6 dhjetor 2021/ Ahmet Zani/ Porta Vendore/ Krujë
Fushë-Kruja, një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, mbetet ende në pritje të rindërtimit edhe pse në dy vite, afatet kanë ndryshuar sipas premtimeve të qeverisë. Ndërsa ata shpresojnë se do të përfitojnë një strehë për të mos kaluar një dimër të tretë në çadra e kontejnerë, autoritetet lokale shprehen se shpërndarja do të nisë shumë shpejt, por jo për të gjithë, por për disa prej tyre.
Më 25 korrik 2020, në një nga inspektimet e para në terren nga Kryeministri Edi Rama me ministrin e asaj kohe dhe zëvendëskryeministrin aktual, Arben Ahmetaj, kryebashkiaku Artur Bushi u zotua se gjithçka do të ishte gati shtatorin e ardhshëm (2021), duke ndarë kështu edhe shifrat e atyre strukturave që priteshin të ndërtoheshin në zonën e Bubqit. “Do ndërtohen 45 apartamente në 7 pallate dhe 132 vileta. Plotësohen 45% të nevojave që ka njësia administrative për ndërtim, pasi numri i përgjithshëm është 300. Përveç kësaj ka dhe shërbime publike moderne. Kemi shkollë, qendër shëndetësore, posta, një zyrë për shërbimet policore, një treg të vogël brenda zonës së banimit”, tha Bushi.
Por teksa projekti merrte jetë, pallatet mbeten po 7 të tilla, por shtëpitë individuale thuajse u përgjysmuan, ku nga 132 që premtoi kryebashkiaku ato u tkurrën në 78 të tilla.
Puna për rindërtimin në zonën e Bubqit nisi në fund të vitit 2020. E megjithatë për përfundimin e procesit dhe marrjen e apartamenteve nga ana e familjeve që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, pati një sërë premtimesh të njëpasnjëshme.
Kryeministri Rama inspektoi sërish zonën në ditët e para të janarit të vitit 2021 dhe u shpreh se shtëpitë individuale janë parashikuar të mbarojnë brenda një periudhe 6-mujore. Por në maj 2021, pas një inspektimi tjetër, zyrtarët e lartë të shtetit, e shtynë afatin dhe me disa ditë të tjera. Duke thënë se: “Për banesat individuale kemi rreth 40-50 ditë punë, ndërsa pallatet dorëzohen në 25 qershor. Cilësia e punimeve është super”, u shpreh ministri Ahmetaj.
Ndërkohë që i gjithë procesi u zvarrit më pas, pasi sërish banesat dhe apartamentet nuk ishin gati. Kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit në tetor 2021, tha se brenda muajit nëntor, 200 familje do të akomodohen brenda shtëpive në Bubq të Fushë Krujës. “Duhet ta kopsisim mirë, të jetë diçka e kuadruar nga A-ja tek Zh-ja. Pastaj mirëmbajtja është më e kollajshme”, u shpreh ai.
Ndërsa Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj tha se brenda shtatori të vitit 2022 do të jetë përfunduar procesi i rindërtimit në të gjithë vendin. Por pas shumë premtimesh që hedhin poshtë njëri-tjetrin, si është situata aktuale?!
Në Bashkinë e Krujës janë në proces tre site ndërtimi që përfshijnë 443 apartamente dhe 360 shtëpi individuale. Sipas bashkisë, procesi i rindërtimit ka përfunduar tanimë në Bubq dhe Thumanë, ndërsa ai vijon ende në Fushë- Krujë.
Konkretisht; në Fushë-Krujë janë 120 apartamente dhe 124 njësi individuale; në Thumanë, 278 apartamente dhe 158 njësi individuale dhe në Bubq, 7 pallate me 45 apartamente dhe 78 njësi individuale.
Sipas informacioneve nga Bashkia Krujë, në total janë prekur 5133 familje, ose 1/3 e familjeve që ka Bashkia Krujë. “Procesi i rindërtimit ka qenë i ndarë me faza: faza e parë ka qenë bonusi i qirasë dhe aktualisht janë 1700 familje që marrin bonos qiraje. Familjet me nivel dëmi nga DS1 në DS3 kanë marrë dëmshpërblim në para, kurse sa i përket rindërtimit, është në fazë përfundimtare në Fushë- Krujë, Thumanë dhe Bubq. Këtë muaj hidhet shorti i banesave për apartamente dhe shtëpitë individuale dhe familjet do të mësojnë vendin se ku do të strehohen”, thotë Drini Masha, zëdhënës në Bashkinë Krujë, duke vënë në pah se procesi i rindërtimit nuk përfundon me këtë lot, pasi do të ndërtohen edhe 5 pallate të reja. “Në Krujë jemi në proces të shpronësimit për interes publik të banesave që do të prishen, pasi bie Plani i rindërtimit dhe janë 5 pallate”, tha ai për Portën Vendore.
