Vëzhgim/Analizë

Monumentet e Kulturës drejt zhdukjes, ekspertët hedhin dyshime mbi institucionet

8 dhjetor  2021/ Saide Malaj/ Porta Vendore/ Tiranë

Historia duket se po rishkruhet, në Shqipëri nuk ka aksione për gërmime e nxjerrjen e qytetërimeve të vjetra nga nëntoka. Ndёrkohё Monumentet ekzistuese tё Kulturës po përballen me shkatërrimin më të egër, që as në periudhën e komunizmit nuk ndodhi. Ekspertët shprehen të indinjuar mbi harresën që i janë nënshtruar këto institucione.

Mbi 100 monumente prej atyre që janë të regjistruara në listën e inventarit të Pasurive Kulturore rezultojnë të zhdukura. Kjo është shifra që ka deklaruar vetë ish-Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, gjatë promovimit të kursit për trajnimin në trashëgiminë kulturore në vitin 2017. Por kësaj liste i janë shtuar edhe 35 objektet të tjera që kanë pasur statusin e monumentit të kulturës, por tani nuk janë më.

Vetëm kryeqyteti numëron 260 monumente kulture, ku gjysma e tyre janë vila dhe banesa private, shumë prej të cilave janë drejt degradimit total, e pjesa tjetër më keq akoma, të shembura. Më shembjen e këtyre vilave varroset një pjesë e Tiranës së vjetër, por makineria e ndërtimit tashmë nuk di të ndalet.

Porta Vendore e ka raportuar në vijimësi masakrën që po ndodh me qiellgërvishtësit në Tiranë.

‘Citizens Urban Stories’, i financuar nga LevizAlbania, ka publikuar një raport të zgjeruar ku ngre problematikat që po hasin këto vepra arkitekturore, historike e kulturore, shqetësim i cili është publikuar dhe më herët nga Porta Vendore.

“Në fondin total të objekteve me status ‘monument kulture’ në qarkun e Tiranës, janë evidentuar që 35 që nuk ekzistojnë më. Nga ky fond total prej 260 objektesh të evidentuar në fillim të këtij projekti, 123 prej tyre janë të tipit vilë/banesë tradicionale, duke përbërë mbi 50% të numrit total të monumenteve të kulturës të gjendur në qytetin e Tiranës.”, thuhet në raport .

Në përfundim të projektit gjetjet ishin tronditëse sa i takon monumenteve. Ndër 60 godina me statusin Monument Kulture apo mbrojtje paraprake të marra në vëzhgim nga Citizens Urban Stories rezulton se 50% janë në gjendje të: Braktisur (11) / Pjesërisht jashtë funksioni/ (10) Shembur (9)/. Një pjesë e madhe e 30 objekteve të klasifikuara me statusin: “Në funksion”, kanë kushte fizike jo të mira duke rrezikuar degradimin në kategoritë e mësipërme nëse mungojnë ndërhyrjet e menjëhershme.

Por degradimi i objekteve shihet të jetë shkaku kryesor i heqjes së statusit në tërësinë e vendimeve të Ministrisë së Kulturës që Citizens Urban Stories disponon. Nga ana tjetër, dëshmitë e pronarëve e arsyetojnë degradimin e objektit si pasojë e mungesës së mbështetjes dhe paligjshmërisë së ndërhyrjeve për mirëmbajtjen e objekteve në mbrojtje. Ndërkohë procedura për ruajtjen e monumentit njeh një sërë pengesash proceduriale-burokratike institucionale, ku vihet re se për të hequr objektet nga lista e ‘Monumenteve të Kulturës’ procedura është më e lehtësuar, me vetëm dy hapa administrativë ndërsa ndërhyrjet në to, duan një kohë shumë herë më të gjatë.

Një Déjà vu e njëjtë po i vjen rrotull Sarajeve të Toptanëve në Tiranë, e po aq të riskuar sa vilat e përmendura më sipër. Mesnatën e 16 gushtit 2021, Sarajet ranë pre e një dëshire ‘të marrë’ për të djegur dhe zhuritur në këtë formë historinë që daton prej 1833-1840 vite kur u ndërtuan Sarajet, për t’i lënë vend kurorëzimit ose shpalljes Monument Kulture më datë 10/06/1973. Zjarri i është vendosur me lëndë djegëse duke spërkatur të gjithë strukturat e drurit. Ka qenë fillimisht një biznes privat që ka parë fatmirësisht flakët, duke lajmëruar zjarrfikësen, fatmirësisht nuk pati dëme të parikuperueshme.

