15 nëntor 2021/ Marinela Dushi/ Porta Vendore
Pushteti vendor nuk ka asnjë të dhënë për nivelin e ndotjes në territorin përkatës që mbulon, duke u mjaftuar vetëm me të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, nëpërmjet raporteve të vjetëruara tanimë, ndonëse monitorimi dhe minimizimi i ndotjes së ajrit ka qenë një sfidë e Shqipërisë që nuk u vu në zbatim asnjëherë. Ekspertët shprehin me shqetësim se mungon vullneti i bashkive për të vendosur matës dhe nё ato pak bashki që i kanë vendosur, matësit nuk janë të rregullt që të kontrollojnë vazhdimisht cilësinë e ajrit.
Shqipëria vijon të ketë nivelin e ndotjes mbi vlerat e Bashkimit Evropian, sipas raportit vjetor 2020 nga Agjencia Kombëtare për Mjedisin. Kjo do të thotë se niveli i ndotjes në vend është i lartë. Ndër vite ky problem ka shqetësuar qytetarët shqiptarë, sidomos në qytetet e mbipopulluara. Për të përmirësuar cilësinë e ajrit, qeveria shqiptare gjatë fushatës elektorale të vitit 2017 premtoi vendosjen e matësve të ndotjes së ajrit në 12 qytete kryesore të vendit. “Përmirësimi i cilësisë së ajrit përbën një tjetër prioritet mjedisor të Qeverisë. Gjatë këtij mandati do të instalojmë pajisje monitorimi të ndotësve të ajrit në 12 qytetet kryesore në vend.”, thuhet në programin qeverisës 2017-2021 prej 28 faqesh.
Duke iu referuar këtij premtimi, i cili duhet të ishte realizuar gjatë mandatit të dytë të Qeverisë Rama, Porta Vendore i dërgoi kërkesë për informim 9 bashkive kryesore të vendit, për nga madhësia gjeografike dhe popullsia, për të kuptuar se sa është përmbushur ky prioritet i qeverisë Rama. Konkretisht, kërkesa iu dërgua Bashkisë Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër, Berat, Lezhë, Kukës, Elbasan. Vetëm 5 prej tyre kanë kthyer përgjigje.
Dy nga pyetjet e drejtuara ishin a ka bashkia matës për cilësinë e ajrit, dhe si paraqitet situata e ndotjes së ajrit, në zonat më problematike. Informacionet e dërguara nga bashkitë janë shumë të cunguara. Konkretisht bashkitë nuk kishin asnjë informacion si është niveli i ndotjes se ajrit në qytetet përkatëse, duke u shprehur se nuk disponojnë të dhëna, dhe duke na orientuar se përgjigjen e ka Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Bashkia Vlorë në përgjigjen e kthyer për Porta Vendore shkruan se “Bashkia Vlorë ka pajisje për matjen e cilësisë së ajrit. Nuk disponojmë të dhëna. Pajisja është instaluar që në fillim të vitit 2021 me fondet e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit dhe këto të dhëna përpunohen, administrohen prej tyre”.
Kjo do të thotë që bashkia nuk ka informacion se si është niveli i ndotjes në qytet dhe se cilat janë shkaktarët e ndotjes, gjë e cila vështirëson punën për reduktimin e ndotjes.
Ndërsa Bashkia Durrës shkruan se: “Nuk disponojmë aparatura për matjen e cilësisë së ajrit. Agjencia Kombëtare e Mjedisit është autoriteti kompetent për sigurimin e saktësisë së aparaturave dhe për vlerësimin e cilësisë së ajrit në mjedis. AKM çdo vit përgatit raportin e vlerësimit të cilësisë së ajrit në mjedis. Ky raport gjendet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Shkaktarët e ndotjes së ajrit janë: transporti urban publik dhe makinat, aktiviteti industrial etj”.
Edhe Bashkia Tiranë nuk jep të dhëna për nivelin e ndotjes në kryeqytet duke theksuar se nuk është kompetent. “Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit sqaron se si strukturë kontrolli e ngarkuar me VKB-në Nr. 156 datë 21.12.2018 nuk ka kompetenca në dhënien e përgjigjeve për pyetjet e ngritura, pasi nuk ka bazë ligjore dhe nuk disponon aparatura për matjen e cilësisë së ajrit në territorin e Bashkisë së Tiranës”.
