24 nëntor 2021/ Gjergj Figuri/ Porta Vendore/ Lezhë
Të kesh fëmijë të vegjël dhe të jesh banore në Bashkinë e Lezhës nuk është diçka e lehtë për gratë. Ato do të kenë vështirësi për t’u punësuar, për të pasur pavarësi ekonomike dhe për të krijuar të ardhura për familjen. Kjo bëhet akoma më e vështirë për kategoritë sociale siç janë nënat kryefamiljare, të divorcuara apo të kategorive të tjera sociale. Vështirësinë e krijon kapaciteti shumë i ulët i çerdhes, kapacitete të pamjaftueshme në kopshtet me drekë dhe mungesa totale e grupeve laktante në çerdhe (fëmijët që ushqehen ende me gji).
Liljana Kola është prej këtyre grave. Ajo ka rrëfyer për Porta Vendore mënyrën sesi ka rritur fëmijën e saj dhe vështirësitë me të cilat është përballur. Nuk pati asnjëherë mundësi për të dërguar fëmijën në çerdhe e kopsht. Për të punuar dhe mbajtur familjen si kryefamiljare, bëri zgjedhje të vështira, pasi kjo ishte mundësia e vetme.
“Ka qenë mjaft e vështirë për mua që të rrisja fëmijët. Isha e detyruar që deri sa hyri në klasë të parë ta kisha kudo me vete vajzën e vogël. Punova si banakiere dhe gjithnjë kisha poshtë banakut vajzën, për të cilën kujdesesha edhe gjatë orarit të punës. Nuk pati asnjëherë vend në çerdhe për fëmijën tim, por nuk pati vend as në kopshtet e pakta me drekë të qytetit. Vajza ime nuk e bëri kurrë ciklin parashkollor, ndërsa për të mbijetuar isha e detyruar që vajzën ta merrja në çdo punë që shkoja. Administratori i biznesit ku punova e kuptonte vështirësinë që kisha për të përballuar jetën ndaj më pranoi në punë dhe më lejoi të mbaja fëmijën në ambientin e punës. Kjo ndodhë rallë, por kështu kalova vitet e ferrit dhe pashë sesi rritej vajza ime poshtë banakut të lokalit ku punoja” rrëfen ajo për Portën Vendore.

Liljana nuk është e vetmja dhe as e fundit. Janë me qindra gra që përballen me këtë vështirësi, ndërsa situata nuk ka ndryshuar përgjatë këtyre viteve. Marjana Gjini është një tjetër nënë që aktualisht është e detyruar të qëndrojë me fëmijët në shtëpi, sepse nuk ka vend për të vegjlit e saj në çerdhe e kopsht. Deri sa t’i dërgojë dy fëmijët e saj në shkollë, do të jetë e detyruar të qëndrojë në shtëpi dhe të mbijetojë me ndihmën ekonomike, që asnjëherë nuk mjafton për të kaluar muajin. Bashkëshorti është i pamundur për të punuar për shkak të një aksidenti që i ndodhi vetëm pak vite më parë, por ai e ka të pamundur edhe të kujdeset i vetëm për dy fëmijët me qëllim që bashkëshortja të punojë.
“ Sikur të kisha mundësi për të dërguar djalin në çerdhe e vajzën në kopsht, do të kisha mundësi edhe të punësohesha në ndonjë prej fabrikave të shumta që janë në Lezhë. Pavarësisht se kërkova ndihmë, gjithmonë më thanë se nuk ka vend. Unë nuk njoh askënd që të ndikojë tek këto institucione që të më pranojnë fëmijët e mi. Kjo do të më zgjidhte problemin pasi do të kisha më shumë të ardhura dhe nuk do të varesha tek ndihma ekonomike që marr aktualisht. Kështu do të duhet të vazhdoj edhe për 4 vitet e ardhshme nëse nuk do të rriten kapacitetet në çerdhe e kopshte”, thotë Marjana Gjini për Portën Vendore.
Në zonat rurale nuk flitet për punësimin e grave me fëmijë të vegjël. Në këto zona nuk flitet për çerdhe e kopshte me drekë. Nëse nuk ke familjarë për të lënë fëmijët gjatë kohës së punës, kërkimi i punës bëhet i pamundur. Në fshat kjo situatë është akoma më e vështirë. Të gjithë e kanë pranuar këtë realitet të trishtë, ndaj ju duhet të presin deri sa të rriten fëmijët nëse do të duan të punësohen.