Kjo pronë me vlerë të lartë historike është një aset i çmuar për kryeqytetin, por ka problematika sa i takon çështjes së pronësisë. Janë në total 18 pronarë që pretendojnë të drejtën e pronësisë së kësaj godine, të cilët enden dyerve të gjykatës për ndarjen e kësaj dhe pronave të tjera që disponojnë.

Vjollca Shkreli është bashkëshortja e Vildan Shkrelit, i biri dhe pasardhës i Lejla Frashëri dhe nipi i Zija Toptanit. Shkreli, si një ndër bashkëpronaret e Sarajeve të Tiranës ka deklaruar për Portën Vendore se dora që ka tentuar të djegё pronën është e pronarëve të tjerë.

“Burri im është trashëgimtar i Zija Toptanit. Kemi 15 vjet që jemi në gjykatë. Ne i disponojmë të gjitha. E kanë vënë qëllimisht zjarrin trashëgimtarët e Zija Toptanit. Kini kujdes sepse do digjet edhe muzeu etnografik. I vunë zjarr për të ndërtuar pallate. Ne jemi në një konflikt me njëri-tjetrin me Rajmond Toptanin, që babai i tij ka lindur këtu dhe çuditërisht nuk do ta marrim. Kam dyshime, e kanë bërë trashëgimtarët e Zija Toptani me atë të Kosovave, nuk është dorë e shtetit”, tha Vjollca Shkreli .

Por kjo përplasje mes “titanësh” që ka ngrirë për vite me radhë këtë perlë në mes të Tiranës ka nxitur reagimin e Kryetarit të Baskisë së Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit bëri të mundur kalimin në pronësi të bashkisë të këtij monumenti kulturor. Për ngjarjen në fjalë reagoi gjithashtu edhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti. Ministrja deklaron se rasti është kallëzuar në polici dhe mbështet nismën e kryebashkiakut Veliaj për ta shndërruar godinën në muze.

Aktivisti Ervin Goci ka ngritur disa pikëpyetje mbi këtë kalim të Sarajeve të Toptanëve nga Ministria e Kulturës drejt Bashkisë, duke e analizuar në të dyja versionet se edhe nëse do e manaxhojë si Monument Kulture, me cilat resurse do e mirëmbajë, dhe në rastin më të keq në kthimin e zonës në kantier ndërtimi sipas tij Bashkia është përball një shkelje flagrante të ligjit.

Kalimi i vlerave historike Bashkisë së Tiranës, sipas aktivistit Goci, është një akt pa një precedent të ngjashëm jashtë kufinjve të Shqipërisë.

“Po flasim për një monument të braktisur, për të cilën ka interesa miliardash dhe ka centimetra në shpinë të monumentit, ndërkohë janë mbyllur pazaret për kullat. Problemi i monumentit është se ka muret, ka historinë, po nuk ka truallin, sepse hapësira përreth është shesh ndërtimi. Në legjislacionin shqiptar, një truall është monument derisa ka monumentin sipër, pa monumentin, ai kthehet në shesh ndërtimi. Kalimi i Teatrit Kombëtar të Bashkia, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, është shpallur anti-kushtetues. E zëmë se është e ligjshme, ka resurse Bashkia për të menaxhuar një vlerë të tillë? Po nëse monumenti dëmtohet, me cilat fonde do ta rikuperojë? Nuk di vend të botës që monumentet të jenë në pronësi të plotë të pushtetit lokal, di gjë ka skema menaxhimi, po jo pronësi, sepse një institucion lokal nuk mundet të menaxhojë një vlerë kombëtare, që i përket të gjithë shqiptarëve, dhe jashtë Shqipërisë” shprehet Ervin Goci për Porta Vendore.

Por pavarësisht pluhurit të kohës dhe duke marrë shkas nga fati që kanë pasur monumentet e kulturës në pozicionet strategjike, Ervin Goci shprehet se e vetmja zgjidhje e situatës mbetet në duart e organeve të drejtësisë. Sipas tij, SPAK është institucioni që duhet të kanalizojë drejt lidhjet dhe hetimet.

