Vëzhgim/Analizë

Lezhë, ka fermerë, por nuk ka treg. Godina e tregut, magazinë për materiale të bashkisë

16 dhjetor 2021/ Gjergj Figuri/ Porta Vendore/ Lezhë

Fermerët e Lezhës vuajnë prej vitesh mungesën e një tregu, ku edhe pse janë investuar rreth 60 milionë lekë të reja për ndërtimin e një godine që do shërbente për tregtimin e produkteve, ai nuk është vënë asnjë ditë në punë, por përdoret nga Bashkia e Lezhës për të magazinuar materialet që i nxjerr jashtë përdorimi. Fermerët apelojnë se prodhimet e tyre po kalben, ndërsa Bashkia Lezhë thotë se po punon për vënien në funksion të tregut, pavarësisht se godina është ndërtuar që prej 13 vitesh.

Pavlin Tusha i kushtoi të gjithë vitin mollëve me shpresën se do të merrte diçka këtë vit duke parë që edhe prodhimi ishte i mirë. Megjithëse frutat janë të cilësisë së lartë, ato do të jenë vetëm për lopët, sepse askush nuk i blen, pasi nuk po gjendet treg. Kjo është historia që tregon Pavlin Tusha në fshatin Kakarriq të Lezhës, i cili ka një jetë të tërë që i përkushtohet bujqësisë, por nuk ka fitime as për të mbuluar shpenzimet e një viti.

Pavlini tregon se aktualisht ka 4 dynymë mollë dhe rendimenti i tyre ka qenë i lartë, por nuk ka shitur asnjë kg të vetme. Era po hedh në tokë prodhimin, dhe janë lopët ato që po shijojnë mollët, pasi nuk ka gjetur dot treg dhe është i detyruar të veprojë në këtë mënyrë. Do t’i shiste me çmim qesharak vetëm që t’i hiqte, por as kështu nuk po ndodh.

“Unë kam 4 dynym mollë, prodhimi është shumë i mirë, por nuk kam se çfarë ta bëj me to. Nuk kam treg për prodhimet dhe do të rrinë sa të rrinë në pemë e më pas do të kalben. Me shumicë do t’i shisja edhe me 20 lekë. Nuk më intereson fakti se shitësit me pakicë do t’i tregtojnë me 120 lekë kilogramin sepse mua më intereson që të mos kalbet edhe prodhimi i këtij viti”, shprehet Pavlin Tusha për Portën Vendore.

Pavlin Tusha duke folur për Portën Vendore. Foto: Gj. Figuri

Ndërsa Pavlini shpreson t’i shesë me çmim shumë të ulët, fermerët në Lezhë kanë vetëm një treg të improvizuar, ku nxjerrin prodhimet e sezonit, në superstradën Lezhë-Shkodër. Si një vitrinë marketi, në këtë segment rrugor gjen pula, presh, lakra dhe blegtorët po përgatiten për të nxjerrë aty edhe gjelin e detit. Kështu është në çdo stinë të vitit, sepse kjo është zgjidhja e vetme që kanë. Në verë rruga ishte e mbushur me shalqi, pjepër e domate, prodhimet e bollshme të stinës, sepse nuk kanë zgjidhje tjetër.

Mungesa e tregut është një mangësi e madhe që duhet të marrë vëmendjen e pushtetit vendor dhe Ministrisë së Bujqësisë, thotë Drejtori i Qendrës së Eksporteve Shqiptare z. Alban Zusi. Sipas tij tregu është vendi ku bashkohen fermerët me tregtarët dhe industrinë agro-përpunuese, dhe do të ndikonte në nxitjen e prodhimeve vendase e kjo do të sillte edhe çmime më të favorshme për blerësit.

“Në fakt tregu është thelbi i çdo biznesi. Ne mund të kemi prodhues të shkëlqyer, blerës të shkëlqyer e konsumatorë të mirë, por nëse nuk është tregu vendi ku bashkohen të gjithë, pra shitësi me blerësin dhe konsumatorin, atëherë zinxhiri konsiderohet i paplotësuar. Në këto kushte ndodh që fermeri është i pakënaqur sepse nuk merr çmimin e duhur, e po kështu edhe konsumatori final është i pakënaqur sepse nuk e merr produktin me çmimin më të lirë të mundshëm dhe nuk merr cilësinë e duhur. Për pasojë mungesa e tregjeve është handikapi më i madh që kanë dhe kur flasim për tregjet bujqësore, ato duhet të jenë në çdo qytet dhe jo vetëm në qendrat e qyteteve të mëdha”, tha ai.

