11 dhjetor 2021/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Tiranë
Bashkia e Tiranës ka mbledhur afro 7 milionë euro, në dy vite, nga tarifat e parkimit, por parkingjet aktuale kritikohen si nga grupet e interesit, ashtu edhe nga ekspertët, të cilët shprehen se strategjia për to nuk është kryer nga ekspertë të fushës. Ndërkohë, njëzëri nё shumicё kerkojnё më shumë parkingje dhe me standard europian.
Tirana ka njohur së fundmi një trafik edhe më të rënduar, se të gjitha qytetet e tjera të vendit, kjo pasi çdo ditë qarkullojnë rreth 120 mijë automjete. Në kryeqytet janë 4,974 vendparkime të ndara në 3395 vende parkime me pagesë (69%) , dhe 1579 vende parkime të lira pa pagesë (31%). Këto vende parkimi janë të administruara nga Tirana Parking, një kompani e cila është hapur në Nëntor të vitit 2015, me vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, dhe është në varësi të Bashkisë Tiranë. Sipas Vendimit Bashkiak Tiranë nr. 49, i datës 11.11.2015 (VKB) kompania “Tirana Parking” ka në administrimin e saj 70% të vendparkimeve publike me pagesë, ndërsa 30% e vendeve të parkimeve duhet të jenë falas.
Që prej vitit të parë kur u themelua kompania, numri i vendeve të parkingut të lirë publik filloi në rënie çdo vit, sepse menjëherë vizat me ngjyrë të bardhë ku tregonin se aty mund të parkohej pa pagesë, u zëvendësuan me vizat ngjyrë blu, ku tashmë drejtuesit e makinave duhej të paguanin një tarifë për çdo orë që qëndronin aty.
Aktualisht nё zonat si: “Myslym Shyri”, “Bulevardi Zogu i Parë”, “Rruga Bardhyl” , “Komuna e Parisit” , “Stacioni i Trenit”, “Rruga e Dibrës”, “Rruga e Kavajës”, “Rruga e Durrësit”, “Mine Peza” etj, është hequr parkingu i makinave, dhe disa nga rrugët janë kthyer në korsi biçiklete duke shkaktuar jo pak shqetësim të shoqërive të ndryshme si taksi apo dhe biznese.
Jo pak, por 870 milionë lekë ka mbledhur Bashkia e Tiranës nga tarifat e parkimit me pagesë përgjatë dy viteve të fundit, 2019 dhe 2020. Konkretisht gjatë vitit 2019 Bashkia e Tiranës mblodhi gjithsej 469, 401,688 lekë të ardhura, ndërsa përgjatë vitit 2020 mblodhi 400,015,660 lekë. Eglantina Zere drejtoreshë e përgjithshme e Administrimit dhe Shërbimit të parkimit me pagesë në Bashkinë e Tiranës, bën të ditur për Portën Vendore se Tirana është e ndarë në 3 zona, me një numër të konsiderueshëm parkingjesh me pagesë, dhe 3 zona të tjera me 10 sheshparkime të mëdha mbi, dhe nëntokësor, ndërkohë që po punohet për ndërtimin e një tjetër sheshpushimi të ri në zonën e kopshtit Zoologjik.
“Tirana parking është institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës për administrimin e Shërbimit të parkimit publik me dhe pa pagesë, mbi dhe nën tonë. Parkimet publike me pagesë që Tirana parking menaxhon klasifikohen parkim publik në Rrugë, i ndarë në tre zona administrative parkimi”, bën të ditur drejtoresha e Tirana Parking, zonja Zere. Ajo vë në duke se në tre zonat e ndara në Tiranë, A, B, dhe C, janë në total 64 rrugë, me 2043 vende parkimi me pagesë, 1459 parkime të lira dhe 95 parkime për PAK. E thënë ndryshe rezulton se nga 3597 vendparkime, 56% janë me pagesë, 40% janë pa pagesë dhe 4% për persona me aftësi të kufizuara. Po ashtu, në këto 3 zona janë 10 shesh parkime, 1352 vende me pagesë dhe 25 vende për PAK, ku vihet re se përqindja e vendeve për PAK është e papërfillshme.
Bazuar në vendimin e nr.158 të Këshillit Bashkiak të Tiranës, të miratuar më 26 dhjetor 2019, saktësohet se të ardhurat e gjeneruara nga Tirana Parking kalojnë 100% për Bashkinë e Tiranës dhe investohen në bazë të planeve strategjike që harton bashkia çdo vit.
Nisur nga kjo, bashkia e Tiranës ka planifikuar ndërtimin e një tjetër sheshpushimi që do t’i vijë në ndihmë jo vetëm vizitorëve të kopshtit Zoologjik, që pritet të përfundojë së shpejt,i por edhe banorëve të zonës përreth.
Bashkia thotë se po punohet edhe për ofrimin e shërbimeve të parkimit për rezidentët në 31 blloqe banimi në Tiranë, ku aktualisht është duke u punuar në vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale.
