Vëzhgim/Analizë

Bizneset vuajnë për punonjës! Ekspertët: Të rrisin pagat dhe vlerësimin e tyre

30 nëntor 2021/ Eliza Gjediku/ Porta Vendore/ Tiranë

“Kërkohen punëtor”, ky është njoftimi që shikon më së shumti nëpër dyqanet e kryeqytetit prej muajsh. Një nga pasojat e para të pandemisë tek bizneset, pas humbjeve të mëdha financiare ishte mungesa e punonjësve, pasi i kishin larguar ato nga puna në vitin e kaluar. Tashmë thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë kërkojnë punonjës, por punonjës nuk ka.

Prej javësh kërkojmë punëtor dhe nuk gjejmë dot. Kërkoj kamerier dhe pa eksperiencë, paga shkon deri 30 mijë lekë, por s’ka”, shprehet një biznes në rrugën e Dibrës.

Shoqata e ndërtuesve thotë se mungesa e punonjësve në sektor është tepër e lartë për disa faktorë. “Sipas informacioneve që kam vërehet mungesë fuqie punëtore, sidomos specialistë, në sektorin e ndërtimit. Kjo për disa arsye: Emigrimi apo qëndrimi përkohshëm i një pjese të specialistëve për të punuar jashtë Shqipërisë. Hapje e shumë kantiereve njëkohësisht (ndikoi procesi rindërtimit)”, thotë Arben Dervishi nga Shoqata e Ndërtuesve.

Nëse në vitin e vështirë të pandemisë deri në fund të dhjetorit ishin vetëm 485 biznese që ishin të regjistruara pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, për të kërkuar punonjës, sot kjo shifër thuajse është 5-fishuar.

Në një përgjigje zyrtare për Portën Vendore, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, thotë se numri i bizneseve që kërkojnë punonjës vetëm në Tiranë, për periudhën janar-gusht është 1.756. “Numri total i punëdhënësve që rezultojnë të regjistruar dhe kërkojnë punonjës gjatë Janar-Dhjetor 2020  në Zyrën e Punës  Tiranë është 485  subjekte, prej tyre janë shpallur 4158 vende të lira pune. Ndërsa në  Janar –Gusht 2021  rezultojnë të regjistruar  dhe që kërkojnë punonjës 1756 subjekte prej tyre janë shpallur 3632 vende të lira pune”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

Sektorët që kërkojnë më shumë punonjës sipas të dhënave zyrtare janë tre, ku në krye është sektori i tregtisë me shumicë e pakicë. “Sektorët  ku bizneset kanë shpallur më shumë vende të lira pune janë: 33% Tregtia me shumicë dhe me pakicë; Riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, 13 % Industria përpunuese dhe 12%  Akomodimi dhe shërbimi ushqimor. Në industrinë përpunuese rezultojnë të regjistruar 5,247 subjekte, prej tyre 541 subjekte kanë shpallur vende të lira pune. Në sektorin e Akomodimit dhe shërbimi ushqimor rezultojnë te regjistruara 6,052 subjekte prej tyre 338 subjekte  kanë shpallur vende të lira pune”, kështu përgjigjet Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.

Një nga sektorët që e ngriti i pari problemin e mungesës së punonjësve ishte sektori i manifakturës, ku nga shoqata ProExport Albania u tha se duheshin mbi 10 mijë punonjës.

Për Portën Vendore, administratori i një fasonerie në kryeqytet tregon se mungesa për staf është për të gjitha stadet, nga sanitaret deri tek makinistët profesioniste. Elton Koçi thotë se një situatë të tillë nuk e kishte përjetuar që nga viti 2012 kur ka nisur edhe aktivitetin e tij në këtë fushë.

“Po përballemi gjithmonë e më shumë me mungesë punonjësish ne si sektor që zëmë një vend goxha të rëndësishëm në punësimin në rang vendi, por mungesë ka pothuaj çdo sektor i ekonomisë. Absurdi shkon deri aty, ku kemi mallin gjendje dhe ngel për transport pasi ka kamionë por s’ka shoferë”, shprehet Koçi teksa thotë se mungesa e punonjësve po ul edhe produktivitetin e tyre.

Foto “Bulevardi i Ri”
Foto biznesi pranë stadiumit “Air Albania”
Foto “Fast Food në Qytet Studenti”

Sektori tjetër që po përjeton një krizë për punonjës është edhe transporti publik, i cili ka pezulluar në datë 18 aktivitetin me kapacitet të plotë, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Sipas informacioneve të marra pranë Shoqatës së Transportit Urban në Tiranë, bëhet e ditur se ju mungojnë minimalisht njё mijë punonjës.

Rikthimi në aktivitet të plotë pas karantinës 3 mujore në vitin 2020, nuk i ka kthyer në punë punonjësit e larguar nga sektori i bareve dhe restoranteve. Enri Jahaj, kryetar i shoqatës së bareve e krahason situatën me krizën e viteve ’70 në Itali.