Problemin me mungesën e tregut e ka edhe Nard Koleci në Fishtë. Ai mbarështon shpendë, por mendon se tregu do të ishte një rregullator i mirë dhe do të rriste sigurinë, jo vetëm për fermerët që do të shesin prodhimet e tyre, por edhe për konsumatorin do të rritej siguria për prodhimet që do të blinte.

Nardi mendon se po të kishte një treg, do të kishte një destinacion ku të tregtonte shpendët. Kjo do të ndikonte edhe në rritjen e kontrollit për produktet dhe garanci për blerësit . “Aktualisht veprojmë nëpërmjet porosive, ardhjes në fermën tonë apo duke i dërguar shpendët në tregje të tilla si Miloti që nuk japin asnjë garanci. Ne vuajmë aty sepse nuk përmbushet asnjë kriter dhe nuk vinë aty blerësit që do të dëshironim ne, sepse në fakt në këtë treg vijnë tregtarë të tjerë që u tregojnë të tjerëve që kanë një tjetër blerës final. Me pak fjalë, prodhimet tona kalojnë disa duar deri tek konsumatori”, shprehet Nardi për Portën Vendore.

Ndërsa fermerët, blegtorët dhe ekspertët thonë se do të ishte mirë të kishte një treg në Lezhë për të garantuar shitjen e prodhimeve lokale, pakkush e di që prej vitit 2008 në km 3 të superstradës Lezhë-Tiranë është ndërtuar në 8 000 metra katrorë një objekt që duhej të shërbente si treg. Pavarësisht se i kushtoi Ministrisë së Bujqësisë 600 milionë lekë të vjetra, ky treg nuk shërbeu asnjë ditë si i tillë. Provoi shumë funksione të tjera, por asnjëherë atë për të cilin u ndërtua. Fermerët nuk e dinë që ekziston një objekt i tillë, por janë të sigurt se po të vihej në funksion do t’i ndihmonte ata.

Pavlin Tusha ngre supet kur pyetet nëse ka dijeni që ekziston një treg i tillë. “Është më mirë të shitet sesa të kalbet” – shton më tej Pavlini. Në këto kushte kur nuk ka as agro-industri dhe as treg shumice si mund të vijohet që fermeri të punojë tokën e të prodhojë? Pavarësisht çdo situate, Pavlini nuk do të ndalojё punën në tokën e tij. “Unë nuk do t’i pres kurrë pemët e mollëve sepse kam një jetë që punoj me to dhe do të vazhdoj të pres zgjidhjet të mundshme, e ndoshta ai tregu që unë nuk e dija vendoset në funksion“, shpreson Pavlini.

Po të ishte një treg i rregullt, i paracaktuar dhe me kushte, do të ishte një ndihmë jo për fermerë e blegtorë por edhe për vetë blerësit. Kjo është ajo që mendon Nard Koleci, të cilit për të gjetur treg për mbi 2 mijë krerë shpendë që rrit i duhet të shëtisë e të përdorë metodën e vjetër, atë të njohjeve dhe tregun e Milotit. Nardi mendon se vendosja në funksion e tregut që duhej të kishte qenë i tillë prej 13 vitesh, do të kishte më tepër siguri për konsumatorin për mallin që do të blinin dhe kontrolli nga institucionet do të ishte më rigoroz.

Godina e përcaktuar dikur për treg sot po amortizohet si investim nga dita në ditë.

Godina që do të duhej të shërbente si treg në Lezhë. Foto: Gj. Figuri

Bashkia e Lezhës e di shqetësimin, e di edhe faktin që po dërgon në godinën e ndërtuar për treg agro-bujqësor materialet që nxjerr jashtë përdorimit. Këtij shqetësimi i është përgjigjur zëvendëskryetari i bashkisë z. Ermal Pacaj. Për këtë ai thotë se janë të njohur me problemin që kanë fermerët me mundësitë e limituara për të tregtuar prodhimet e tyre. Pacaj shpjegon se për ta ai nuk është një treg, por një objekt i ideuar për treg.