Sarajet e Tiranës kanë një stil mjaft të veçantë. Arkitektja Doriana Musai sqaron se banesat e tjera të asaj periudhe kanë të njëjtën teknikё ndërtimi në pamje të parë, por nuk kanë dekoret dhe punimet e drurit në tavane dhe dysheme. Sarajet sipas ekspertes dallojnë për nga dekori dhe hapësirat e mëdha të paracaktuara për 2 familje.

“Ndërtuar në gjysmën e parë të shek. të XIX, kjo ndёrtesё paraqet fazën më të zhvilluar të banesës tiranase, ajo ka planimetri katërkëndëshe të rregullt dykatëshe. Në fazën e parë ka qenë me çardak e hajat në ballin kryesore. Dhoma e zjarrit është bërthama e mjediseve përqark saj. Në katin e parë janë ambientet ndihmëse ndërsa në katin e dytë, ambientet e ndenjes dhe anekset e shërbimit, shkallët që ndërlidhin katet janë druri. Muret e saj kanë trashësi 60-70 cm me qerpiç dhe lidhen me llaç balte përzierë me kashtë. Themelet ndërtohen me gurë lumi e lidhen me llaç balte. I takon banesave të mbyllura të shtresës së pasur feudale duke përfaqësuar njëkohësisht një pjesë të rëndësishme të komunitetit tiranas, të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm në themelimin e shtetit shqiptar. Ndërtesa pothuajse 200 vjeçare, ka dëshmuar ngjarje historike të shtetit shqiptar. Legata e parë amerikane ka gjetur strehë në këtë banesë përgjatë viteve 20. Më pas një sërë institucionesh janë themeluar në këtë banesë, si Biblioteka Kombëtare, dhe më pas Instituti i Monumenteve të Kulturës ‘Gani Strazimiri’. E shpronësuar përgjatë diktaturës, godina dhe prona i janë rikthyer pronarëve pas vitit 2001, duke mbajtur që nga viti 1973 statusin monument kulture i kategorisë së parë, shprehet Arkitektja Doriana Musai.

Përpos gjithë vlerave që mbart, fati i Sarajeve të Toptanëve nuk dihet e ndoshta koha do të tregoje. Por pavarësisht se aktivistët janë të ndryshëm, në një pikë bashkohen që me këtë monument kulture të kategorisë së parë po përdoret e njëjti skenar si me Teatrin Kombëtar. Aktivisti Martin Gjonaj shprehet për Porta Vendore ,se mbi këtë parcelë po mendohet të ngrihet një kullë 45 kate.

“Tashmë nuk është e re që në truallin e Sarajeve është planifikuar të ngrihet një kullë 45 katëshe, kjo si pjesë e planit të ndërtimit të kompleksit të kullave në truallin e Teatrit Kombëtar, që përfshinin edhe parcelën e kësaj godine, si edhe të godinave të tjera të zonës. Duke qenë se Godina është monument Kulture, Kategori e Parë, e shpallur me vendimin 1883 të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës më 10 qershor 1973, pra e mbrojtur, shembja e saj ishte ligjërisht e pamundur. Skema fillestare ishte që Sarajet të shpronësoheshin me pretekstin e bërjes muze. Në një hap të dytë do ta tjetërsonin pronën, tashmë të bërë publike, në favor të ndërtuesit privat”, tha ai për Portën Vendore.

Heqja e statusit monument i mbrojtur

Heqja e statusit ligjor ‘monument kulture’ bëhet me urdhër nga Ministri të Kulturës, ndërsa vendimi merret nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. Vendimi shoqërohet me relacion teknik, i cili përshkruan gjendjen e objektit dhe arsyet shkencore se përse objekti konsiderohet se ka humbur vlerat për tu cilësuar ‘monument kulture’. Është Instituti Kombëtar i Trashëgimisë, i cili ia përcjell Ministrit të Kulturës, vendimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, bashkë me relacionin teknik. Me pas Ministri i Kulturës,  nxjerr urdhër për heqjen e statusit të mbrojtjes ligjore, atë të ‘monumentit të kulturës’.

Vendimi i qeverisë i datës 3 tetor 2018 “Për Deklarimin e Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës”, i hap sërish rrugë ndërtimeve të reja në kryeqytet.