Gra që kërkojnë punë, por nuk kanë mundësi të punojnë sepse nuk kanë ku të lenë fëmijët e tyre ka shumë. Zyra Rajonale e Punësimit në Lezhë ka të regjistruara 50 gra të kësaj kategorie. Kjo shifër nuk është realiteti, sepse gratë me fëmijë të vegjël të zonave rurale nuk paraqiten në zyrat e punës. Edhe ato të qytetit nuk shkojnë të gjitha pranë këtij institucioni duke e ditur mirë se pa zgjidhur problemin me fëmijët nuk mund të gjejnë asnjëherë punë. Këtë fakt e bën të ditur edhe Drejtori i Zyrës së Punës z. Fatmir Delishi. Ky i fundit shpjegon se kjo mangësi ka ndikuar në uljen e numrit të grave të punësuara. Në zonat rurale dhe kategori të ndryshme sociale ky shqetësim është sa i pranishëm aq edhe i pazgjidhshëm – thotë ai.
“Ne kemi vazhdimisht gra që paraqiten në zyrën e punës për të kërkuar punë, por kanë fëmijë të vegjël nga mosha 1 deri në 6 vjeç dhe kjo është pengesë për punësimin e tyre. Kemi shumë nëna kryefamiljare, të divorcuara apo në varfëri që duke mos pasur një vend të sigurt për të lënë fëmijët e tyre nuk mund të punësohen. Subjektet private kërkojnë fuqi punëtore që mund të angazhohet gjatë 8-orarëshit me kohë të rregullt, e kjo nuk mundëson për shumicën e këtyre grave që të punësohen edhe pse paga është e kënaqshme e do të ndikonte në përmirësimin e situatës ekonomike të këtyre familjeve”, thotë Fatmir Delishi.

Në Bashkinë e Lezhës është e ndërtuar vetëm një çerdhe, kapaciteti i të cilës nuk ka ndryshuar shumë që prej ndërtimit të saj rreth viteve 80. Aktualisht aty akomodohen vetëm 120 fëmijë të ndarë në tre grupe. Me një përllogaritje të thjesht i bie që çdo vit mund të pranohen jo më shumë se 40 fëmijë. Të dhënat nga Zyra e Gjendjes Civile në Lezhë tregojnë një trend disafish më të lartë të lindjeve gjatë një viti.
Vitet |
2017 |
2018 |
2019 |
2020 |
Numri i lindjeve |
634 |
665 |
1063 |
828 |
Burimi: Zyra e Gjendjes Civile në Lezhë
Edhe popullsia ka ardhur gjithmonë në rritje në Bashkinë e Lezhës. Me gjithë trendin e rritjes së popullsisë në këtë njësi vendore, ajo nuk është shoqëruar me rritje progresive të institucioneve edukative dhe parashkollore.
Vitet |
2017 |
2018 |
2019 |
2020 |
Popullsia |
108686 |
110241 |
113535 |
114500 |
Burimi: Zyra e Gjendjes Civile në Lezhë
Rikthimi në punë edhe për ato që e kanë një mundësi për të dërguar fëmijën në çerdhe nuk mund të bëhet para se fëmija të mbushë 1 vjeç. Nuk ekziston një grup i vogël për të mbajtur fëmijët që ushqehen ende me gji. Prioritet në çdo rast ka administrata publike, por edhe këta nëse kanë “mik” për të dërguar në çerdhe fëmijën e tyre. Ndodh shumë radhë që të ketë fëmijë në çerdhe nga komuniteti rom dhe egjiptian, apo nga familje në nevojë. Kjo ka vijuar prej vitesh pa asnjë zgjidhje.


Edhe kopshtet me drekë janë një shqetësim në vete. Kapaciteti i tyre është i limituar dhe ato ndodhen vetëm në qytetin e Lezhës. Në fshat nuk mund të flitet ende për kopshte me drekë. Shifrat që gjenden në Drejtorinë e Arsimit, Rinisë e Sportit në bashki paraqesin panoramën për të cilën kemi folur deri tani. Megjithëse nuk është e njëjta me atë të çerdhes, sërish vështirësitë që kanë nënat me fëmija parashkollor për tu punësuar është i dukshëm. Për tre grupet e fëmijëve që kanë pasur mundësi të kenë një vend në kopshtet e Lezhës, vetëm 24% e tyre mund të akomodohet në kopshte me drekë, por kjo nuk ndodhë asnjëherë në zonat rurale.


