13 Dhjetor 2021/Aldo Mustafa/Porta Vendore/Durrës
Premtimi i përsëritur për Eco Parkun e Porto Romanos, sërish nuk u plotësua, pasi ky investim nuk ishte gati as në fundtetor 2021, siç kishte deklaruar më herët Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako pavarësisht se publiku është njohur me afate të njëpasnjëshme. Porta Vendore vizitoi ish fushën e mbetjeve në Durrës, ku duket se puna nuk ka përfunduar ende.
Pas shpalljes së gjendjes së emergjencës mjedisore më 11 korrik të vitit 2018, dhe vendimit për mbylljen e fushës së mbetjeve të Porto Romanos, për shkak të ezaurimit të kapaciteteve, doli në dritë një projekt ambicioz, i cili do ta kthente këtë vend në një Eco Park.
Projekti Eco-Park është një ndër projektet më të përfolura të qeverisë “Rama”, përsa i përket investimit në qytetin e Durrësit, dhe aq më tepër në një zonë problematike për banorët, të cilët jetonin të rrethuar nga një territor si ai i ish vend-grumbullimit 50-vjeçar të mbeturinave në Porto-Romano.
Qershorin e 2018-s, kryeministri Edi Rama deklaroi se brenda 18 muajve (vjeshtë 2019), vendgrumbullimin e mbetjeve në Porto Romano, në Durrës, do e shndërronte në një park të gjelbër. Ai deklaroi se qeveria kishte marrë një angazhim që ta mbyllte zonën ndotёse të fushës së mbetjeve, duke besuar se deri në vjeshtën e vitit pasardhës, do të mund ta përfundonte. Por, në dhjetor të vitit 2019, konkretisht më 7 dhjetor të këtij viti, gjatë një inspektimi, Rama kërkoi përshpejtim të punimeve dhe vendosi që për 18 muaj nga ai moment. “Në 1 qershor të 2021 këtu do jetë festa më e madhe që kanë parë kalamajtë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Ta mbyllim këtë histori plehrash dhe ndotjeje, se është një skandal!” – tha kryeministri Edi Rama, më 7 dhjetor 2019. Asokohe nga inxhinierët dhe kryeministri u tha se Eco-Park do të përfundonte për 18 muaj, duke përkuar kështu me datën 1 qershor 2021.
Por mosarritja e këtij afati u pranua nga ministrja Balluku, 3 javë para përfundimit të afatit. “Qyteti i Durrësit do të zhvillohet edhe nga ana urbane në këtë zonë, edhe se është një zonë industriale. Infrastruktura i përgjigjet të gjithë nevojës si nga ana komerciale dhe industriale dhe asaj urbane. Durrësi do shpëtojë nga trafiku i rëndë. Deri tani është bërë gati 50 % e punimeve dhe do të ruajmë në fund të shatori 2021 do të ketë përfunduar.”, tha ministrja Balluku më 12 maj 2021, një video e cila u postua edhe nga kryeministri Rama në rrjetet sociale. Afati i fundit që u ndryshua u dha nga Kryetarja e Bashkisë Durrës, e cila në një bashkëbisedim me të rinjtë e Durrësit, duke deklaruar se Eco Parku do të jetë gati në fund të muajit tetor 2021.
Porta Vendore ka shkuar në kantierin e ndërtimit të Eco-Park disa herë gjatë tetor 2021, dhe ajo çfarë u konstatua, ishte fakti se një pjesë e mirë e parkut nuk kishte përfunduar ende, ndërkohë që rehabilitimi i hapësirave të gjelbra, këndeve të argëtimit ishte larg përfundimit. Nuk munguan gjithashtu tentativat për të vënë kontakt me inxhinierët e projektit të ndodhur në terren, por ata nuk pranuan të përgjigjen në lidhje me afatet, punimet dhe për shkaqet e tejkalimit të afateve.
Ndërsa më 8 shtator 2021, vetë kryeministri Rama publikoi një video me ndërtimin e Eco-Parkun, ku dukej qartësisht se puna s’ kishte përfunduar. Ndërsa këtë park e ka vizituar një sërë herësh, edhe gjatë fushatës elektorale gjithashtu, përkatësisht në mars 2021.
Pavarësisht punës së pandërprerë, duket se Eco-Park është ende larg hapjes dhe askush nuk jep një shpjegim në lidhje me çështjen në fjalë, madje as Bashkia Durrës, e cila i kalon përgjegjësitë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve për të dhënë informacion në lidhje me këtë projekt.
Hapësira e Eco-Park është një territor prej 155 mijë metrash katrorë shumë pranë detit dhe portit të ri që pritet të ndërtohet në Porto-Romano, ku më herët u nxitua të bëhej mbyllja e vend-grumbullimit të mbetjeve urbane që ekzistonte në këtë territor, gjë që shkaktoi jo pak problematika për dy vitet e fundit.
Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve ka vënë në dispozicion të projektit një fond 1. 68 miliardë lekë, i cili do të shtrihej në një hark kohor të një viti e gjysmë, sipas specifikimeve të tenderit të publikuara më herët.