Kjo është harta e re, e cila krahasuar me vitet e kaluara tregon se një sërë godinash që ruajnë ende vlera historike si: Muzeu Kombëtar; Zona rreth Pallatit të Kulturës; Parqet e gropës së Hajdin Sejdisë; Parqet para Parlamentit; Vilat e bllokut nga Lana deri te Instituti i Arteve; Zona e Gardës; Parku mbrapa Korpusit qendror të Universitetit; Zona rreth Sheratonit; Fusha pas Kryeministrisë; Vilat nga Piramida deri te Stadiumi dhe Zona e gjelbër përgjatë Lanës deri te Rruga e Elbasanit, tashmë janë pa imunitet dhe jashtë kufirit të mbrojtjes. Qendra e Tiranës po tkurret çdo ditë pavarësisht se është shpallur ‘Ansambël Monumental Historik’.

Gjergj Frashëri, historian dhe arkeolog, që në fillim të viteve ’70, është marrë krahas të tjerave edhe me historinë, mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve të kulturës së kryeqytetit tonë. ‘‘Doja të theksoja mendimin tim, edhe pse kjo nuk do iu pëlqejë modernistëve të sotëm, porse deri në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar është bërë shumë në gjurmimin, studimin, vlerësimin, shpalljen ligjore dhe restaurimin e monumenteve të kulturës së kryeqytetit. Por kjo nuk ka ndodhur më vonë, përkundrazi. Gjatë këtyre tre dekadave të fundit, sipas meje si arkeolog dhe restaurator i monumenteve të kulturës është bërë shumë pak, pavarësisht se jemi përpjekur të ndihmojmë me mendimet dhe vërejtjet tona. Madje është bërë mjerisht shumë më pak në krahasim me atë që kemi kërkuar dhe shpresuar”, shprehet Frashëri për Portën Vendore.

Gjergj Frashëri, i njohur gjerësisht në fushën e tij, nuk mund të mos shprehë shqetësimin që ndjen lidhur me monumentet e kategorisë së parë të cilat rezultojnë në rrezik në kryeqytet. Ai madje shprehet kundër ndarjes së monumente të kategorisë së parë dhe të kategorisë së dytë, pasi sipas Prof. Frashërit kjo përbën një klasifikim (koncept) jo vetëm të pasaktë, por edhe të dëmshëm në veprimtarinë për ruajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve të kulturës, njëlloj edhe për mjediset arkeologjike. “Një objekt ndërtimor, arkitektonik, arkeologjik, etj. zgjidhet dhe shpallet monument kulture, si edhe vihet në ruajtje dhe në mbrojtje të shtetit, për vlerat dokumentare historiko-kulturore që mbart, të cilat i përcakton një institucion i specializuar. Kur shpallet ‘monument kulture‘ një objekt i trashëgimisë kulturore, ai shpallet i tillë, pasi vërtetohet shkencërisht se ai përbën një dëshmi dokumentare origjinale (të papërsëritshme) që ilustron një aspekt karakteristik të historisë kulturore të vendit. Po ashtu, kur shpallet monument kulture një banesë e një qytetari, ajo shpallet e tillë si dokument autentik historik (i papërsëritshëm, i pazëvendësueshëm) që tregon (dëshmon, ilustron), se si banori i atij vendi jetonte në krahinën apo qytetin apo fshatin e tij në një kohë të caktuar, pikërisht atëherë kur është datuar banesa, e kështu me radhë”, shprehet ai.

Të gjithë monumentet e kulturës të shpallura kanë një rëndësi dokumentare të pakrahasueshme më njëra-tjetrën dhe nuk mund të kategorizohen për nga vlera dhe rëndësia e tyre historike, sepse secili monument kulture ka pavarësinë dhe rëndësinë e vet dokumentare. Secili prej tyre, sipas ekspertëve, duhet të ruhet si dokument historik, për vlerat historiko-kulturore që është shpallur i tillë.

Lidhur me shembujt konkretë, se si monumentet kulturore në kryeqytet janë transformuar gjatë kësaj kohe, Frashëri tregon eksperiencën e tij për Kalanë e Tiranës, duke e shprehur hapur qëndrimin e tij kundra lokaleve e restoranteve që sot mbart në brendësi të saj ky monument i rrallë historik, e jo vetëm.

