Vëzhgim/Analizë

2 vite nga tërmeti, Durrësi i shkatërruar me një “patericë” në procesin e rindërtimit

18 dhjetor 2021/Aldo Mustafa/Porta Vendore/Durrës

Kanë kaluar dy vite tashmë që kur tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019, shkatërroi një qytet të tërë dhe la pasoja të cilat duket se do të jenë afatgjata. Pasojat psikike, pasojat ekonomike, pasojat sociale dhe në shumë aspekte të tjera, u mbetën vragë në mendjen e qytetarëve Durrsak për të cilët dy vitet e fundit, mund të kenë qenë më të vështirat e jetës së tyre.

Një ndër familjet e prekura nga tërmeti, banesa e së cilës u shpall fillimisht DS2 dhe pas shumë kohësh DS5, është dhe familja e Shpresa Guçe e cila jeton Shkallnur, mes çadrës dhe kontejnerit bashkë me mbesën e saj të vogël. Dita e saj nis me vështirësi për të gjetur mundësi të dërgojë mbesën e saj në kopsht, vazhdon edhe më tej duke larë dhe gatuar në kushte thuajse të mjerueshme, në qiell të hapur, pasi ai është i vetmi ambient i cili i ka mbetur dhe mbyllet me mbrëmjet e një dimri të tretë që po vjen. Dimër të cilin ajo dhe mbesa e saj tashmë 5-vjeçe, e presin me ankth për të dytin vit radhazi, por gjithnjë me shpresën sado në shuarje, se një ditë instancat përkatëse do t’u gjejnë një zgjidhje.

“Do ta prishim shtëpinë më thanë përpara pandemisë dhe do ta rindërtojmë. Ngelën duke dalë vetëm nëpër kamera. Kjo shtëpi nuk ka qenë e dëmtuar përpara tërmetit. Nuk thonë shyqyr që shpëtova kokën, me dy fëmijë të vegjël, kam dalë me fëmijët e vegjël dhe komshinjtë me vrap në sipërfaqet e rrugës. Dy javë kemi fjetur në rrugë, kjo është katastrofë. Edi Rama e din shumë mirë, t’i vijë zor nga vetja që thonë që kjo shtëpi ka qenë e dëmtuar përpara tërmetit, kjo është dëmtuar nga tërmeti. Unë po vdes,deri tani kam marrë me qindra kamera. Të mendojnë për atë fëmijë që po rritet rrugëve,” është shprehur Shpresa Guçe për Porta Vendore.

Qeveria aktuale menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit, nisi një plan masash për rehabilitim e situatës së shkaktuar si pasojë e tërmetit prej 6.4 ballë të shkallës rihter.

Fillimisht u inspektua dhe u bë vlerësimi strukturor nga grupet e ekspertëve shqiptarë dhe të huaj të cilët qëndruan për disa kohë pas tërmetit, duke bërë të mundur kategorizimin e ndërtesave si apartamente, shtëpi private, shkolla, etj. në varësi të shkallës së dëmtimit DS1, DS2, DS3, DS4 dhe DS5. Pavarësisht vlerësimeve paraprake, problemet qenë të shumta në lidhje me banesat dhe mënyrën e vlerësimit, pasi shumë pallate dhe banesa individuale, u rivlerësuan dhe shkalla e dëmit ndryshoi.

Po të njëjtin shqetësim ngre dhe Luan Braçi i cili jeton vetëm me të birin dhe tregon se kontrolli i banesës është kryer në orë të vona të natës me elektrik dore nga grupet e ekspertëve.

“Erdhi kryebashkiakja e Durrësit dhe vuri duart në kokë duke pyetur se kush e ka vlerësuar DS2 banesën tonë. Deri tani kam bërë kërkesë dhe në prefekturë dhe në bashki, për të marrë akt-ekspertizën, por nuk ka ardhur ende dhe tashmë jemi pa asnjë lloj dokumenti në dorë,” tregon Luan Braçi përpara kamerave të Portës Vendore.

Në takimet e saj me ministrin Arben Ahmetaj dhe kryeministrin Edi Rama, kryetarja e komanduar e Bashkisë Durrës Emirjana Sako, ka prezantuar herë pas here procesin e rindërtimit ku rëndësi i është dhënë mënyrës sesi po menaxhohet situata e ndarjes së bonuseve të qirasë, granteve të rikonstruksionit dhe fondeve për rikonstruksion të godinave të prekura nga tërmeti të cilat do të menaxhoheshin nga vetë Bashkia Durrës. Ministri i rindërtimit, Z. Arben Ahmetaj ka treguar për kryeministrin se fazat e rindërtimit janë në një proces të avancuar.