Duken të largëta kohërat kur parkimet në Tiranë ziheshin nga karrige të vjetra e blloqe betoni, por edhe tani vijojë në raste sporadike. Lidhur me këtë drejtoresha e Tirana parking thotë se bashkëpunohet ngushtë me policinë bashkiake, e cila merr masat për çdo zaptues të paligjshëm.
“Tirana parking si institucioni që administron parkimet publike ka si detyrë funksionale monitorimin dhe konstatimin e këtyre rasteve në rrugët kryesore të destinuara për parkim publik me ose pa pagesë, dhe më pas bashkëpunon me policinë bashkiake për marrjen e masave në rast të zënies së hapësirave publike”, thotë ajo.
Eksperti rrugor: Të hiqen parkimet për rezidentët, të ulen çmimet për parkimet
Eksperti rrugor, Arben Luzi ngre disa shqetësime lidhur me situatën e parkimeve në Tiranë dhe kërkon me këmbëngulje heqjen e parkimeve për rezidentët, pasi vështirësojnë jetën e qytetarëve. Ai thotë se parkimet në Tiranë janë hartuar nga njerëz jo kompetentë, që nuk kanë marrë në konsideratë as sigurinë rrugore.
“Për shembull një qytetar i Tiranës që jeton në Shkozë nuk mund të parkojë në Laprakë. Qoftë edhe me 1 mijë lekë, nuk ka të drejtë të parkojë se është për rezidentët. Parkimet rezidenciale janë turp. Do të shkosh për vizitë te motra apo të vëllai, ke frikë se s’ke ku të lesh makinën sepse janë për rezidentët, dhe të vjen policia bashkiake e të pret gjobën. Kjo është për turp dhe jam shumë i irrituar me këtë situatë. Rezidentët ta kenë parkimin pas orës 4, por deri në atë orë parkimi të jetë i lirë për njerëzit që vijnë dhe punojnë, ose për ata që duan të bëjnë një pazar, të mbarojnë një punë”, thotë eksperti.
Shqetësimi tjetër që ngre zoti Luzi është edhe mungesa e sinjalistikës, si dhe vendosja e parkimeve në kryqëzime duke u kthyer në burime aksidentesh.
“Problem i madh janë parkimet përballë kryqëzimeve që bëhen pengesë për përdoruesit e rrugës që hyjnë e dalin nëpër kryqëzime e nuk shikojnë. Ato janë premisë për aksidente. Problemi i parë është që nuk ka sinjalizime të plota për parkimet. Parkimet po ndërtohen pa kriter. Pa dalin disa taksistë që vënë një tabelë natën si hajdutë dhe bllokojnë rrugën dhe nuk lejohet për automjetet. Këto nuk janë të aprovuar nga bashkia sepse s’ka mundësi që në çdo 50 metra të ketë 4 taksi aty”, thotë eksperti rrugor për Portën Vendore. Ai e cilëson të gabuar rolin e policisë bashkiake që vendosin gjoba, në vend që të kujdesen për rregullimin e sinjalistikës në rrugët e lagjeve. Ai gjithashtu e cilëson mjaft të shtrenjtë pagesën prej 100 lekë ora të parkimit në Tiranë. “Për mua është shumë e shtrenjtë. 8 orë 8 mijë lekë është shumë. Kur 16 mijë lekë merr tërë ditën, i bie që gjysmën e rrogës ta lësh për parkim. Nuk e përballon dot pagesën. Çdo institucion të rezervojë vendin e tij dhe të paguajё një tarifë në bashki, por jo çdo punonjës të paguajё 8 mijë lekë dita. Nëse nuk e paguan këtë 100 lekësh të vjen bashkia të vë gjobë 3 mijë lekë të reja. Kjo është një zhvatje që i bëhet njeriut”, thotë eksperti rrugor, i cili problematike sheh edhe parkimet dyshe nëpër lagje, si dhe tabelat që vendosin kompanitë e ndërtimit të një pallati me sinjalizime rrugore të parregullta, duke i kthyer lagjet në geto.
PAK: Parkimet problematike për ne
Suela Lala e fondacionit “Së Bashku”, e pyetur për situatën e parkimeve në kryeqytet, listoi një sërë problematikash.
Ka një rregullore të vitit 2008 në lidhje me parkimin, për shfrytëzimit të hapësirave të parkimit për personat me aftësi të kufizuar. Në rregullore thuhet se 5% e vendeve të parkimit, si psh tek sheshi Skëndërbej, ose në të gjitha parkimet e tjera, duhet të jenë edhe hapësira të rezervuara për persona me aftësi të kufizuar.
“Mjafton të bësh një vëzhgim në sheshin Skëndërbej që ka 200 vende , duhet të kishte 5% të vendeve të rezervuara dhe nuk është praktikisht. E njëjta gjë ndodh edhe në parkime të tjera. Ne shohim parkingje të tjera në anë të rrugës ku ka me dhjetëra raste, mjaft një vëzhgim i thjeshtë, nuk ka asnjë vend të rezervuar për personat me aftësi të kufizuar. Problematikë tjetër është fakti se nuk janë të vijëzuara teknikisht mirë këto pak vende që janë, në respektim të rregullores për shfrytëzimin e hapësirave për PAK”, thotë Lala.
