Ngjarje/Personazhe

Skandal në Krujë, helmohen nga uji mbi 370 persona 7 muaj pas inaugurimit të ujësjellësit

26 tetor 2021/ Saide Malaj/ Porta Vendore/ Krujë

Mbi 370 qytetarë janë helmuar në Krujë, ku dyshohet se shkak është bërë konsumimi i ujit të pijshëm, i cili vjen nga ujësjellësi i inauguruar vetëm disa muaj më parë. Situata kaotike ka vënë në lëvizje si strukturat bashkiake, po ashtu dhe ato shëndetësore, ndërkohë që Prokuroria e Krujës ka nisur një hetim lidhur me këtë rast të paprecedentë, për të cilin asnjë prej institucioneve nuk ka një përgjigje definitive. Nga analizat paraprake është konstatuar prezencë e lartë amoniaku në ujë, ndërsa Kruja ndodhet në krizë uji, pasi furnizimi është ndërprerë dhe shpërndarja po bëhet vetëm me bote nga institucionet.

Gjithçka ka nisur rreth 48 orë më parë, konkretisht mëngjesin e së dielës, kur janë paraqitur qytetarët e parë në spitalin e Krujës për të marrë ndihmë mjekësore, pasi dyshonin se ishin helmuar. Por fluksi i qytetarëve të helmuar është rritur pranë këtij spitali, ku brenda 48 orëve, mbi 370 qytetarë kanë kërkuar ndihmë nga autoritetet shëndetësore.

Kaq do të mjaftonte për të  kthyer në kolaps gjithë sistemin shëndetësor në Krujë dhe situata e helmimit të banorëve të Krujës ka vënë në lëvizje autoritetet vendore dhe qendrore. Fillimisht ishte policia lokale, konkretisht, komisariati i Krujës, i cili ka reaguar pak minuta pas mbërritjes së pacientëve të parë në spitalin e Krujës.

“Policia e Krujës, pas marrjes së njoftimit mesditën e sotme, nga urgjenca e Spitalit të Krujës, se dy ditët e fundit kanë shkuar për ndihmë mjekësore, rreth 35 shtetas, të cilët dyshohet se janë helmuar, menjëherë ka ngritur grupin hetimor, i cili ka shkuar në spitalin e Krujës dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e shkakut. Nga ana e Policisë janë njoftuar organet e shëndetit publik dhe të AKU-së, për të sqaruar këtë situatë. Priten analizat nga DSHP Krujë dhe Tiranë“, deklaroi policia të dielën, duke shtuar se grupi hetimor po kryen të gjitha veprimet procedurale, me qëllim zbardhjen e shkakut dhe sqarimin e rrethanave të këtyre rasteve. Pas policisë, edhe prokuroria e Krujës deklaroi se ka nisur hetimin për këtë çështje, ndërkohë që në spital shtoheshin rastet njëri pas tjetrit.

Institucionet, ende në kaos për përgjigje

Pas gjendjes alarmante në spitalin e Krujës, atje ka shkuar dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila vizitoi pacientët, të cilët po marrin mjekim pas helmimit masiv. Ministrja deklaroi se gjendja e pacientëve është e stabilizuar, duke pretenduar se asnjë prej tyre nuk ka komplikacione. “Kam ardhur për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të qytetarëve, të cilët kanë marrë dhe po vijojnë të marrin shërbim në spitalin e Krujës. Kam folur me mjekët për gjendjen e tyre shëndetësore. Situata paraqitet e qetë, pa komplikacione. Pra nuk kemi ndonjë qytetar që ka një gjendje të komplikuar shëndetësore. Praktikisht nga dita e diel dhe deri më sot rreth 370 qytetarë kanë marrë shërbim. Janë paraqitur pranë spitalit të Krujës, kanë marrë shërbim e nevojshëm, janë vizituar, janë konsultuar dhe gjithashtu kanë marrë shërbime sipas protokolleve të mjekimit. Aktualisht gjatë ditës së sotme janë paraqitur rreth 60 qytetarë, të cilët ata kanë marrë shërbimin dhe janë nisur për në shtëpi, pasi është vlerësuar që situata shëndetësore nuk ka qenë e rënduar. Tashmë janë dhe disa pacientë të tjerë, të cilët janë duke marrë shërbim pranë shërbimit të Urgjencës dhe gjithashtu në disa pavijone. Janë rreth 30 qytetarë aktualisht, janë adoleshentë edhe fëmijë gjithashtu edhe të rritur”, tha ministrja  Manastirliu për mediat.

Ndërkohë, Porta Vendore kontaktoi lidhur me këtë ngjarje dhe me prefektin e Durrësit Roland Naso, i cili tha se situata është nën kontroll. “Janë kryer analiza në të dy ujësjellësit, në atë të vjetër e të ri, pasi nuk dihet ende se kush e ka shkaktuar helmimin. Por ka dyshime te forta që ka qenë pikërisht uji i pijshëm. Kemi filluar shpërndarjen e sigurt të ujit me bote, pasi Bashkia Krujë e ka ndërprerë ujin në këtë zonë, teksa po merret vetë në terren me këtë situatë”, u shpreh ai.

