Vëzhgim/Analizë

Qindra familje pa shtëpi, shkak vonesat nё procedurat e bashkive për kreditë e buta

7 Nëntor 2021/Marinela Dushi/Porta Vendore

Qindra qytetarë prej më shumë se një viti kanë aplikuar për kredi të butë dhe ende nuk kanë marrë një përgjigje nga bashkitë, pasi lista nuk ka kaluar për miratim në këshill bashkiak. Porta Vendore i dërgoi kërkesë për informim në lidhje me procesin e kredive të buta 8 bashkive kryesore në vend në datën 25.07.2021, konkretisht Bashkisë Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër, Lezhë, Korçë, Kukës. Nga analizimi i përgjigjeve dhe informacionit zyrtar konstatohet se gjysmës së qytetarëve nuk u është miratuar kërkesa për kredi, ndërsa qindra të tjerë janë në pritje të shpalljes së fituesve.

Duke qenë se blerja e një apartamenti në vendin tonë për shumicën e qytetarëve shqiptarë duket një mision i pamundur, për shkak të çmimeve marramendëse të tyre dhe të ardhurave të ulta mujore. Për këtë bashkitë përmes ligjit të strehimit social të vitit 2018, i ofrojnë mundësinë qytetarëve që përmes disa kritereve, të përfitojnë 80% të fondit nga banka dhe përmes ndërhyrjes së  programit të bashkisë, qytetarët paguajnë kredinë me normën e ulët të interesit me 3%. Pra blerja e një apartamenti përmes kredive të lehtësura nga shteti, duke tashmë një mision i arritshëm. Por sa është interesi i qytetarëve për kredinë e butë dhe sa prej % e tyre e përfitojnë, Porta Vendore u dërgoi kërkesë për informim 8 bashkive kryesore, dhe ajo që u konstatua edhe se interesi i qytetarëve është i lartë, por ai i familjeve që kanë përfituar kredi të butë dhe kanë mund të blerjën shtëpinë e tyre, është shumë i ulët. Përgjatë 3 viteve të fundit në bashkitё: Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër, Lezhë, Korçë, Kukës kanë aplikuar mbi 8769 dhe numri i familjeve që kanë përfituar është 3737, pra as gjysma e familjeve të interesuara. Por ajo që vihej re është se viti pandemik duket se ka prekuar edhe programin e strehimit, pasi në vitin 2020 në cdo bashki numri i përfituesve në krahasim me vitet e shkuara, është shumë u ulët.

Konkretisht në Bashkinë Durrës kanë aplikuar 1248 familje, përkatësisht në vitin 2019, 759 familje ndërsa në vitin 2020 kanë aplikuar 130 familje, në vitin 2021 numri i aplikimeve është 359. Nga këto të dhëna sipas përgjigjes zyrtare të bashkisë Durrës, për vitin 2019 kanë përfituar vetëm 79 familje nga 759 që kishin aplikuar. Ndërsa për vitet 2020 dhe 2021, ende nuk dihet sa familje kanë përfituar pasi janë në pritje të miratimit apo jo nga Këshilli Bashkiak. Pra sipas përgjigjes së bashkisë Durrës, 489 familje ende janë në pritje të shpalljes së listës përfituese.

Bashkia Tiranë për 3 vite kanë aplikuar 7521 familje nga të cilat janë shpallur fitues të kredisë së butë vetëm 2910. Konkretisht në vitin 2017 kanë aplikuar 2457 familje dhe u shpallën fitues 999. Në vitin 2018 aplikuan 2814 familje nga të cilat përfituan 1104. Në vitin 2020 aplikuan 2250 familje dhe përfituan 807, pra duke shënuar një rënie.

Në Fier përgjatë vitit 2019, 2020 dhe 2021 kanë përfituar 174 familje, respektivisht 84 në vitin 2019, 60 në 2020 dhe 30 në 2021.

Në Bashkinë Korcë përgjatë 3 viteve kanë përfituar 157 familje. Në vitin 2019 përfituan 74, në vitin 2020 nga 90 aplikime përfituan 58 ndërsa në vitin 2021 nga 40 përfituan 25 familje. Pra pothuajse gjymsa e familjeve të interesuara nuk përfituan kredinë e butë .

