Ngjarje/Personazhe

Rindërtimi në Valias, dy vite pas tërmetit 2 pallate nga 21 të tillë kanë përfunduar dhe janë gati për dorëzim

24 nëntor 2021/ Marinela Dushi/ Porta Vendore/ Kamëz

Rindërtimi në Valias të Kamzës pritej të përfundonte në fillim të muajit dhjetor, por kjo do të arrihet vetëm për disa apartamente, dhe jo gjithë lagjen e planifikuar në këtë zonë. Banorët presin me shpresë për të hyrë në apartamentet e para, ndërkohë që shumë prej tyre janë skeptikë se Bashkia do i qëndrojë marrëveshjes me ta, pasi firmat e hedhura nuk janë të noterizuara.

Bashkia Kamëz pati dëmet e saj nga tërmeti tragjik i rreth dy viteve më parë, dhe u rendit si një nga 11 bashkitë që do të përfitonin nga grantet e rindërtimit. Në Kamëz u dëmtuan 2368 banesa nё total.

Nga 2,368 banesa tё dёmtuara, sipas tё dhёnave tё ofruara nga Bashkia pёr Portёn Vendore kemi:

  • 599 familje trajtohen me bonus qiraje
  • 17 familje kanё hyrё nё banesat e reja nga faza e parë e Programit të Rindërtimit
  • 45 familje që kanë zgjedhur të trajtohen me Grant Rindërtimi, janë dëmshpërblyer me të paktën 60% të vlerës
  • 1892 subjekte nё nivel dёmtimi DS1-DS3 janё shpёrblyer.

Priten ende :

  • 21 Pallate do tё ndёrtohen në lagjen e re të fshatit Valias me 270 Apartamente nё total, duke e dyfishuar numrin e pallatave tё dikurshme nё kёtё zonё.

Kjo është e vetmja zonë që po ndërtohet në Kamëz, pasi zonat e tjera kanë banesa individuale dhe po i rikontruktojnë sipas fondit që kanë përfituar nga shkalla e dëmtimit.

Në kuadër të procesit të rindërtimit, në datën 27 janar 2020 Këshilli Bashkiak miratoi vendimin e krijimit të një lagjeje në territorin e qytetit të Kamzës, nga bashkimi i Kamza 3 (tre), Valias i Ri, Valias dhe Laknas, me emërtesën “Lagje 1”.

Konkretisht, më 25 maj 2020, Komisioni Shtetëror i Rindërtimit ka marrë vendimin nr. 22, ku miratohet Valiasi si zonë e përshtatshme për zhvillim të detyruar, “Duke u quajtur një Zonë e Re për Zhvillim Territori prej 86,710m2, në këtë zonë do të kryhet ndërtimi i 270 njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për akomodimin e familjeve të dëmtuara nga tërmeti në territorin e bashkisë, rindërtimin e objekteve arsimore shkollë dhe kopsht, ndërtimin e një qendre administrative, për rehabilitimin e terreneve sportive dhe hapësirave publike”.

Pas shumë kontestimesh nga banorët, të cilët ndjeheshin të paqartë lidhur me planin e rindërtimit në këtë zonë dhe projektit konkret, 8 muaj më parë ata ia dorëzuan shtëpitë e tyre Bashkisë Kamëz, kryesisht pallate të ish minierës, dhe në këmbim firmosën në një copë letre pa noter për atë sipërfaqe që po i linin shtetit, ku në shumicën e rasteve ishte e palegalizuar. Porta Vendore ka publikuar një artikull shterues në gusht të 2020, ku zbuloi edhe faktin që teksa Bashkia Kamëz nuk kishte ende gati planin vendor, ndërmerrte hapa të mëtejshëm për procesin e rindërtimit në këtë zonë, në shkelje të ligjit. Nderkohe qe shume prej banoreve pretendonin qe pak ose aspak nuk ishin demtuar prej termetit

Kryetari i bashkisë Rakip Suli gjatë inspektimit të punimeve në 21 maj të 2021, ka thënë se pallatet do të jenë gati në fund të nëntorit apo në fillim të dhjetorit. Por siç duket nga ecuria në terren, agonia për mijëra familje do të zgjasë përtej fillimi të dhjetorit, pasi disa pallate janë akoma në ngritjen e themeleve. Për këtë arsye, Porta Vendore iu drejtua Bashkisë Kamëz me një kërkesë në lidhje me rindërtimin në Valias. “Në lidhje me rindërtimin e objekteve, ju bëjmë me dije se 115 objekte të fazës së parë të Rindërtimit në territorin e Bashkisë Kamëz janë drejt përfundimit, ndërkohë që familjet janë trajtuar me Grant Rindërtimi”, përfundon bashkia.