Edhe Bashkia Korçë shprehet se nuk është kompetent për dhënien e informacionit të kërkuar. Bashkia Shkodër thekson se sipas VKM nr. 1189/ 2009 “Për rregullat dhe procedurat për hartimin dhe zbatimin e programit kombëtar për monitorimin e mjedisit” pika ç, përcaktohet qartë institucionet monitoruese, dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore nuk bëjnë pjesë në këto institucione me të drejtë monitorimi.
Por ligji 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” në fushën e mbrojtës së mjedisit në nivel vendor sqaron kompetencat e bashkive për ndotjen në nenin 11, mbi “Funksionet e bashkive në fushën e mbrojtjes së mjedisit”. Ky ligj i bën bashkitë përgjegjëse për sigurimin në nivel vendor të masave për mbrojtjen e cilësisë ajrit, tokës, ujit nga ndotja.
Pra Bashkitё, njё pjesё tё pa pajisura me matёs, nje premtim ky i pambajtur i Qeverisё, nuk kanë të dhëna për nivelin e ndotjes, e për rrjedhojë edhe masat parandaluese e cila është funksion i bashkive, nuk janë ndërmarrë, duke bёrё qe ato tё mos ushtrojnё pёrgjegjёsitё e tyre nё respekt tё Ligjit tё tyre organik.
Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, kambanë alarmi për institucionet
Edhe sipas ligjit Nr. 162/2014 “Për Mbrojtjen e Cilësisë së Ajrit në Mjedis”, neni 8 thekson se bashkitë përgatitin raport dhe zbatojnë një plan veprimi afatshkurtër për një zonë kur ka rrezik dhe kapërcehet pragu i alarmit për ozonin. Por duke mos pasur të dhëna për cilësinë ajrit dhe njihen vetëm përmes raportit vjetor të AKM, ky plan veprim duket se realizohet më vonesë ose fare. Mbrojtja e ajrit përfshin masat për mbrojtjen e përbërësve dhe cilësisë së tij, me synim shmangien apo reduktimin e efekteve të dëmshme mbi shëndetin e njeriut, cilësinë e jetës dhe mjedisin në tërësi, si dhe parandalimin e pakësimin e ndotjes që shkakton dëmtimin e shtresës së ozonit dhe ndryshimet klimatike globale.
Porta Vendore i dërgoi një kërkesë për informim edhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit e cila në përgjigjen e kthyer shprehet se ka 7 matës për cilësinë e ajrit urban. “Një stacion monitorimi në qytetin e Durrësit, një stacion monitorimit në qytetin e Fierit, një stacion monitorimi në qytetin e Shkodrës, një stacion monitorimi në qytetin e Korçës, një stacion monitorimi në qytetin e Elbasanit, dy stacione monitorimi në qytetin e Tiranës”, përgjigjet ky institucion. Ndërsa në qytetet e tjera që nuk janë të instaluar matësit, sipas AKM, monitorimi është bërë me tuba pasiv ose difuz. Agjencia Kombëtare Mjedisit e cila është kompetente për të dhënat për ndotjen nëpër qytete, thekson se vlerat e ndotjes së ajrit në Shqipëri, kryesisht janë mbi normën e Bashkimit Europian, vlera të larta kryesisht shënojnë pluhurat (PM10/PM2.5) dhe NOx. Por sipas agjencisë, vlerat e ndotjes së ajrit ndryshojnë në varësi të stinës dhe kushteve atmosferike. Sipas raportit të AKM të vitit 2020, disa qytet të Shqipërisë, niveli ndotjes është mbi vlerat BE. Në qytetin e Beratit, gjatë muajve Shtator, Tetor, Nëntor, ka më shumë ditë të monitoruara me vlera maksimale që tejkalojnë normën e BE.
“Në muajin Qershor, Berati rezulton me vlerën më të lartë të PM 2.5, (24,93 ug/m3). Vlerën më të ulët e ka qyteti i Kukësit (15,4 ug/m3). Gjatë muajit Gusht 2020, të tre qytetet e monitoruar janë nën normën e BE, si rezultat i reduktimit të trafikut në këtë periudhë. Gjatë muajit Shtator, qyteti i Beratit (31,26 ug/m3) dhe Kukësit 26,47 ug/m3) rezultojnë me vlera mbi normë. Muaji Tetor rezulton mbi vlerën normë për Beratin dhe Kukësin, ndërsa gjatë muajit Nëntor e tejkalon normën e BE vetëm qyteti i Kukësit, si rezultat i ndërtimeve që po kryhen afër zonës së monitoruar”, thuhet në raportin e publikuar në vitin 2020.
