4 nëntor 2021/ Sidorela Xhomaqi/ Porta Vendore/ Korçë
Korça është një ndër qarqet që ka numrin më të lartë të fshatrave të përzgjedhur për programin e qeverisë “100 fshatrat turistikë, plot 12 të tillë. Por edhe në këtë qark, si në shumë të tjerë të verifikuar nga Porta Vendore, rezulton se investimet në kuadër këtij programi kanë qenë të vogla, ose ende nuk janë implementuar. Porta Vendore shkoi në tre prej 12 fshatrave, konkretisht në Bashkitë Pustec, Maliq dhe Korçë, ku të tre fshatrat e vizituar, ende nuk ndjejnë aromë investimesh, por vetëm projekte që nuk kanë filluar zbatimin.
Në programin e 100 fshatrave turistikë, Qarku Korçë ka jo pak, por 12% të fshatrave të përzgjedhur nga qeveria për investime, me qëllim rritjen e ekonomisë së këtyre fshatrave. Konkretisht, për këtë program janë përzgjedhur fshatrat Drenovë, Boboshticë, Voskopojë, Dardhë, Zvirinë, Rehovë, Borovë, Lin, Tushemisht, Gurras, Arrëz, Nikolicë dhe Zaroshkë. Disa prej këtyre fshatrave, siç është Dardha, kanë njohur investime të ndryshme në kuadër të këtij projekti, ndërkohë që disa të tjerë ende nuk e kanë ndjerë ‘aromën’ e investimit. Porta Vendore udhëtoi përkatësisht në Zvirinë të Bashkisë Maliq, në Zaroshkë të Pustecit dhe në Boboshticë të Korçës, për të parë nga afër investimet në kuadrin e projektit madhor të qeverisë për zhvillimin e agroturizmit në këto zonë.
Zvirinë
Fshati Zvirinë i Bashkisë Maliq, i cili ka rrethet 1500 banorë, është përzgjedhur si një nga fshatrat e programit të qeverisë për të përmirësuar jetën e banorëve, për t’i dhënë një hov turizmit në këtë zonë. I vjetër në histori, ky fshat ka bashkëjetesë fetare, të krishterët dhe ortodoksët. Ai ndodhet rreth 24 km larg qytetit të Korçës dhe 10 km nga qyteti i Maliqit.
Fshati Zvirinë shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 337 ha. Shtrihet pothuajse në pjesën veriore të territorit të Bashkisë Maliq. Nga zbulimet arkeologjike ka rezultuar se ka pasur 2 ujësjellës, pasi janë gjetur tuba qeramike. Gjithashtu, ka pasur një shkollë Greke që në vitin 1110. Mendojmë që kjo përbën një atraksion përsa i përket trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit pse jo edhe të turizmit në këtë zonë. Fshati Zvirinë karakterizohet nga burime të shumta ujore nëntokësore, të cilat njerëzit i kanë përdorur prej vitesh për përdorime vetjake. Gjelbërimi i fushave pjellore sidomos në periudhën e pranverës, e bën atë të duket një oaz i gjelbërt në fushën e Korçës. Zvirina është një fshat me potencial të lartë zhvillimi dhe mjaft premtues si në fushën e bujqësisë dhe frutikulturës, po ashtu dhe në atë të agro-turizmit. Si specialitet i zonës në kulinari është gatimi i pulës së fshatit me miell edhe vezë.
Në hyrje të fshatit, sapo lë rrugën nacionale Korçë-Pogradec, duket se infrastruktura nuk ka asnjë problematikë, duke të ofruar një panoramë shpresëdhënëse për investime, por sapo kalon rreth 250 metra, infrastruktura ndryshon si dita me natën, pasi ajo u la përgjysmë.

Duke ecur në rrugët e fshatit takojmë 70 vjeçarin Taqo Çobani, i cili është duke shkuar në tokat e tij. Teksa na përshëndet, ai na rrëfen se është banor i lindur dhe i plakur në Zvirinë. “Jetesa është e vështirë këtu moj vajzë, jemi edhe fshat turistik”, thotë i moshuari pa mundur ta fshehë dot ironinë. “Si mund të zhvillohet fshati e të vijnë turistë kur ne na shtruan vetëm 100 metra rrugë dhe më pas e lanë përgjysmë në 8 vite. Po ne mezi shkojmë me kuaj, e me zetora”, shprehet ai.
