30 tetor 2021/ Migen Sejdini/ Porta Vendore/ Elbasan
Elbasani, i cili sipas statistikave të INSTAT është një nga qarqet më të varfra në vend, rezulton se pothuajse nuk ka përfituar asgjë as nga programi i “100 fshatrave turistikë”, i cili ishte një program që kishte në fokusin e tij zhvillimin e këtyre fshatrave. Elbasani ka 11 fshatra në këtë program, por nga verifikimi i kryer rezulton se vetëm një fshat ka përfituar fonde në kuadër të tij.
Në qarkun e Elbasanit u bënë pjesë e programit të 100 fshatrave turistikë në vitin 2018, 11 fshatra në total, përkatësisht Gjinar, Shushicë, Shtërmenj, Seferan, Sotirë, Pajovë, Stëblevë, Dardhë, Rrajcë/Skëndërbej. Lajmi i asaj kohe që qarkulloi kudo gëzoi banorët e këtyre zonave, që prisnin të investohej në sektorë të ndryshëm dhe që më në fund dikush do të kthente shikimin nga ata, pasi shumë vitesh në pritje. Fshatrat turistikë janë të shtrirë në 5 bashkitë kryesore, si: ajo e Elbasanit me tre fshatra, Gramshi me dy të tillë, Librazhdi me 4 fshatra, Cërriku, Peqini me nga një.
Në përzgjedhjen e kryer janë përcaktuar zona me potenciale të larta zhvillimi ekonomiko-social, agroturizëm dhe turizëm rural, natyrë, mjedis, si dhe të trashëgimisë kulturore. Në kuadër të 100 fshatrave turistikë pritej përmirësim në infrastrukturën publike, turistike, monumente të trashëgimisë kulturore e peizazh mjedisor. Teksa qëllimi i dytë mbetej zhvillimi ekonomik nëpërmjet diversitetit të aktiviteteve ekonomike, përmirësimit të potencialit turistik agroturizëm dhe turizëm rural.
SHUSHICA është pjesë e njësisë administrative Shushicë në Bashkinë e Elbasanit. Ndodhet 9 km në jug-lindje të qytetit të Elbasanit, dhe 49 km larg nga kryeqyteti. Ka rreth 3900 banorë , ku 50% e popullsisë së zonës merret me bujqësi. Shushicë do të thotë vend me ujë, kjo pasi në shumë pika të kësaj zone ka burime uji. Në këtë fshat mund të vizitosh një sërë bukurish me vlera të mëdha arkeologjike dhe historike, si pjesë e rrugës së vjetër “Egnatia”, që degëzohet në fshatin Fushë-Buall. Turistët vendas apo të huaj mund të vizitojnë zonën e Byshekut, Pyllin e Zabelit, ose Kishën e Shën Thanasit.
Pika turistike e Shushicës është Bysheku, një vend mjaft argëtues dhe me ujë të freskët nën hijen e rrapeve shekullorë, të cilët janë shpallur monumente kulture. Çdo gusht në Byshek banorët festojnë një festë kushtuar emigrantëve, kjo duke pasur parasysh edhe faktin se viteve të fundit shpopullimi ka lulëzuar në mënyrë masive edhe në këtë zonë.

Në momentin kur mbërrijmë në Byshek lokalet që ushtrojnë aktivitetin e tyre po argëtonin qytetarët nën ritmet e muzikës live dhe nën shoqërinë e gatimeve tradicionale. Por me të hyrë në qendër të fshatit shohim një panoramё tjetër. Vetë banorët ankohen për mungesë të ujit të pijshëm dhe infrastrukturës rrugore, e cila duhet të ishte rregulluar si pjesë e projektit të 100 fshatrave turistikë. Banorët shprehen se prej vitesh nuk është investuar dhe përveç Byshekut nuk ka pikë tjetër turistike që frekuentohet nga banorët e zonës. “Është dobët vendi. Të gjitha mungojnë. Rrugë s’ka, punë s’ka, gjë s’ka, lekë s’ka. Turistë s’ka”, thotë një banor i fshatit për Portën Vendore.

Ndërsa një tjetër rrëfen se rruga e bën edhe më të vështirë jetesën e banorëve të mbetur edhe të atyre pak turistëve që duken rrallë e për mall. “Jemi vështirë me rrugën. Atje ku kanë pas interesat e veta i kanë rregulluar, andej nga varrezat, rrugën tonë jo. Makinat po bëhen copa. Punë s’ka për të rinjtë e nuset tona. Kushedi sa gra kemi kryefamiljare në pikë të hallit. Këtu ecet akoma, ti rregullo njerëzit e tu e unë të mitë. Jemi shumë fshat i bukur, jemi shumë pjellorë, por secili shikon anën e vet”, rrëfen Altini një tjetër banor.