Le të marrim Kështjellën e Tiranës. Në vitin 2007-2008 studioja ime në Gjermani kreu sondazhe arkeologjike dhe punime gjurmimi brenda dhe jashtë kështjellës me shpenzimet e veta. Përgatiti edhe një projekt për restaurimin dhe kthimin në zonë muze me qëllime përdorimi për nevoja turistike të kështjellës dhe veprave arkitekturore që ruhen në brendinë e saj urbane. Prej kësaj pune, doli se Kështjella e Tiranës i kishte të gjitha burimet dokumentare për t’u bërë (kthyer) vetë në dokument-muze të historisë së kryeqytetit prej shek. 17 deri më sot. Projekti u aprovua në parim në Ministrinë e Kulturës. Madje u paraqit edhe në Bashkinë e Tiranës. Fatkeqësisht, interesat e ngushta të privatizimit të saj u mbivendosën mbi vlerat historike-kulturore-turistike të monumentit. Administrata në këtë vend jeton ende në fazën, se shitja e një qofteje sjell më shumë fitim se një biletë muzeu profesional mbi të vërtetën historike të një kryeqyteti. Kështjella e Tiranës përfundoi si shembulli i Kalasë së Petrelës, e cila ishte kthyer më parë pa pikë respekti e qytetarie në Qofteri (praktikë kjo, të cilën e kam kritikuar rëndë në mediet tona). Në vend të sjellim vlerat turistike kulturore mbi historinë e Tiranës, ne demonstrojmë gjeste antituristike përpara vizitorëve të çfarëdo niveli vendas dhe të huaj, shfaqje të mendësisë së pakualifikuar qytetare”, thotë arkeologu dhe profesori Gjergj Frashëri.

Atë vlerë që kanë muret rrethuese fortifikuese të Kështjellës së Tiranës e kanë edhe objektet që ndodhen në brendinë urbane të saj, sepse përbëjnë një unitet funksional urban, arkitektonik dhe arkeologjik qysh në kohën e ndërtimit të tyre dhe deri në ditët e sotme. Sipas ekspertit Frasheri, nuk mund të quhen muret rrethuese të një kështjelle të kategorisë së parë, ndërsa mjedisi urban brenda i tyre i kategorisë së dytë, siç ka ndodhur në shumë raste në vitet e fundit … “Brendia urbane e kështjellës, si pjesë e pandashme e dokumentit historik duhej të konsiderohej monument kulture. Ajo duhej të zbulohej nga pikëpamja arkeologjike, të konservohej dhe restaurohej substanca historike e zbuluar dhe brendia e kështjellës të kthehej në mjedis muzeor; përveçse duhej të publikoheshin edhe rezultatet e gjurmimeve historike, që qytetarët të mësojnë rreth historisë së qytetit të tyre. Pra këtu ka dy kategorizime, dy diferencime –njëra për muret rrethuese të kështjellës që ruhen, tjetra për brendinë urbane të kështjellës që është transformuar duke dhunuar vlerat historike të monumentit – pra të Kështjellës së Tiranës si dokument historik“, shton më tej Frashëri.

Shembuj të tjerë ka sa të duam, thekson arkeologu i njohur duke u ndalur në fakt tek ajo që ndodhi me Hotel Dajtin. Ky objekt ishte shpallur dhe mbrohej si ndërtesë historike, si monument kulture. Si e tillë kjo ndërtesë duhej të ruhej për të tёre vlerat që ajo mbarte si monument kulture. “Së pari, të mbrohej e pandryshuar dhe të restaurohej sipas kritereve dhe Rregullores së Restaurimit të Monumenteve të Republikës, pra si njësi, si një hallkë domethënëse me funksionin dhe arkitekturën e sajnë bashkësinë (kompleksin)urbanistik themelues të Tiranës evropiane (Bulevardit‘Dëshmorët e Kombit‘); së dyti, atëherë kur të paraqitej nevoja, të restaurohej e gjithë vlera arkitektonike e jashtme dhe e brendisë së ndërtesës me funksionin e saj origjinal si hotel, përfshirë këtu pajisjet e brendshme statike të ndërtesës dhe mobilierinë origjinale të hotelit, duke ia theksuar ndërtesës substancën (konsistencën) arkitektonike dhe funksionin origjinal si hotel; së treti, të mbronte vlerën historike të Hotel Dajtit si dëshmitare e ngjarjeve dhe e personaliteteve që e kishin vizituar atë gjatë historisë së kryeqytetit, duke ia paraqitur atë simbolikisht vizitorit dhe qytetarit të Tiranës në një muze në ambientet e hotelit. Por rezultati ishte se Hotel Dajti u shpall një ditë, pa kurrfarë kuptimi monument kulture i kategorisë së dytë dhe tashmë, kur të mbarojnë punimet e transformimit të kësaj ndërtese, ndërtesa në fjalë nuk do të ketë më memorie nga ajo që ka qenë – pra nuk do të jetë më monument kulture. Loja me kategorizime monumentesh kulture është shpikur, u intereson dhe mbahet gjallë vetëm nga instancat e pushtetit, sepse për ne specialistët e fushës përbëjnë armë për vrasje apo plagosje për vdekje monumentesh kulture”, argumenton profesori Frashëri për Portën Vendore.

