21 nëntor 2021/ Franceska Ndoja/ Porta Vendore/ Kurbin
Ura e Zogut në Milot, me status monument kulture i kategorisë së parë përballet me indiferencën e institucioneve pavarësisht se nga viti në vit janë konstatuar një sërë problematikash. Porta Vendore i rikthehet sërish kësaj çështjeje, teksa ka kaluar një vit nga publikimi i artikullit, ku gjërat duken se janë përkeqësuar edhe më shumë, edhe pse tashmё premtohet për hartimin e një projekti për këtë monument kulture.
Vitin e kaluar, shirat e rrëmbyeshëm dhe të shpeshtë e përkeqësuan situatën në urën historike, e cila është vlerësuar ndër vite, sidomos për arkitekturën e saj. Ndërsa reshjet e këtij fillimviti fundosën njërën prej këmbëve të urës me shumë se 2 metra, duke rrezikuar përfundimisht shembjen e saj. Edhe pse autoritetet premtuan ndërhyrje me pushimin e reshjeve, premtimet mbetën vetëm fjalë.
Historiani Pal Trashaj tregon se ky objekt ka vlera të paçmueshme monumentale, muzeore dhe historike, ndërsa fajësoi shtetin këto 30 vite që është treguar inekzistent.
“U bënë rreth 8 muaj që është dëmtuar nga shirat e dimrit dhe pas shumë premtimesh për restaurim nuk u bë asgjë. Kushtet kanë qenë të favorshme për restaurim sepse jemi në periudhë të thatë, në periudhë vere. Ndërsa, tani po shkojmë drejt dimrit, drejt shirave të shumtë dhe të rrëmbyeshëm. Vetëm Zoti mund ta shpëtojë, ose ndryshe ne do të themi ka qenë dikur Ura e Zogut, jo është Ura e Zogut. Një nga urat më të rëndësishme në Ballkan, 30 vite nuk ka asnjë interesim nga ana e institucioneve. Përveç mungesës së restaurimit, është edhe marrja e inerteve në mënyrë të ligjshme apo paligjshme që e ka dëmtuar këtë urë. Më bën përshtypje pasi ne kemi këtë lloj kulture dhe nuk interesohemi fare”, tha Pal Trashaj, Kryetar i Forumit Mbarëkombëtar i Trashëgimisë Historike dhe Kulturore.
Trashaj apelon që të ketë ndërhyrje të menjëhershme, pasi ky dimër mund të rezultojë fatal. Ndërsa shoqëria civile dhe aktivistë të zonës kanë organizuar disa herë protesta dhe kanë firmosur një sërë peticionesh, ndaj institucioneve lokale dhe qendrore për degradimin e Urës së Zogut, por nuk u morën parasysh asnjëherë.
Porta Vendore komunikoi edhe me specialistin e trashëgimisë kulturore pranë DRTK në Shkodër, Helidon Sokoli ku pohoi se problematikë në këtë urë është marrja e inerteve dhe kështu dëmtohet shtrati i lumit, duke u përplasur më pas me këmbët e urës.
“Ne shkojmë dhe e inspektojmë çdo javë urën, pasi na është dhënë urdhër. Instituti i Ndërtimit ka një projekt për konsolidimin e këmbës, i cili do vihet shumë shpejt në zbatim. Edhe Ministria e Mbrojtjes do të ndërhyjë, pasi nevoja është emergjente. Nuk ka një datë apo kohë kur do të ndërhyhet”, shprehet Helidon Sokoli, specialist i trashëgimisë kulturore pranë DRTK Shkodër.
Ndërsa, Majlinda Lacja nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër i tha Portës Vendore se është duke u hartuar një projekt për ndërhyrje mbrojtëse, por nuk dihet koha kur do të veprohet. “Ura mbi lumin Mat e njohur dhe si Ura e Zogut, Milot, ka status Monument Kulture i Kategorisë I, shpallur nё vitin 1999, nga Këshilli i Ministrave.