Por, përveç infrastrukturës që lë mënjanë turizmin dhe vështirëson çdo ditë jetën e banorëve është pikërisht mungesa e ujit të pijshëm. Banorët e këtij fshati nuk kanë ujë të pijshëm për më shumë se 30 vite. Alternativa e vetme e tyre është mbushja e ujit në 2 burimet e fshatit, ku çdo ditë burra e gra zënë radhën pas punës e presin të mbushin enët, bidonët e për ta çuar drejt banesave. “Ajo që do çuditesh kur të të them është që s’kemi ujë fare në shtëpi. Do thuash ti si ia bëjmë? Janë 2 burime në fshat dhe atje shkojmë mbushim. Na zihen gratë me njëra-tjetrën se vendosen në radhë e presin të mbarojë njëra pa të fillojë tjetra. Po njëra ka punë duhet të ikë e kështu zihen gratë për ujin këtu”, shprehet Taqo Çobani.
Madje si shumëkush në këto anë që frymën e mban me bujqësi, ai ndalet edhe tek subvencionimi i munguar nga ana e shtetit për këtë fshat dhe fermerët e tij. “Unë kam mbjellë mollë edhe qepë e patate e gjëra të tjera se vërtet jam pensionist por e dua punën. Asnjëherë s’kemi marrë as subvencione , as dëmshpërblime dhe as nuk i shesim dot në vjeshtë. Ua hedhim hajvanëve (gomerëve) mollët e patatet, qepën po ashtu. Po shkoj të vadit me pompë por ujë s’ka, as i pastrojnë kanalet asgjë, janë gjithë kallamishte, dua 3 orë të më vijë uji atje. Prodhimet mirë i kemi por duhet ujë.”, përfundon Taqo Çobani për Portën Vendore.
Fshati Zvirinë merret kryesisht me bujqësi dhe frutikulturë. Prodhimet e mollëve, qepëve dhe patates janë produktet që kultivohen më së shumti në këtë fshat. Të gjitha familjet në këtë zonë element kryesor të jetesës kanë bujqësinë. Mungesën e investimeve në këtë fshat në 30 vite e konfirmojnë masivisht të gjithë banorët e mbetur të këtij fshati. “Prej 30 vitesh asnjëherë s’ka pasur investime. Rruga është bërë vetëm një pjesë, e më pas u la nga bashkia. Nuk kemi fonde thonë, të japë qeveria, por ne nuk shkojmë dot me makina. Është turp se jemi kaq pranë aksit nacional. Vetëm premtime japin e thonë do e bëjmë, sa marrin votën, aq e kanë. Po uji është më problem në këtë fshat. Të na rregullonin ujin dhe rrugën e s’duam gjë tjetër se taksat i paguajmë, punë s’u kërkojmë se kemi krahët, por këto s’i bëjmë dot vetë”, shprehet i irrutuar Vasil Çobani, një banor tjetër i fshatit Zvirinë.
Në Zvirinë rikthehen herë pas here emigrantët të cilët e duan vendlindjen e tyre, por ama nuk mund të bëjnë një sy qorr për të mos parë faktin që s’ka ndryshime e investime.
Thoma Çobani një tjetër banor i zonës, i shpërngulur prej 20 vitesh në Itali shprehet: “Unë kam 20 vite qe jetoj jashtë shtetit, në Itali. Çdo vit që vij më keq e gjej. Më mirë në kohën e Enver Hoxhës se tani. Atëherë ishin 10 çezma kurse tani 2 kanë mbetur. Rrugët i nisin dhe i lanë përgjysmë. Këtu është të ikësh natën jo ditën . Edhe thonë pse nuk ktheheni, por ku të kthehesh? Ça të bësh? Këtu për votime vijnë si ata ujqërit, pastaj sa marrin votat, thonë s’kanë fonde”, rrëfen ai për Portën Vendore.