Lidhur me këtë ngjarje, Porta Vendore tentoi të marrë një prononcim dhe nga drejtorja e Spitalit Krujë, Yllka Kukalaj, por kjo e fundit nuk pranoi të jepte një përgjigje. Ndërsa Redion Rroshi, nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Krujë deklaroi se shumë shpejt do të dalin në një deklaratë zyrtare bashkë më Bashkinë Krujë lidhur me mostrat e analizave të ujit. Ndërkohë, Bashkia Krujë reagoi në orët e pasdites, duke deklaruar se në ujësjellës është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë dhe që është ndërprerë uji që ditën e hënë. “Menjëherë, si masë e parë prej dyshimit të ngritur, në orën 10:30 të ditës së Hënë, Ujësjellës Kanalizime Krujë sh.a ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e qytetit të Krujës dhe nga ana e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor janë kryer analizat e ujit në burim, në depot e qytetit dhe në pikat fundore të rrjetit shpërndarës. Gjithashtu, nga ana e Institutit të Shëndetit Publik janë marrë mostra të ujit dhe disa kampione tek pacientët e hospitalizuar për të analizuar dhe gjetur shkaqet më të detajuara. Nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike të deritanishme, dyshohet se reshjet e dendura të shiut ditën e shtunë pasdite dhe në orët e para të ditës së diel, në të gjithë territorin e Bashkisë Krujë dhe në veçanti në Malësinë e Krujës ku ndodhen veprat e marrjes së ujësjellësit, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm, ku paraprakisht është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë”, deklarohet nga Bashkia Krujë, e cila shton se gjithsesi ky rast mbetet për tu verifikuar, pasi analizat periodike te kryera nga laboratorët e NjVKSh përpara kësaj periudhe, kanë rezultuar të jenë në norma optimale.

Sipas Bashkisë, janë analizuar edhe mostrat e ujit nga veprat e marrjes në Shkretë dhe në burimin e Livadheve, ku parametrat fiziko–kimike të tyre kanë rezultuar të jenë vazhdimisht brenda normave. “Gjithsesi, jemi në pritje edhe të analizave më të detajuara mikro – biologjike nga ISHP, të cilat do të japin të dhëna më të detajuara të normave të komponentëve të ujit dhe do të shërbejnë për certifikimin e furnizimit në vijim të popullatës me ujë të pijshëm”, shtoi Bashkia Krujë.

Përsa i përket furnizimit të popullatës me ujë të pijshëm në ditët në vijim, Bashkia Krujë sqaroi se UKK po vijon me dezinfektimin e depove të qytetit me anë te procesit të klorinimit, ndërkohë analizat fiziko–kimike dhe ato mikrobiologjike do të certifikojnë rifillimin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët. “Në mënyrë që të shmanget çdo rast i mëtejshëm kontaminimi, kërkohet që të mos konsumohet uji në depozitat familjare dhe të bëhet zbrazja e tyre me qëllim pastrimin përfundimtar të rrjetit deri në pikat fundore. Ndërkohë që autorizimi i përdorimit të ujit të pijshëm do të njoftohet nga UKK Krujë dhe Bashkia Krujë, pas certifikimit të analizave përfundimtare nga ISHP të pikave fundore të shpërndarjes në të gjitha zonat e qytetit të Krujës”, deklaroi bashkia.

Por, duke parë situatën kaotike të krijuar në Krujë, mjekët japin alarmin se duhet pasur kujdes me helmimin. Mjeku i sëmundjeve të brendshme, Gerald Kola sqaron se duhet të kemi parasysh që vetëm për shkak se nuk ka shenja ose simptoma, kjo nuk do të thotë se nuk mund të efekte të mundshme afatgjata. Për shembull, nëse burimet e ujit janë të ndotura me radium ose gaz radon, mund të mos vihet re një efekt i menjëhershëm shëndetësor.  Megjithatë, ekspozimi afatgjatë lidhet me kancerin dhe sëmundjet e zemrës. Ndotësit mund të hyjnë në furnizimin me ujë me mjete të ndryshme. Për shembull, toka thith ndotësit. Materialet e absorbuara ndotin burimet e ujit nëntokësor, tubat e thyer dhe rrjedhjen e tepërt të ujit gjatë periudhave të shiut të dendur”, shprehet mjeku Gerald Kola.

Kaosi në Krujë, 7 muaj pas inaugurimit të Ujësjellësit të ri

Situata në Krujë vjen vetëm 7 muaj pas inaugurimit të Ujësjellësit të ri. Përfundimi i punimeve u përshëndet në muajin mars nga vetë kryeministri Rama, ku investimi kushtoi 314 milionë lekë të reja. Sipas verifikimeve të Portës Vendore rezulton se ky ujësjellës u ndërtua, bazuar në kontratën e Bashkisë Krujë me objekt “Shtim i sasisë së furnizimit me ujë të Qytetit të Krujës”, që u realizua nga bashkimi i operatoreve “Bami” dhe “Curri shpk” ndërsa mbikëqyrja e punimeve nga firma “Erald-G”. Por pa kaluar katër muaj nga inaugurimi, konkretisht më 16 korrik 2021, Bashkia Krujë ka njoftuar banorët për ndërprerjen e furnizimin nga linja e re e ujësjellësit, deri në inspektimin e plotë që nga burimi në Malin e Bogdanit deri tek depozita. Ujësjellës Kanalizime Krujë njoftoi në atë kohë se janë konstatuar 3 ndërhyrje të paligjshme dhe për këto ishte arrestuar dhe një person i dyshuar, ndërsa po punohej për riparimin e dëmeve në rrjet. Ndërkohë, 3 muaj pas kësaj ndërprerje, Prefekti Roland Nasto, pikërisht pas helmimit masiv, deklaroi banorët  po furnizohen me ujësjellësin e ri, por edhe atë të vjetrin, pasi nuk arrihej që të plotësoheshin të gjitha nevojat e familjeve. “Me një popullsi prej 79.600 mijë banorësh, vetëm 17.500 janë mbuluar me linjën e re, ndërsa  linja e vjetër mbulon 62.100  banorë”, deklaroi prefekti.