Vëzhgim/Analizë

Fshatrat turistikë të Tiranës, ende larg modelit të programit të qeverisë për 100 fshatrat turistik

11 nëntor 2021/Julian Hoxhaj/Porta Vendore/Tiranë

Edhe pse Tirana ka njohur hov investimesh në tetë vitet e fundit, programi i qeverisë për 100 fshatrat turistikë duket se ka mbetur pas, ku investimet e planifikuara dhe projektet e bëra janë shumë larg modelit të programit të qeverisë për projektin e 100 fshatrave turistik. Porta Vendore vizitoi dy nga këto fshatra, ku në Pezë tabela njoftuese nuk pasqyron realitetin, ndërkohë që në Pëllumbas, pak kilometra rrugë e pashtruar ka mbajtur larg turistët.

Rreth 20 kilometra nga Tirana ndodhet fshati Pezë, i cilësuar si një nga zonat turistike të kryeqytetit. Ky fshat është gjithashtu pjesë e programit qeveritar “100 fshatrat”, përzgjedhur për t`u promovuar dhe investuar si destinacion turistike. Për të shkuar në Pezë, nga Tirana, kalon nëpër rrugën e vjetër Tiranë-Ndroq. Ky aks rrugor dikur shërbente si aks kombëtar që lidhte Tiranë me qytetet e jugut të vendit. Sot, kyaks rrugor, pasi kalon fshatin Vaqarr, është krejtësisht i amortizuar. Asfalti është vjetëruar ndërsa në shumë pjesë të rrugës, janë krijuar dhe gropa apo ulje-ngritje, që mund të jenë të rrezikshme për mjetet. Rruga për në Pezë zgjat rreth 30 minuta me makinë. Një memorial kushtuar dëshmorëve të luftës Nacional Çlirimtare i bën hije një tabele të sinjalistikës rrugore, që tregon kthimin majtas për në Pezë. Ndryshe nga rruga e amortizuar, Pezë-Ndroq, aksi prej gati 6 kilometrash nga rruga nacionale deri në qendër të fshatit Pezë është e asfaltuar. Në fakt, rehabilitimi i rrugës është bërë disa vite më parë, dhe nuk lidhet me programin “100 fshatrat”.

Peza është një nga fshatrat më të lashtë të Tiranës. E njohur si qyteti Feniks për shkak të rrënimit dhe rindërtimit përgjatë shekujve. Ekzistenca e saj daton rreth 2000 vjet më parë me ndërtimin e kalasë. Kalaja e Pezës është e njohur qenë shekujt e kaluar, për vlerat historike dhe arkitekturore.

 “Mendohet se kalaja është ndërtuar në shekullin e III-të para Krishtit dhe që nga ajo kohë deri në shekullin e XIX-të është rrënuar dhe rindërtuar krejtësisht disa herë dhe nga kjo mori edhe emrin qyteti Feniks (që simbolizon ripërtëritjen)…”, thuhet në mbishkrim.

Peza ka pasur mjaft bejlerë dhe agallarë, të cilët sipas gojëdhënave i kishin shtëpitë brenda në kala e më pas me shtimin e popullsisë i krijuan varoshet (lagjet jashtë mureve të kalasë), tregon një banor i zonës, edhe pse të dhëna e dokumente historike pretendojnë se për shkak të hapësirës së vogël të kalasë mund të mos ketë pasur banim në të.

Kalaja dhe ullinjtë janë dy simbolet e Pezës. Rëndësia e tyre shtrihet thellë në histori. Ullinjtë e Pezës janë mijëravjeçarë, madje mund të jenë edhe më të vjetër se kalaja.

Pezjanët karakterizohen si njerëz të urtë, punëtorë e të qetë. Kjo vihet re menjëherë sapo shkel në Pezë, pasi nuk sheh njeri rrugëve, por duke punuar. Nëse takon dikë në rrugë dhe e pyet, ai është i gatshëm të të tregojë çdo gjë që di.

Piknik gjatë fundjavës. Foto: J. Hoxhaj

Pasi marrim rrugën për në Pezë, përpara na del një tabelë e njëjtë si ato të vendosura në të shumtën e pikave turistike në kuadër të programit “100 fshatrat”. Tabela përmban informacion të përgjithshëm orientues, me sinjalistikën e nevojshme për turistët të cilët vizitojnë për herë të parë zonën. Tabela tregon që në zonë ka restorante, muze, objekte të trashëgimisë kulturore, hotel, parking, apo dhe mundësi për të kryer aktivitete sportive si ecja në mal etj. Madje sipas tabelës, në Pezë mund të bësh dhe plazh apo aktivitete të tjera. Në dukje, ky informacion të jep idenë se në Pezë mund të kalosh vërtet një kohë argëtuese, pasi prezantimi i parë të jep përshtypjen e një fshati të kompletuar për t`u quajtur “fshat turistik”.