Raporti tregon se qyteti i Kukësit, ka vlera maksimale pothuajse gjatë të gjitha ditëve të monitoruara për muajt Tetor dhe Nëntor 2020 , si rezultat i ndërtimeve që po bëhen afër asaj zone. Probleme me nivelin e ndotjes janë regjistruar edhe në Durrës, Elbasan.
“Kemi tejkalim të normës ditore të BE në të dy stacionet. Burimi kryesor i ndotjes nga PM10 në stacionin e Elbasanit dhe Durrësit, është trafiku. Arsyeja e kësaj ndotjeje është se stacionet janë instaluar anës rrugëve me trafik të rënduar”, theksohet në raport.
Në muajin Shtator 2020, vërehet vlera më e lartë e PM 2.5 (40,44 ug/m3) për qytetin e Gjirokastrës. Ndërsa Tetori dhe Nëntori nuk ka vlera mbi normën e BE në këtë qytet, në asnjë nga ditët e monitoruara.
Për periudhën 15. 09.2020-31.12.2020 janë bërë monitorime për situatën e pluhurave PM10 dhe PM2.5 në qytetet kryesore të vendit: Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçë. “Ozoni i nivelit të ulët të Troposferës nuk emetohet direkt në Atmosferë , ai formohet si rezultat e zinxhirit të reaksioneve kimike me gazet pararendëse të emetuara në Atmosferë si NOx,,CO, NMVOC-s dhe CH4 në prani dhe të rrezatimit diellor. Niveli i lartë i ozonit mund të shkaktojë problem të shëndetit respirator duke zvogëluar funksionimin e mushkërive, përkeqësimin e astmës dhe sëmundje të tjera të mushkërive deri ne vdekje të parakohshme”, thuhet në raport. Në Durrës, vlerat e Ozonit janë të larta për muajin tetor, ndërsa në Elbasan nuk ka tejkalim.
Ndërsa në Korçë, janë regjistruar vlerat 8 orare më të larta në muajin Dhjetor 2020. Vlera më e lartë 8 orare është 12.13 mg/m³ në datën 15.12.2020 , nga 10 µg/m³ që është norma 8 orare e BE. Në stacionet e tjera nivelet e CO janë më të ulëta se vlera limite 8 orare e BE . Ndotja e ajrit urban ndikon në shëndetin e njerëzve duke shkaktuar probleme kardiake dhe respiratore.
Pikëpyetje të shumta ngrenë edhe ekspertët për mbrojtjen e mjedisit për masat e ndërmarra nga bashkitë dhe qeveria. Edhe pse Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit ka deklaruar se ka disa stacione monitorimi për ajrin dhe paraqiten të dhëna për periudha të ndryshme kohore, ekspertët e mjedisit shprehen skeptikë për funksionimin e këtyre matësve të ajrit dhe besueshmërisë e të dhënave zyrtare.
Eksperti Rodi Gjoka tha se monitorimet e kryera nuk mbulon të gjitha zonat e qyteteve përkatëse si dhe përgjatë 24 orëve, duke lënë të nënkuptuar se monitorimi kryhet më orare dhe hapësira të kufizuara. “Agjencia Kombëtare e Mjedisit praktikisht nuk kryen monitorime të rregullta sa i takon përqendrimit të ndotësve në ajër për zonat urbane. Njëjtë edhe Instituti i Shëndetit Publik. Prej 2016 nuk kemi një pikë të vetme monitorimi e cila mbulon me të dhëna 24oreshe hapësirën që përfaqëson. Kjo situatë është totalisht në kundërshtim me detyrimet që kanë këto institucione nga ligji për cilësinë e ajrit dhe plani kombëtar për menaxhimin e cilësisë së ajrit. Për analogji, raporti i fundit i AKM pasqyron situatën e cilësisë së ajrit në Tirane nëpërmjet një pikë të vetme monitorimi e cila deklarohet në Sauk ndërkohë që koordinatat e saj të çojnë tek Rr. Durrësit pranë Ministrisë së Arsimit. Për më tepër që edhe kjo pikë është monitoruar për një pjesë shumë të vogël të vitit 2020!”, tha Gjoka për Portën Vendore.