Edhe banorë të tjerë, me të cilët Porta Vendore pati mundësi të bisedonte gjatë kësaj vizite thanë se situata është e vështirë, pasi fshati s’ka mundësi punësimi dhe përfitimet nga bujqësia janë të ulëta, duke mos mundur që t’ia dalin dot mbanë. “Përfitimet janë të dobëta. Problemet që ka kjo zonë janë nga më të mëdhatë pa përjashtim. Me fuqi punëtore këtu nuk jeton dot. Të ardhura e gjë s’ke”, tha Nadja.
Pavarësisht se në tetor të 2020 pati një investim për një nga rrugët e fshatit Shushicë, e cila është rreth 1 km e gjatë dhe i shërben 1500 banorëve të lagjes së sipërme të Shushicës, por lidh edhe varrezat e fshatit, sërish banorët janë skeptikë në kuadër të investimeve të tjera të premtuara për programin e 100 fshatrave turistik, që sipas tyre, në Shushicë nuk mbërritën kurrë.

SEFERANI është një fshat historik në Belsh, me perëndeshën e bukurisë Afërditën dhe liqenet, që janë një bukuri e rrallë në këtë zonë. Seferani ndodhet rreth 40 minuta larg Elbasanit. Rruga deri në Belsh është e asfaltuar, por nga Belshi deri në Seferan duhet të keni kujdes pasi rruga është e mbushur me kthesa dhe me gropa të thella, në të cilat nuk është ndërhyrë prej vitesh për rikonstruksionin e tyre.

Po ashtu dhe rrugët e brendshme të fshatit janë lënë në harresë. Sapo afrohesh, një tabelë në mes të rrugës së madhe, të fton për në Seferan. “Mirësevini në Seferan, vend për të gjithë në çdo stinë”. Në fakt, Liqeni i Seferanit është në zemër të liqeneve të Belshit, ku për fat të keq shikon dhe mbetje të hedhura pranë tij nga vizitorët. Përballë liqenit ekziston një mini-amfiteatër dhe pranë tij statuja e Afërditës, Perëndeshës së Bukurisë.
Vizitorët nuk mungojnë në këtë zonë, madje ka shumë nga ata vendas e të huaj që rikthehen.
“Në liqenit e Seferanit është gjetur nga të dhënat historike edhe koka e Deas, ndërsa sot po shfrytëzohet për pushime, për ajrin e pastër. Nëse do t’i referohemi investimeve nga projekti i 100 fshatrave mendoj se nuk e justifikon, duhet të kishte më shumë investime, pasi ka hapësira që mund të shfrytëzohen. Por le të shërbejnë këto për ata që e kanë në dorë këtë punë që të investojnë më shumë dhe më shpejt njëkohësisht, pasi çdo ditë që kalon shton mundësinë e ardhjes tonë këtu”, thotë Sokoli një turist vendas, i cili na rrëfen se nuk e ka për herë të parë ardhjen në këtë zonë, duke vënë në dukje se duhet të ishte bërë më shumë nga autoritetet përgjegjëse vendore për pastrimin e mbetjeve që gjenden përreth liqenit.

“Seferani në radhë të parë është një vend i bukur e i gjelbëruar, por do pak investim nga shteti. S’ka as rrugë asgjë. Vijnë turistët se i kanë gjërat bio, jo gjëra nga Maqedonia. Jemi vend turistik, jemi shumë të mirë, por ne duam rrugën, kanalizimet, ujërat e zeza. Liqeni po na ndotet nga dita në ditë, i cili po na ndotet nga njerëzit e papërgjegjshëm për të ushqyer peshqit. Jemi në ‘100 fshatrat turistikë’ e di, por deri tani s’kemi fituar asgjë”, rrëfen një banor i zonës teksa rendit problematikat me të cilat haset çdo ditë.
Seferani si zonë bën pjesë në pllajën e Dumresë, dhe Dumreja shquhet për terrenin kodrinor e liqenet e natyrës karstike, rreth 800 të tilla. Por edhe këtu si në shumë zona të rrethinave të Elbasanit e jo vetëm, mungon infrastruktura rrugore, duke krijuar edhe një lloj izolimi në vetvete për banorët e kësaj zone, çka ua vështirëson jetën edhe më shumë, paçka se kanë statusin e një fshati turistik.
“Është ajër i pastër dhe qetësi, vetëm këto kemi ne. Në radhë të parë duam rrugën dhe ujë 24 orë. Rrugë s’ka këtu, nuk ka vënë dorë njeri”, tha Kol Zaçe, një tjetër banor i zonës. “Absolutisht asnjë lloj gjëje s’ka përfituar si fshat. Thjesht janë hedhur disa lekë dhe si fshat s’ka përfituar askush. Rrugët copë-copë, ujë e energji kemi pasur, kurse për këto të tjerat jemi 0. Për ujin e liqenit të Seferanit duhet që Ministria e Mjedisit të bëjë analizat e ndotjes. Turistë nuk vijnë por ne i mirëpresim. Dhe të gjithë janë të mirëpritur”, tha një i moshuar, tё cilin në kafen e fshatit e respektojnë si më të diturin e këtyre anëve.

