15 dhjetor 2021/ Aldo Mustafa/ Porta Vendore/ Shijak
Rindërtimi në Shijak pritet të finalizohet pranverën e vitit 2022, ndërkohë që deri në fund të këtij viti deklarohet se do të dorëzohen disa apartamente dhe pothuajse gjysma e shtëpive private. Në Shijak po ndërtohen konkretisht 31 pallate me 660 apartamente dhe afërsisht dhe mbi 720 banesa private, ku autoritetet pretendojnë se janë ngritur si struktura, por ende nuk u janë dorëzuar familjeve të pastreha që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Gjithçka për këtë proces nisi më 5 maj 2020, kur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit filloi me procesin e demolimit të godinave të dëmtuara. Ky proces nisi pikërisht në lagjen “Lugina” e cila përbënte më shumë rrezik edhe për 451 familjet e dëmtuara.
Asokohe kreu i Bashkisë Shijak, Z. Elton Arbana deklaroi se: “Kjo është lagjja më e prekur nga tërmeti, lagjja “Lugina”. Këtu ndodhen 18 pallate që duhet t’i nënshtrohen procesit të demolimit, pra do të shemben, pasi Instituti i Ndërtimit ka bërë akt-ekspertizën e thelluar për këto pallate, për të cilat qëndrueshmëria është vlerësuar e ulët dhe pallatet janë klasifikuar me rrezikshmëri të lartë”, tha Arbana.
Shembja e menjëhershme e dhjetëra godinave që Porta Vendore e ka raportuar në një vëzhgim në terren, shkaktoi një tjetër situatë të vështirë për Bashkinë e Shijakut gjatë muajve Maj-Qershor të vitit 2020, pasi u përball me inerte, që nuk mund të hiqeshin për shkak të sasisë së madhe dhe kostove për të cilat pritej dhe ndihma e qeverisë.
Menjëherë pas ngritjes së shqetësimit dhe rrezikut ekologjik që mund të shkaktonin materialet inerte të lëna në vendin e demolimit, qeveria u mobilizua në zhvendosjen e mbetjeve inerte drejt vend-grumbullimit në Porto-Romano, të cilat bashkë me një pjesë të mbetjeve të godinave të shembura në Bashkinë Durrës, u shfrytëzuan për bazamentin dhe një pjesë të tokës së ish vend-grumbullimit të mbetjeve urbane, për ta shndërruar këtë zonë në një Eco-Park.

Aktualisht dy vite pas tërmetit, Porta Vendore i është rikthyer vëzhgimit në këtë bashki ku duket se procesi i rindërtimit ka ecur me hapa të mirë, por ende nuk ka përfunduar asnjë pallat, por vetëm banesa private.
Banesat private
Sa i përket banesave private, rezulton se 270 të tilla janë ndërtuar dhe u janë dorëzuar familjeve përkatëse, ndërsa 65 të tjera janë ende në proces ndërtimi, ku nga vëzhgimi në terren rezulton se strukturat, muret dhe pjesa kryesore e godinave ishin ndërtuar. Ndërkohë 390 banesa të tjera janë ndërtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, por ende nuk janë shpërndarë, pasi janë në proces kolaudimi.

Një ndër familjet e shumta, e cila u prek nga tërmeti i 26 nëntorit në qytetin e Shijakut, e cila përfitoi banesë është edhe familja Vezi. Kjo familje përbëhet nga dy të moshuar, të cilët i kujtojnë me trishtim momentet e tërmetit dhe orët që vijuan pas tij. Xhemile Vezi hapi derën për Porta Vendore duke treguar jo vetëm përjetimin e saj, por ndau dhe kënaqësinë që ajo dhe bashkëshorti i saj patën mundësinë të kenë një shtëpi të re brenda një periudhe të shkurtër duke mos iu vështirësuar edhe më shumë jetën plot vuajtje si dy të moshuarve.

