18 nëntor 2021/ Xhesian Shazimani/ Porta Vendore/ Kukës
Shtiqeni është një nga fshatrat e qarkut të Kukësit, i cilit është përzgjedhur nga programi i qeverisë shqiptare “100 fshatrat turistikë”, por që deri më sot nuk ka njohur investime në kuadër të këtij programi.
Duke qenë se është fshati më i madh në Bashkinë Kukës i cili është përzgjedhur nga programi “100 fshatrat turistike”, Porta Vendore përzgjodhi fshatin Shtiqën për të parë se sa ka përfituar nga ky projekt. Shtiqëni, i cili është pjesë e njësisë administrative me po të njëjtin emër, shtrihet 5 kilometra në jug të qytetit të Kukësit, rrëzë majës së malit Gjallica. Ai gjithashtu ka përballë aeroportin e Kukësit që është vetëm 3 kilometra larg, dhe mundësia që turistët ta aksesojnë këtë fshat është shumë e lehtë, por ajo që e bën të pamundur është mungesa e investimeve në atraksionet turistike të këtij fshati, të cilit i mungon edhe promovimi e guida.

Shtiqëni para se të bëhej njësi administrative, ka qenë komunë me rreth 3000 banorë, ku edhe mundësia për investime ka qenë më e mundur, si rruga që të çon për në fshat, e cila e ruan asfaltin edhe pse i dëmtuar në disa vende. Edhe rruga dytësore që lidh fshatin me qytetin e Kukësit e ruan akoma asfaltin edhe pse ka mbi 6 vite që është restauruar.

Fshati Shtiqën dëshmohet si vendbanim që në shekullin XVI. Ai është një fshat me terren fushor dhe ka një sipërfaqe 50 km². Shtiqeni ka resurse të bollshme natyrore kryesisht në malin e Gjallicës, i cili ka një lartësi prej 2489 m mbi nivelin e detit. Në anën Jugperëndimore ndodhet baseni ujor me vetëburim me emërtim popullor “KENETA”, i cili vitet e fundit është shpallur Park Natyror. Mali i Gjallicës është një atraksion turistik pasi ka shumë vende piktoreske, ka shumë lloje pemësh si pisha shumëshekullore, ah, frashër, etj. Ka mbi 3500 llojesh bimësh ndër këto edhe bimë medicinale.

Në malin e Gjallicës ka edhe vende për pushime gjatë stinës së verës për banorët vendas dhe turistët. Gjithashtu është edhe një vend i shenjtë, i cili vizitohet çdo vit nga banorët. Në majë të Gjallicës, në anën jugore në vendin e quajtur Plinas ndodhet “Kroi i Kishës”, dhe sipas gojëdhënave aty ka pasur një kishë dhe kjo vërtetohet nga rrënojat që kanë mbetur. Në malin e Gjallicës ka disa shpella interesante ndër këto edhe “Shpella e Borës”, karakteristikë e së cilës është se ka borë gjatë gjithë vitit.

Pasi futesh nëpër lagjet e fshatit Shtiqën, situata është shumë e rëndë sa i përket infrastrukturës. Rrugët me gropa dhe shtëpitë e prishura janë pamjet që të shoqërojnë pothuajse në të gjitha lagjet e fshatit. Qendra e fshatit me tre çezmat si simbol, edhe pse kishte tre muaj që ishte restauruar nga bashkia, nuk është përfunduar plotësisht, si dhe mungonte kanalizimi. Edhe kanalet kulluese në rrugën kryesore të fshatit janë të dëmtuara dhe në një pjesë të tyre të bllokuara nga mbeturinat. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ndriçimin, i cili ka disa vite që ka dalë jashtë funksionit.

Në një prej rrugicave takojmë Ajet Bashën, banor i këtij fshati, i cili na ngre si shqetësim infrastrukturën e keqe të lagjeve dhe investimeve të munguara në përgjithësi në këtë fshat.
“Rrugët janë shumë të këqija, nga shiu janë të gërryera dhe e kemi të vështirë të kalojmë me makinë. Mirë që nuk i shtrojnë, por edhe kanalet kulluese nuk i bëjnë. I kanë bërë vetëm aty sipër te rruga kryesore, por nga cilësia e keqe e punimeve edhe ato janë prishur”, tha Basha.

Pak më sipër ndodhet xhamia e fshatit dhe ngjitur me të, kopshti i fëmijëve, Sipas banorëve, këto dy objekte janë restauruar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Përballë xhamisë, takojmë Sabrie Bashën, një tjetër banore e kësaj zone, e cila ka dhe dyqanin e saj. Pasi e pyesim nëse vizitohet nga turistë fshati, ajo na thotë se Shtiqeni nuk vizitohet nga banorët e tij që i janë larguar dhe jo më nga turistë.
“Këtu për turistë nuk bëhet fjalë. Këtu edhe banorët që janë larguar, se ka shumë që janë larguar, nuk vijnë e jo më turistë”, u shpreh Sabrie Basha, e cila na tregon se këtu është premtuar edhe pistë skish, teleferik dhe shtëpi turistike, por që këto janë fjalë në ajër sipas saj.
“Çfarë nuk kanë premtuar që do bëhej këtu, pistë skish, teleferik që do ishte këtu përballë dyqanit tim, shtëpi turistike, por për mua janë fjalë në ajër se këtu punë të vogla nuk bëhen e jo më këto gjëra. Ke kopshtin dhe xhaminë që falënderojmë komunitetin mysliman që na i ka rregullu” , u shpreh më tej Sabrie Basha.