Deri më tani në territorin e Durrësit duket se në fakt ky proces nuk është aspak i avancuar pasi vetë shifrat zyrtare të siguruara nga Bashkia Durrës, flasin për një numër mjaft të ulët të pallateve të rindërtuara për territorin të cilin përfshin kjo bashki dhe jo vetëm. Sipas Bashkisë Durrës, në përgjigje të disa pyetjeve të dërguara në email për Porta Vendore, na bëhet me dije aktualisht se bonusi i qirasë përfitohet nga 5270 familje, sakaq në total kanë aplikuar 6192 familje. Vlera e lëvruar për këto qira është 1.600.543.800 lekë të reja.

Marjan Naska, banor i lagjes nr. 13, në plazh të qytetit të Durrësit, prej disa muajsh jeton në një tjetër shtëpi me bonusin e qirasë, ndërkohë për pallatin e tij edhe pse të caktuar në shkallën e dëmtimit DS3, ende nuk dihet se çfarë do të bëhet, pasi një tjetër pallat i cili po ndërtohet pranë godinës së familjes Naska, ka dëmtuar edhe më shumë kolonat dhe muret duket thelluar edhe më shumë dëmin në këtë pallat.

“Përpara 4-muajve është bërë verifikimi i kolonave të cilat disa kanë rezultuar me dëme të lehta dhe disa me dëme të rënda. Na është thënë që projekti për rikonstruksion është dërguar në bashki. Pas 4-muajsh nuk kemi ende një përgjigje. Fakti që nuk je në shtëpinë tënde dhe dhënia e bonusit të qirasë që ka vonuar me tre muaj, e bën më të vështirë. Jemi në pritje. Të na japin sa më shpejt një përgjigje,” është shprehur Laska për Porta Vendore.

Referuar Aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019 “Për Përballimin e Pasojave të Fatkeqësisë Natyrore” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij , fazat e procesit të rindërtimit dhe programet e tij janë shumë dinamike, është shprehur në përgjigjen e saj Bashkia Durrës. Për çdo fazë të këtij procesi Bashkia Durrës ka publikuar në faqen zyrtare http://www.durres.gov.al, listat e përfituesve dhe masën e përfitimit për çdo subjekt përfitues sipas vendimeve përkatëse të këshillit bashkiak Durrës, ku përsa i përket ndarje së granteve të rikonstruksionit dhe pallateve të vlerësuara sipas shkallës DS1-DS5, ndarja është si vijon:

DS1-2615 objekte

DS2-1822 objekte

DS3-1294 objekte

DS4-947  objekte

DS5-349  objekte

Shifrat e mësipërme tregojnë se dëmet në pallate dhe apartamente janë të konsiderueshme, por deri më tani çfarë është bërë për të rikuperuar këtë dëm? Të dhënat tregojnë se ky proces për qytetarët durrsak jo vetëm që është i ngadaltë, por pothuajse ende nuk ka nisur pasi deri më tani nga 349 godina të vlerësuara si DS5, përfshirë këtu dhe pallate, asnjë prej tyre nuk është dorëzuar.

Për pallatet dhe shtëpitë individuale të cilat i përkasin dëmit DS5, Bashkia sqaron se:

“190 banesa dhe 42 pallate janë miratuar për prishje.

Nga 42 pallatet – 22 pallate në qytet, 10 pallate në NJA Sukth, 3 pallate në NJA Katund i Ri, dhe 8 pallate në NJA Manëz, të cilat do të jenë pjesë e Sitit të ri në Manëz

Vazhdon puna për rindërtimin e 11 pallateve: në rrugën ‘Petraq Boshnjaku’ Nr.14 dhe pallatin 1062 rruga 26 ‘Nëntori’, si dhe rindërtimi i pallateve në sitin e Manzës

Asnjë nga pallatet nuk është dorëzuar”, përgjigjet zyrtarisht bashkia.

Në datë 3 nëntor 2021, kryetarja e Bashkisë Durrës, ka ndarë me qytetarët tabelën sipas së cilës bëhet me dije se cilat janë pallatet në proces, dhe cilat janë në zbatim për rikonstruksion ku thekson se:

Vazhdon puna për rehabilitimin e pallateve me shkallë dëmi DS4.
Janë 11 pallate ku punohet sipas projekteve përkatëse për përforcimin e tyre dhe rikonstruksionin, si në ambientet e brendshme ashtu edhe në ato të jashtme duke garantuar standardet e duhura për banesa më të forta dhe më të sigurta se më parë.
Për 13 pallate të tjera është në proces realizimi i garës.
Ndërkaq pas miratimit në këshillin bashkiak do të fillojë puna për riforcimin e 35 banesave individuale që janë konstatuar me shkallë dëmi DS
4.”