Procedurat që ndjekin persona më aftësi të kufizuar është burokratike dhe e tejzgjatur, pasi ata çdo vit aplikojnë në Bashkinë Tiranë për autorizim, dhe kjo është vetëm për rezidentët. “Ne duhet të marrim një autorizim një herë në vit, por e gjitha kjo ka kosto. Ne çojmë dokumentet në bashki, dhe mbi të gjitha duan dokumente të noterizuara, çka kushtojnë. E gjitha kjo nuk duhet të ishte kështu, për sa kohë që ne e kemi të dëshmuar faktin e aftësisë së kufizuar nga shërbimi social shtetërore, dhe mendojmë se duhet të mjaftonte kjo dëshmi për aplikimin në vendet e rezervuara të parkimit, e jo të kalonim të gjithë angarinë e vendeve të parkimit çdo vit në Bashkinë Tiranë, e cila ka kosto dhe do kohë. Problematikë tjetër është fakti se mënyra se si është organizuar parkimi, mund të aplikojnë vetëm persona që janë rezidentë në Tiranë, ndërkohë që e gjithë bota e ka që kushdo që është i pajisur me dokumentin e paaftësisë mund të parkojë në një qytet tjetër. Kjo në Tiranë duhet të zgjidhet me shërbim social shtetërore në një mënyrë që ta rregullojë këtë”, thotë drejtuesja e Fondacionit “Së Bashku” , Suela Lala.
Ndërkohë që nga vëzhgimi që Porta Vendore kreu në kryeqytet, në fasha të ndryshme orari, vuri re se shpesh parkimet e dedikuara pёr personat me aftësi të kufizuar zihen nga persona të tjera, pra edhe ato pak vende që janë të rezervuara për ta.
Haxhimali: Duhen shtuar parkingjet në Tiranë përmes një strategjie të mirëmenduar
Kryetar i Shoqatës së bashkive Agron Haxhimali, ndryshe nga eksperti i sigurisë rrugore, mendon se në Tiranë duhet shtuar numri i parkingjeve, përmes një strategjie të mirë-menduar. Kjo për faktin se kërkesa është shumë më e lartë se numri i parkimeve që ofrohet aktualisht.
“Sigurimi i parkimeve të makinave duhet të lidhet me rrjedhën e ardhshme të trafikut të rrugëve që do të bartin trafikun në qytet qendër ose qytezë. Siç theksova me sipër ka një raport jo të drejtë ndërmjet asaj që ofrohet, pra parkingjeve bashkiake dhe kërkesës për parkime. Patjetër që duhet të shtohen, dhe kjo kërkon një strategji të qartë. Pra të ndërtohen parkingje në të gjitha zonat nga drejtimet hyrëse në qendër. Tendenca sot është ndërtimi i parkingjeve që bëjnë të mundur rritjen e numrit të makinave që mund të parkohen në qendër të qytetit, pa shkaktuar mbingarkesë. Si çdo kryeqendër urbane edhe Tirana nuk do t’i shpëtonte problemeve me rritjen e numrit të mjeteve motorike. Ndaj bashkia ka përgjegjësi dhe detyre të gjejë zgjidhje për të sistemuar këtë problem. Me gjithë përpjekjet për ta menaxhuar dhe ndërtimi i parkingjeve aktual,e sërish problemi mbetet i pazgjidhur”, thotë zoti Haxhimali për Portën Vendore.
Ai thekson se në Tiranë vijojnë të mbeten problem parkingjet në akset rrugore, si dhe ato në lagje, pasi në shumicën e rasteve krijojnë problem, bllokim, bëhen burim konfliktesh pasi zënë hapësirat e përbashkëta dhe për rrjedhojë krijojnë trafik në çdo segment. Ashtu sikurse eksperti rrugor Arben Luzi, edhe kreu i shoqatës së bashkive zoti Haxhimali thotë se çmimi i parkimeve 100 lekë ora në Tiranë është i shtrenjtë. “Tirana është e shtrenjtë edhe parkingjet po ashtu. 100 lekë ora parkim në rrugë nuk është pagesë e vogël, duke marrë në konsideratë nivelin ekonomik, dhe përditshmërinë e lëvizjes”, shprehet ai. Sipas Haxhimalit trafiku në Tiranë është një ndër problemet kryesore të jetës së përditshme. “Nuk mjafton kaq sa është bërë, duhet shumë më shumë. Trafiku nuk rregullohet vetëm me parkingje , kërkon edhe sistemin mobiliteti urban më efikas. Kërkon infrastrukturë dhe rruge të reja të zgjeruara që mesa duket në Tiranë mbetet një sfidë e pariparueshme”, thekson ai.