Në Bashkinë Shkodër për 3 vitet e fundit kanë përfituar 178 familje.

Në Bashkinë Kukës përgjatë viteteve 2019, 2020, 2021 kanë përfituar 174 familje.  Konkretisht në vitin 2019 kanë përfituar 84 familje, në vitin 2020-60 familje ndërsa në vitin 2021 përfituan 30 familje. Pra vihet re së gjatë vitit të pandemisë është reduktuar edhe subvencionimi i interesave të kredisë pasi ka shënuar një numër më të vogël të përfituesve nga progami i bashkisë për kredi të butë.

Në Bashkinë Vlorë gjatë 3 viteve kanë përfituar vetëm 65 familje. Për vitin 2019 bashkia nuk na dha shifra se sa ishte numri i aplikimve apo përfituesve. Por për vitin 2020 bashkia infromon se janë miratuar nga Këshilli Bashkiak 165 familje nga të cilat kanë përfituar vetëm 35. Sipas bashkisë, familjet e miratuara me VKB nuk janë automatikisht përfitues të kredisë së butë. Banka mund ti skualifikojë. Ndërsa për vitin 2021 kanë aplikuar 200 familje dhe pritet që lista të kalojë për shqyrtim në Këshillin Bashkiak.

Problematika dhe zvarritja në procesin e miratimit dhe alokimit të fondeve vihet re në Bashkinë Vlorë, Durrës dhe Lezhë.

Edhe pse për 4 muaj mbyllet viti 2021, në disa bashki nuk janë miratuar dhe nuk janë shpallur fituesit e vitit 2020.

Ndërsa Bashkia Durrës konstatohet se thirrjet për kredi të butë nuk i ka hapur çdo vit. Siç duken edhe nga të dhënat e tabelës së bashkisë, familjet e reja kanë përfituar kredi të butë, vetёm në vitet 2010, 2012, 2013, 2015 dhe 2019. Aktualisht prej dy vitesh qindra çifte të reja janë në pritje të miratimit të kredisë dhe marrjes së fondit. Konkretisht për vitin 2020 dhe 2021 kanë aplikuar 489 familje dhe ende pritet miratimi i vendimit të Këshillit Bashkiak. Kjo bëhet me dije në përgjigjen zyrtarë të kthyer për Porta Vendore nga Bashkia Durrës në datë 29 korrik 2021.“Në vitin 2020 në Bashkinë Durrës kanë aplikuar 130 familje që pritet miratimi i vendimit të Këshillit Bashkiak. Në vitin 2021 kanë aplikuar 359 familje që pritet miratimi i vendimit të Këshillit Bashkiak”, thuhet në përgjigjen e bashkisë Durrës.

Ndërkohë bëhet me dije se thirrjet për kreditë e buta janë të hapura, megjithëse Bashkia Durrës ka aplikues “stok” të dy viteve përkatësisht. “Bashkia Durrës në kushtet e ndodhjes së fatkeqësisë natyrore të tërmetit të datës 26.11.2019, si dhe të pandemisë së COVID-19 , aplikimet për kredi të lehtësuar për strehim me 3 % i ka të hapura”. Por nuk bëhet e ditur pse ka ndodhur kjo vonesë duke i lënë qytetarët në pritje prej më shumë se një viti.