Ndërkohë që qeveria premtoi turistë dhe investime në këto fshatra ku do të kishte rivitalizim, kjo gjë nuk ndodhi. I vetmi restorant në fshatin Zvirinë me gatime tradicionale është ai i Joni Naskës.
“Kam 16 vite që kam hapur restorantin tim ku vijoj aktivitetin normalisht. S’mund të them që ka turistë që vijnë në Zvirinë pasi problematika kryesore është rruga. Infrastruktura rrugore na penalizon shumë. Vizitorët janë ditorë dhe vijnë nga qytete të ndryshme për të shijuar gatimet tradicionale. Më së shumti këtu i sjellin njerëzit tanë të njohur. Unë jam duke hapur edhe hotelin dhe shpresoj të ketë interesim, por rruga është pengesa kryesore pasi turistët panikosen kur shohin ‘katrahurën’, e cila në dimër kthehet në baltë dhe verës bëhet gjithë pluhur. Kanë frikë të vijnë turistët se prishin makinat, vetëm ato të aventurës me fuoristrada”, thotë Naska.
Problematikat e fshatit Zvirinë bëhen të ditura edhe nga kryeplaku i këtij fshati Robert Qeleshi. Ai na rrëfen se edhe pse pjesë të 100 fshatrave turistikë ende s’ka ndryshuar asgjë në zonë, madje ironikisht vetëm sa janë zmadhuar gropat. “Në këto vite asgjë s’ka ndryshuar edhe pse jemi pjesë e projektit të 100 fshatrave, në këto vite vetëm janë zmadhuar gropat në rrugë. Premtime ka pasur gjithmonë, dhe ne si banorë u pjekim edhe shqerra dhe jepet fjala se do bëhet diçka , do na bënin rrugën por bënë 250 metra dhe e lanë. Prej 2 vitesh ajo rruga ka mbetur po e njëjtë, qeveria thotë s’ka fonde, kur të ketë do e bëjë.”, thotë kryeplaku për Portën Vendore teksa vijon të shpreh lidhur me problematikën e fshatit, pasi problem mbetet edhe vaditja. ‘Këta nuk kanë zgjidhur as problemin e vaditjes, ne paguajmë 2 mijë lek të vjetra për dynym, ndërkohë që shpenzojmë edhe për karburantet e të tjera me radhë pasi vadisim me pompa. Ne mezi na dalin kostot që prodhojmë pasi kemi shpenzime. Dëmshpërblime për të mbjellat kur kemi pasur dëme në breshër thjesht kanë ardhur kanë bërë matje, verifikime dhe nuk është zënë më në gojë jo më për të marrë gjë”, përfundon Robert Qeleshi.
Nga komunikimi që Porta Vendore pati me kryetarin e Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, ky i fundit shprehet se bashkia nuk ka fonde të mjaftueshme. “Bashkia me fondet e saj ka kryer punime në fillim të fshatit, por ka qenë e pamundur asfaltimi i gjithë infrastrukturës së saj Projektet janë gati si për infrastrukturën rrugore dhe ujësjellësin dhe pritet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që të financohet”, tha kryebashkiaku për Portën Vendore.
Zaroshka
Porta Vendore udhëtoi edhe drejt bashkisë më të varfër, dhe me numrin më të vogël të popullsisë, në atë të Pustecit, e cila ka pjesë të saj 9 fshatra, dhe në to jetojnë afro 5000 banorë të minoritetit maqedonas, të cilët ruajnë lidhje të forta me Maqedoninë, ku në çdo tabelë emërtimet shënohen në dy gjuhë atë shqipe dhe në gjuhën maqedonase. Shumica e banorëve në këtë zonë janë të moshuar, pasi më të rinjtë kanë emigruar, ose janë larguar për tu arsimuar dhe nuk kthehen më drejt vendlindjes.