Valiasi në pritje të shtëpive të para

Porta Vendore udhëtoi ne datën 7 nëntor drejt kësaj zonë në Kamëz, për të parë nga afër se si po shkon procesi i ndërtimit të 21 pallateve në këtë zonë. Dyvjetori nga tërmeti tragjik, i gjen banorët e Valiasit mes shpresës dhe pasigurisë, nëse agonia e dhimbjes së tyre të shkaktuar nga dridhja e tokës, do të zgjatet akoma apo do të mbyllet me hyrjen e tyre në banesat e reja. “Të gjithë presim të futemi në shtëpitë e reja, por gjë me kontratë s’kemi firmosur, na kanë thënë që do na japin shtëpi, por s’e di sa do e mbajnë fjalën, jemi në ajër komplet deri sa të hyjnë në banesat tona”, kjo është fjalia e banorëve të Valiasit, të cilët megjithëse shtëpitë e tyre pak ose aspak u dëmtuan nga fatkeqësia natyrore e 26 nëntorit, sërish qeveria dhe bashkia mendoi që kjo zonë duhej t’i nënshtrohet procesit të rindërtimit.

Mëngjesin e 7 nëntorit, lagjja e re e Valiasit që po rindërtohej, dukej e zhurmshme. Në fillim të rrugës shikoje pallate 4-katëshe në ngjyrë të bardhë, nga të cilat vetёm dy prej tyre, brenda pak ditësh do të ishin gati për të hapur dyert për banorët e dëmtuar nga tërmeti. Ato do të jenë pallatet me apartamentet e para që do të dorëzohen, dhe që i përkasin kategorive 1+1, dhe 2+1. Punëtorët ishin duke i bërë detajet e fundit hyrjeve, kjo pasi edhe dritaret e dyert ishin vendosur. Punëtorët na treguan se ato do të jenë pallatet e para që do të shpërndahen në kuadër të rindërtimit nga kryeministri Edi Rama në datën 24 nëntor.

Më tej shikoje ekskavatorë, kamionë, tulla, grumbuj me rërë, betoniere, punëtorë që thërrisnin shoku-shokun. Procesi i rindërtimit vijonte për 19 pallatet e mbetur nga 21 të tilla. Këto pallate po ndërtohen nga kompani të ndryshme dhe janë ngritur për më pak se 8 muaj. Ndërsa themele të tjera priteshin të hapeshin pranë pusit gjigant të minierës, i cili i kishte detyruar inxhinierët që të devijon projektin për shkak të pranisë së këtij të fundit.

“Jam punëtor i njërës prej kompanive fituese dhe vetë jam i dëmtuar familjarisht nga tërmeti, por di të them që këto apartamente mesa shoh si supervizor deri nga marsi 2022 nuk përfundojnë, megjithëse fjalët janë thënë ndryshe. Uroj që Valiasi të bëhet më mirë, por kjo vlen për tu parë, pasi do të vijnë edhe të tjera familje të prekura nga tërmeti përveç banorëve të zonës këtu, megjithatë një lloj formaliteti do ta ketë zona gjithsesi. Sa për banesat, se si do të bëhet shpërndarja s’e dimë, por shpresojmë për më të mirën”, i tha ai Portës Vendore.

Më në brendësi të lagjes, shikoje dhe punëtorët të cilët po punonin në pallatet ku ishin akoma të ngritura skelat për t’i dhënë dorën e fundit me vendosjen e dyerve dhe dritareve. Në fakt rrëmuja mbizotëronte pasi ishim në një zonë kantieri. Përveç kësaj, Valiasi dukej si një zonë e braktisur nga banorët, ishin të paktë qytetarë që takonim rrugës. Ata ishin larguar në lagje të tjera ku kishin gjetur shtëpitë me qira, megjithëse shumica prej tyre shpreheshin të pakënaqur me shifrën e bonusit, pasi një pjesë të mirë ishin të detyruar ta paguanin vetë nga xhepi.

Duke mos humbur shpresën, vijuam rrugën në lagjen kantier. Rrugës takojmë një grua të moshuar, e thinjur por e qeshur dhe e dashur. Ajo na tregon se motra e saj ka jetuar në një nga pallatet të cilat u dëmtuan nga tërmeti.

Ajo na tregon se motra e saj ka marrë bonus dhe ishte e kënaqur që një pjesë e pallateve po përfundonin, dhe e motra do të mund të merrte së shpejti shtëpinë.