E njëjta situatë zvarritje duket edhe në Bashkinë Vlorë. Për vitit 2021 kanë aplikuar rreth  200 familje dhe pritet që lista të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak por nuk bëhet me dije arsyeja pse qytetarët janë ende në pritje të përgjigjes së bashkisë nëse e kanë përfituar kredinë e butë apo jo. Një tjetër problematik që shihet është se viti 2020, pra vitit pandemik duket se ka ndikuar edhe në uljen e buxhetit për të ndihmuar familjet në lehtësimin e interesave të kredisë. Kjo, problematikë e hasur edhe në bashkitë e tjera të vendit. Sipas Bashkisë Vlorë, në vitin 2020 janë miratuar 156 familje, duke mos dhënë informacione sa ishte numri i aplikantëve për këtë vit, nga të cilat kanë përfituar vetëm 35 familje. Në vitin 2020 janë miratuar me Vendimin e Këshillit të Bashkisë Vlorë Nr.43, datë 28.05.2020, 156 familje dhe individë. Në vitin 2020 janë 35 përfitues në projektin që zbatohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë. Për vitin 2021 kanë aplikuar rreth 200 familje dhe individë të pastrehë dhe janë në pritje të miratimit nga Këshilli i Bashkisë Vlorë”, thuhet në përgjigjen zyrtare që mban datën 26 korrik 2021. Duke qenë se shifra e miratuar nga bashkia ka një diferencë të madhe nga shifra e përfituesve për vitn 2020, Bashki Vlorë kujdeset të japë një sqarim.

“Familjet e miratuara me VKV nuk janë automatikisht përfitues të kredisë së butë. Banka mund të skualifikojë familjet që nuk plotësojnë kushtet e saj”, thekson Bashkia Vlorë.

Për 3 vite sipas njoftimit të Bashkisë Vlore, kanë përfituar kredi të butë 65 familje dhe individë nga projekti i subvencionimit të interesave të kredisë nga buxheti i Bashkisë Vlorë, duke dhënë shifër konkrete për përfituesit vetëm për vitin 2020 që ishte 35, ndërsa nuk jep të dhëna se sa ka qenë kërkesa për kredi në vitet e shkuara. “Jemi në pritje të dërgimit të listës së përfitueseve nga projekti i zbatuar me fondet e ministrisë që mbulon strehimin”, thuhet në përgjigjen zyrtare të bashkisë.

Vonesa dhe shtyrje të kredive janë evidentuar edhe në Bashkinë Lezhë. “Kreditë e buta janë hapur vetëm për vitin 2020 dhe kanë aplikuar 129 familje, nga këto kanë përfituar 100 familje. Për vitin 2021 kanë bërë kërkesë deri tani 23 familje, por këto dhe shumë familje të tjera do të parashikohen për vitin 2022”, thotë Bashkia Lezhë. Pra nuk do të jepen kredi për vitin 2021.

Ndërsa në Kukës përgjatë 3 viteve të fundit nuk ka përfituar asnjë qytetar kredi të butë, dhe në përgjigjen zyrtare nuk bëhet me dije pse. Ndërkohë përgjatë vitit 2019-2020-2021 kanë shprehur interes për kredinë e butë 172 persona.

“Gjatë 3 viteve të fundit, 2019, 2020, 2021 nuk ka pasur familje që kanë përfituar nga programi kreditë e buta. Numri i familjeve që kanë aplikuar për vitin 2019 është 51 familje, për vitin 2020 janë 84 familje ndërsa për vitin 2021 deri në muajin korrik kanë aplikuar 37 familje. Numri i aplikuesve është mbartur ndër vite ku në fund të vitit 2020 me Vendim të Këshillit Bashkiak kanë marrë statusin si të pastrehë 340 familje dhe është dërguar lista e dytë për tu miratuar me 98 familje”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Kukës.

Për shkak edhe të popullsisë, numrin më të lartë të pastrehëve apo ndryshe të kërkesave për kredi të butë nga qytetarët, e mban Tirana. Nga viti 2017 deri në 2020 në kryeqytet kanë aplikuar për kredi të butë për blerjen e një banese, 7521 qytetarë. Nga këta kanë përfituar vetëm 2910. Konkretisht në vitin 2017 kanë aplikuar për kredi të butë në Bashkinë e Tiranës 2457 qytetarë nga të cilët janë shpallur fitues vetëm 999 prej tyre. Në vitin 2018 interesi është mëi lartë duke shënuar një numër më të lartë aplikantësh. Në këtë vit janë bërë 2814 kërkesa, nga të cilat kanë përfituar kredi të butë vetëm 1104, pra shumë më pak se gjysma prej tyre. Viti 2020 shënon një rënie të vogël të interesit për kredinë. 2250 qytetarë kanë aplikuar për kredi dhe janë shpallur vetëm 807 fitues. Kreditë e buta janë një lehtësim i ndërmarrë nga institucionet lokale ndaj qytetarëve. Bashkitë teksa bashkëpunojnë me bankat, paguajnë një pjesë të interesit të kredive për qytetarët duke ua lehtësuar barrën financiare. Shumë qytetarë janë penalizuar për të marrë kreditë e buta për shkak të mungesës së dokumentacionit, ose burokracive, sidomos familje që vijnë nga komuniteti rom dhe egjiptian.

