Ngjarje/Personazhe

Familjet e përmbytura në Shkodër me sytë nga qielli, asnjë dëmshpërblim për dëmet

13 dhjetor  2021/ Franceska Ndoja/ Porta Vendore/ Shkodër

Vetëm 10 muaj më parë, zona e Nënshkodrës përjetoi përmbytjet e fundit, ku me dhjetëra fshatra ishin në pushtimin e ujit për afro një muaj. Por pavarësisht se ka kaluar kohë, banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore ende nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim. Me sytë nga qielli, ata luten për mëshirë, që të mos i ndodh sërish e njëjta gjë me bujqësinë e blegtorinë si vitet e kobshme 2020, 2018.

Aktualisht në zonat e prekura nga përmbytjet, pamja është tjetër, por fermerët tregojnë pasojat e asaj përmbytje, që zgjati më shumë se 40 ditë.  Teksa i pyet nëse dikush i ka dëmshpërblyer apo më e pakta i kanë pyetur për dëmet, të japin këtë përgjigje. “Akoma sot ka dëme nga përmbytjet. Nuk na kanë dëmshpërblyer akoma. Bashkia i ka marrë të gjitha të dhënat, por akoma po presim për ato dëmshpërblime”, shprehet kryeplaku i fshatit Obot, Gregor Pemaj.

Porta Vendore kontaktoi edhe me administratorin e njësisë administrative Ana e Malit, për të kuptuar në qoftë se në zonat problematike, si Oboti, Muriqani është marrë ndonjë masë për parandalimin e përmbytjeve të ardhshme, por administratori Ben Ceni u shpreh se përveç pastrimit te kanaleve të 2 dhe 3, nuk është marrë asnjë masë tjetër. “Kemi pastruar vetëm kanalet e 2 dhe 3, nga ana e Bashkisë Shkodër. Masat e marra janë nga vet njerëzit, sigurimi i ushqimit, sigurimi i një varke në banesat e tyre. Ndërsa, kemi çuar kërkesat e qeverisë për të ndërhyrë në ndonjë rrugë, por s’ kemi marrë asnjë përgjigje apo zgjidhje”, u shpreh administratori i Njësisë Administrative Ana e Malit, Arben Ceni.

Fermerët kanë guxuar të mbjellin sërish, por frika e tyre më e madhe nuk është shitja ose jo e produkteve, por nëse do të përmbyten si në vitin 2020 e 2018, dhe natyrisht lutjet i kanë vetëm në Zot, pasi deri më tani nga dora e njeriut asnjëherë nuk është vepruar.  Fermerët dhe banorët janë të bindur se përmbytja nuk u vjen nga reshjet, por nga shkarkimet e hidrocentraleve.

E njëjta situatë paraqitet edhe Njësia Administrative Dajç, ku kjo zonë ka vuajtur dhe dëmtimin e argjinaturës së Darragjatit, e cila u ça komplet nga vërshimi i tepërt i ujërave dhe si pasojë u përmbytën 6 banesa. Porta Vendore ka kontaktuar me administratorin e Njësisë Administrative Dajç, Gjovalin Darragjati ku ai është shprehur se asnjë masë nuk është marrë nga pushteti qendror, ndërsa ai lokal ka arritur të pastroj vetëm kanalet e 2 dhe 3.

Në qarkun Shkodër që nga muaji dhjetor 2020 deri në shkurt të 2021 janë përmbytur rreth 6000HA tokë bujqësore në njësitë administrative të Shkodrës, por sot akoma askush nuk kujtohet nga pushteti qendror, që të parandaloj një tragjedi të tillë të mundshme.

Ndërkohë, një problem i vazhdueshëm dhe refren i përsëritur është ai i pastrimit të lumit Buna, ku që në vitin 2015, kur ishte ministër bujqësie Edmond Panariti, ishte hera e fundit e pastrimit të këtij lumi. Banorët dhe pushteti lokal hera herës në kohën e përmbytjeve kanë bërë thirrje për pastrimin e këtij lumi.

Ndërkohë, për herë të parë në Shqipëri, është hartuar edhe Plani i Rrezikut nga Përmbytjet, dhe Bashkia Shkodër ka qenë e para në këtë hartim të planit të masave, por që ende nuk është vënë në zbatim, por ka mbetur vetëm në letër. Plani i menaxhimit të rrezikut të përmbytjeve për Shkodrën do të jetë i vlefshëm për periudhën 2022-2028 dhe do shërbejë si model edhe për hartimin e planeve për basenet e tjera në rang kombëtar.