Në Pustec natyra është treguar bujare, por infrastruktura për një zonë që kërkon të ecë përmes turizmit është krejtësisht e papërshtatshme. Zaroshka është fshati, i cili është përzgjedhur nga qeveria për të zhvilluar turizmin në këtë zonë, pjesë e projektit të 100 fshatrave turistikë. Zaroshka është fshat i vogël, i cili ka rreth 70 familje me 300 banorë, që ekonomikisht mbështeten në bujqësi, blegtori, peshkim dhe nga emigrimi. Çdo familje ka 1 ose 2 krerë lopë ku sigurojnë bulmetin, mbjellin kopshtin dhe çdo produkt është për konsumim vetjak.
Fshati Zaroshkë shtrihet buzë liqenit të Prespës, ka një territor të alternuar fushor-kodrinor-malor, është 5 km larg rrugës nacionale Korçë–Dogana Goricë, përshkohet me një vijë liqenore në të gjithë pjesën veriore të tij. Ky fshat disponon monumente natyrore me vlera turistike, peizazhe natyrore shumë të bukura dhe shumë të frekuentueshme nga vizitorë vendas dhe të huaj. Është një qendër turizmi, duke alternuar liqenin, pyllin, kuzhinën dhe akomodimin.
Nëpërmjet një rruge gjithë pluhur hyjmë në brendësi të fshatit. Teksa tentojmë të pastrojmë pluhurin nën një hije, një i moshuar aty pranë na flet e na thotë: “Vera është mirë, dimrit duhet të vini me çizme se rruga bëhet baltë”. Banorët komunikojnë me vështirësi shqipen pasi në përditshmëri dhe në familje flasin maqedonisht. Ka banorë të cilët kuptojnë shqip, por nuk mund ta flasin. Rrugës nuk vëmë re ndonjë tabelë njoftuese për fshat turistik, ndërsa vijojmë më në brendësi të fshatit. Rrugës takojmë të moshuarën Tranda Jankulla, e cila është duke mbledhur specat në kopsht, teksa ne i tregojmë se jemi gazetarë. “S’kemi ujë as të pimë as t’i vadisim. Me vështirësi jetojmë, jemi vetë i pestë në familje. Unë kam një pension 150 mijë lekë të vjetra. Kam 4 fëmijë dhe 3 kanë ikur në kurbet. Këtu s’ka punë. Djali që jetoj me të është pa punë. Mbjellim tokën, por ajo do ujë, s’bëhen gjërat. Ne mbillnim çaj, dikur e shisnim me 1000 lek kg, kurse sivjet me 450-500 lek të vjetra kg, nuk na dilte mundimi. Tani jetojmë me çfarë prodhojmë. Unë jam plakë, dua ilaçe, s’na ngelet asgjë. Ushqehemi me zor, e mbajmë frymën gjallë. Asnjëherë s’ka pasur ujë këtu, kemi vuajtur, edhe rrugët e sheh vetë si janë”, tha ajo për Portën Vendore.
Si Tranda janë të shumta të moshuarat që jetojnë në Zaroshkë. Një pjesë e banesave në fshat janë të mbyllura se nuk jeton kush, por banorët e paktë që kanë mbetur janë mikpritës dhe na ftojnë në banesa. Sofika Thanasi është një zonjë e lindur, rritur dhe martuar në Zaroshkë. “Jetoj e vetme për momentin, pasi burri është në emigrim, ka shkuar në Greqi. Këtu është e vështirë të jetohet, s’kemi mundësi shumë, këto lekët nga jashtë shtetit na mbajnë. Edhe njëri nga fëmijët është larguar jashtë, s’ka mundësi këtu. Djali tjetër jeton dhe punon në Tiranë. Fshati s’ka parë investime prej vitesh, ne s’kemi ujë, ka raste që edhe dritat ikin, rrugët janë copë-copë. Të paktën ta na sigurojnë ujin se kjo është më e vështira për ne. Kanë hapur kanale shtruan ca tuba por s’e dimë kur do kemi ujë”, shprehet Sofika.