Një problem tjetër në këtë fshat janë edhe mbeturinat, të cilat i has kudo. Vendgrumbullimi i tyre bëhej pak më tutje qendrës, në një shesh që banorët më përpara e përdornin për manifestimin e festës pagane që përkujtohet në këtë fshat të enjten e parë të muajit gusht dhe që sot shërben për hedhjen e plehrave.

Emigracioni i lartë është plaga tjetër që ka sot Shtiqeni. Pamundësia e punësimit dhe e mundësive për një jetesë më të mirë, detyron të rinjtë dhe banorët të largohen në masë që këtu. Këtë problem na e tregon edhe banori Asllan Axhami, i cili thotë se në fshat kanë ngelur pleqtë dhe plakat dhe ata që e kanë të pamundur të largohen.
“Shtiqeni sa vjen e zbrazet, gjysma e fshatit ka ikur. Nëse ikën shtëpi më shtëpi vetëm pleq e plaka do takosh, të rinjtë sa bëjnë moshën, ikin në emigracion dhe nuk vijnë më. Këtu kanë ngelur ata që e kanë të pamundur financiarisht të largohen dhe merren me bujqësi”, tha Asllan Axhami për Portën Vendore.

Këtë realitet e sheh edhe pa e treguar nga banorët, pasi ato familje që janë aty jetojnë në shtëpi të thjeshta, ndërsa ata që kanë mundur të emigrojnë ndër vite, i kanë restauruar edhe shtëpitë e tyre në fshat ku vijnë kalojnë muajt e pushimeve aty.
Edhe pse i përzgjedhur si fshat turistik, sidomos për turizëm malor, në fshat nuk ka as bujtina e as restorante agro-turizmi që mund t’i ofronin një prespektivë tjetër vizitorëve vendas e të huaj. Këtë na e konfirmoi edhe kryeplaku i fshatit, Asllan Basha, i cili tha se bujtina nuk ka.
“Në lidhje me turizmin është bërë rruga e ‘Kolosjanëve’, një rrugë ka mbetur nga “Topojani”, siç kam dëgjuar se vet s’kam shkuar se kam qenë si i sëmurë. Sa i përket bujtinave, nuk ka. I kemi kërkuar bashkisë që të na bëhet rruga që të lidh me aeroportin, rregullimin e disa rrugëve të lagjeve dhe kanalizimet që na i kanë premtu se do i bëjnë” , u shpreh Asllan Basha.

Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë edhe Bashkisë Kukës, për të kuptuar se çfarë investimesh ka kryer dhe ka në plan të kryej në atraksione turistike në fshatin Shtiqen. Në përgjigje të kërkesës bashkia përmend si investim rikonstruksionin e gjimnazit “Qazim Shehu” dhe thotë se ka mbështetur nisma për organizime të ndryshme në kuadër të festave lokale.
“Investimet e kryera nga Bashkia Kukës për Njësinë Administrative Shtiqën në tre vitet e fundit përfshijnë rikonstruksionin e shkollës së mesme Shtiqën dhe rikonstruksioni i terreneve sportive të gjimnazit. Shuma e investimeve të kryera në Njësinë Administrative Shtiqën zë 43.3% të investimeve të përgjithshme të Bashkisë Kukës, duke parë në këtë mënyrë me përparësi si një zonë me potencial për zhvillimin e turizmit edhe në kuadrin e përzgjedhjes dhe përfshirjes së saj në Programin e Zhvillimit tё Integruar dhe të Qëndrueshëm të 100 fshatrave të Shqipërisë”, shprehet Bashkia Kukës për Portën Vendore.

Gjithashtu, Bashkia Kukës shton se ka mbështetur nisma në organizime të ndryshme në kuadër të festave lokale , siç është Festa e Gjallicës dhe promovimin e zonës si atraksion turistik me interes për t’u vizituar. “Në datat 2-4 Gusht të këtij viti, në kuadër të festës së Gjallicës, është organizuar për herë të parë ‘The Gjallica Internacional Festival edition’. Qëllimi i festivalit është promovimi i folkut Lumjan brenda e jashtë kufijve shqiptarë”, bën me dije ky institucion.
Ndërkohë që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndryshe nga çfarë ka ndodhur në zona të tjera, na informon në rrugë konfidenciale se nuk ka asnjë investim të planifikuar për qarkun e Kukës në kuadër të fshatrave turistikë.
Potenciali që ka fshati Shtiqën për të qenë një atraksion turistik, në Bashkinë e Kukësit, është shumë i madh. Ajo që e pamundëson shfrytëzimin e këtij atraksioni, është mungesa e vëmendjes dhe investimeve.