Ndërsa ambientalisti Lavdosh Ferruni tha për Porta Vendore se mungojnë të dhënat për cilësinë e ajrit për publikun duke theksuar se kjo gjë bëhet për dy arsye. “Ne kemi kërkuar që ndotja e ajrit duhet të paraqitet në një ekran të madhe për të gjithë qytetarët, dhe kjo nuk ka ndodhur. Pra mungon bërja publike e informacionit për dy arsye ose për shkak se këto aparate (matës) nuk funksionojnë ose nuk i bëjnë transparente për publikun për të fshehur të dhënat reale të ndotjes së ajrit në vend. Edhe në Tiranë ne nuk kemi informacione për shkallën e ndotjes në vazhdueshmëri.”, tha Ferruni.
Ekspertët theksojnë se përmirësimi i ndotjes së ajrit duket se nuk është prioritet i qeverisë, duke u ndalur të mosmbajtja e premtimit gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.”Në programin e mandatit të 2 të qeverisë, cilësia e ajrit ka qenë një nga 10 prioritetet e saj, por në asnjë moment nuk u adresua qoftë edhe minimalisht nëpërmjet ndonjë fushate apo ndërhyrje të vogël. Më tepër se 70% e ndërhyrjeve në infrastrukturën publike që realizohen nga shteti, nuk marrin leje mjedisore dhe as nuk raportojnë lidhur me shkarkimet në ajër. Nga ana tjetër subjektet private gjatë kësaj periudhe e deri më sot nuk kontrollohen thuajse fare lidhur me shkarkimet e tyre në ajër”, thotë eksperti Gjoka. Edhe ambientalisti Ferruni shprehet se mbrojtja e mjedisit, zë një hapësirë shumë minimale në vëmendjen e qeverisë. Por sipas ekspertëve të mjedisit shqetësuese është fakti që bashkitë nuk marrin masa pasi mohojnë përgjegjësitë e tyre për parandalimin dhe nuk pranojnë tolerime të bëra ndaj subjekteve.
Sot për sot të vetmin informacion shterues se si paraqitet ndotja e ajrit në 4 prej 61 bashkive të vendit, gjendet vetëm në portalin e projektit “Mushkëri te Gjelbra”
“Ligji i detyron Bashkitё të hartojnë një plan për menaxhimin e cilësisë së ajrit e më tej të monitorojnë për të mbajtur nën kontroll ekspozimin e qytetarëve të tyre. Asnjë prej 61 bashkive nuk ka një plan të tillë”, thotë Rodi Gjoka.
Ambientalisti Lavdosh Ferruni thotë se vendosja e matësve për të matur nivelin e ndotjes, nuk është i kushtueshëm, por mungon vullneti i bashkive dhe për këtë arsye nuk ka matës.
Bashkia Elbasan në vitin 2018 kreu një tender, ku ofertuesi i vetëm ishte bashkimi i operatorëve ‘Soft and Solution’ dhe ‘Fastech’ me vlerë 24.2 milionë lekë me TVSH, ose 98.5 % të fondit limit të shpallur nga bashkia, përmes programit të Rilindjes Urbane për një sistem monitorimi të parametrave mjedisorë, i cili duket se ka dështuar me sukses sipas eksperteve. Sipas tyre sot matёsi nuk gjeneron të dhëna lidhur me ndotjen, duke e çuar dëm investimin e kryer, por edhe gjatë atyre pak muajve që këto matës ishin funksionalë, nuk ishin të lidhur me institucionet e tjera qendrore, që këto të dhëna mund t’i shërbenin për politika mjedisore me efeciente, por gjithçka mbestej në nivel identifikimi pa politika serioze shtesë për të minimizuar çështjen e ndotjes.
Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi në këtë qytet, tha për Portën vendore se matësit kanë punuar vetëm dy muaj dhe punonjësit edhe sot e kësaj dite e marrin rrogën kot, pasi ata janë prej kohësh jofunksional.