Ndërkohë po aq e vështirë është mbijetesa për një çift që jetojnë krejt të vetëm, Vangjel dhe Sllobotka Jankulla. Vangjeli flet një shqipe të përsosur, pasi ka punuar për 30 vite në Skrapar gjatë komunizmit, kurse zonja e tij, siç i pëlqen ta thërrasë, flet me shumë vështirësi pasi në përditshmëri komunikojnë maqedonisht. “Ne ndihemi të harruar nga demokracia, më shumë kujdesej komunizmi për ne minoritarët sesa qeveria tani. Këtu s’kemi as rrugë të shtruara, as ujë të pimë. Po e ble 100 lek 1 .5 kg ujë në dyqan. Bashkia le të na sjellë bote me ujë të na furnizojë të paktën. Unë kam hapur një pus me djemtë kur i kisha këtu dhe me krah mbush që vadis kopshtin. Mbjellim sa për vete tani se kam 5 vite që gruri im qëndron atje dhe s’e kam shitur dot. Çfarë të bëjmë? Kopshti po thahet. Epo të jemi afër gjolit(i referohet liqenit) dhe mos vadisim dot të mbjellat”, rrëfen ai peripecitë e jetës së tij.
Kur vjen puna te turistët, banorët shpjegojnë se ata janë ditorë në këtë fshat, pasi edhe pse në sezon turistik dhe mes mrekullive që ofron zona, mundësitë janë minimaliste. Kristo Ago është një nga pronarët e lokaleve të këtij fshati. Ai shprehet se ky vit ishte më i vështiri. “Ky vit ka qenë ndër më të vështirët në 15 vite pune. Turistët janë të paktë dhe ditorë. Vijnë një paradite, hanë diçka dhe largohen. Infrastruktura e degraduar ndikon shumë. S’mund të bëjnë plazh, s’ka plazh këtu. Niveli i ujit ka rënë dhe gjithë vija liqenore ka nevojë për pastrim se kallamishtet mbizotërojnë kudo. Ndihemi gati të falimentuar, por na vjen keq të mbyllim biznesin që mezi e kemi ngritur”, shprehet Kristo për Portën Vendore.
Porta Vendore iu drejtua dhe Bashkisë Pustec për të pyetur më shumë rreth programit “100 fshatrat turistikë” për këtë njësi vendore. Nga komunikimi me kryetarin e Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, ky i fundit shprehet se vetëm projekti i ujësjellësit është duke u zbatuar dhe është drejt përfundimit. “Projekte te tjera nuk kemi, përveç një projekt ide, po presim miratimin nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për investimin në infrastrukturën rrugore nga rruga nacionale deri në plazhin Rallnik në fshatin Zaroshkë dhe rehabilitimin e plazhit publik në Rrallnik”, shprehet kryebashkiaku Kolefski.
Boboshtica
Fshati Boboshticë është një tjetër fshat, i cili është përzgjedhur nga qeveria në projektin e 100 fshatrave. Ky fshat turistik i frekuentuar nga të gjithë, ndodhet vetëm 7 km larg qytetit të Korçës Para se diktatura komuniste të shkatërronte gjithçka, Boboshtica kishte 13 kisha dhe 3 manastire të rëndësishme. Një prej këtyre vendeve të shenjta, që njohu egërsinë e sistemit ateist, ishte dhe kisha e Shën Nikollës (Shën Kollit), nga e cila shpëtoi vetëm kambanorja, që ishte kthyer në stacion elektrik.

Ndodhet midis katër kodrave, e njihet për panoramën piktoreske, ajrin e pastër dhe ujin e ftohtë. Porta Vendore udhëtoi gjithashtu në këtë fshat ku emigrimi ka braktisur pothuajse të gjithë Boboshticën. Papunësia në masë detyroi familjet e Boboshticës që të emigronin, madje ky nocion filloi të njihet nga familjet më në zë të kohës, që në periudhën e Mbretit Zog. Por që prej viteve ‘90 e në vazhdim emigrimi u bë më masiv dhe preku kryesisht këtë fshat. Sot numërohen shumë pak banorë, madje ata që kanë mbetur janë të moshuarit. Ky fshat dikur kishte 1500 banorë dhe rreth 260 banesa, ndërsa sot në Boboshticë jetojnë afro 200 banorë.