“Këtu ka qenë krejt rrënojë, miniera ishte e shkatërruar, me ferra krejt, vend e popull si e përdorim në të vjetrit. E për këtë është bërë një mrekulli e paparë, që të futen në pallate të reja, t’i gëzojnë këto kush do t’i marrë. Unë kam shtëpinë time, unë kam pronat e mia atje në fushë. Familjarët e mi janë prekur nga tërmeti, u janë prishur shtëpitë nga tërmeti dhe kanë marrë shtëpi me qira. Kanë marrë bonusin që sa dolën nga shtëpitë dhe presin të marrin shtëpi të re nga rindërtimi”, tha ajo për Portën Vendore. Zonja, e cila refuzoi të na tregonte emrin e saj, jetonte në një shtëpi private në atë zonë. Shtëpia e saj ishte dëmtuar shumë pak nga tërmeti, duke e cilësuar si të papërfillshme.

Por situata nuk shikohet me kaq entuziazëm dhe pozitivitet nga vetë banorët e tjerë që dorëzuan shtëpitë e tyre, vetëm duke firmosur ca copa letre, të panoterizuara nga bashkia dhe lanë gjithçka për t’i hapur rrugë procesit të rindërtimit në Valias. Disa janë të kënaqur me bonusin, disa të tjerë jo. Por shqetësimi i tyre i përbashkët është pasiguria dhe frika nëse do të marrin shtëpitë siç u është premtuar, dhe kur do t’u dorëzohen çelësat e apartamentit. Banori, i cili ka punuar në minierë që në moshë të vogël, tregon se bonusi i qirasë është i pamjaftueshëm.

Dashi, duke folur për Portën Vendore

“Unë jam një banor i Valiasit që kam punuar që 5 vjeç në minierë dhe nuk kam marrë, nuk kam përfituar asgjë për këtu në minierë që kam punuar. Kam pas zënë një ndërtesë këtu. Kjo ndërtesë u shemb dhe s’na kanë dhënë asnjë lloj letre. Jam vetë i tretë, mua me takon një apartament 2+1. Ato letrat që na ka kërkuar me i firmos, i kam bërë dhe ia kam dërguar bashkisë. Po që ta kemi bërë kështu me noter, jo s’e kemi bërë. Unë marr bonus 150 mijë lekë, por shtëpia bën 200 mijë, 50 mijë lekë i fus vetë nga xhepi”, thotë Dashi për Portën Vendore, duke thënë se e logjikshmja do të ishte që shtëpitë e para t’i shpërndaheshin pikërisht 280 familjeve që lanë banesat e tyre për të mos penguar procesin e rindërtimit, e më pas për të tjerë të dëmtuar të cilët do të vijnë nga çdo skaji i Shqipërisë.

“Populli i Valiasit ka qenë ndër të paktët besoj unë, që i lanë shtëpitë dhe ikën pa një letër, pa një kontratë, veç me fjalë goje. Pastaj të tjerët panë njëri-tjetrin dhe thanë meqë ikën familjet e para duhet të kenë ditur diçcka, hajde ikim edhe ne që të mos bëhemi pengesë për rindërtimin e lagjes”, tha ai i zhgënjyer, teksa ajo që e vret më shumë është fakti se familjet nuk do të marrin hapësirat që kanë pasur në banesat ekzistuese, por do të vlerësohet e gjitha në sajë të numrit për frymë të familjarëve, dhe kjo sipas tij është tejet e padrejtë.

Dashi tregon gjithashtu se këto pallate të cilët u ngritën në më pak se 8 muaj, janë punuar me cilësi, kjo pasi edhe ai vetë ka qenë pjesë e ndërtimit, duke punuar në një nga firmat që ka fituar tenderin.

Sotiri, një djalë i ri, i cili është banor i zonës, na rrëfen se po e monitoron nga afër procesin, ai shpjegon se janë 4 pjesëtarë në familje dhe meritojnë një shtëpi 100 metra katrorë, aq sa në fakt kanë dorëzuar, megjithëse frika e tij është se nuk do t’i japë kush.

“Duam djersën tonë, s’besoj se shteti do të na lërë në baltë, se pastaj i bie që na ka përdorur sa për të na marrë pronat, e aty s’mban më robi, se dy duar për një kokë janë”, thotë ai i irrituar.

Ndërsa banori tjetër, Artur Rrungo, teksa thotë se është i kënaqur me bonusin e qirasë, shpreh rezerva për projektin e ndërtimit të godinave si dhe frikën nëse qeveria do të mbajë premtimin se çdo person që ka humbur shtëpinë nga tërmeti, do t’i marrë të reja dhe të rindërtuara nga shteti.

Artur Rrungo, banor i Valiasit

“Jam vet i teti, dy kurora. Kam marrë bonus, jam në rregull. Na kanë thëne qe do na japin shtëpi. S’e di sa do e mbajnë fjalën, jemi si në ajër, nga e thëna në të bërë ka ndryshim. Shtëpitë janë pak të vogla, shpresoj të marr tek pallatet që janë apartamentet më të mëdha”, tha Rrungo.

