14 dhjetor 2021/Elvis Hila/Porta Vendore/Kurbin
Edhe pse kanë kaluar 2 vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në Kurbin ka shumë familje që jetojnë në çadra, me shpresën që shteti do t’i ndihmojë për të rikonstruktuar shtëpinë. Por deri më tani ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje lidhur me afatet kohore se kur pritet të nisë procesi.
Dy vjetori i tërmetit, po e gjen sërish në çadër familjen Murati në fshatin Shullaz të Kurbinit. Banesa e tyre u dëmtua rëndë nga lëkundjet sizmike dhe u klasifikua si e pabanueshme, por ende nuk është shembur për t’i hapur rrugë rindërtimit. Në këto kushte, 5 pjesëtarët e kësaj familje jetojnë në çadër, ndërsa më e moshuara e shtëpisë nuk ka pranuar të dalë nga shtëpia gjysmë e shkatërruar.
“Që nga tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019-të unë banoj në çadër. Kalova dy dimra shumë të ftohtë dhe verë tepër të nxehtë. Është tepër e vështirë që të rrish këtu. Unë kam tre fëmijë që i kam në shkollë dhe janë të detyruar të dalin për të bërë mësimet në verë në hije të pemëve dhe kur është ftohtë nën batanije këtu brenda në çadër”, thotë kryefamiljari Tahir Murati për Portën Vendore.
Kryefamiljari tregon se po pret prej dy vitesh rindërtimin e shtëpisë, por pavarësisht premtimeve ende nuk po sheh asnjë dritë jeshile. “Na është premtuar nga bashkia për të filluar ndërtimi i shtëpisë, mirëpo nuk është lëvruar fondi nga shteti ende. Dua t’i them kryeministrit shqiptar, kam përjetuar tërmetin e 79-s , dhe për tre muaj u rindërtua Lezha, Shkodra dhe gjithçka. U eliminuan pasojat e tërmetit, ndërsa ne jemi dy vite nëpër çadra. Për rindërtimin ka pasur një neglizhencë të jashtëzakonshme nga shteti”, shton Tahir Murati.
Ndërsa e zonja e shtëpisë Dëshira Murati, teksa tregon vështirësitë që po përballen prej dy vitesh, thotë se e ka humbur shpresën për një shtëpi si gjithë të tjerët. “Shkojmë kërkojmë lekët për të bërë shtëpinë, thonë s’ka pare, do ta bëjmë vetë. Prit sot e prit nesër, kur të dalë bari, tash do presim shtetin ne. Vetëm kur t’i shoh në oborr të shtëpisë do e besoj, pasi unë besim më tek ky shtet nuk kam. Apeli për mua është vetëm me var veten e me rënë në përrua”, thotë e dëshpëruar Dëshira Murati.

Në Bashkinë e Kurbinit tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019 la të pastrehë 1616 familje, duke shkatërruar 35 pallate dhe 465 banesa individuale. Prefekti i Lezhës, Gjok Jaku bën me dije se procesi i rindërtimit po ecën me ritme të shpejta dhe brenda muajit dhjetor është thënë nga autoritetet që do të do të hynë në shtëpitë e reja 524 familje, në apartamentet e ndërtuara me financim të Qeverisë Turke. Sipas tij i gjithë procesi i rindërtimit në Qarkun e Lezhës është planifikuar të përfundojë brenda pranverës së vitit që vjen. Nga shifrat e dhëna nga Bashkia, rezulton që vetëm 32% e familjeve të dëmtuara do të përfitojnë nga shtëpitë e reja, ndërsa pjesa me e madhe e familjeve të pastreha, do të duhet të presë pranverën e ardhshme, për të pare nëse ky premtim i radhës do të mbahet.