Ecim në këtë fshat, i cili njihet së tepërmi jo vetëm për traditat dhe kulturën e përcjellë ndër vite por dhe për faktin se janë të shumta restorantet, tavernat dhe bizneset që operojnë në këtë zonë. Gatimet tradicionale janë ato që tërheqin turistët, të cilët kur vijnë në qytetin juglindor nuk mund të rrinë pa vizituar Boboshticën.

Tradita e cila etiketon banorët janë manat. Banorët i gjen duke i mbledhur manat e duke përgatitur pijen tradicionale të zonës, “rakinë e manit”. Boboshtarët që kanë mbetur në zonë janë kthyer në zanatçinj të nxjerrjes së rakisë, ku nuk ka dallim midis grave dhe burrave. Fshati Boboshticë ka rreth 1000 mana, të cilët janë ndarë pas viteve ’90, teksa këta të fundit vijojnë traditën e glikove, reçelrave dhe rakisë karakteristike të zonës.

Theodhor Guna është 72-vjeçari i cili na mirëpret në shtëpinë e tij. Ai shprehet se jeton me bashkëshorten dhe tashmë është në pension, por fëmijët janë larguar në emigrim për një jetë më të mirë, pasi fshati nuk mund të ofronte asgjë. “Jetoj me bashkëshorten, fëmijët e shohin të ardhmen jashtë, por mua s’më bën zemra të braktis Boboshticën. Pas demokracisë që e kërkuam vetë u mbyllën punët, minierat e fabrikat dhe e ardhmja u pa jashtë vendit. Na dhemb zemra se nuk i shohim e nuk u gëzohemi fëmijëve të fëmijëve. Kurbeti u pa e vetmja mundësi jetese duke ndërtuar më pas edhe banesat e bukura në Boboshticë por që qëndrojnë të mbyllura. Ne duam të rikthehen të rinjtë ndonjë ditë. Të rinjtë vijnë vetëm për festa. Ata andej kanë jetën, punën , fëmijët janë në shkolla”, rrëfen i moshuari teksa bën një kthim në kohë, duke përmendur faktin se kurbeti ka pas qenë traditë në këto anë. “Kurbeti ka qenë pjesë edhe më parë e boboshtarëve në kohën e Zogut si në Australi, Amerikë, Rumani e deri në Egjipt. Ajo rrugë u mor përsëri tani, edhe nuk e dimë a do kthehen të rinjtë?! Kemi mbetur vetëm ne mosha e 3-të”, thotë ai në mënyrë të dëshpëruar. Ky fshat njihet se ka nxjerrë intelektualë të shumtë.
“Fshati ynë është i bekuar, ka mana, kaçka, ujë të ftohtë dhe ajër të pastër. Manat sipas te dëgjuarave janë shekullore, mbi 800 vjeçare ma do mëndja që në kohën e Perandorisë Bullgare dhe mendohet që filizat kanë ardhur që andej. Manat janë një frut i veçantë që ndihmon për tiroidet, rakia e manit nuk dëmton diabetikët e mund të përdoret edhe për të ftohtin”, tha ai për Portën Vendore.

Nina Çaprazi është nuse në fshatin Boboshticë, teksa na rrëfen se me çfarë e kalon ditët në fshat ajo ndalet tek tradita. “Ne merremi kryesisht me bujqësi dhe blegtori. Por për rreth 1 muaj e gjysmë merremi me mbledhjen dhe nxjerrjen e rakisë së manit. E kemi traditë! Gjithë fshati këtu në Boboshticë merren me mbledhjen dhe nxjerrjen e rakisë së manit. Unë e përgatis me tim shoq , çdo ditë shkojmë e mbledhim manin e hedhim në një botë e lëmë disa ditë dhe më pas e ziejmë ku del rakia aq shumë e kërkuar. Nuk kemi ankesa për çmimin dhe kërkesat janë mjaft të mëdha. Për rakinë tonë vijnë nga qytete të ndryshme, nga Tirana, Durrësi, por edhe jashtë shtetit”, shprehet ajo.