Pak metra më tutje kësaj tabele, ndodhet qendra e fshatit. Kurioz për të parë se çfarë të ofron vërtet Peza, shkojmë në parkun e fshatit. Brenda parkut është vendosur dhe një parking publik për makinat. Parkingu, që menaxhohet nga Bashkia e Tiranës, në fundjavë nuk funksionon. Shumë qytetarë të pa informuar për këtë, u bllokuan për disa minuta në hyrje të parkingut, në pritje të hapjes së derës. Në mungesë të parkingut të bashkisë, alternativë është parkingu privatme pagesë. Një sipërfaqe toke e shtruar me gur në qendër të fshatit është vendi ku mund të gjesh një hapësirë për parking. Pasi futemi në të, një djalë rreth 12 vjeç, me flokë të gjata dhe të dredhura, afrohet për të marrë pagesën. Parking kushton 200 lekë të rinj dhe mund të rrish sa të duash. Pranë parkingut, ndodhen disa bare e restorante, një hotel dhe markete të vogla që ofrojnë shërbim për banorët e zonës dhe padyshim për turistët.

Monumenti i Pezës. Foto: J. Hoxhaj

Tabela e “100 fshatrave” larmi aktivitetesh, por realiteti është ndryshe

Fundjavat janë zakonisht ditët me më shumë turistë në Pezë. Për një turist që vjen për herë të parë në Pezë është mirë të ndjekë sugjerimet e tabelës udhëzuese apo të pyesëbanorët vendas, lidhur me mundësitë që ofrohen për të shijuar një fshat turistik. Ne, pasi kemi parë tabelën udhëzuese, e cila ofron larmi mundësish, pyesim një banor të zonës, i cili quhet Agim. Ai na tregon se çfarë realisht mund të bësh në këtë fshat turistik. “Këtu mund të bësh shumë gjëra. Te parku bëni piknik, vizitoni muzeun. Po keni këmbë, mund të ngjiteni lart në kodër dhe të shijoni natyrën”, thotë Agimi, një banor i Pezës rreth moshës 50 vjeç.

Aktiviteti më i preferuar është pikniku në park dhe një drekë në restorante. Pjesa tjetër e aktiviteteve nuk kryhen, pasi psh: nuk ka guida për viking, nuk ka ende shenjim të shtigjeve në kodër, apo korsi të dedikuara apo shtigje për ciklizëm malor.

Parku i Pezës pa investime, por vijon tradita e piknikut familjar

Në hyrje të Parkut të Pezës, i cili ka qenë një vend i frekuentuar edhe para shpalljes së kësaj zone si fshat turistik, është një derë metalike e madhe e cila mbyllet dhe hapet nga punonjës të bashkisë. Madje, bashkia, brenda parkut ka krijuar dhe një parking me pagesë i menaxhuar nga Bashkia Tiranë, i cili ditën që u bë vëzhgimi për këtë reportazh, ishte jashtë funksionit.

Në hyrje të parkut mungon tabela e sinjalistikës, ndërsa shtëpia muze e Myslym Pezës është e mbyllur. Memoriali kushtuar luftës Antifashiste është dëmtuar dhe i pamirëmbajtur. Në tokë gjen lehtësisht mbeturina, ndërsa pranë memorialit një kabёll elektrik mund të jetë rrezik për këdo, pasi telat janë pa izolim dhe lehtësisht të kapshëm nga fëmijët. Parku në vetvete është një oaz çlodhës, plot gjelbërim dhe me sipërfaqe të mëdha. Dhjetëra qytetarë, familje, të rinj, grupe studentësh apo turistësh, kanë organizuar piknik, ndërsa të tjerë zhvillojnë lojëra sportive. Parku ka dhe një hipodrom kuajsh. Kjo është e gjitha sa të ofron ky park, shto këtu dhe disa restorante brenda tij, të cilët janë investimi më serioz në një fshat turistik si Peza. Ndërkohë, pasi kemi përfunduar vizitën tonë në park, rikthemi përsëri në dalje të tij, duke u akomoduar në disa tavolina të një restoranti që ndodhet buzë lumit. Restoranti është një biznes familjarë, i ndërtuar në harmoni me natyrën, një godinë me dru shërben si baza e kuzhinës së restorantit, ndërsa ambient akomodues është i gjithi në natyrë. Kamerier është një djalë i ri, rreth të18-ve. Ai na tregon se “restoranti është i familjes, dhe kuzhiniere është nëna e tij. “Ofrojmë gatime tradicionale, lakror, mish të pjekur, gjëra fshati”, sqaron kamerieri, i cili lë shpejt përshtypje pozitive pasi ka një sjellje për t`u admiruar.