“Në Elbasan matësit kanë punuar vetëm 2 muaj dhe tani nuk punojnë më. Ajo ishte kot me një fjale. Ikën gjithë ato lekë, njerëzit s’punojnë më , e marrin rrogën kot. Thanë që do ti hidhnin në faqen e bashkisë dhe nuk i pamë kurrë të dhënat në faqen e bashkisë së Elbasanit. E keqja është që në ligjin shqiptar për çështjen e ndotjes, bashkitë kanë vetëm çelësat e kashtës në dorë, por më shumë vuajnë qytete industriale si Elbasani, që për menaxhimin e mjedisit e mban qendra, ministria. Ata biznesmenët që nuk vendosur filtra që kursejnë energjinë në kurriz të shëndetit të njerëzve dhe nuk zbatojnë ligjin janë të lidhur me krerët e shtetit”, tha ai duke nënkuptuar kështu ndotjen e madhe të Metalurgjikut nga e cila Elbasani nuk shpëtojë asnjëherë në këto 30 vite.
Porta Vendore iu referua për këtë problem me një kërkesë për informacion këtij institucioni të pushtetit vendor por nuk pati një përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Ndërsa aktivisti dhe eksperti i mjedisit Besmir Agalliu, tha se e njëjta gjë ndodh edhe në Fier, ku aparatet e vendosur janë jofunksional dhe ndotja vijon të shkaktohet njësoj.
“Është e vështirë që ti shpëtojmë ndotjes, pavarësisht matësve që nuk janë efektiv, pasi nuk bëhen politika të mirëfillta mjedisore. Fieri po e vuan ndotjen çdo ditë, dhe ndaj shumica duan të largohen. Ajri dhe uji janë tejet të ndotur, madje edhe projekti i rehabilitimit të Gjanicës është kot, sepse nuk i ka shpëtuar për asnjë moment mbetjeve dhe ndotjes që ia shkaktojnë bizneset e naftës kryesisht që operojnë në atë zonë”, tha ai për Portën Vendore, ndërsa edhe Bashkia Fier nuk pati një përgjigje lidhur me situatën e ndotjes në këtë qytet dhe funksionalitetin e projektit të matësve.
Raporti GREEN LUNGS 2021
Raport vjetor mbi cilësinë e ajrit urban, fokusuar në qytete si: Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani i publikuar në mars 2021, servir gjetje interesante sa i takon ndotjes së ajrit. Projekti “Green Lungs” ka vendosur 5 pajisje statike lOAir që realizojnë matje 24 orë dhe gjenerojnë të dhëna në kohe reale. Pajisjet janë të lidhura, që nga muaji tetor 2020, me platformat AlRVisual dhe GreenLungs.al. Pajisjet e monitorimit janë vendosur në bashkitë ku projekti po zbatohet konkretisht në Tiranë 2 pajisje, Shkodër, Elbasan dhe Durrës nga një pajisje. Sigurisht, matjet tregojnë nivelin e ndotjes vetëm në zonat ku janë të stacionuara dhe për parametrat si PM2.5 dhe CO2, si dhe temperaturën, erën, presionin atmosferik dhe lagështinë.
“Efektet shëndetësore të ndotjes së ajrit janë serioze. Një e treta e vdekjeve nga goditja në tru, kanceri i mushkërive dhe sëmundjet e zemrës, janë pasojë e ndotjes së ajrit. Ndotja e ajrit është e lidhur ngushtë me ndryshimet klimatike. Nxitësi kryesor i ndryshimit të klimës është djegia e lëndëve djegëse fosile. Për këtë arsye, parandalimi dhe reduktimi i ndotjes së ajrit do të kishte impakt pozitiv në shëndetin e qytetarëve”, thuhet në raport.
Pjesa më e madhe e popullsisë jeton në Tiranë ku edhe limitet e cilësisë së ajrit shpeshherë i tejkalojnë normat e lejuara.
Projekti ‘Green Lungs’ është në vitin e tretë të zbatimit dhe gjatë kësaj periudhe ka grumbulluar fakte, shifra dhe vlera për ndotjen e ajrit në 4 bashki të mëdha të Shqipërisë (Tirana, Elbasani, Durrësi dhe Shkodra). Ndërkohë që objektivat e përcaktuara në fushën e ndotjes, me një vendim të datës 19.6.2019, “Për miratimin e planit kombëtar për menaxhimin e cilësisë së ajrit”, duket se janë ende larg implementimit.