“Quhem Xhemile Vezi dhe jemi dy anëtarë në familje. Me thënë të drejtën jemi trishtuar aq shumë sa nuk ka, kur ra tërmeti. Kemi qëndruar dy javë në makinë dhe nuk jemi futur në shtëpi. Kemi jetuar me këtë dyqanin e vogël që kemi. Shtëpia u dëmtua shumë, shyqyr që kemi qenë në katin e poshtëm të banesës që mundëm të dilnim shumë shpejt jashtë. Për dy javë qëndruam në oborr me dhëndrin dhe vajzën në makinë, më pas kemi qëndruar në dyqan. Na erdhi keq për shtëpinë, sepse kemi jetuar 47 vite dhe kemi rritur fëmijët këtu, por shyqyr na u gjend shteti dhe i rindërtoi. Ne kemi lindur për së dyti me thënë të drejtën!” ka mbyllur rrëfimin e saj Xhemile Vezi, e cila tashmë jeton në kushte më të mira në banesën e re. Banesa e saj ishte e dëmtuar në nivelin DS4 dhe Bashkia Shijak bëri të mundur rikonstruksionin e saj.
Pallatet e rindërtuara
Sa i përket rindërtimit të pallateve, sipas shifrave zyrtare nga Bashkia Shijak rezulton se janë në proces rindërtimi 31 pallate, ndërkohë që në 6 prej tyre, banorët priten të priten të hyjnë brenda para fundvitit, ndërsa 25 të tjerë në fund të muajit maj. 6 pallatet që pritet t’u jepen banorëve janë në lagjen “Lugina”, ku janë dhe 12 të tjerë në proces ndërtimi. 3 pallate të tjera që po ndërtohen janë pranë lagjes Lugina, ndërsa 10 të tjerë të shpërndarë në lagje të ndryshme të Shijakut.
Sipas vëzhgimit në terren, strukturat e 31 pallateve janë ngritur, por në 25 prej tyre vijojnë punimet e ndryshme, si suvatime, instalime etj. Megjithatë askush nuk flet për data konkrete se kur këto pallate do të jenë gati, duke bërë kështu që familjet në pritje për të hyrë në banesa të mos e kenë të mundur as në 2 vjetorin e tërmetit të mund ta bëjnë këtë.

Filip Gjoni i cili është arkitekt dhe Specialist i Zyrës së Projekteve pranë Bashkisë Shijak, tregon se për të arritur në këtë fazë të procesit të rindërtimit është bërë punë përtej orareve dhe limiteve që mund të ketë një punë normale. 18 pallate janë në proces ndërtimi në lagjen Lugina dhe 13 të tjera janë të shpërndara në lagje të ndryshme përreth Bashkisë së Shijakut.
“Ne kemi punuar me një orar goxha të zgjatur, duke u dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve. Për këtë arsye kemi pasur bashkëpunim me institutin e ndërtimit që sipas VKM ishte organi përkatës për kryerjen e vlerësimeve dhe konstatimeve të dëmit.. Ne kemi pasur një sërë dëmtimesh të mëdha, të cilat i shohim dhe në terren që po pasqyrohen nga ndërtimi i shumë apartamenteve dhe shumë shtëpive. Demolimi i tyre është bërë në mënyrë të menjëhershme për arsyen e rrezikshmërisë që ato kanë pasur në terren. Aktualisht jemi në një fazë përfundimtare ku tani pjesa më e madhe e qytetarëve kanë hyrë në shtëpitë individuale, gjithashtu dhe nëpër pallate është faza përfundimtare ku do të hyjë një numër i madh banorësh. Janë 31 pallate të cilat janë drejt përfundimit”, ka deklaruar Filip Gjoni, Specialist i Zyrës së Projekteve.

Sakaq Kryeministri Edi Rama ka ndarë video të procesit të rindërtimit në zonën e Shijakut pak javë më parë duke theksuar se “në 31 pallatet që do të përfundojnë së rindërtuari në Bashkinë Shijak, do të dorëzohen 660 apartamente për familjet e prekura nga fatkeqësia e 26 nëntorit të vitit 2019”. Lagja e re Lugina po ndërtohet në një hapësirë 25 000 metra katrorë, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme e saj do të jenë parqe, hapësira të gjelbra dhe ambiente shërbimesh për komunitetin. Por Kryeministri nuk përmendi afate.
Edhe kreu i Bashkisë Shijak, Elton Arbana nuk ka një datë të saktë, por thotë deri në fund të vitit 2021 do të nisë shpërndarja sipas shortit, ku secila familjet parashikohet të marrë një hyrje në ndërtesat dhe pallatet të cilat po ndërtohen në të njëjtin truall. “Ata do të përfitojnë hyrjet në varësi të metrave katrorë që kanë pasur më herët në pallatet e shembura, ndërkohë që pallatet e rindërtuara parashikohet që në katet e para të jenë të organizuara në dyqane. Nga procesi i rindërtimit të pallateve të reja, nga Qeveria Shqiptare është përllogaritur që numri i hyrjeve të reja që do të ndërtohen, të jenë të barabarta me numrin e hyrjeve që janë shembur nga godinat e prekura në tërmetin e 26 nëntorit të vitit 2019”, u shpreh Arbana.
Deri tani për ndërtimin e pallateve në Shijak janë zhvilluar tri procedura tenderuese nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë totale 1.4 miliardë lekë të reja pa TVSH. Procedura e parë është zhvilluar për Paketën A të ndërtimit të pallateve, me vlerë 580 milionë lekë, procedura e dytë për paketën B për ndërtimin e pallateve, me vlerë 630 milionë lekë dhe procedura e tretë për ndërtimin e rrjetit rrugor dhe infrastrukturor me vlerë 196 milionë lekë.