Katër kilometra rrugë që po largojnë turistët në Pëllumbas

Fshati Pëllumbas është rreth 20 km nga qendra e Tiranës. Për të shkuar në këtë fshat duhet të kalosh një pjesë të autostradës Tiranë-Elbasan, duke u kthyer në Ibë e më pas ndjek rrugën që të çon në fshat. Fshati ka marrë emrin “Pëllumbas” sepse mendohet se dikur ka qenë i tejmbushur me pëllumba, të cilët habitat të tyre kishin kanionet shkëmbore të lumit Erzen.

Rruga që të çon për në Pëllumbas. Foto: J. Hoxhaj.

Pjesë e njësisë administrative Bërzhitë, tashmë Pëllumbasi bën pjesë në listën zyrtare të fshatrave turistik, pasi atje ndodhet “Shpella e Pëllumbasit” apo e njohur ndryshe si “Shpella e Zezë”. Ajo është një ndër gjashtë shpellat karstike te njohura për ekzistencën në Europë, duke paraqitur kështu vlera arkeologjike, kulturore, shkencore e turistike për të gjithë vizitorët e saj. Në këtë shpellë, e cila ndodhet 350 metra mbi nivelin e detit, llogaritet të kenë jetuar paraardhësit që në periudhën diku para 10.000 vjetëve. Gjithashtu përveç Shpellës së Zezë në Pëllumbas gjejmë dhe pamjet e mrekullueshme të kanioneve të Erzenit, të cilat lumi Erzen ka krijuar gjatë shekujve duke rrjedhur në terren shkëmbor. Ndërkohë, vetë fshati Pëllumbas, për shkak zhvillimit të hovshëm të turizmit aventuriere, jo vetëm në shpellë por dhe për të parë kanionet e lumit Erzen, ka nisur t`i kushtojë vëmendje të shtuar agro-turizmit. Në fshat janë ngritur shumë restorante, hotele, bujtina dhe biznese të ndryshme, që ofrojnë shërbime për turistët. Ndërkohë, për të shkuar në fshat, rruga nga Iba deri në qendër të Pëllumbasit është një sfidë me vete.

Tabela informuese e Pëllumbasit. Foto: J. Hoxhaj

Sapo nis rruga e fshatit Pëllumbas, pamja e parë që të shfaqet është amortizimi i jashtëzakonshëm i rrugës. Gropa të mëdha, asfalt i shkatërruar, ujëra mbitokësore që derdhen në rrugë e deri te mungesa e sinjalistikës, janë elementët kryesor që të bien në sy sapo futesh në këtë rrugë. Ndonëse janë vetëm disa kilometra, rruga deri në qendër të fshatit shkon deri në 20 minuta për shkak të amortizmit të tejskajshëm. Shkak i kësaj situate, sipas banorëve të Pëllumbasit, janë kamionët e tonazhit të rëndë të një kompanie private, e cila shfrytëzon malin për inerte dhe zhavorre të ndryshme. Çdo ditë në këtë rrugë kalojnë me dhjetëra kamionё të ngarkuar me tonelata të tëra materialesh inerte, duke lënë si pasojë shkatërrimin total të rrugës, që përveç turistëve, vështirëson jetën e banorëve. “Është katër kilometra rruga që lidh qendrën këtu me pjesën e fshatit poshtë. Është prishur rruga, është shumë problematike sepse kalojnë shumë makina inerte. Edhe ne jemi mërzitur për shkak të rrugës”, shprehet Bardhyli, pronar i një restoranti në qendër të Pëllumbasit. Ndërkohë, Bashkimi, një i moshuar i këtij fshati, tregon se shqetësim për komunitetin dhe turistët është pikërisht rruga e amortizuar, e cila sipas tij do shkojë deri në atë gjendje sa të mos kalojnë me mjete.

“E shkatërruan rrugën, e patë si e kanë bërë. S`do kalojnë dot më makina aty. Do na mbyllin këtu në fshat”, shprehet ai. Por sikur të mos mjaftonte rruga, sapo afrohesh në fshat, një tjetër situatë aspak mikpritëse për turistët, janë koshat e plehrave të tejmbushur dhe derdhur në tokë, pasi duket se pastrimi në këtë fshat nuk kryhet prej kohësh. Megjithatë, as rruga dhe as situata me mbetjet urbane, nuk e kanë zbehur dëshirën e turistëve për të vizituar fshatin. Sipas Bardhylit, i cili administron dhe “info point-in” turistik në Pëllumbas, situata nga pandemia e Covid-19 ndikoi jo pak dhe në ardhjen e turistëve në Pëllumbas. “Ka pasur interes, sidomos fundjavave. Edhe gjatë ditëve të javës. Shpresojmë që të ketë dhe më shumë, para dy vitesh ka pasur shumë turistë. Pjesa e pandemisë e zbehi pak. Këtu janë bërë investime në qendrën e fshatit, është bërë zyra e investimeve për qendrën e informacionit turistik. Turistët e pëlqejnë Pëllumbasin, duan të ecin në natyrë dhe më pas të provojnë gatimet tona tradicionale. Çfarë gatuajmë në shtëpitë tona gatuajmë për turistët”, shprehet ai.