Në periudhën Janar-Shkurt 2021 si pasojë e reshjeve të dendura dhe shkarkimeve nga HEC Shkopet është evidentuar çedim i këmbës së fundit të urës në krahun e djathtë të rrjedhës së lumit Mat. Pas relatimit në Ministrinë e Kulturës së kësaj problematike u angazhuan një sërë institucionesh, të cilat ligjërisht administrojnë territorin dhe objektin. Aktualisht po hartohet një projekt ndërhyrje mbrojtëse nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Instituti i Ndërtimit Tiranë”, tha Majlinda Laçja, drejtuese e DRTK-së Shkodër.
Por teksa Drejtoresha e DRTK Shkodër thotë se ka një projekt, nga ana tjetër ky projekt nuk njihet ende nga aktorët e tjerë në këtë proces.
Porta Vendore kontaktoi edhe me prefektin e qarkut të Lezhës, Gjok Jaku. Jaku u shpreh se hera herës është ngritur problemi, por askush nuk është përgjigjur. I pyetur nëse prefektura ka një projekt konkret, ky i fundit i kaloi topin Ministrisë së Kulturës. “Ura e Zogut është monument kulture i kategorisë së parë, që do thotë se Ministria e Kulturës është përgjegjëse për të. Nga ana jonë dhe imja, është ngritur alarmi, jo vetëm zyrtarisht, por dhe me të gjitha mjetet e komunikimit publik. E në qoftë se ka projekt për ndërhyrje në atë objekt, duhet t’ju drejtoheni Ministrisë së Kulturës”, tha Gjok Jaku, Prefekti i Lezhës.
Ura e Zogut është konsideruar si një prej veprave më të rralla në Ballkan, por neglizhenca totale e Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve lokale ka bërë që kjo vepër Kulturore të degradojë deri në këtë pikë.
Së fundmi, qytetarët e Kurbinit zhvilluan një protestë ku kërkuan reagimin e institucioneve përgjegjëse për ndërhyrje sa më të shpejtë tek kjo urë, e cila dalëngadalë po e humbet bukurinë dhe hijeshinë e saj. Me parulla në duar ku kishin të shkruar mesazhe të drejtpërdrejta, të rinjtë marshuan në Urën e Zogut dhe u shprehën se kërkonin vëmendje, pasi asnjë thirrje deri më tani nuk është dëgjuar. Ndërsa, theksuan faktin se nga momenti në moment kjo urë rrezikon shembjen. “Ne kemi thënë disa herë cila janë hapat që mund ta shpëtojnë këtë urë. Hapi kryesor është të ndërpritet në mënyrë të menjëhershme marrja e inerteve në lumin e Matit. Të vendosen barriera për mbajtjen e këmbëve të urës sepse kjo urë do bie”, u shpreh qytetari.
Ura gjendet në Milot dhe bën të mundur lidhjen e dy ekstremeve të lumit, me një gjatësi rreth 490 metra dhe gjerësi rreth 6 metra. Ura e Zogut është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i japin asaj vlerë muzeore. Ajo gjendet në të majtë të rrugës aktuale që të çon në Mirditë (dhe në të djathtë të rrugës nacionale që ka ekzistuar më parë), në të dyja ekstremet e lumit Mat që nga viti 1927. E quajtur për shumë vite Ura e Zogut, vetë mbreti ishte ideatori i ndërtimit të kësaj ure shumë funksionale, sidomos për kohën. Ato vite ajo ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e epërme që përfshin, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën, Dibrën, etj. Ura është projektuar nga një inxhinier italian dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët. Zbatimi i projektit u bë nga inxhinieri shqiptar, Gjovalin Gjadri, që ka projektuar rrugën automobilistike Milot-Burrel. Por, pavarësisht gjithë rëndësisë dhe vlerave që kjo urë ka, heshtja e institucioneve lë për të dëshiruar. Ky nuk është rasti i parë ku vlerat historike dhe kulturore po shuhen dhe humbasin në Shqipëri si shkak i neglizhencës së institucioneve përkatëse.