Pasiguria e tyre për banesat theksohet akoma më shumë , por ata kanë frikë të shprehin mendimin e tyre në media për rindërtimin duke lënë të nënkuptuar se mund të penalizohen nga marrja e banesave. Ky është rasti i një banori që takuam pranë kantierit. I moshuari, i cili dëshironte të mbetej anonim, u mundua të tregohej shumë i rezervuar dhe i kujdesshëm në përgjigjet e dhëna pas insistimit tonë për të biseduar. “Mua më është prish shtëpia, jetoja në një nga këto pallatet këtu, ndërsa djalit lokali, e kishte në katin e parë të pallatit. Kemi marrë bonus, na kanë thënë që do na japin shtëpi, por që nuk kemi firmosur. Ishalla e mbajnë fjalën. S’mund të flas më tepër, besoj me kupton”, tha i moshuari për Portën Vendore.

Familja Bushkolaj, ishte ndër të paktat që vijonte rezistencën për të qëndruar në banesën e tyre njё kateshe, në mes të kantierit të rindërtimit në Valias. Dy vëllezërit që kishin shtëpinë private pranë pallateve të reja, thanë shkurtimisht se pa firmosur një kontratë nuk do të pranonin që shtëpia e tyre të prishej, megjithëse atë sipas banorëve e prek plani i ndërtimit të çerdhes në këtë zonë. Por gjithsesi familja Bushkolaj ishte pa dokumente legalizimi dhe ndjeheshin skeptikë mbi fatin e tyre dhe nëse do të arrinin ndonjëherë që të merrnin apartament në pallatet e reja.

Por dëshira e madhe për të hyrë në shtëpinë e re bën që Ramazani rreth të 80-tat të udhëtojë çdo ditë nga Durrësi për në Valias, për të parë nga afër ndërtimet edhe ecurinë e punimeve.

Ramazan Artani, banor i Valiasit

“Kam firmosur letrat në bashki, pa noter, dhe më kanë thënë që do marr aq sa ke dorëzuar. Kam dorëzuar letrat, hipotekën e shtëpisë. Tani gjithë presim shtëpitë. Janë bërë shumë të bukura, ke qejf ti shohësh. Vij përditë këtu e i shikoj punimet për qejf. Unë kam marr bonus qiraje, jetoj me qira në Durrës, e vij çdo ditë këtu”, tha banori tjetër Ramazani, i cili tregohet shpresëplot se banorët e Valiasit e meritojnë të futen të parët për të marrë banesat.

Valiasi po ndërton më shumë pallate seç u prishën, dhe kjo për faktin se do të strehohen edhe banorë të lagjeve të tjera të Tiranës ose të rretheve, që u goditën nga tërmeti. Por në përvjetorin e dytë nga tragjedia, vetëm nje pakicё mund të futen në pallatet e reja të Valiasit, pasi shumë prej blloqeve të tjera janë ende duke u ndërtuar. Siç duket edhe nga pamjet, në disa pallate po hidhen tullat, e në të tjera po ngrihen themelet.

Kjo lagje e cila pritet të përfundojë brenda marsit të 2022, sipas zërave të inxhinierëve të cilët kanë parë dhe po e ndjekin projektit, do të jetë me të gjitha standardet e një lagjeje bashkëkohore me lulishte, kënde lojërash, park.

Ndërkohë, katet nëntokë të godinave janë parashikuar për parkim, ndërsa kati i parë do të jetë i kombinuar, banim edhe dyqane.

Punimet për rindërtimin e pallateve në Valias.

I gjithë rindërtimi në Valias është ndarë në 3 blloqe, dhe do tё kushtojё nё total rreth 12,6 milion Euro pa TVSH. Tenderi për bllokun e parë, sipas të dhënave në OpenData është fituar nga firma Gjikuria, me një vlerë prej 555,000,000 lekë pa tvsh. Blloku i dytë po administrohen nga kompanitë BOE Progeen shpk & SINA 98 shpk& ANION shpk & Kurti – 07 shpk, ku shifra e ofertës fituese ka qenë 322,447,300 lekë pa tvsh. Ndërsa blloku i tretë i ndërtimeve të pallateve në këtë zonë është fituar nga bashkimi i kompanive BOE Ante-Group” sh.p.k. & “Ferro Beton& Construction Co” sh.p.k me një vlerë prej 656,970,000 lekë pa tvsh.

Po ashtu kjo lagje do të ketë edhe njësinë administrative, e cila është një investim ku sapo janë hapur themelet e para, i cili i ka kushtuar buxhetit të shtetit 2.0 milion euro dhe është fituar nga kompania Sirena 2 F.