Turizmi duket se do të jetë e ardhmja e këtij fshati me potencial të madh, por që pret ende dorën e shtetit. Megjithatë, vetë banorët duken më të interesuar për të ruajtur vlerat dhe traditat e zonës. Pak kohë më parë, një projekt i USAID u zbatua për rehabilitimin e qendrës së fshatit. Projekti përshiu dhe ndërtimin e një “info point” për turistët. Kjo zyrë menaxhohet nga Bardhyli, një ish emigrant, që sot ka investuar në ndërtimin e një restoranti dhe bari në fshat. “Qendra e informacionit u ndërtua disa vite më parë. Këtu vijnë turistët, pajisen me veshjet dhe shkojnë në shpellë apo në kanion”, në tregon Bardhyli gjatë kohës që na prezanton me qendrën. E veçanta e kësaj qendre duket se është dëshira për të ruajtur gjallë traditën. Përveç se një zyre informacioni, qendra shërben dhe si një mini-panair i vogël për prezantimin e prodhimeve artizanale në fshat. Këtu gjen disa lloje reçelërash apo gliko, të bëra nga amvisat e Pëllumbasit. Gjithashtu, në njërin krah të janë ekspozuar prodhime artizanale karakteristike të zonës, të cilat punohen nga shtëpiaket e këtij fshati, dhe më pas sillen në qendër për tu tregtuar për turistët, që duan të marrin diçka me vete nga fshati. “Të gjitha këto janë prodhime të zonës, ne i bëjmë këtu të gjitha, i bëjnë gratë në shtëpi dhe i shesim këtu. Turistët i pëlqejnë, ka shumë prej tyre që i blejnë”, tregon Bardhyli me krenari për atë që ai ka ngritur tashmë në Pëllumbas.

Madje vizitorët atje mund të vizitojnë edhe një pjesë të kanionit të Erzenit, nëpërmjet pamjes së mrekullueshme të grykës së Skuranës.

100 fshatrat, sfida nga mungesa e objektivave të qartë te propaganda

I pyetur nga Porta Vendore, eksperti i pushtetit vendor njëherësh edhe drejtues i Shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali u shpreh se ideja e 100 fshatrave turistik ishte një ide propagandistike, e cila vlejti vetëm për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe sidomos të komuniteteve në fshatra.

“Ky projekt i planifikuar me një kohëzgjatje të zbatimit në periudhën 2018-2020 ka treguar se nuk ishte i mirëstudiuar. Ishte thjesht një ide propagandistike për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe sidomos të komuniteteve në fshatra. E gjithë kjo për të shuar debatin se pesha e investimeve pas reformës territoriale ishte përqendruar në zona urbane dhe se fshati ishte lenë pas dore. Por duke qenë se programi nuk kishte objektiv të qartë dhe realist, programi thuajse është i dështuar”, shprehet Haxhimali për Portën Vendore.

Fakti që i gjithë ky projekt nuk ka funksionuar mirë e tregojnë në fakt edhe vetë institucionet shtetërore të përfshira në këtë projekt.

Bashkia e Tiranës nuk dha një përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi për Portën Vendore mbi investimet që janë bërë në fshatrat turistik të përzgjedhur nga qeveria në vitin 2018.

Në qarkun e Tiranës janë zgjedhur në total 10 fshatra turistik, nga të cilët 4 në kryeqytet dhe përkatësisht fshati : Shesh, Shëngjergj, Pezë, Pëllumbas.

E pyetur nga Porta Vendore, Fondi Shqiptar i Zhvillimit tha se në qarkun e Tiranës janë përfshirë në nivel investimesh vetëm dy fshatra që ndodhen në Kavajë, përkatësisht Vilë Bashtova dhe Germenj, ndërsa në bashkitë e tjera nuk ka asnjë investim të planifikuar ose që mund të jetë në studim e sipër.

“Zbatimi i programit nuk ishte përqendruar në institucionin e duhur dhe nuk u shoqëruar me mjete financiare dhe projekte konkrete. Agjencitë qeveritare nuk demonstruan ndonjë vëmendje të dukshme në këtë program gjithashtu. Programi i 100 fshatrave duhettë financohet nga buxheti i shtetit dhe i bashkive. Këto bashkë do vendosnin një objektiv dysheme – që çdo bashki duhet qe çdo vit të zhvillojё një fshat. Vetëm me këtë objektiv dhe me bashkim burimesh financiare do kishin një rezultat të prekshëm”, shprehet Agron Haxhimali, drejtues i Shoqatës së Bashkive.