“Mjafton t’i hedhësh një sy shifrave të dhëna nga INSTAT që të shihet do të thosha “energjia e papërmbajtshme e ndërtimeve të reja në kryeqytet” që nuk po ndalet, një pjesë e mirë e të cilave kanë goditur për vdekje zemrën historike të kryeqytetit, duke filluar nga Kështjella e Tiranës dhe deri tek “vdekja klinike urbanistike dhe arkitektonike e Kullës së Sahatit, nga zhdukja e Teatrit Kombëtar dhe deri tek ndërtimi i ‘Qendrës Toptani’–Piazza mbi themelet urbane të qytetit të Tiranës, e shumë të tjera –madje kur mëson nga këto statistika, se vetëm përgjatë vitit 2020 janë miratuar 961 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, ndërsa vetëm në tremujorin e parë 2021 janë miratuar gjithsej 251 leje ndërtimi, etj. Të them të drejtën me ardhjen e Bashkisë-Veliaj pata besim në deklaratat e tij premtuese-paravotuese, se ai do t’i kufizonte apo do t’i ndalonte ndërtimet e reja në kryeqytet si të panevojshme, por ndodhi e kundërta, i hodhi më shumë karburant makinave për ndërtime të reja”, vijon Frashëri për Portën Vendore.

Tirana ka gati katër shekuj që është themeluar si qytet nga Sulejman Bargjini, në vitin 1614, me ndërtimin prej tij të ansamblit urban të Kullies së Xhamisë së Vjetër, aty ku sot gjendet Monumenti i Partizanit të Panjohur. Çfarë ka mbetur sot nga dëshmitë e Tiranës si qytet i zhvilluar në shek. 18–20? Pothuajse asgjë nga qendra e vjetër historike. As gjurmë të Pazarit të Vjetër në vendin ku ndodhet sot Pallati Kulturës, as prej “Rrugës së Barrikadave” – dëshmi kjo e urbanizimit qytetërues para themelimit të saj si kryeqytet më 1920. Nuk kanë mbetur as edhe ndërtesat e shek. 17, të cilat u zhdukën përfundimisht pa kërkime arkeologjike dhe dokumentacion, aty ku sot është ngritur Pallati Piazza apo Qendra e Dyqaneve “Toptani”, apo përgjatë “Rrugës së Postës” deri te “Sheshi Avni Rustemi”, etj.

Frasheri shprehet se sot po i jepet goditja e fundit edhe atyre pak dëshmive që kanë mbetur si Sarajet e Rrugës Abdi Toptani dhe ai brenda Kështjellës së Tiranës (për ironi të fatit, të dyja ish-Ndërtesa të vetë Institutit të Monumenteve të Kulturës). E gjitha kjo sipas arkeologut dhe historianit Gjergj Frashëri nuk do të ndodhte po të ishte i interesuar pushteti. “Mua më duket, se pushteti i epokës 7501 në Shqipëri, kërkon të privatizojë tokën e këtij vendi, e cila dikur ishte pronë private (para 1944) dhe më pas u deklarua shtetërore (deri më 1991). Tani po privatizohet përsëri në duart e një pakice njerëzish, të cilët nuk e kanë pasur kurrë më parë. Ajo që mua m’ë dhëmb në këtë mes nuk është rezultati, se kush po e përfiton këtë pasuri kombëtare, në xhepin e kujt privati shkon, por shkatërrimi i pasurisë historike kombëtare”, përfundon ai për Portën Vendore.