Bubqi, rindërtimi dhe nevojat reale
Bubqi është një nga zonat e prekura, që pas tërmetit po ndryshon fytyrën e tij, duke iu nënshtruar rishtas procesit të rindërtimit. Në këtë zonë është ndërtuar një lagje e re me 7 pallate 3-katëshe, ose me 45 apartamente në total. Po ashtu, kjo lagje rezidencë ka në brendësi të saj edhe 78 njësi individuale. Sipas planit të ndërtimit, shumica e apartamenteve janë 2+1, ndërsa pjesa tjetër 3+1 dhe 1+1. Banesat individuale janë me sistem kapotë për eficiencë energjie. Kjo zonë do të mbajë gjithashtu edhe gjelbërim dhe ambiente të përbashkëta.
Në Njësinë Administrative Bubq, nga ku do të nisë procesi i shortit sipas numrit të familjarëve, do të marrin shtëpi në total 123 familje, të cilat janë të ndara në hapësira nga 1+1 deri në 3+1.
Por procesi i rindërtimit në këtë zonë ka dy anët e tij të medaljes. Nga njëra anë ata që gëzojnë dhe presin të marrin banesat e reja në lagjen rezidenciale, dhe nga ana tjetër ata që nuk kanë ende një përgjigje se kur do të mund të jetojnë sërish normal.
Lagje e Mazhës së Madhe në Bubq, që pas 26 nëntorit banorët ngelen në çadra dhe kontejnerë
Porta Vendore ndërmori një vëzhgim në këtë zonë, e cilësuar si më problematiket e Krujës, ku konstatoi se nuk ka një shifër ekzakte nga Bashkia Krujë, apo administratori i zonës sa i takon familjeve që jetojnë në çadra aktualisht, në kontejner apo edhe në shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i 2 viteve më parë. Nga hulumtimi i kryer në terren është e pamundur që të bësh një bilanc, pasi Bubqi ka një sërë fshatrat të dëmtuar nga tërmeti si Tarina, Mallkuçi, Bilai, Budulla, Mazha e Madhe, Mazha e Vogël etj, e ku shumica prej tyre janë në zona të thella. Megjithatë Porta Vendore gjeti në disa prej fshatrave, familje që e kanë për të tretin vit radhazi që jetojnë në çadra, me sytë nga qielli duke shpresuar që viti tjetër nuk do t’i gjejë më në këto kushte.
Rap Hoxha, 83 vjeçari nga fshati Mazhë e Madhe tregon për gjendjen e tij, se pas rënies së tërmetit është strehuar tek motra në fshatin fqinj. Institucioni i bashkisë nuk mori masa në strehimin e kësaj familje. Ai tregon se është pesimist sa i takon procesit të ndarjes së banesave, pasi të përfundojë rindërtimi. “Më ka thënë motra rri sa të duash në shtëpinë time, po është shtëpia e vet, ajo ka çuna të martuar, goca të martuara, e ka shtëpinë e vet. Unë jam duke mbushur dy vjet dhe s’po di a ma japin, a s’ma japin, mirë se jam duke pritur prapë. Kur vjen puna për të ndarë shtëpitë i ndajnë me hile. Mua me lanë pa gjë, u mbaruan thanë, unë tani ku do banoj, në shtëpi të huaj jam. Më kanë thënë për 1 vit, po bëhen dy vite edhe akoma pa shtëpi”, shprehet i zhgënjyer ai. Pretendimet e Hoxhës kanë të bëjmë me ndërhyrjet në komisionet e ndarjes së banesave, dhe i frikësohet një fenomeni të tillë. Ai shton se afatet e përfundimit të banesave në Bubq janë tejkaluar, sikurse dhe shkolla në këtë fshat, madje nga këto burokraci nxënësit vijojnë mësimin në Fushë-Krujë.
