Vëzhgim/Analizë

Bashkitë “lëshojnë dorën” me lejet e ndërtimit, gati dyfishojnë numrin dhe sipërfaqen e dhënë

26 Nëntor 2021/ Aurora Sulçe / Porta Vendore

Nuk ka të ndalur vrulli në sektorin e ndërtimit! Përveç buxhetit të shtetit, të fokusuar tek projektet e infrastrukturës dhe Programit të Rindërtimit, bashkitë po tregohen shumë “dorëlëshuara” me lejet e ndërtimit për qëllime banimi dhe biznesi.

Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave konfirmojnë se numri i lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqja e dhënë për ndërtim nga pushteti vendor gati është dyfishuar. Në tremujorin e tretë të këtij viti janë miratuar gjithsej 442 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, duke gati dyfishuar numrin e lejeve tё miratuara nё tё njёjtin tremujor tё vitit 2020 (262 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2020). Në harkun kohor të një viti janë dhënë 180 leje më shumë ose një rritje prej 68.7 %.

Një rritje të ndjeshme ka pësuar edhe sipërfaqja e dhënë për ndërtim për ndërtesa të reja qytetarëve dhe kompanive të ndërtimit. Sipas INSTAT-it, në tremujorin e tretë të këtij viti  sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2021, është 564.266 m2  nga 397.947 m 2 miratuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bëhet fjalë për një rritje të ndjeshme prej 41.8 %.

Vlera totale e ndërtimeve të reja kap vlerën e 22.5 miliardë lekëve, nga 19.5 miliardë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Lezha për shkak të rindërtimit pas tërmetit, dhe Tirana si rrjedhojë e kërkesës në rritje, janë edhe qarqet me numrin më të lartë të lejeve. Dibra, Vlora dhe Gjirokastra kanë edhe numrin më të ulët të ndërtesave të reja. Për sa i përket tipologjisë, ndërtimet për banim zënë edhe numrin më të lartë të objekteve të pajisur me lej. Më pas renditen, rezidencat për komunitetet, hotelet, ndërtesat për zyra dhe ato industriale.

“Numri i lejeve të ndërtimit është në rritje të përshpejtuar në 5 vitet e fundit. Qartësisht shumë burime financiare po kanalizohen në sektorin e ndërtimit, ndonëse ky lloj fenomeni vёrehet kryesisht në Bashkinë Tiranë. Praktikisht, janë lejet e ndërtimit në këtë bashki që japin kontributin kryesor në terma historikë. Megjithatë në tremujorin e tretë të vitit 2021 rezultojnë në rritje edhe lejet e dhëna nga bashkitë e qarqeve Lezhë dhe Durrës (deri diku të lidhura me procesin e rindërtimit). Në Bashkinë Tiranë, kjo ofertë e shtuar për banesa duket se përballet me një kërkesë që rritet me ritme të përshpejtuara, duke mbajtur lart dhe në rritje çmimet për metër katror”, shprehet për Porta Vendore Merita Toska, eksperte për financat publike vendore.

 

Ndërtuesit argumentojnë se ka interes për të ndërtuar, por bashkitë janë të ngadalta në krijimin e kushteve dhe infrastrukturës sё nevojshme për zhvillimin e zonës, ku duhet bërë ndërtimi. Kjo bën që kompanive t’iu rriten kostot dhe në finale, të rriten edhe çmimet për qytetarët.

Ilir Hebovija, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve shprehet pёr Porten Vendore se :

“Dëshira për të ndërtuar, rritja e kërkesave shoqërohet me idenë që sa shumë po ndërtohet. Por duhet t’i kishim paraprirë me një farë infrastrukture asaj që do të ndërtohej. Në mënyrë që të ndërtonim aty ku duhej dhe ndërtimet të merrnin vlerë. Ne paguajmë qindra milionë euro në buxhetin e bashkive dhe qeverisë. Ajo cfarë marrim nga ky investim është shumë pak. Ne duhet të marrim zona infrastrukturore të zhvilluara, me qëllim që ndërtimi të ketë vlerë. Ndërtuesi nuk mund të ndërtojë aty ku nuk ka infrastrukturë. Ndërtuesi ndërton vetë rrugët, siguron ujin, energjinë, ndërkohë që këto duhet t’i siguronin entet përkatëse”

Ai shpjegon se pushteti vendor i përgjigjet me shumë vështirësi zhvillimeve ekonomike, ndaj dhe boom-i i lejeve ëhstë fokusuar vetëm në disa qarqe. “Tirana është shndërruar në një pol se vetë biznesi e ka zhvilluar kështu. Sot duhen pole të reja zhvillimi. Janë shumë qytete që duhet të zhvillohen, që kanë potenciale ekonomike dhe të ripopullohen, si Shkodra, Korca, Elbasani etj. Ndërtimet në këto zona janë të pakta. Por sapo fillon një zhvillim infrastrukturor në një zonë të caktuar, aty afrohet edhe ndërtimi”, shprehet Hebovija.

Duke komentuar çmimet në rritje të shitjes së apartamenteve dhe qerave, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve shpjegon se kjo nuk vjen vetëm nga kërkesa në rritje për ambiente nga qytetarët dhe biznesi, por edhe nga barra fiskale. Sipas tij, ndërtimi paguan sot taksa të larta dhe ka një barrë fiskale ndër më të lartat se sektorët e tjerë të ekonomisë, dhe krahasuar me vendet e rajonit. Ndërkohë që në këto të fundit zbatohen edhe skema mbështetëse, që në Shqipëri nuk aplikohen.