“Kam aplikuar dhe nuk e kam fituar dot, nuk i kam plotësuar kriteret, si unë edhe disa njerëz të tjerë nga komuniteti rom dhe egjiptian. Nuk e përfitoj sepse bashkëshorti im ishte me siguracione, unë isha pa siguracione. Ishte dhe kjo pjesa e aplikimit, të certifikatës që s’e gjenin dot e gjëra të tilla. Kështu që filloi shkallë-shkallë e nuk e përfitova dot kredinë e butë. Kam aplikuar te njësia numër 5 para 2 vitesh, pra në vitin 2019. Më doli në fazën e parë, në fazën e dytë nuk e plotësoja dot se u deshën shumë dokumente. Pastaj doli ky aplikimi në E- Albania, që unë nuk e nxjerr dot. Se s’marrim vesh nga këto gjërat teknologjike”, shprehet Nertina Muharremi për Portën Vendore, teksa tregon që burokracitë i hanin shumë kohë e para, derisa pas një sërë tentativash hoqi dorë nga kërkimi i kredisë së butë.

Që të nxirrja dokumentin që kisha për pronat, unë duhej të shkoja në Rinas. Kam aplikuar edhe herë të tjera dhe nuk e kam fituar. Kam 6 vite që jetoj me qira. Edhe një komshiut tonë i doli në fazën e parë, ndërsa në fazën e dytë nuk e fitoi se nuk kishte sigurime. Në fakt mirë do ishte që të bëheshin tolerime, por ku di gjë unë shkreta tani. Është ky ligji, kjo gjëja dhe duan ato procedurat e veta. Të njësia 5 plotëson formularin social dhe kaq, nuk të ndihmojnë. Më thonin shko në Rinas, merr vërtetim që s’ke prona, apliko tek E-albania, me thënë të drejtën komuniteti jonë nuk e merr vesh E-Albania. Shumica janë pa shkollë, pavarësisht se unë e kuptoja, shumica nuk e kuptonin. Edhe bonusin e qirasë e humba, është gjynah që për një dokument humba edhe kredinë dhe bonusin. Pak a shumë shpresat i kam humbur por do tentoj edhe njëherë, por unë nuk e përfitoj dot se nuk i plotësoj dot, nuk të japin siguracione në firmat ku punoj”, përfundon ajo.

Ndërkohë, në bashkinë Shkodër përgjatë 3 viteve të fundit kanë përfituar 145 qytetarë. Në total janë miratuar 145 përfitues, si dhe 33 përfitues në listën rezervë të miratuar me disa vendime të këshillit bashkiak. Këto përfitues janë në proces të verifikimit dhe kontraktimit me institucionin financiar zbatues të programit”, thuhet në përgjigjen referuar Portës Vendore nga ky institucion vendor.

Gjatë vitit 2020 në Bashkinë Shkodër kanë aplikuar 105 qytetarë dhe janë miratuar si përfitues në këtë program 104 përfitues. Për vitin 2021 janë 91 përfitues nga të cilët 42 janë miratuar si përfitues në listën parësore dhe 33 në listën rezervë, në rastin kur përfituesit nuk kualifikohen nga institucioni financiar.

Ndërsa në Korçë gjatë 3 viteve të fundit kanë përfituar kredi të butë 157 familje.

“Përparësi për të përfituar kredi të butë kanë çiftet e reja. Familja duhet të ketë vërtetimet negative nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), vërtetim page + sigurimet shoqërore sipas përcaktimeve për të ardhurat mesatare, kartë ID, certifikatë familjare, vërtetim banimi dhe kërkesën për strehim të noterizuar. Aplikimet hapen 1 herë në vit dhe periudha e aplikimit zgjat 3-5 muaj. Për vitin 2020 kanë aplikuar për kredi të butë rreth 90 familje dhe kanë përfituar 58 familje. Për vitin 2021 kanë aplikuar për kredi të butë rreth 40 familje dhe kanë përfituar 25 familje”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Korçë.