Por situata duket më e vështirë për gratë, pasi atyre i duhet të gatuajnë, të lajnë e të shpëlajnë në kushte mbijetese. Çadra është bërë banesa e dytë për shumë familje. E tillë është situata edhe për 75-vjeçaren Rabije Zela nga Mazha e Madhe. Ajo rrëfen për Portën Vendore se prej afro një vit ka qëndruar në çadër, e më pas grupi i vullnetarëve, mundësoi për familjen me 5 anëtarë një kontejner. Sipas saj, bonusi i qirasë nuk u del për të marrë shtëpi në qytet, pasi atje nuk kanë me ç’të jetojnë dhe u duhet të kujdesen për tokën që të ushqehen. Në çadër gatuajnë, në një kasolle pranë kanë grumbulluar sendet e shtëpisë, ndërsa kontejneri shërben si dhomë gjumi. “Ne jemi tre vetë këtu, gjendje shumë e vështirë, s’kemi ku të lajmë. Po ra shi do na pikojnë çadrat. Unë për shtëpi kam aplikuar që të ndërtohet këtu, nuk luaj vendit. Unë jam e vendosur këtu, në tokën time jam. Shkuam dje të merrnim bonusin s’kishte ardhur. Ku të fitojmë, shkojnë punojnë çunat, kam pensionin tim, ja marrim edhe atë bonusin, s’kemi si t’ia bëjmë ndryshe. Për dimër, ja nëpër këto çadra, në kontejnerë, kështu do vërtitemi. Shiu ka rënë brenda në çadër”.
Ajo dhe familja e saj, ashtu sikurse dhe shumë familje të tjera pretendojnë të rindërtohen banesat aty ku dhe ndodhen pronat. Kjo është dëshira e tyre, ngaqë me bagëtitë dhe tokën bujqësore sigurojnë të ardhura. Tre djemtë e saj janë të papunë ose sigurojnë ndonjë pune periodike, me pak të ardhura.
Halil Zela është një tjetër banor që jeton me bashkëshorten në çadër dhe që bonusin e qirasë e përdorin vetëm për të jetuar. Ai thotë se tashmë u mësuan me të tilla kushte, ndërsa veç bonusit, qeveria as nuk ka menduar dhe as mendon për vështirësitë që përjetojnë këta banorë. “Qysh sa ka ardhur çadra kam ndenjur këtu, jo se s’më kanë dhënë bonusin, por sepse kam dashur të punoj e të ushqehem këtu. Tërmeti e ka shkatërruar krejt. Banesat janë ndërtuar po se kur do përfundojmë, s’e dimë akoma. Këtu në çadër kam televizorin, frigoriferin”, tregon Zela për Portën Vendore. Ai dëshmon se ende shpërndahen kontejnerë në zonën ku ai banon, por mesa duket s’i ka ardhur ende radha. “Dy kontejnerë kanë sjellë në këtë lagje. Nuk e di a do më sjellin një mua, po dëshirë të madhe kam po e sollën, mirëpo shto s’kemi çfarë të bëjmë”, tha ai për Portën Vendore.
Në kontejner ndodhet edhe një familje me trinjakë. Ata nuk pranojnë të flasin, duke u shprehur se një nga prindërit po mjekohej nga Covid 19, por këtyre anëve gjen edhe shumë familje të tjera, të cilat janë publikuar në media, ndërkohë që rrëfejnë se meqë nuk kanë përfituar asgjë nga këto dalje, u druhen publikimeve tanimë.
Kurse, Fatushe Masha, 68-vjeçarja nga Mazha e Vogël, jeton në kasollen e gomarit të rregulluar pas dëmtimit të banesës. Ajo jeton me nipin e saj. Djali ka humbur jetën disa vite më parë dhe është nipi i cili ka qëndruar pranë të moshuarës, e cila vuan nga disa sëmundje dhe mjekohet me një sërë medikamentesh.E moshuara dhe shumë si ajo janë të painformuar se si do veprohet me procesin e rindërtimin të banesave, nëse do të largohen në zonën, ku po ndërtohen pallate dhe shtëpitë e banimit apo do të ndërtohen shtëpitë e shpallura DS4 e DS5 në vendet në të cilat janë. Fatushe Masha nuk është dakord të largohet nga shtëpia, duke menduar se të ardhurat e vetme i vijnë nga bujqësia dhe blegtoria.
Familja e Ymer Demës, i është rikthyer banesës së dëmtuar, ngaqë çadra është shkatërruar. E zonja e shtëpisë, Flora tregon se bashkëshorti i saj është me aftësi të kufiuzuara dhe vetëm dy djemtë sigurojnë ndonjë të ardhur për familjen nga punët në bujqësi. Ajo apelon që rasti i gjendjes së kushteve në familjen e saj si dhe bashkëshortit me probleme shëndetësore të ndihmohet nga institucionet. Ajo që bie në sy, është fakti se edhe kjo familje është e painformuar për shtëpitë e banimit se si do përfitojnë, ku dhe kur, janë këto pikëpyetjet që kanë tanimë prej 2 vitesh.
