29 tetor 2021/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
Vetëm 3% rritje për bashkitë vitin e ardhshëm. Kjo është norma e rritjes së buxhetit vendor parashikuar në projektbuxhetin 2022, që Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka dorëzuar tashmë në Kuvend. “Me buxhetin e vitit 2022, do të financohen funksionet e transferuara në pushtetin vendor, si dhe të gjitha funksionet e tjera të parashikuara në legjislacionin në fuqi, të cilat njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë për detyrë t’i ushtrojnë në shërbim të cilësisë së jetës së qytetarëve”, theksohet në relacionin që shoqëron projektbuxhetin. Por rritja me vetëm 3% e buxheteve vendore është në kufijtë e inflacionit, të parashikuar në po këtë masë nga Banka e Shqipërisë. Sipas një logjike të thjeshtë, i bie që bashkitë vitin e ardhshëm nuk do të kenë një rritje reale të buxheteve të tyre, por vetëm indeksim për rritjen e çmimeve. Nga ana tjetër, rritja e buxheteve për pushtetin vendor me 3% është më e ulët sesa rritja ekonomike, që në Projektbuxhetin 2022 është parashikuar 4.1% dhe që pushteti vendor duhet të jetë përfitues i saj.
Fondet që do të mblidhen dhe do të shpenzohen vitin e ardhshëm
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2022, janë parashikuar në masën 59.7 miliardë lekë ose 3.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në këtë zë është përllogaritur transferta e pakushtëzuar e përgjithshme për njësitë e vetëqeverisjes vendore, financimi i funksioneve të reja, si dhe të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore.
Të dhënat e draftit tregojnë se qeveria parashikon që vitin e ardhshëm të japë si transfertë të pakushtëzuar për bashkitë 18.7 miliardë lekë, me rritje vetëm 250 milionë lekë kundrejt vitit 2021 për 61 bashkitë. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, i bie 4 milionë lekë për çdo bashki, çka do të thotë një shumë thuajse e papërfillshme. “Në krahasimin mes transfertës së pakushtëzuar në 2022 me 2021 ka rritje vetëm me 1.3% (250 milionë lekë ose 2 milionë euro më shumë se 2021 për 61 bashki). Ndërkohë, grantet specifike sipas projekteve të aplikuara dhe miratuara për bashki të caktuara janë parashikuar në 2022 me një rritje prej 7.3% (600 milionë lekë ose 5 milionë Euro më shumë se 2021 për disa bashki). Buxheti i shtetit për transfertat ndaj bashkive duket se parashikohet në nivele rutinore, pa një vëmendje buxhetore të shtuar në krahasim me vite të mëparshme dhe mban të njëjtat nivele transfertash si në 4 vitet e fundit buxhetore”, shpjegon Eduart Gjokutaj, ekspert për çështjet buxhetore, për Porta Vendore.
“Transferta e pakushtëzuar me rritje 3% dhe në atë sektoriale janë hequr disa shtesa (të pakuptimta nga kuvendi, për të cilat nuk kishte asnjëherë ndonjë shpjegim logjik). Buxheti i përmbahet parashikimeve ligjore për zërat e transfertave dhe pavarësisht deficitit buxhetor, transfertat nuk janë prekur”, shprehet Merita Toska, eksperte për financave publike vendore, për Porta Vendore.
Burimi i dytë që do të mbushë arkën e buxheteve të bashkive vitin e ardhshëm janë të ardhurat nga taksat dhe tarifat e veta vendore. Për vitin 2022 parashikohet të kenë një rritje tё tyre me rreth 1.5 miliard lekë më shumë se sa plani i vitit 2021, ose e thënë ndryshe me një rritje prej 6%. “Kjo rritje e nivelit të të ardhurave do të vazhdojë si rrjedhojë e ndarjes më të drejtë dhe transparente të financave për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmirësimit të vazhdueshëm të skemës së financimit të funksioneve të veta si dhe rritjes së burimeve të financimit të njësive të vetëqeverisjes vendore. Gjithashtu, ndryshimet në taksën e pasurisë, parashikohet të ndikojnë në peshën e rritjes së të ardhurave në buxhetin vendor”, theksohet në relacion.
Qeveria parashikon që bashkitë të mbledhin më shumë të ardhura, bazuar në një performancë më të mirë të tyre. E thënë ndryshe, të grumbullojnë taksat dhe tatimet tek bizneset dhe qytetarët që tani nuk paguajnë, duke ulur kështu shkallën e evazionit dhe informalitetit, si dhe duke zgjeruar bazën e tatimpaguesve. “Rritja e të ardhurave të mbledhura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore gjatë viteve 2015-2022, evidentohet edhe në rritjen e peshës që zënë këto të ardhura si ndaj të ardhurave totale të buxhetit të shtetit, ashtu edhe ndaj Produktit të Brendshëm Bruto. Kjo tregon përmirësimin e kapacitetit fiskal të njësive vendore në drejtim të mbledhjes së më shumë të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore”, evidentohet në relacionin e projektbuxhetit.
Por ekspertët janë pesimistë përsa i përket normës së rritjes së të ardhurave. Eduart Gjokutaj, ekspert për çështjet fiskale argumenton se rritja vjetore e zërit të të ardhurave me vetëm 6% tregon për një performancë të dobët të pushtetit vendor në mbledhjen e taksave dhe tarifave. Sipas tij, pengesë është edhe mosfunksionimi I Kadastrës Fiskale. “Kjo rritje e të ardhurave në nivele modeste është ndikuar nga mosfunksionimi sipas parashikimeve i Kadastrës Fiskale, por edhe për arsye të kapaciteteve të dobëta të administratave vendore”, shprehet Gjokutaj.
Ndërsa për eksperten Merita Toska rritja e të ardhurave është e bazuar tek rimëkëmbja e ekonomisë, që ka nisur të ndihet që në vitin 2021. “Të ardhurat e veta të bashkive parashikohen në rritje dhe sinjalet nga të dhënat për gjysmën e parë te vitit 2021 janë pozitive (dmth ka pasur rekuperim në mbledhjen e të ardhurave). Në këndvështrimin tim, parashikimi është i qëndrueshëm”, deklaron Toska.
Por rritja e të ardhurave nga pushteti vendor nuk do të jetë një objektiv i lehtë për t’u arritur, në kushtet kur pandemia e COVID 19, që ka goditur buxhetet e familjeve shqiptare dhe sipërmarrjen, është ende e pranishme dhe ka prekur kryesisht aftësinë paguese të tyre.