Ndodhi

Raporti për financat e bashkive/ Mbledhin më shumë të ardhura, por shpenzimet i orientojnë drejt pagave

2 nëntor 2021/Aurora Sulce/Porta Vendore

Rimëkëmbja e ekonomisë gjatë këtij viti ka ndihmuar bashkitë që të rrisin të ardhurat e tyre. Raporti i Financave Vendore, publikuar nga COPLAN, evidenton se në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, të ardhurat e mbledhura nga bashkitë nga taksat, tarifat dhe burime të tjera shënuan një nivel prej rreth 15.4 miliardë lekë, me rritje 38.3% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Krahasuar me të dhënat për gjysmën e parë të vitit 2019, të ardhurat nga burimet vendore vlerësohet të jenë rritur me rreth 5.4% në terma vjetorë. “Kjo sugjeron se rritja dy-shifrore e shënuar në të ardhurat nga burimet e veta vendore është më së shumti efekt bazë i vitit të mëparshëm. Rreth 59. 6% e të ardhurave nga burimet e veta vendore përfaqësohet nga të ardhurat e mbledhura nga bashkia Tiranë (në rritje me rreth 39.4% në terma vjetorë). Përjashtuar të ardhurat e mbledhura nga bashkia Tiranë, 60 bashkitë e tjera mblodhën rreth 6.2 miliardë lekë, në rritje me rreth 36.7% në terma vjetorë”, theksohet në raport.

Duke pasur më shumë fonde në dispozicion, bashkitë kanë rritur ndjeshëm shpenzimet. Raporti evidenton se rikuperimi në mbledhjen e të ardhurave është pasqyruar në zgjerimin e shpenzimeve përgjatë gjysmës së parë të vitit 2021, ndonëse mbeten nën nivelin e regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2021, mjetet financiare të alokuara nga 61 bashkitë në vend, regjistruan një vlerë prej rreth 42.4 miliardë lekë, shifër kjo rreth 11.2% më e lartë se ajo e regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Përjashtuar shpenzimet e kryera me fonde të trashëguara nga viti i mëparshëm, rezulton se bashkitë kanë alokuar në këtë vit rreth 42.3 miliardë lekë, rreth 11.3% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Por ajo që bie në sy në mënyrën sesi janë përdorur fondet nga bashkitë, vihet re një orientim drejt shpenzimeve korrekte. E thënë ndryshe, për mbulimin e shpenzimeve operative, pagave etj.

Rritja e shpenzimeve kanalizohet më së shumti në mbulimin e shpenzimeve korrente (personel, operative dhe të tjera) të cilat vijuan prirjen rritëse përgjatë gjysmës së parë të vitit 2021 (rreth 80% e shpenzimeve totale të kryera në periudhën në analizë)”, theksohet në raportin e Coplan.

Kjo do të thotë se më pak fonde kanë mbetur në dispozicion për investime. Edhe pse ky zë ka shënuar rritje në pjesën e parë të këtij viti, ai mbetet nën nivelet e të njëjtës periudhë të 2019-ës, që konsiderohet edhe një vit me aktivitet normal ekonomik dhe buxhetor. (Viti 2020 ka qenë nën ndikimin e pandemisë së COVID 19 dhe aktiviteti ekonomik nuk ka funksionuar normalisht. Për këtë arsye, për një panoramë më të qartë të ecurisë së treguesve merret si bazë krahasimi viti 2019)

“Gjatë pjesës së parë të vitit 2021 shpenzimet kapitale shënuan rritje me rreth 48.2% në terma vjetorë, por mbeten ende ndjeshëm nën nivelin e shënuar në 6 mujorin e parë tё 2019 (rreth 35% më të ulëta). Shpenzimet për investime të kryera me fonde të veta rezultojnë në rritje krahasuar me nivelin e tyre në vitin e mëparshëm, por janë mbi 50% më të ulëta krahasuar me nivelin e tyre në vitin 2019. Shpenzimet për investime me fonde të kushtëzuara rezultojnë të jenë rritur ndjeshëm në periudhën në analizë, duke regjistruar nivel të përafërt me atë të gjashtë muajve të parë të vitit 2019”, theksohet në raport.

Nga përllogaritja e të dhënave rezulton se 80% e shpenzimeve të pushtetit vendor ka qenë për shpenzime korrekte dhe vetëm 20% për investime. E thënë ndryshe, mesatarisht, për çdo 100 lekë të shpenzuara nga bashkitë, 80 lekë shkuan për mbulimin e shpenzimeve të pagave dhe nevojave të tjera të ngjashme, dhe vetëm 20 lekë për investime.