Këto janë disa nga faktet dhe dëshmitë e banorëve të cilët përjetojnë kushte vërtetë të vështira, teksa vihet re një mungesë serioziteti nga ana e institucioneve në vëmendjen e atyre njerëzve të cilët kanë humbur banesat dhe presin rindërtimin e tyre. Janë familje që nuk kanë asnjë përgatitje për të kaluar një dimër tjetër në çadra dhe kushtet ku jetojnë janë vërtetë të vështira, teksa ironikisht duket se edhe ata vetë e kanë pranuar këtë lloj jetese.
Aktivistët, skeptikë për rindërtimin: Ja parregullsitë e procesit
Prej 3 vitesh aktivisti dhe gazetari Aulon Kalaja ka ndihmuar komunitetin me gjërat bazike që të mund të rimëkëmben pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. “Në zonën e Bubqit ka rreth 270 shtëpi të ndërtuara nga tërmeti, këtë shifër e konfirmoj pasi vetë kam qëndruar në terren me qendrën vullnetare ku ne kemi shërbyer. Është një nga zonat më të rrënuara dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë. Në Bubq ka pasur dëme kolosale. Edhe pse është 3 km nga aeroporti i Rinasit dhe shumë afër kryeqytetit, është një nga zonat më të varfra të Shqipërisë, me fshatrat shumë të thella me shkolla të rrënuara dhe me njerëz që jetojnë akoma në çadër. Pra në rast se ju kërkoni njerëz që jetojnë nëpër çadra këta i gjen më së shumti në fshatrat e Bubqit. Ku them fshatrat e Bubqit kam parasysh, Tarinën, Mallkuçin, Bilain, Budullën Mazhën ë Madhe Mazhën e Vogël. Përsa i përket këtyre shtëpive të ndërtuara nuk është ecur në këtë proces. Vetëm 4, 5 familje janë futur nëpër shtëpi, por edhe këto shtëpi janë ndërtuar si pasojë jo e tërmetit të 26 nëntorit, por si pasojë e tërmetit të shtatorit të 2019. Procesi i ndërtimit po ecën me hapat e breshkës. Kur kemi parasysh që po jetojmë në një kohë pandemie dhe njerëzve u kërkohet distancimi fizik, ka njerëz që jetojnë akoma në çadër”, tha aktivisti Aulon Kalaja për Portën Vendore.
Por ajo që ka ndodhur në Bubq ka ndodhur edhe në zona e qytete të tjera të vendit. Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 banesat, apartamentet dhe pallatet e dëmtuar iu nënshtruan një sërë ekspertizash, ku nuk munguan edhe rastet që shkalla e dëmtimit rivlerësohej për më shumë, ose për më pak. “Fillimisht qeveria kishte deklaruar shumë banesa të dëmtuara për të rritur pritshmërinë dhe për të marrë fonde nga konferenca që u zhvillua në Evropë për të ndihmuar shtëpitë nga tërmeti pra duke rritur shifrat në mënyrë fiktive dhe më vonë kur u morën paratë, aq sa u morën 2-3 miliardë euro ajo filloi duke shkuar tek qytetarët duke bërë një selektim tjetër kjo është për tu ndërtuar kjo s’është. U bë një krehje e dytë e terrenit dhe u deklaruan më pak shtëpi. Ky proces për mendimin tim do të kërkonte me shumë transparencë dhe natyrisht që organet ligj zbatuese në Shqipëri do të kishin bërë mirë që ta hetonin më mirë këtë çështje dhe si janë ndarë paratë e tërmetit në Shqipëri sepse ka shumë gropa e gjithë kjo histori”, u shpreh Kalaja.
Në zona rurale dhe më të vogla, aktivisti Kalaja shprehet se nuk kanë munguar edhe rastet e selektimit politik për të klasifikuar banesën e dëmtuar, për tu ndihmuar me bonus qiraje ose më keq akoma për të marrë dëmshpërblimin për rikonstruksionin e shtëpisë, më shpejt se komshiu, i cili mund ta ketë më emergjente se ai që e përfiton në fakt. “Ka filluar dimri, shirat, reshjet e dëborës po vijnë dhe ajo që duam është që njerëzit mos të ndodhen më nëpër çadra. Pasi shohim që është bërë një ndarje militanteske që do të thotë se je i majtë dhe do marrësh shtëpi ndërsa ti që je i djathtë ti s’do marrësh shtëpi apo një bonus qiraje”, përfundon aktivisti Aulon Kalaja.
Element shqetësues për situatën mbetet fakti se banorët mbetet në terr informativ për banesat e tyre, mënyrën si do përfitohen, apo ku dhe kur. Janë mjaft elementët që rëndojnë në komunitetin e zonave të dëmtuara nga tërmeti që kërkojnë informacione të plota, pasi prej kohësh tanimë po zvarriten mes shpresave të cunguara dhe heshtjes institucionale.