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi tregoi se për dy përmbytjet e fundit në Shkodër, atë të vitit 2018 dhe 2020, dëmi përllogaritet rreth 11,1 miliard lek dëme, ndërsa kërkoi në mënyrë të menjëhershme investime, të cilat parandalojnë përmbytjet në qarkun e Shkodrës, gjatë periudhës problematike të sezonit të dimrit. “Që nga viti 2013 ndërhyrje të nevojshme mungojnë në territor, mendoj që është në sajë të mungesës së një vëmendje të dukshme për territorin. Kemi pasur dy përmbytje të rënda, një në 2018 dhe një tjetër në 2021, shkojmë me një total prej 11,1 miliardë lekë dëme të shkaktuara. Mendoj që plani të jetë real dhe mos të jetë në letër, të jetë profesional dhe të jetë i menduar mirë. Pretendoj që plani të jetë një angazhim i të gjitha institucioneve , kush do të bëjё, çfarë do dhe ku do të bëjё dhe kur, ndryshe plani mbetet një letër”, u shpreh kryebashkiakja Voltana Ademi.

Gerta Lubonja, Drejtorja e Agjencisë për Menaxhimin e Burimeve Ujore (AMBU) në Shqipëri u shpreh se në planin e menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet në Shkodër, janë përcaktuar zonat më të riskuara dhe më problematiket. “Sipas këtij plani, (dokument i parë i realizuar në këtë kuadër, që i hap siparin edhe zonave të tjera të vendit tonë), jemi duke nisur për herë të parë me një basen që ka qenë shumë problematik. Ky plan, sipas vendimit të Këshillit Kombëtar të Ujit ka miratuar hartat e rrezikut për përmbytje, pikërisht në basenin e Drin-Bunës, ku janë shpallur tre zona me rrezikshmëri të lartë në Bashkinë e Shkodër”, u shpreh Gerta Lubonja.

Prefektja e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni tregoi për investimet që kërkohen për minimizimin e përmbytjeve, ndërsa lajmëroi se së shpejti do zhvillohet një takim me Komitetin e Mbrojtjes Civile të Qarkut dhe do të ketë një plan masash për muajt e ardhshëm. ‘’Së shpejti do kemi një takim të Komitetit të Mbrojtjes Civile te Qarkut, ku do i delegohen detyrat konkrete në bazë të planit të veprimit. Aktualisht jemi në vizita në terren’’ tha Prefektja e Qarkut Shkodër.

Ndërsa Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Hilmi Lakti, tha se mungon bashkëpunimi institucional në rastet kur përmbytja vjen. “Gjitha i kemi në rregull, përveç bashkëpunimit që lë për të dëshiruar në momentin kur krizat shfaqen”, tha ai për Portën Vendore.

Vitin e shkuar përmbytjet kapluan edhe Durrësin. Jo nё rrugё zyrtare, Bashkia Durrës i tha Portës Vendore që do të nisi një projekt madhor nga qeveria shqiptare për përmirësimin e situatës dhe moslejimin e përmbytjeve në vazhdimësi, mirëpo ende asnjë investim i tillë ska ndodhur në qytetin bregdetar.

Ndërkohë, Bashkia Durrës i tha Portës Vendore se është miratuar alokimi i ndihmës financiare për familjet të cilat janë dëmtuar nga përmbytjet në NJA Sukth, Katund i Ri dhe njësia nr.6 në qytetin bregdetar. Vendimi i Këshillit Bashkiak që mban datën 20.04.2021 thotë se ky fond do të mbulohet nga fondi i emergjencës së Bashkisë Durrës, i ndarë si më poshtë: “Vlera prej 14 300 073 lekë nga transferta e pakushtëzuar sektoriale për mbrojtjen civile 2021. Diferenca prej 32 713 127 lekë nga të ardhurat e vetë bashkisë”. Ndërsa për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Drejtoria e Bujqësisë, Pyjeve, Shërbimit veterinar dhe Emergjencave civile, Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar, dhe Drejtoria e Buxhetit.

Porta Vendore pyeti edhe Bashkinë e Vlorës, pasi ky qytet ishte nën pushtetin e ujit për shkak të reshjeve të rëna të shiut gjatë sezonit të dimrit. “Bashkia në bashkëpunim me prefekturën e këtij qarku kanë hartuar një plan bashkëpunimi për parandalimin dhe përballimin e përmbytjeve në sezonin e dimrit. Një plan masash është marrë për përballimin e Emergjencave nga përmbytjet në zonën e Novoselës, pasi kjo është zonë me risk të lartë nga përmbytjet. Gatishmëria e hidrovorëve ka qenë e mirë për periudhën Janar-Tetor 2021. Është përballuar rënia e reshjeve si dhe ujërat e përditshme që dalin nga qyteti i Vlorës”, tha në përgjigje të interesit të shprehur nga Porta Vendore, Bashkia Vlorë.

Bashkia Vlorë ka hartuar Planin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile ku përfshihen rreziqet e mundshme që kanë prekur ose mund të prekin Bashkinë Vlorë.

Ndërkohë në periudhën janar-shtator 2021 është bërë i mundur pastrimi i kanaleve të parë dhe kanaleve kryesore ujitëse, pastrimi i kanaleve kulluese të II dhe të III  dhe kanaleve të tjera.

Burimi: Bashkia Vlorë.