Fëmijë në kopshte gjithsej |
1470 |
Fëmijë në kopshtet e qytetit gjithsej |
528 |
Fëmijë në kopshte zona rurale |
942 |
Fëmijë në kopshte me drekë |
356 |
Fëmijë në kopshte pa drekë |
1114 |
Janë gjithsej 1114 fëmijë që marrin trajtim në kopshte deri në orën 12:00. Kjo periudhë është e pamjaftueshme që nënat të kenë një punë, e aq më tepër për kategoritë sociale të grave që në asnjë rast nuk mund të punësohen.
Kjo situatë ndikon edhe tek biznesi. Janë shume procese pune që preferohen vajzat dhe gratë për shkak të profilit të punës. Mbi 200 vende pune janë të lira në disa prej fabrikave të Lezhës. Shifrat mund të rriten, por këto kompani nuk synojnë të rrisin prodhimin, pasi nuk kanë fuqi punëtore për të përballuar punën.
Drejtori i Zyrës Rajonale të Punësimit në Lezhë, z. Fatmir Delishi kërkon angazhimin e pushtetit lokal dhe biznesit që të punojnë bashkarisht që të zgjidhin këtë problem dhe të rritet mundësia e punësimit të grave. Sipas tij, nga përmirësimi i kësaj situate do të fitojnë të gjithë,
“Rritja e kapaciteteve në çerdhe e kopshte do të ndikonte në rritjen e punësimit e për pasojë do të rriste punësimin e kategorive vulnerabël. Kjo do të sillte rritje të mirëqenies ekonomike të këtyre familjeve, uljen e varfërisë, heqjen nga skema e ndihmës ekonomike të disa familjeve dhe mundësisë për të rritur pagesën për ato që mbeten në këtë skemë, do të rritet të ardhurat e bashkisë pasi rritet fuqia paguese e tarifave vendore, do të rritej prodhimi vendas e për pasojë do të rritej edhe konsumi familjarë. Për të arritur të gjithë këto tregues është e nevojshme që çdo kush të bëjë pjesë e tij, pra me bashkëpunim mund të arrihet një përmirësim i ndjeshëm i situatës”, shtoi Delishi për Portën Vendore.
Në të njëjtën linjë me Drejtorinë e Zyrës së Punësimit është edhe kompleksi industrial AZ Group në Lezhë. Nisur nga nevoja për të rritur punësimin, ka identifikuar problematikën për të cilën shumë gra nuk mund të punësohen. Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në këtë kompani znj. Migena Qyra thotë se është e nevojshme që të ndërmerren politika që ndikojnë në zgjidhjen e problemit. Ata janë të gatshëm të japin mbështetjen e tyre dhe për këtë po hartojnë edhe propozime konkrete për Bashkinë e Lezhës.
“Ne po kërkojmë që të shtojmë fuqinë punëtore, por përballemi me vështirësi. Të dhënat e Zyrës së Punës dhe Shërbimit Social të Bashkisë Lezhë tregojnë për shumë nëna me fëmijë të vegjël që nuk mund të punojnë dot sepse nuk kanë ku të lënë të vegjlit e tyre. Megjithëse ne aplikojmë politika pro familjes me orë fleksibël, pagesën e çerdhes apo kopshtit, sigurimin e lëvizjes së grave dhe vajzave apo lehtësi për ato që kanë fëmijë të vegjël dhe që ushqehen me gji që të shkojnë pranë fëmijës edhe gjatë orarit të punës, ka procese pune kur kjo është e pamundur ashtu siç ka gra që nuk kanë asnjë mundësi se ku të lënë fëmijët e tyre e që nuk mund të punësohen. Për këtë arsye ne kemi përgatitur disa propozime konkrete që do të ja paraqesim Bashkisë Lezhë, e ku fokusi është pikërisht rritja e kapaciteteve akomoduese në çerdhe e kopshtet me drekë”, tha ajo.

Kjo situatë nuk është e panjohur në Bashkinë e Lezhës. Pavarësisht se asnjë nuk mund të shpjegojë se cilat janë projektet e të ardhmes që do të zgjidhin shqetësimin që vijon prej më shumë se 30 vitesh. Në komunikimin jo zyrtar me përfaqësues të bashkisë, bëhet e ditur se mos shtimi i ambienteve të reja për çerdhe ka krijuar këtë problematikë të theksuar, por nga ana tjetër edhe kapacitetet e rritura në kopshte kanë qenë të pamjaftueshme për të përballuar rritjen e shpejtë demografike të Lezhës gjatë 30 viteve të fundit. Sipas këtyre burimeve, aktualisht po punohet për të kaluar disa kopshte me drekë në zonat rurale, kryesisht në qendër të njësisë administrative. Shëngjini do të jetë zona e parë ku do të mundësohet kopsht me drekë për fëmijët, për të vijuar më pas në Shënkoll dhe sipas analizës që do të kryhet në çdo njësi administrative, do të mundësohen kopshtet me drekë. Përsa i përket çerdhes, kjo do të kërkojë ende kohë deri sa të sigurohet financimi për ngritjen e një godine të re që do të rriste ndjeshëm kapacitetet. “Pavarësisht kësaj, shumë shpejt do të negociojmë me bizneset që kanë fuqi të lartë punëtore, me qëllim që të përshtatim ndoshta ambiente ekzistuese dhe të përmirësojmë këto tregues”, thanë burimet brenda institucionit vendor. E kontaktuar nga Porta Vendore për një përgjigje zyrtare, nënkryetarja e Bashkisë Lezhë Eueda Molla nuk dha një përgjigje,
Aktualisht në Lezhë, pjesa më e madhe e fabrikave fasone apo atyre të përpunimit dhe prodhimit kërkojnë të shtojnë fuqinë punëtore, por nëse je nënë me fëmijë të vegjël nuk ke mundësi punësimi.