“Kemi një mungesë shumë të madhe punonjësish si rrjedhojë e ikjes se çdo personeli të kualifikuar sadopak si kamarier, banakier, ndihmëskuzhinier, kuzhinier, shef kuzhine apo sanitare. Ky eksod mund të shihet si eksodi i madh i italianëve në vitet 70 ku shkuan punuan për 20 vite, e më pas kuptuan që nuk kishte sens dhe u kthyen ne vendin e tyre”, shprehet Jahaj për Portën Vendore.

Këtij fenomeni post-COVID nuk i ka shpëtuar as ndërtimi, sektori i turizmit apo bujqësia. Të tre sektorë me peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit e kanë të vështirë të gjejnë punonjës të kualifikuar dhe jo vetëm, dhe shkak sipas tyre është bërë largimi masiv i shqiptarëve nga vendi.

Kjo situatë e krijuar , thotë Erald Pashaj, studiues i tregut të punës, në dukje flet për një krizë punësimi, por në fakt është zhvillimi i vendit, dhe ka të bëjë me uljen e papunësisë. “Tani kemi arritur në pikën që papunësia të ulet dhe ky fenomen që po ndodh ku i madh e i vogël thotë kudo që nuk po gjenden punonjës është një nga hallkat e para të zhvillimit të tregut të punës. Duket si diçka e tmerrshme por nuk është aspak e tillë, nëse e shikojmë si punëdhënës duket e vështirë pasi para disa vitesh ata e kishin shumë kollaj që fasoneritë të dilnin tek dera e ndërmarrjes dhe njerëzit ishin në radhë para tyre. Kjo nuk ishte shenjë e mirë”, shprehet Erald Pashaj.

Aktualisht shkalla e papunësisë në shkallë vendi është në nivelin e 11.6%, ndërsa në fund të vitit të kaluar ishte 11.8%. Shkalla e papunësisë në Shqipërisë ka pësuar rënie në raport më 5 vite më parë kur në fund të 2016, ishte në nivelin e 14.2%.

Burimi: INSTAT

Ekspertët: Biznesi ‘lëngon’ për punonjës, por nuk i paguan!

Sipas statistikave më të fundit të publikuara nga Kombet e Bashkuara nëpërmjet Departamentit të Punës, gjatë vitit të kaluar, 12% e totalit të të punësuarve në vendin tonë morën paga nën 5 dollarë në ditë. Nën-vlerësimi i punonjëseve financiarisht është edhe problemi kryesor që ngrenë ekspertët për këtë fenomen, ku biznesi nuk gjen dot punonjës.

Klaudio Puhala, një i ri i diplomuar dhe në kontakt të vazhdueshëm me trajnimin e të rinjve, si dhe aktivist i shoqërisë civile, tha për Portën Vendore se shumë të rinj e kanë të pamundur të kalojnë muajin për shkak të kostove të larta dhe pagave të ulta. “Ka shumë të rinj e të reja që pavarësisht se mund të kenë një punë të mirë në profesion, mezi arrijnë të mbyllin muajin. Kjo për faktin se jetesa në Shqipëri po bëhet e papërballueshme në raport me rrogat. Nëse një i ri, i punësuar në profesion, që mund të ketë një rroge mesatare rreth 500 mije lekë të vjetra në muaj, që do duhet të paguaje qiranë e shtëpisë në kryeqytet minimalisht janë 150 mije lekë të vjetra garsoniere, si dhe po ky i ri do duhet të paguajë dritat dhe ujin me çmim në rritje, koston e ushqimit që sa vjen dhe rritet”, shprehet Klaudio Puhala.

Ndërsa eksperti i këshillimit të karrierës dhe çështjeve të punësimit Erion Muça thotë se përpos pagës së ulët, punëdhënësit tregojnë mungesë vlerësimi ndaj punonjësve. “Qytetarët refuzojnë të punojnë sepse ajo që marrin në këmbim është shumë më pak se ajo që ofrojnë, e më pak akoma nga ajo që duhet konform standardeve normale e komode të jetesës. Ata nuk pranojnë më mos-vlerësimin, mungesën e motivimit apo trajtimin shpërfillës dhe përbuzës të punëdhënësit”, shprehet Erion Muça, ekspert për çështjet e punësimit dhe këshillimit të karrierës.

Mbështetës i tezës së tij që mungesa e punonjësve lidhet më shumë me zhvillimin e tregut, Pashaj thotë se një situatë e tillë do të rrisë pagat pasi punonjësit do të arrijё t’i fitojë ai që paguan më shumë. “Do t’i sigurojë ai që i paguan më mirë, i trajton dhe trajnon më mirë dhe ai që ju ofron kushte më të mira pune. Pra do të ketë një konkurrencë në treg, se kush të marri punëtorët më të mirë, ai që do i paguaj më shumë”, përgjigjet Erald Pashaj.