“Deri tani kemi probleme të pazgjidhura, por jo të pazgjidhshme. Së pari kemi punuar që ta regjistrojmë atë objekt si asetin tonë sepse nuk ka qenë i tillë deri më sot për shkak të problematikave me pronësinë. Pavarësisht kësaj duhet të ju bëj me dije se ai objekt është dhënë disa herë me qira nga ish njësitë administrative, qira që nuk kanë funksionuar asnjëherë dhe sot jemi përballë situatës që kemi një objekt, por jo një treg. Jemi duke punuar që ta kthejmë në gjendjen për të cilën ishte ndërtuar. Ka nevojë edhe për investime shtesë siç janë dhomat frigoriferike, administrimin e saj nëse kjo nuk do të realizohet nga bashkia, por patjetër që është në optikën tonë që ky objekt të kthehet sa më shpejt në një treg”, shprehet në nënkryetari i Bashkisë Pacaj.

Prodhimi ende në pemë i fermerëve të Lezhës. Foto: Gj. Figuri

Drejtori i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Z. Alban Zusi, shpjegon se janë në dijeni që ekziston objekti i planifikuar për treg dhe se sipas tij ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Ka qenë një vendimmarrje e mirë kur është menduar ndërtimi i këtij tregu dhe absolutisht shumë e gabuar vendimmarrja për ta tjetërsuar funksionin e saj për një kohë kaq të gjatë. Zusi vijon më tej duke e konsideruar të gabuar përdorimin e saj si magazinë, ndërsa vendosja e saj në përdorim do të ishte një zgjidhje e mire për fermerin, industrinë përpunuese dhe për konsumatorin vendas. Kthimi i saj në treg do tu shërbente më së miri fermerëve dhe konsumatorëve dhe për Alban Zusin të gjitha autoritet vendore e qendrore që kanë në dorë rikthimin e këtij investimi në origjinën e nisjes së tij, do të bënin gjënë e duhur të vepronin dhe ta bënin këtë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të mos humbasin aspak kohë. Kjo zgjidhje do të ishte një instrument i rëndësishëm për rritjen e prodhimit bujqësore dhe agro-përpunues të Lezhës edhe pse nuk është zgjidhja përfundimtare.

 “Unë nuk mund të them se kjo do të zgjidhte të gjithë problematikën, por jam i bindur se prezenca e tij do te krijonte dijeninë e rëndësisë së tij e kjo do të bënte që ose të zgjerohej ky treg ose të ndërtoheshin të tjerë. Rikthimi i tij në idenë e tij që ka qenë projektuar do të ishte modeli më i mirë për të krijuar edhe tregje të tjera në rajone të tjera me vokacion të rëndësishëm bujqësore e blegtorale”, thotë Zusi.

Alban Zusi duke folur për Portën Vendore. Foto: Gj. Figuri

Për të ndihmuar fermerët e Lezhës, bashkia do të vendosë në funksion një tjetër praktikë, atë të ngritjes së tregjeve të lëvizshme. Nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj ka prezantuar për Portën Vendore këtë nismë që sipas tij do të vendoset në funksion duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm.

 “Deri sa të mundësohet tregu me të gjitha kushtet e standardet, ne kemi menduar si zgjidhje të ndërmjetme krijimin e tregut të fundjavës dhe për këtë do të përdoret sheshi kryesor. Ai do të jetë për fermerët që të tregtojnë prodhimet e stinës pasi në këtë mënyrë do të kenë mundësi për të shitur dhe konsumatorë që blejnë me çmime më të lira. Kjo do të mundësoje kontaktin ndërmjet fermerit dhe blerësit dhe me mundësi që kjo të zgjerohet edhe në disa lagje të qytetit. Ndërkohë do të vijojmë punën tonë dujke ndjekur hapat e nevojshëm për të bërë treg atë që asnjëherë nuk ishte i tillë”, tha ai.

Ermal Pacaj nënkryetar i Bashkisë Lezhë. Foto: Gj. Figuri

Megjithëse janë përdorur paratë e buxhetit të shtetit për të ndërtuar një objekt që do të ndihmonte fermerët, prodhimet bujqësore janë ende pa një treg. Hapja e sheshit si një treg do të ndihmojë tregtarët e vegjël, por ajo nuk do ta ndihmojë aspak Pavlin Tushen me 5 ton mollë, Nard Kolecin dhe mijëra shpendë e të tjerë fermerë e blegtorë që kanë sasi të mëdha prodhimi. Atyre u nevojitet një treg shumice, ku blerësit e mëdhenj apo industritë agro-përpunuese të kontaktojnë me fermerët prodhues për tu blerë të gjithë prodhimin. Ministria e Bujqësisë duhet të bëjë detyrën e saj dhe të vendosë në efikasitet atë që nisi 13 vite më parë, tregun agro-bujqësor të Lezhës.