Në lidhje me procesin e ndërtimit të godinave arsimore si shkolla 9-vjeçare, gjimnaze, kopshte apo çerdhe, Emiriana Sako ka deklaruar më herët se sipas saj:

“Ringritja e shkollave pas tërmetit është një model i papërsëritshëm dhe mishërim i besimit në ringritjen e Durrësit.  Në një kohë rekord kemi arritur të ndërtojmë 12 objekte të reja arsimore dhe 2 janë rikonstruktuar tërësisht, ndërsa në proces janë edhe 16 godina të tjera.
Të gjitha godinat arsimore ndërtohen me eurocod 8, duke i siguruar nxënësve dhe fëmijëve ambiente me standarde të larta. Në të gjitha godinat e reja arsimore janë në total  6610 nxënës dhe 651 fëmijë kopshti, ndërsa nga objektet e tjera që do të rindërtohen do të përfitojnë 5200 nxënës dhe 600 fëmijë kopshti”,

Deri më tani, shifrat zyrtare të dhëna nga vetë Bashkia Durrës për procesin e rindërtimit, protestat e shumta të cilat janë mbajtur përpara këtij institucioni gjatë dy viteve të fundit për pakënaqësitë në lidhje me këtë proces, vonesat në nisjen e punës për rikonstruksionin apo rindërtimin e disa pallateve, vonesat me disa muaj në shpërndarjen e bonusit të qirasë, tregojnë se situata post-tërmetit, është keq-menaxhuar nga ana e këtij institucioni pasi afatet e premtuara janë kaluar duke mos u dhënë zgjidhje qytetarëve, për të cilët akrepat kanë mbetur ende në orën 3:54 minuta të datës 26 nëntor 2019.

Procesi i rindërtimit ka ende shumë për të arritur drejt fundit dhe nëse bëhet fjalë për të dhënë një afat përfundimtar, inxhinieri Gaz Oketa është shprehur pesimist përsa i përket përfundimit të këtij procesi për shkak të asaj që ai e quan marzh korrupsioni.

“Vëmendja duhet përqendruar tek zgjidhja e problemit të familjeve që kanë nevojë. Pas dy vitesh procesi i rindërtimit nuk është aspak proces solidarizues siç duhej të ishte për këtë situatë, por ndodhi e kundërta. Nuk janë ruajtur raportet siguri-efekt financiar. Nëse procesi i rindërtimit do të kryhej me procedurat normale duke marrë parasysh kohën që kërkon verifikimi i dëmeve, ekspertizat e thelluara dhe të gjitha procedurat që vijojnë në këtë proces, punimet do të ishim më larg seç janë aktualisht. Duke marrë në kosideratë marzhin e korrupsionit në këtë vend, nuk mund të themi sesa kohë do të kërkonte ky proces për t’u përfunduar” është shprehur Oketa për Porta Vendore.

Dy vite nga tërmeti tragjik, kryetarja e komanduar e Bashkisë Durrës, Znj. Emiriana Sako më datë 25 nëntor, ka bërë një bilanc në lidhje me procesin e rindërtimit në deri atë datë ku është shprehur se:

 “Qeveria shqiptare ka pasur në prioritet programin e rindërtimit. Ne kemi realizuar rindërtimin e 214 ndërtesa individuale. Nga ana tjetër, brenda qytetit kemi bërë riparimin e 405 pallateve, punë të cilat qytetarët nuk i realizonin dot vetë. Kemi kthyer gjithashtu në jetë normale 4 mijë familje. Ka filluar procesi i rindërtimit të pallateve po aty ku kanë qenë. Presim brenda këtij viti të ndajmë apartamentet e para. Durrësi ka një buxhet të ndarë mes fondit shqiptar të zhvillimit dhe fondit të Abu Dabit për zhvillim. Sigurisht ky është volumi më i madh i punës. Kemi ende në proces me Institutin e Ndërtimit disa objekte që po marrin vlerësimin final të strukturave të tyre”  është shprehur Sako.

Duket se procesi i rindërtimit do të jetë një proces i cili do t’i kërkojë kohë qytetit të Durrësit dhe kjo nuk do të jetë e vetmja kosto që rrezikon t’i kanoset banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, por sa më shumë zgjat në kohë dhe vonon ky proces, lind edhe një tjetër pikëpyetje: A do të mjaftojnë fondet deri në përfundim të këtij procesi?!