Ndërkohë sipas INSTAT paga mesatare në tremujorin e dytë arriti në 56.710 lekë duke u rritur me 4.7% krahasuar me të njëjtin tremujorin të vitit të kaluar.

Burimi: INSTAT

Por edhe pse prej disa tremujorësh raportohet për rritje të pagave në vend, po sipas të dhënave të INSTAT, 33.5% e të punësuarve në vend vlerësohen me pagë minimale, që prej 1 janarit të këtij viti është 30 mijë lekë.

Ndërkohë në 20 shtator 2021, në një vrojtim me 1088 familje pjesëmarrëse të kryer nga Banka e Shqipërisë është dalë në konkluzionin që 19% e tyre kanë blerë produkte, për të cilat nuk kanë paguar ende. Nga ana tjetër 9% e familjeve të pyetura thonë se kanë të ardhura deri në 17 mijë lekë, ndërsa 45% e familjeve të tjera thonë se të ardhurat e tyre janë midis 17-50 mijë lekësh.

Raporti tjetër për nivelin e ulët ekonomik të shqiptarëve vjen nga Banka Botërore , e cila në një raport për situatën pas pandemisë, thotë se rreth 1/3 e popullsisë së vendit do të jetojë me 5.5 dollarë dita.

Shqipëria vendi i paradokseve, punonjës ka e biznesi nuk gjen!

Shqipëria padyshim mund të konsiderohet vend i paradokseve, pasi me mijëra punonjës kërkojnë punë dhe nga ana tjetër është biznesi që vuan për mungesë të fuqisë punëtore. Në të gjithë vendin sipas të dhënave të INSTAT janë regjistruar si punëkërkues në fund të qershorit 98.295 qytetarё, nga të cilët janë 22.693 punëkërkues të grupmoshës 15-29 vjeç.

Burimi: INSTAT

Eksperti për çështjet e punësimit, Erion Muça, thotë se kjo situatë është krijuar nga imazhi negativ që kanë dhënë kompanitë, duke mos i respektuar punonjësit. “Po ashtu shumë kompani dhe subjekte kanë një qasje aspak mikpritëse në trajtimin e punonjësve duke krijuar një imazh negativ në treg që nxit mos-aplikimin dhe mosinteresimin për të mos aplikuar në to. Ashtu sikundër nuk punojnë në profile apo pozicione që nuk garantojnë të ardhme profesionale dhe promovim në karrierë por vetëm shfrytëzim të resurseve e potencialit fizik, intelektual dhe profesional”, pohon pedagogu Muça.

I të njëjtit qëndrim është edhe Klaudio Puhala, i cili thotë se ka ardhur koha që bizneset të shërojnë plagët e vjetra, dhe të ndryshojnë pagat dhe vlerësimin për punonjësit. “Realisht duhet të ketë politika dhe programe efektive dhe që kanë në fokus të rinjtë dhe zgjidhjen e ‘plagës së vjetër’ të shoqërisë dhe rinisë, atë të punësimit. Nuk duhen politika dhe programe thjesht sa për fasadë!”, pohon Klaudio Puhala.

Ndërsa për administratorin e fasonerisë, shqiptarët duan të punojnë pak dhe të fitojnë shumë. “Që pas viteve 90, në Shqipëri është krijuar kultura e të punuarit pak dhe të fituarit shumë, tendencё që shkon diametralisht kundër sektorit tonë në të cilin duhet të punosh shumë që të fitosh pak”, pohon Elton Koçi administratori i një fasonerie.

Por nga ana tjetër ka edhe të rinj që kërkojnë të punësohen dhe nuk arrijnë të gjejnë një pozicion të mirë. “Shkolla e lartë që është bërë deri diku mandator për çdo të ri nga familjarët e tyre, vetëm e vetëm për të pasur një diplomë, pavarësisht faktit nëse pas përfundimit të saj do të mund të gjejnë një punë. Ndikon po ashtu mungesa e studimit të tregut të punës dhe mosfunksionimi i zyrave të këshillimit të karrierës. Ka mungesë meritokracie në punësim, ёshtë një tjetër arsye se përse të rinjtë mbeten të papunë edhe pse pas përfundimit të studimeve me rezultate të larta dhe jo vetëm”, pohon Puhala që ka ndjekur vazhdimisht problematikat e të rinjve.

Ekspertët bien dakord se problemet me arsimin dhe mungesa e këshillimit të karrierës janё faktorë domethënës në ngërçin e tregut të punës, ku të rinjtë janë të papunë dhe biznesi nuk ushtron aktivitetin plotësisht për shkak të mungesës së stafit.