Ndërsa Bashkia Fier përgjatë 3 viteve 2019, 2020 dhe 2021 ka shpallur fitues 174 familje. “Konkretisht 84 familje viti 2019, 60 familje viti 2020, 30 familje vitit 2021”.

Sipas aktivistit të shoqërisë civile Gentjan Sejrani, programi i strehimit social i kredive të buta është një nga programet që ka ekzistuar dhe në ligjin e mëparshëm edhe në këtë aktualin, por mungesat duket se janë të njëjta dhe të trashëguara sa i takon fondeve. “Jo të gjitha bashkitë e zbatojnë si program, për shkak të mungesë së fondeve. Një nga bashkitë kryesore që e zbaton këtë program, është Bashkia e Tiranës. Në fakt, ky program i vjen në ndihmë familjeve mesatare dhe mbi mesatare, pasi kriteri kryesor për të përfituar janë të ardhurat mujore. Familjet e varfra që i përkasin target grupeve si egjiptian, rom, aftësi e kufizuar, gra të dhunuara, etj, e kanë të pamundur të jenë përfitues të këtij programi për shkak të të ardhurave mujore, pasi shumica e këtyre familjeve jetojnë me të ardhurat nga ndihma ekonomike ose punësimi informal. Nga informacionet jozyrtare që kemi, mund të themi se ky program përdoret si mjet për marrjen e votës së familjeve me të ardhura mesatare ose për strehimin e punonjësve të administratës”, u shpreh ai.

Xhuljana Sakollari nga Qendra sociale e Advokimit, tregon për Portën Vendore se ka shumë familje që për shkak të procedurave burokratike nuk janë të interesuar t’i futen kredisë së butë, ose e humbasin interesin gjatë këtij procesi.

“Ka shumë familje që nuk janë të informuar për këtë program, kredia e butë si funksionon, si mund ta marrin, çfarë dokumentesh e gjëra të tilla. Janë të painformuar për këtë pjesë. Për të gjitha programet që bashkia ofron kundrejt qytetarëve në përgjithësi, jo vetëm për komunitetit rom dhe egjiptian, unë mendoj se bashkia duhet të bëjë disa seanca informuese që publiku i gjerë të informohet se çfarë është ky program, çfarë përfitohet, cilat janë dokumentet, në mënyrë që të gjitha shtresat të mund të aplikojnë”, tha ajo.

Teksa analizojmë të dhënat zyrtare, Bashkia Kukës dhe Vlorë janë bashkitë që kanё shpallur më pak familje përfitues të kredisë së butë. Konkretisht në Kukës nuk ka përfituar kredi asnjë qytetar gjatë 3 viteve, ndërsa në Vlorë kanë përfituar 65 familje teksa qindra të tjera janë në pritje të miratimit të listës fituese nga këshilli. Më pas vjen Shkodra, Korça dhe Fieri. Ndërsa Tirana dhe Durrësi janë bashkitë që kanë dhënë më shumë kredi të butë për qytetarët.

Ekspertja për çështje të pushtetit vendor, Aida Cacaj në një intervistë për Porta Vendore është shprehur se nevojat aktuale të familjeve të pastrehë për kredi të butë, janë më të lartë se sa mundësitë financiare të bashkive.“Ka një mospërputhje mes planifikimit të fondeve për programet e strehimit social dhe nevojave aktuale. Është e pritshme që dhe për shumë kohë, nevojat do të jenë më të mëdha se mundësitë. Kjo për shkak të mundësive financiare qoftë të buxhetit të shtetit qoftë të të ardhurave të vetë bashkive. Bashki si Tirana, me një popullsi të madhe, sigurisht do të kenë fluksin më të madh të kërkesave dhe do t’ju duhet të alokojnë fonde nga të ardhurat e tyre për të zbatuar programe të kredive të buta për strehim”, tha Cacaj.

