohet në dhunë, të mos shuhet dhe të krijojë një problem edhe më të madh”, përfundoi ajo për Portën Vendore.