Një tjetër shqetësim i banorëve është edhe mosshitja e prodhimit të tyre bio, pasi nuk kanë infrastrukturë dhe as treg ku t’i tregtojnë.
Buzë liqenit të Seferanit është improvizuar një amfiteatër simbolik me statujën e Afërditës, aty ku njerëzit e zonës besojnë se ka ekzistuar një faltore, ku ilirët nderonin perënditë. Bashkia e Belshit është kujdesur për rregullimin e monumentit te Afërditës dhe shtrimit e pedonales, e cila nuk është më e gjatë se 50-100 metra, por syri nuk të kap investime të tjera.
Në zonë mund të shijosh bukuritë natyrore, qetësinë e liqenit, gatimet tradicionale të zonës por edhe strukturat hoteliere. Bujtina e Trëndafilave u shndërrua nga një shtëpizë e vjetër dhe e braktisur e fshatit në një strukturë akomoduese, e cila në fundjavë punon me kapacitet të plotë.

Fshati SHTËRMEN është një tjetër fshat i programit të qeverisë, i cili shtrihet në Njësisë Administrative të Gostimës, Bashkia Cërrik. Ndodhet 5 km në jug-lindje të Cërrikut, 55 km larg Tiranës. Është zonë tipike fushore dhe pak kodrinore, në lartësi 200-310 m dhe ka një shtrirje prej 1160 ha. Ka rreth 3,800 banorë dhe potenciali ekonomik ka kryesisht karakter bujqësor dhe bletari. Ai shtrihet buzë aksit rrugor Cërrik-Gramsh dhe nga pamja e parë ky fshat ngjason si një fshat normal, pa investime në infrastrukturën rrugore. E në të vërtetë këtë e dëshmojnë edhe banorët. “Deri tani fshati jonë s’ka fituar asgjë, hiç. Ne duam që të rregullojnë ujërat e zeza të fshatit, ndriçimin. Deri tani s’kanë investuar gjë. Këtu po qenë robtë e saktë, do bëhet puna”, thotë me irritim një banor i zonës për Portën Vendore.

Nëse do niseni drejt Shtërmenit sigurohuni që të keni një automjet 4×4, pasi infrastruktura është tejet e amortizuar në këtë zonë. Rrugët dhe gjendja e këtij fshati të kthejnë pas në kohë, ndonëse Shtërmeni ka një sërë atraksionet turistike si: Liqeni i Shtërmenit, Zalli i Gostimës, Përroi i Garunjës si dhe tre kishat ortodokse. Por gjithashtu vizitorët mund të bëjnë shëtitje me kuaj ose të degustojnë ushqim tradicional. “Pjesën lart e ka të bukur fshati që shkojnë turistët, ka vend turistik lart tek liqeni, ka disa pjesë të mira. Rruga është çik e vështirë. Nga fusha e fshatit është bërë një investim për përmirësimin e jetës tonë nga Rilindja, por ai (Kryeministri) s’ka ça të bëjë përpara. Ne kemi një shtëpi të vogël e s’po mundemi dot me e terezit, jo ai që ka gjithë Shqipërinë në dorë’, tha një banor, duke e justifikuar mungesën e investimeve.

Por edhe investimet e bizneseve janë shumë më të vogla se në fshatrat e tjera, ndërkohë që nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit rezulton zyrtarisht se nuk ka asnjë projekt, as në fazë studimi, por as të implementuar për këtë fshat. Edhe për fshatin Shushicë rezulton e njëjta gjendje nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili bëri të ditur se nga 11 fshatra turistikë në Elbasan, investim është bërë vetëm për fshatin Seferan. “Në kuadër të programit të 100 fshatrave turistikë është kryer në vlerën e 743 milionë e 653 mijë lekë rikonstruksioni i rrugës Cërrik-Belsh-Kuçovë-Ura Vajgurore: Segmenti Grekan – Dragot 8.35 km”, deklaroi Fondi Shqiptar i Zhvillimit.