Kostandin Xhoxhi kryeplaku i fshatit Boboshticë shprehet për Portën Vendore se ka pasur disa investime në fshat. “Në fshat nuk kanë munguar investimet përgjatë 30 viteve pasi ka mjaft biznese të mëdha të cilat operojnë, çka ka shtyrë edhe Bashkinë Korçë për të investuar. Në fshat nuk ka shkollë se fëmijët janë të paktë, numërohen lehtësisht me gishta. Kryeministri në një vizitë të tij na premtoi që shkolla e fshatit do kthehet në një muze, ‘Muzeu i Rakisë’, kemi shpresë se do realizohet. Edhe rruga që na lidh me aksin nacional Korçë-Ersekë na u premtua që do realizohet. Tani të shohim! Shpresë kemi”, shprehet optimist për të ardhmen Kostandini.
Eduart Pino, një pronar hoteli dhe restoranti në Boboshticë na rrëfen se ka 22 vite që punon me turistët, qoftë ata vendas e të huaj. “Bëj afro 6 muaj që kam hapur edhe hotelin, përveç restorantit. Kam dashur shumë të investoj dhe të përkushtohem në biznesin tim. Ka qenë e vështirë, por gjithçka ia kemi arritur me kontributin familjar. Biznesi jonë është familjar, pasi punojmë 2 familje dhe kemi arritur të marrim kënaqësi nga vizitorët, të cilët pavarësisht se vizitojnë Korçën nuk mund të rrinë pa vizituar edhe Boboshticën, mrekullohen nga natyra dhe gatimet e veçanta. Gatimet tradicionale janë ato që tërheqin turistët vendas e të huaj. Çdo investim në punë ka qenë iniciativa jonë dhe kur punon arrin të kënaqesh edhe vetë nga synimi që ke pasur dikur dhe kthimi i tyre në realitet”, tregon biznesmeni.
Qeveria Rama e bëri Boboshticën pjesë të projektit të 100 fshatrave turistikë për t’i dhënë emër rakisë së famshme të manit. Më 14 korrik 2019 Kryeministri Rama premtoi nga Boboshtica, në prani të Kryebashkiakut Sotiraq Filo dhe Ministres së Kulturës Elva Margariri, kthimin e shkollës së dikurshme të fshatit që tashmë nuk ka nxënës, në një Muze Rakie. Por teksa kanë kaluar 2 vite nga projekti, “shkolla gërmadhë”, e cila nuk mban nxënës brenda saj, pret të kthehet në muze.

Pjesë e premtimeve të qeverisë ka qenë edhe asfaltimi i rrugës që lidh fshatin me rrugën nacionale Korçë- Ersekë, por sërish nuk është bërë asgjë. Në Boboshticë mund të vizitosh Bredhin e Drenovës, zonë e mbrojtur, por gjithashtu mund të merret pjesë në një sërë festash që kjo zonë feston, si ajo e Rakisë, e Rosicës, etj.
Porta Vendore pyeti dhe pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, lidhur me investimet e planifikuara në këto zona, ku deklarohet se investimet në këto fshatra janë në proces konceptimi ose vlerësimi si projekte “Në Zaroshkë pritet të kryhet ndërhyrje e integruar në fshat (rehabilitim i bregut, infrastrukturë publike etj) dhe investimi mban vlerën e 677 milionë e 798 mijë lekë. Në fshatin Zvirinë pritet të kryhet sistemim e asfaltim i rrugës hyrëse të fshatit, (Faza e parë), me një fond prej 128 milionë e 450 mijë lekë, teksa është duke u vlerësuar projekti. Në proces tenderimi publik është investimi në Boboshticë, Voskopojë, që përfshin: Përmirësimin e potencialit turistik mes ndërhyrjeve në sitet e trashëgimisë kulturore në Voskopojë (Manastiri i Shën Prodhimit dhe Sh.Marisë ) dhe krijimi i rrugëtimit gastronomik në Korçë, përfshirë Muzeun e Rakisë në Boboshticë, me një fond prej 246 milionë e 874 mijë lekë”, deklaroi Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Por vlen për t’u theksuar se afati për implementimin e këtyre projekteve tashmë ka skaduar dhe qytetarët e këtyre zonave, të cilëve iu premtua shndërrimi i fshatrave në zona turistike, duhet të presin ende me shpresë një dritë në fund të tunelit për t’i bërë këto premtime realitet .