Në lidhje me vonesat për shpalljen e fituesve për kreditë e buta, ekspertja Aida Cacaj e cilëson si diçka negative, duke nënvizuar si problematike edhe numrin e lartë të dokumenteve që kërkohen për të plotësuar kriteret për përfitimin e kredisë së butë.“Vonesat për çdo lloj shërbimi publik janë të padëshiruara, aq më shumë për shërbime të tilla. Nuk mund të evidentojmë arsye që do të vlenin për të gjitha bashkitë, por mund të përmendim numrin e madh të aplikimeve, dokumentacionin voluminoz të dosjeve individuale, vonesa të shkaktuara nga institucioni financiar etj. Kriteret e vendosura për të përfituar kredinë e butë, janë të shumta të cilat shpesh mund të bëhen shkak që qytetarët mos ta fitojnë kredinë për banesën. Kjo çështje merr rëndësi të veçantë kur shohim se gabime qoftë dhe drejtshkrimi bëhen kriter për skualifikim të aplikuesve”, tha Cacaj.

Ekspertja sugjeron që bashkitë të lehtësojnë aplikuesit nga marrja e dokumenteve si dhe të jenë më aktive në gjetjen e mundësive të bashkëpunimit veçanërisht me programe të huaja për të zgjeruar kapacitetet e tyre financiare.

Kriteret për të përfituar kredi të butë bazohen në ligjin nr. 22/2018, datë 03.05.2018 “Për strehimin social”, kreu VII, neni 44 “Banesat me kosto të ulët”. Këto projekte zbatohen nisur nga kërkesat e familjeve dhe individëve të pastrehë dhe bazohen në fondet e vendosura në dispozicion nga njësitë vendore dhe qendrore, sipas politikave që hartohen për strehimin.

Kriteret e vendosura për të përfituar kredinë e butë, janë të shumta të cilat shpesh mund të bëhen shkak që qytetarët mos ta fitojnë kredinë për banesën.

Cilat janë kriteret për të përfituar kredi të butë?

Dokumentacioni që dorëzohet përmes portalit E albania, ose pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Bashki, Sporteli i Strehimit Social, dosja e çdo aplikanti duhet të përmbajë dokumentacionin që vërteton si më poshtë vijon:

a) Për të dhëna personale të aplikantit:

  1. certifikatë e lindjes së aplikantit, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nukka regjistrim në gjendjen civile;
  2. vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.

b) Për vërtetimin e kushteve të strehimit, sipas shkronjës “a”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018,

“Për strehimin social”:

  1. vërtetim nga Agjensia Shtetërore e Kadastrës për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes;
  2. vërtetim nga Agjensia Shtetërore e Kadastrës për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi;
  3. vërtetim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për çdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;
  4. vërtetim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës që aplikanti apo çdo pjesëtar tjetër i familjes në moshë madhore nuk ka aplikuar për legalizim banese.(origjinale)
  5. aktverifikim nga njësia vendore për:
    1. banesat në rrezik shembjeje;
    2. rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore;
    3. banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit.
  6. vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës;
  7. akt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë.

c) Për vërtetimin e kushteve familjare, sipas shkronjës “b”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018,

“Për strehimin social”:

  1. certifikatë familjare;
  2. vendim i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara.

ç) Për vërtetimin e kushteve sociale, sipas shkronjës “c”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018,

“Për strehimin social”:

  1. vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individë me aftësi të kufizuara;
  2. vërtetim përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezë e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për individët me statusin e jetimit;
  3. dokument që vërteton se ka mbetur i pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara;
  4. dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”;
  5. dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve;
  6. urdhër mbrojtjeje apo urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata për viktimat e dhunës në familje;
  7. vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome ose egjiptiane;
  8. dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin;
  9. vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI;
  10. vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë-nënë.

    d) Për vërtetimin e kushteve ekonomike, sipas shkronjës “ç”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018,

 “Për strehimin social”:

  1. vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t’i bashkëlidhen dokumenteve zyrtare që e vërtetojnë atë, përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
  2. dokument nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes;
  3. vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar;
  4. vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;
  5. vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.